Rreth Shkodrës dhe për Shkodrën

shkodra qyteti shkodres
Qyteti shtrihet në brigjet e liqenit me të njetin emër dhe poshtë kodrës së Kështjellës së Rozafës dhe është padyshim ndër vendet më interesante të Shqiperisë. Fillon nga bashkimi i lumejve Buna, Drini dhe Kiri, në një fushë me bukuri të rrallë natyrore dhe të pasur me gjurmë të së kaluarës. Pozicioni i përshtatshëm gjeografik, e ka vendosur në qendër të rrugëve të rëndësishme tregtare që në të kaluarën lidhnin Evropën orientale me atë perëndimore, duke i dhënë qytetit një shtytje të konsiderueshme në drejtim të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Falë zhvillimit ekonomik dhe shoqëror që ka njohur qyteti i Shkodrës gjatë rrjedhës së historisë, aktualisht është ndër qytetet më të pasura të Shqipërisë me dëshmi historike dhe gjithashtu qendra më e rendësishme ekonomike, kulturore dhe shpirtërore e Veriut të Shqipërisë.

Në një rreze prej pak kilometrash mund të vizitohen zona me një bukuri dhe interes të jashtëzakonshëm historik dhe natyralistik: në Jug drejt Detit Adriatik, në Perëndim brigjet e Liqenit të Shkodrës, në Veri Alpet legjendare Shqiptare. Pozicioni i veçantë i Shkodrës dhe bukuria e natyrës që e rrethon, vazhdimisht ka mrekulluar udhëtarët e ndryshëm të cilët e kanë vizituar, si shkrimtaren angleze Edith Durham, botanistin italian Antonio Baldacci ashtu si edhe personazhe të ndryshëm shqiptarë të kalibrit të Ismail Kadaresë.

Citohen me mijëra shprehje, janë botuar mjaft punime të autorëve të ndryshëm rreth qytetit të Shkodrës, lavdisë së dikurshme dhe evokimit të asaj të kaluare legjendare, të cilën sot kush me nostalgji, kush me dëshirën për t'a zhvilluar më tej e kujton. Oferta turistike e Shkodrës të krijon mundësi për të zgjedhur mes formave dhe tipeve të ndryshme të turizmit që mund të zhvillohen. Një kombinim i atraksioneve kulturore me ato natyrore do të jetë e ardhmja e turizmit në Shkodër.

Disa të dhëna historike dhe gjeografike

Zona përreth vendit ku ndodhet sot qyteti ka qenë e banuar që në kohët parahistorike. Këtu janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Objektet e gjetura gjenden në muzeumin e qytetit, në atë të Tiranës dhe në muzetë e Evropës. Kjo sepse zona ka një kombinim të rrallë faktorësh fizikë për jetesë. Rrëzë kodrave të Tepës, në anën jugore të qytetit të sotëm, materialet arkeologjike fillojnë nga Bronxi i hershëm (2000 p.k). Në shekullin V-IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç. Kalaja është e vendosur mbi një kodër në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m.

Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.k. Nga monedha mësojmë emrin që ka patur qyteti në atë kohë, Scodrinon. Në vitin 181 p.k. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Gjatë shekullin II p.k. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Me reformat e Dioklecianit bëhet qendër krahinore. Nga Shkodra kalonin rrugë tregetare të rëndësishme drejt bregut Dalmat, nga veriu, dhe nëpërmjet luginës së Drinit për në Kosovë, nga Lindja.

Me dyndjet sllave pushtohet dhe bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shek. XI. Më pas vjen pushtimi i shkurtër Bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik.

Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, i cili drejtoi rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit Osman, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon përsëri Shkodrën me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij "Rrethimi i Shkodrës" u botua më 10 janar 1504 në Venedik. Pas pushtimit qyteti u rrënua por dalëngadalë u rimëkëmb dhe në shek. XVII u bë qendër sanxhaku e Perandorisë. Në këtë periudhë qyteti ka mbi 1800 shtëpi dhe ka filluar të shtrihet në fushën ku është sot. Zhvillohen zejtaria, punimi i armëve, punimi i mëndafshit, i bakrit dhe i stolive prej argjendi.

Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatllinjve. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane.

