Paulin Ndoja, Nderi i Sportit Shqiptar

Ish-portieri i njohur i skuadrës shkodrane flet për gjithçka. Kryesisht mbi kalvarin e vuajtjeve. Pikërisht për anën e errët, ato çfarë ka vuajtur ai dhe familja e tij.

Paulin Ndoja, Nderi i Sportit Shqiptar
Karriera e tij nuk është se ka qenë shumë brilante, sepse nuk e lanë të ishte e tillë. E ndërprerë në mes, pa ndeshje ndërkombëtare, pa shkëlqimin e duhur, megjithatë mbetet "i madh". E kemi fjalën për Paulin Ndojën, emrin më të madh të portës shkodrane në vite. Jo më kot ai konsiderohet legjenda e portës së Vllaznisë. Ka marrë dhe vazhdon të marrë vlerësime të shumta nga të gjithë. E respektojnë, e duan, sepse ky njeri nuk di të hakmerret. As ndaj atyre që i kanë bërë keq.

Në rrëfimin e tij të mëposhtëm për "Sportin shqiptar", ish-portieri i njohur i skuadrës shkodrane flet për gjithçka. Kryesisht mbi kalvarin e vuajtjeve. Pikërisht për anën e errët, ato çfarë ka vuajtur ai dhe familja e tij. Anën sportive e njohim të gjithë. Të gjithë e kanë të qartë se kemi të bëjmë me portierin më të madh në historinë e Vllaznisë (jo më kot është edhe pjesë e 11-shes së saj të 90 viteve), kemi të bëjmë me një nga portierët më të mirë të viteve '60-'70.

Por dikujt nuk i pëlqente të duatrokiste për pritjet e këtij njeriu, që ishte nipi i filanit, me biografi të keqe dhe prandaj e shkatërruan. Në fakt i shkatërruan vetëm karrierën, sepse si njeri ka qenë dhe mbetet edhe sot i fortë. Ky është Paulin Ndoja, historinë e pazbuluar plotësisht të të cilit do ta lexoni më poshtë.

Kalvari i vuajtjeve nis më 1965

Në vitin 1965 ka qenë fillimi i karrierës time sportive. Së bashku me Sabah Bizin, Halil Pukën, Zyhdi Bashën e ndonjë tjetër, kaluam tek ekipi i parë i Vllaznisë me kërkesën e trajnerit Skënder Jareci.

Karriera ime do të merrte hov, sepse në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të kupës ndaj Luftëtarit, ndeshja shkoi në barazim dhe kaluam te gjuajtjet e 11-metërshave. Prita tre prej tyre dhe emri im pas këtij momenti filloi të bëhej i njohur. Pak ditë më vonë, do të mundnim edhe Skënderbeun në finale dhe do të merrnim një trofe pas 19 vjetësh.

Me mbarimin e sezonit, ekipi i Vllaznisë deshi të shkonte për një miqësore në Shkup të Maqedonisë. U hartua lista, por aty mora vesh se unë nuk isha i denjë për Partinë dhe nuk mund ta kaloja kufirin. Kuptova se këtu do të fillonte kalvari i vuajtjeve të mia.

Ushtria, portierin e degdisin në Skrapar

Ka pasur peripeci të mëdha pas thirrjes në shërbimin ushtarak. Ndonëse në Shkodër kishte filluar të bënte emër dhe konsiderohej një portier i perspektivës, Ndoja nuk mund të mbahej te Vllaznia për të luajtur futboll, por e degdisin larg, madje këtu janë edhe përpjekjet e para për ta larguar nga sporti.
Mjeshtri i portës e shpjegon bukur këtë gjë, duke dhënë të gjitha detajet e atyre ditëve të vuajtjes dhe brengës së madhe:

