Qielli mbi oborr.., Ernest Koliqi

shkoder shtepi shkodrane
O skuta n' hije
t' oborreve shkodrane
për rrâz' murit qi m' vesh lulemustaku,
rrethue me blerim t' murrmë e kokrra t' arta
limojsh t' rritun ndër arka
dhe me elbaroz' gufuese ndër saksija,
mallengjimet e mija
porsi pllumba t' mitun
t' toritun nga stuhija
kah ju flutrojn për t' gjet' nji furrik paqi.

Mbrâmjet vjollzore t' verës enden âmbël
afër mandit qi dridhet
plot andje kur ia lmon gjethlat puhija
dhe afër pusit qi nga gryka e terrëshme
përhap nji frym' freskije.

Sa mrekullisht mbi jue, o skuta t'futuna
n' gji lulzimesh erándëshme,
i kulluet zgjâhet n' hapesì t' pamatun
qielli i Shkodrës e n' tê, porsà e prarueme,
lundrica e bardhë e hânës s' rè qi e lume
velezon ndër heshtìna t' kaltherimit.

N' motet e shkueme, oborre,
ju me muret e nalta, po, na ndàjshi
prej botës shqetimtare,
por hapshi sipër nesh kupën e qiellit
si spërvjerr t' mrekullueshëm
prej kah ndër muzgje t’ndême
n' nji paq ku dridhej vetëm afshi i lulevè,
falemimrìna rèsheshin
t' shutituna kumbonësh
e pershperitje buzësh të padukëshme
q' i lshojshin shpirtit ftesa
arratijash ajrore
mbas karvanit të rève q' ecë e ngjitet, –
i kuq n' flak' lulesh t' orës prendimore, –
npër shtigje dritet.

COMMENTS