Më 1718 janë hapur në Shkodë agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri me 1809 ndërtohet bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit. Në shek. XIX rritja ekonomike ecën me ritme të larta. Qendra tregtare ose pazari ka rreth 2500-3000 dyqane dhe është më i madhi në Ballkan. Qyteti arrin në 50 000 banorë dhe bëhet qendër Vilajeti. Këtu prodhohen veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtrohen 80 profesione. Në qytet jane 6 konsullata të fuqive europiane dhe vendeve fqinje.

Në vitin 1867 qyteti bëhet qendë e Arqipeshkvisë. Ka institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, dogane.

Më 1865 kalaja braktiset pasi Lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Qyteti është kthyer në port lumor dhe tregton me botën nëpërmjet skelave ndërmjetëse si ajo e Obotit, Shëngjinit, Ulqinit, Tivarit. Qyteti shquhet për mjedise të gjelbëruara dhe oborret me lule.

Në vitin 1878 krijohet Lidhja e Prizrenit për mos copëtimin e trojeve të Shqipërisë. Shkodra bëhet një vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Ushtritë e Shkodrës luftojnë për mbrojtjen e territoreve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe Tivarit. Fillon kështu një periudhe trazirash për qytetin, që reflektohet në rënien e shpejtë të numrit të popullsisë. Shkodranët morën pjesë aktive në luftën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke luftuar me armë dhe duke nxjerrë figura të shquara udhëheqësish dhe njerëzish të pendës.

Kryengritja e vitit 1911 e zonës së veriut tronditi pushtimin otoman në Shqipëri.
Pas shpalljes së pavarsisë në vitin 1912, populli shkodran përballoi për shtatë muaj rrethimin e ushtrive të Malit te Zi dhe Serbisë, të cilat në luftën ballkanike që kishte nisur, donin të pushtonin qytetin dhe rajonin përreth tij.
Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore Shkodra sulmohet nga ushtritë malazeze të cilat më 1915 hyjnë në qytet. Në janar të 1916 pushtohet nga austriakët të cilët e bëjnë Shkodrën qendër të zonës së tyre të pushtimit.
Me mbarimin e Luftës se pare Botërore në Shkodër vendoset një administratë ndërkombëtare. Mbas Kongresit të Lushnjes, më 1920, qyteti administrohet nga qeveria shqiptare që doli nga ky kongres.

Në vitet 1924 deri më 1939 pati një zhvillim industrial me fabrika të vogla kryesisht në industrinë ushqimore dhe të çimentos. Në vitin 1939 kishte rreth 70 fabrika të tilla. Gjatë kësaj periudhe të monarkisë qyteti ka një administrim europian, me institucione të rregullta, dhe kryhen një varg reformash progresiste.
Në vitin 1939 Shqipëria u pushtua nga ushtritë fashiste.
Në vitin 1945 u vendos diktatura komuniste dhe qyteti vuajti per 45 vjet nga represioni që donte ta privonte qytetin nga prirjet e tij demokratike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia e tij tradicionale. U persekutuan personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i transformuar sipas ideologjisë së re. U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij mijravjeçar.
Megjithatë ishin shkodranët që dhanë sinjalet e para në Shqipëri për rrugën e re të demokracisë që në janar të vitit 1990.

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin Shqiptar fillon që në shek. XV me shkrimet e para në gjuhë shqipe. Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XVIII - XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Fillon arti fotografik, shtypshkrimi dhe, më vonë, kinemaja dhe energjia elektrike.

Firmat e fuqishme tregtare bëjnë tregti me të gjithë botën deri në Japoni, duke sjellë në qytet prodhime egzotike. Në familjet shkodrane nuk mungojnë pianofortet dhe piktutrat e klasikëve botërorë...

Kultura dhe trashigimia

Trashigimia Kulturore ne qytetin e Shkodrës mbeshtetet mbi dy kolona të rëndësishme:

- Trashigimia Kulturore Shpirtërore.
- Trashigimia Kulturore Materiale.

Kënga qytetare Shkodrane është pjesë e trashigimisë shpirtërore.

Kënga qytetare Shkodrane është një thesar me vlera artistike kombëtare. Repertori i saj është shumë i pasur dhe i larmishëm, e lindur në një ambient e në rrethana të caktuara historike. Ashtu si filigramat, meloditë e bukura Shkodrane janë punuar me mjeshtri, janë lëmuar në rrjedhen e kohërave nga populli, duke na ardhur edhe sot të freskëta dhe origjinale siç është vetë jeta dhe natyra e bukur e banorëve të Shkodrës ndër vite.