"Në vitin 1966 na marrin ushtar, mua, Selami Danin dhe Esat Rakiqin. Na çojnë fillimisht në Tiranë, te klubi "Partizani", ku mblidheshin të gjithë lojtarët nga rrethet. Selamia mbeti te Partizani, ndërsa mua dhe Esatin na kthyen në Shkodër pas një jave, në Korpusin 8001. Aty qëndrova pak ditë dhe, ndërsa Rakiqi mbeti aty, mua më nisën me një motoçikletë ushtrie nga Shkodra në fshatin Gjeroven të Beratit, në një repart ushtarak jo me më shumë se 20 vetë. Mendova se po rri aty, por nga Shkodra erdhi urdhri që Paulin Ndoja nuk do të luante më futboll.
Destinacioni i ri ishte Qafa e Gjarprit në Skrapar. Aty gjeta edhe Gëzim Kasmin, Bashkim Rudin e disa të tjerë. Rudi u largua shpejt, por unë dhe Kasmi qëndruam në Çorovodë, plot 20 muaj. Edhe aty u dha urdhër që unë s'kisha të drejtë të luaja. Ky ka qenë ndër momentet më të vështira të jetës time. Nuk mendoja se duhej të vuaja kaq shumë kur s'kisha asnjë faj."

Takimi i nënës me Ramiz Alinë

Urdhri i ardhur nga Shkodra për të mos luajtur më futboll, madje as në Skraparin e largët, e lodhi shumë nga ana psikologjike. Në ato momente, Paulini mund të ketë menduar shumë gjëra, ndoshta edhe ato ekstreme. Megjithatë do gjendej një zgjidhje. Për të do mendonte pikërisht nëna e tij. Portieri e shpjegon me shumë emocione dhe nostalgji, njëkohësisht për vuajtjet e së ëmës, këtë histori:

"Duke parë shqetësimin tim për vendimin që më ishte komunikuar, nëna ime - Sllavka, bëri një sakrificë të madhe. Në fakt asaj i jam shumë mirënjohës, sepse i solla vërtet shumë shqetësime në jetën e saj. Një ditë ajo mori rrugën për në Tiranë dhe atje i bën një telegram Ramiz Alisë, meqë ishte deputet i Shkodrës, pikërisht i lagjes "3 Heronjtë", ku jetoja unë. I kërkon atij takim për punën time dhe Alia e pret. Nëna, meqë ishte e huaj (ishte nga Podgorica) i kërkoi deputetit aktivizimin tim në futboll, ose ndryshe do të largohej nga Shkodra drejt vendit të saj, ose do kalonte në vetëgjyqësi. Ramiz Alia i përgjigjet:
"Mos u mërzit, djali yt do fillojë të luajë menjëherë, por vetëm atje ku është, sepse nuk mund ta sjell te Partizani ngaqë kjo është në dorën e teknikëve".

Pas kësaj fillova të luaja dhe nga kjo u çlirova disi. Ky ishte ndoshta gëzimi më i madh i jetës time, sepse kuptova se do të filloja të luaja prapë dhe ashtu ndodhi. Unë luajta me Skraparin."

Ndoja nuk luan në Kupën Ballkanike

"Telashet" kishin filluar për portierin e mirënjohur. Në vitin 1968, Vllaznia luan një ndeshje për Kupën Ballkanike në Rumani, por para nisjes, do të ketë "skartime". Trajneri Xhelal Juka dhe futbollistët Hajrullah Leka, Frederik Çapaliku dhe Paulin Ndoja mbeten në Shkodër, sepse biografia nuk i lejon të kalojnë kufirin.

Për rrjedhojë, ata të katërt së bashku detyrohen të stërviten në Shkodër, ndërsa ekipi luante në Rumani. Por ky nuk është i vetmi rast, sepse ka edhe të tjerë në karrierën e tij si sportist. Por jo vetëm. Edhe si trajner i portierëve të Vllaznisë, e njëjta histori.

Në vitin 1987, kur shkodranët luajnë në Kupat e Europës në Maltë dhe Finlandë, Ndoja mbetet në Shkodër, sepse sërish nuk e lënë të shoqërojë ekipin. Vuajtje të pafund për të.

Kërkesa nga Partia për të ndarë gruan

I ka ndodhur edhe ndonjë sportisti tjetër, i ka ndodhur edhe Paulinit. Ai u fejua në vitin 1971, por kishte marrë vajzën jo të duhur për Partinë. Themi kështu, sepse njerëzit e saj do t'i kërkonin pak kohë më pas ta ndante atë.
Portieri i mirënjohur jep detajet e kësaj ngjarjeje:

"Më thërrasin në zyrën e sekretarit të Partisë dhe më thonë se duhej të ndaja gruan, ngaqë familja e saj në Tiranë ishte me biografi të keqe. Familja Diamanti (e gruas time) akuzohej nga shteti i asaj kohe për vënien e bombës në Ambasadën Sovjetike në vitin 1951. E fejuara ime kishte lindur atë vit dhe nuk e di çfarë faji mund të kishte ajo në këtë mes. Unë shkova në shtëpi, i tregova babës dhe axhës, të cilët më thanë:
"Bëj gati teshat e dorëzoji dhe lërë sportin, se gruan nuk ke për ta ndarë".
Në të vërtetë, atë ditë nuk shkova në klub për të dorëzuar teshat, por pas dy ditësh, çojnë një person dhe më thërrasin në klub. Partia të ka dhënë edhe një shans tjetër, më thonë dhe madje më dhanë edhe si shpërblim një rrogë 15-ditëshe, se për çfarë nuk e di dhe as nuk e mora vesh kurrë."

Gjej një komunist në fis, që të vazhdosh sportin

Karriera sportive e Paulin Ndojës ka pasur brenda edhe të qeshura. Ish-portieri i njohur në vitin 1971, atëherë kur filluan t'i përmendin rregullisht problemet e karrierës, i patën bërë një kërkesë të çuditshme...

"Më bënë një ofertë: Shko në shtëpi, më thanë dhe thuaj prindërve se duhet të gjejnë një komunist në fis, në mënyrë që unë të vazhdoja sportin. Ose të paktën, ndonjë vajzë nga fisi ynë, që të ishte fejuar apo të fejohej me ndonjë komunist. Dukej qartë se kjo ishte edhe për t'u talluar, sepse ata e dinin mirë biografinë time dhe të familjes time," - thotë sot Ndoja.

Kombëtarja, ndeshja e vetme kundër kinezëve

Paulin Ndoja është thirrur në vitin 1969 me Shpresat, në prag të një ndeshjeje në Rumani, duke qenë përkrah Ilir Përnaskës, Taip Çutrës, Ismet Hoxhës, Millan Vasos etj., por kur ekipi niset, kuptohet që për të urdhri ishte të kthehej prapa.
Po ashtu, grumbullohet edhe në vitin 1971 përpara ndeshjes me Finlandën, qëndron një muaj i grumbulluar në Tiranë, por sërish e largojnë. E vetmja ndeshje që shkodrani ka arritur të veshë fanellën e kombëtares, ka qenë ajo kundër kinezëve. Ndoja e kujton me shumë nostalgji atë ditë:

"Ishte ndeshje miqësore, që e luajtëm në Tiranë dhe unë luajta në atë takim. Fituam 2-1. kjo ishte ndeshja ime e parë dhe e fundit me kombëtaren. Ajo çfarë më bënte përshtypje mua ishte se më grumbullonin sërish, ndonëse e dija që nuk do të dilja jashtë. Kjo më bënte shumë kurioz," - thotë ai.

Viti 1973, përjashtimi nga futbolli

Një vit më parë kishte qenë protagonist në fitimin e të dy trofeve me Vllazninë. Kishte filluar të bënte shumë vetë që ta duatrokisnin atë për lojërat e zhvilluara, por dikujt nuk do t'i pëlqente kjo gjë.
Për rrjedhojë, në vitin 1973, atë e përjashtojnë përfundimisht nga futbolli. Legjenda e portës shkodrane e shpjegon qartë, njëlloj sikur të kishte ndodhur pak kohë më parë kjo gjë dhe jo 38 vjet më parë:

"Një ditë më thirrin në klub. Gjendem para 5-6 vjetëve, të cilët pas disa fjalëve të bukura për kontributin që kisha dhënë për Vllazninë, kryesisht përralla këto, më japin vendimin për largimin përfundimtar nga sporti. Motivacionin e dija, sepse biografia më ndiqte gjithnjë pas. Në fakt, disa ditë më parë, kisha dëgjuar se në një ministri shumë të rëndësishme, titullari i saj, Kadri Hazbiu, në një mbledhje kishte deklaruar:
"Ne nuk mund të duartrokasim për portierin e Shkodrës, sepse ai është nipi i filanit".

Kjo më kishte çuditur në njëfarë mënyre, sepse mbaj mend se një vit më parë, në një ndeshje kundër Dinamos, kur u ndamë 0-0 dhe unë isha paraqitur mirë, ai erdhi në dhomat e zhveshjes së ekipit tonë, më përqafoi dhe m'u drejtua mua, duke më thënë: "Na kënaqe, kështu vazhdo!".
Kjo fytyrë më kishte ra vazhdimisht në sy, së bashku me Adil Çarçanin në tribunën e "Qemal Stafës" sa herë që luanim në Tiranë, por se çfarë ndodhi një vit më pas, nuk e mora vesh taman. Vendimi për të më përjashtuar më rëndoi shumë. Më dukej sikur bota po shembej mbi kokën time."

Më heqin edhe vëllanë 10 vjeç nga sporti...

Hakmarrja për familjen Ndoja nuk do të mbyllej me kaq. Jo vetëm Paulini, por nga sporti do të largoheshin edhe dy vëllezërit e tij të tjerë. Çfarë është më e çuditshmja, edhe vëllain e vogël 10 vjeç. Absurde, por ky është konfirmimi i asaj çfarë ka hequr kjo familje...

"Fredi, vëllai im i dytë, luante atë periudhë si sulmues me ekipin e të rinjve. Trajner kishte Selami Danin. Edhe për të i njëjti urdhër: "Të largohet nga sporti!".

Por nuk do të mjaftonte me kaq lufta e atij regjimi ndaj familjes sonë. Vëllai im i vogël, Franci, luante portier me ekipin e fëmijëve të Vllaznisë, me trajner Muhamet Dibrën. Këtij i thonë se nuk duhet t'i japësh fanellë këtij sportistit, kur të tjerët kishin marrë të gjithë dhe për rrjedhojë e largojnë me marifet edhe atë. Nuk do ta harroj kurr keqardhjen që pat shprehur i madhi Dibra. Ky njeri, që në gjysmëfinalen e vitit 1965, kur prita tri penallti dhe çova ekipin tim në finale, erdhi më mori në krahë dhe më çoi para tribunës duke bërtitur: "Ky është heroi!"

Ky njeri i jashtëzakonshëm, pas disa vitesh detyrohet t'ia largojë vëllanë nga sporti këtij "heroi" dhe në atë periudhë është shprehur:
"Gjithçka kam menduar, por me arrit deri këtu, sa me largu nga sporti edhe një fëmijë 10 vjeç, këtë s'ma kishte marrë mendja".
Por gjërat ishin vendosur. Askush nuk mund t'i kthente këto urdhra.

Kundërshtarë edhe shokët e mi të ngushtë

Në momentin e marrjes së vendimit për ta larguar nga sporti, Ndoja ka zbuluar edhe fytyrën e vërtetë të disa prej atyre, që ai i kishte konsideruar miqtë e tij më të mirë...

"Ka pasur ndonjë nga futbollistët e asaj kohe të Vllaznisë, madje lojtar me emër edhe me ekipin kombëtar, që ka shkuar në Komitetin e Partisë në atë periudhë dhe është shprehur: "Hyj unë në portë (ndonëse ai luante në mesfushë) vetëm Paulin Ndojën të mos e shoh më aty".
Nuk e kam kuptuar kurrë gjithë këtë mllef, që njerëz të tillë kanë pasur ndaj meje. Megjithatë, unë e kam falur atë dhe shumë të tjerë, sepse nuk kam dashur dhe nuk do t'i kem asnjëherë kundërshtar. Unë vazhdoj t'i trajtoj këta njerëz si miq të mi edhe në këto ditë. Por nëse ka pasur njerëz, që më kanë dashur të keqen, ka patur edhe prej atyre që kanë dashur të më ndihmojnë. S'kam për ta harruar kurrë atë çfarë ka bërë drejtori i Fabrikës së Këpucëve, ku unë punoja. Ai bisedoi në Lezhë me Cuf Pelingun që ishte trajner i Besëlidhjes për të më aktivizuar në këtë skuadër. Ata shkojnë të takojnë kryetarin e Komitetit të Partisë së Shkodrës dhe i kërkojnë të më lejojnë të luaj në Lezhë. Përgjigjja që morën ishte: "Vetëm nëse e pasaportizoni në Lezhë, se për në Shkodër as që nuk bëhet fjalë".
Ishin iluzione të kota dhe pas kësaj humba çdo shpresë. Ishte vendosur tashmë: karriera ime duhej të ndërpritej. Emri dhe fama që kisha marrë, i prishnin punë dikujt".

Biografia

Burri i hallës së Paulinit ka qenë një emër i mirënjohur. Pikërisht hija e Kol Bibë Mirakës, ish-Ministrit të Brendshëm në kohën e Italisë, do ta ndiqte pas familjen e tij.
Këtë gjë do ta vuajnë fillimisht baba dhe axha i portierit të njohur. Të dy ata arsimtarë të njohur, madje axha kishte mbaruar studimet e larta në Zagreb.
Axha i Paulinit në vitet '50 u dënua me 25 vjet me burg politik, nga të cilat bëri 8 dhe më pas, e çuan të punonte në tulla, ndërsa të atin me thy gurë.
Gjërat ishin të qarta, në pamundësi për t'i dënuar edhe më tej pjesëtarët e familjes Ndoja, do të "merrej hak" me largimin nga futbolli të Paulinit dhe vëllezërve të tij.

Finalet e Spartakiadës së 2-të, histori e rrallë

Në vitin 1969 ka ndodhur një histori e rrallë në futbollin shqiptar. Zhvilloheshin finalet e Spartakiadës së 2-të Kombëtare në Tiranë. Vllaznia eliminohet në gjysmëfinale dhe ekipi pas humbjes merr rrugën për në Shkodër.
Në Tiranë mbesin vetëm Paulin Ndoja dhe Lekë Koçobashi, që ndalen për disa punë të tyre. Në atë kohë, në autoparlantin e stadiumit "Qemal Stafa", Alfred Kazanxhiu, thërret ekipin e Vllaznisë për të gjuajtur penalltitë me Flamurtarin për të ndarë vendin e 3-4.

"Koçobashi nuk pranon të gjuajë dhe për rrjedhojë kam gjuajtur dhe pritur vetë penalltitë, duke çuar në këmbë gjithë stadiumin. Penalltinë e fundit ma ka shënuar i madhi Mexhid Haxhiu, duke më mundur, por kjo është një histori vërtetë e rrallë, që nuk është përmendur shumë," - thotë protagonisti i asaj ngjarjeje të rrallë.

Titujt e munguar të legjendës së portës

Gjatë ushtrimit të karrierës së tij sportive, por edhe atë si trajner, për Paulin Ndojën as që bëhej fjalë të kishte ndonjë titull sportiv. Ai po fitonte trofe, ishte anëtar i ekipit kombëtar, një nga portierët më të mirë të Shqipërisë dhe meritonte diçka. Por biografia edhe këtu e pengonte. Çka do të thotë se të gjitha nderimet për këtë mjeshtër të madh të portës, kanë ardhur pas viteve '90 me ardhjen e demokracisë. Ai ka marrë shumë tituj, duke filluar nga "Mjeshtër Sporti", "Mjeshtër i Merituar i Sportit", "Nderi i Sportit Shqiptar", "Mirënjohja e Qytetit të Shkodrës", Çmimi "Palok Nika" në sport, është pjesë e "11-shes më të mirë të Vllaznisë të viteve '80 e '90".
I ka merituar pa dyshim të gjitha, sepse ka dhënë për këtë sport.

Megjithatë, mosdhënia e tyre në kohën e duhur, ka mbetur ende si peng në zemrën e tij. Madje, Ndoja kujton edhe një tjetër detaj shumë të bukur:

"Në vitin 1969, siç zhvillohet zakonisht anketa për "5 sportistët më të mirë të vitit" që ka qenë atëherë, një nga kandidatët për të fituar kam qenë edhe unë. Kam qenë ndër të preferuarit e shumë lexuesve që votonin në faqet e gazetës "Sporti Popullor" të asaj kohe, krahas emrave të tillë, si Agim Fagu, Marjeta Pronjari, Ylvi Pustina, Medin Zhega etj.
Mbaj mend, madje kjo më ka mbetur ende në kujtesë, se më kishin votuar si fitues edhe dy kufitarë nga rrethi i Korçës. Më çuditi kjo gjë, se kufitarët punën bindëse të Partisë e kishin gjënë më të rëndësishme për ta dhe ndërkohë votojnë për një sportist me biografi të keqe!
Kjo më çuditi, sepse unë e dija që nuk fitoja dhe këtë ma kanë shprehur njerëzit përkatës vetë në Tiranë, duke më thënë se ti nuk mund të jesh fitues në këtë anketë për shkak të biografisë që ke," - kujton sot pas 42 vitesh Paulini.

Karriera, si trajner i portierëve

E ka nisur atë në vitin 1985, atëherë kur asnjë ekip në Shqipëri nuk kishte trajner portierësh. Paulin Ndoja është i pari edhe në këtë lloj në vendin tonë. Falë insistimit të Astrit Hafizit, që në atë kohë ishte trajner i Vllaznisë, dhe këmbënguli në Komitetin e Partisë për ta pasur në stafin e tij. Emërimi erdhi, por me shumë ngurrim.

"A e dini se si kam qenë i emëruar në organikën e klubit "Vllaznia"? Si trajner i ekipit të pingpongut dhe merrja vetëm 700 lekë të vjetra rrogë në muaj. Megjithatë, isha i lumtur. Isha rikthyer tek pasioni im i madh i jetës dhe për këtë ia di për shumë faleminders Hafizit," - thotë Ndoja.

Që nga viti 1985 dhe deri sot, ky njeri vazhdon të stërvisë e të nxjerrë portierë. Duke filluar nga Maliqati, A. Dani, Hoxha, Nako, Grima, P. Martini, H. Dani, Mustafa, Shehi, Gjeloshi, G. Ndoja, Bishani etj. E bën këtë punë dhe është i pari trajner portierësh, që lëviz në një qytet tjetër, duke punuar edhe në Lezhë dhe tani së fundi në Velipojë tek Ada. Është 65 vjeç, por duket ende i ri.

Ka sërish për të dhënë dhe këtë premton vetë mjeshtri Ndoja, kur deklaron: "Do të vazhdoj të stërvis portierë, derisa të kem frymë dhe besoj se do të jem edhe për një kohë të gjatë në këtë punë, sepse më mban pasion i madh për këtë sport".

Trofetë:

- Si portier Paulin Ndoja ka fituar Kupën e Shqipërisë në vitin 1965 me Vllazninë.
- Kupën dhe kampionatin në edicionin 1971-72.
- Ndërsa si trajner ka marrë kupën më 1987, titullin kampion në vitin 1992, 1998 dhe 2001.

"Katër yjet" e Vllaznisë

Gjatë atyre viteve u bë shumë jehonë për treshen e famshme të Vllaznisë së viteve '60-'70, e përbërë nga emra të tillë si Ramazan Rragami, Sabah Bizi e Medin Zhega.
Kështu shkruhej e thuhej në shtypin e asaj kohe, por në fakt nuk janë tre, por katër yje të vërtetë të atyre viteve. Bashkë me treshen e mësipërme është pa dyshim edhe portieri Paulin Ndoja.
Vërtet karriera e tij nuk pati shumë arritje, pasi u ndërpre në mes dhe njëkohësisht nuk e lanë të luante me kombëtaren, por Ndoja ka qenë një yll i vërtetë i atyre viteve.

Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami, Paulin Ndoja
Sabah Bizi, Medin Zhega, Ramazan Rragami, Paulin Ndoja
Jo më kot, pas viteve '90, katërshja është plotësuar e këtë e tregon më së miri edhe fotoja e mësipërme.

Nga Gjergj Kola

COMMENTS