Kemi këngë shumë të vjetra, qindra vjeçare siç janë; vallet e kënduara (Shtregullat) që interpretohen me dhe pa shoqërim instrumenti në këto raste:

- Në të gjithë ritualin e dasmës (tek vajza dhe djali),
- Në festat e pranverës "Shtregullat" në oborret dhe bahçet e shtëpive shkodrane,
- Në shetitjet e ndryshme në natyre, gëzimë familjare etj.

Këto këngët janë shumë të brishta dhe elegante, të thjeshta në ndërtim (ritmikë dhe melos) por shumë origjinale. Pikërisht për këtë duhet patur kujdes që kjo trashëgimi të mos denatyrohet nga askush. Bukuria e këtyre këngëve është të kënduarit në grup, me rradhë zërat femërorë dhe mashkullore, herë në unison por dhe të ndarë sipas rregjistrave (kuartë - kuintë).
Në ambjentet e oborreve janë shoqëruar me hap të lirë dy grupe përballë njëri-tjetrit 8 deri 10 persona, burra dhe gra. Disa nga këto këngë janë kërcyer me ritëm valleje.
Gjuha e përdorur në këto këngë është shumë e pasur, e larmishme që ka prekur çdo aspekt të jetës, shpeshherë dhe me një humor fin. Në qendër të përmbajtjes së këtyre këngëve kanë qenë më të shumtën bukuria dhe vitytet e vajzës dhe të djalit që më pas do të lidhnin jetën dhe kështu do të ruhej vazhdimësia.
Baza modale e këtyre këngëve është diatonika e pastër, kryesisht modi eolian (minori natyror) ç'ka dëshmon për lashtësinë e këtyre motiveve.

Këngët e ahengut shkodran

Krahas valleve të kënduar, në folklorin muzikor të qytetit të shkodrës bëjnë pjesë dhe këngët e ahengut (një ndër kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore kombëtare), këngë që mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez mbas brezi duke rritur pa rreshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tingëllimit të tyre.
Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme, në një stad të caktuar të zhvillimit të qyteteve tona për të thënë diçka më tepër se vallet e kënduara.
Vetë ndërtimi i këngëve si formë më e zhvilluar lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re, një realitet të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve në shek. XVIII-XIX.
Ndonëse në ndërtimin melo ritmik ndihet influenca orientale, ato duhen konsideruar dhe trajtuar si shkëmbime të natyrshme vlerash kulturore muzikore që nuk cënojnë në asnjë rast tërësinë origjinale kombëtare të këngëve të krijuara, interpretuar, transmeturar nga brezi në brez nga artistet shkodranë.
Ritmika e këngëve të ahengut është shumë e pasur, po ashtu dhe forma e ndërtimit të saj, herë dy pjesëshe herë tre pjesëshe, me përcjellëse instrumentale dhe forma nga më të larmishmet nga ato të lira "ad libitum" (jaret e famëshme) deri tek ato ritmiket e gjalla plot energji.
Po ashtu dhe struktura modale është shumë e larmishmë dhe e komplikuar por me një rregull të caktuar renditje për interpretim që përfaqëson sistemin e dymbëdhjetë modeve. Duke filluar nga modet natyrore maxhor - minor deri tek ato të ashtuquajtura orientale. Këto shkallë modale populli i quan "Makam" ose "Perde".

Janë shtatë grupe këngësh. Secili grup paraprihet nga një përcjellëse instrumentale.
Për të interpretuar këto këngë duhet të kesh aftësi vokale me zë prej tenori dhe të interpretosh saktë të gjitha ornamentet dhe fjoriturat e saja.
Ahengu fillonte në mbrëmje dhe mbaronte në orët e para të mëngjezit me këngët e grupit "Sabah".
Shoqërimi orkestral bëhej nga; violina, sazeja, kavalli, dajre, lugë ose çapare. Më vonë u futen braçi, klarineta, kitara, harmonia, fizarmonika, kontrabasi.
Tematika është e larmishme nga lirika sentimentale deri tek këngët e trimërisë.
Kemi dhe këngë të tilla që i përkasin "Ahengut Shkodran" me një stil të veqantë dhe një formë më të zhvilluar ku shpirti ashikut Shkodran, dashurinë e fshehtë e shprehte vetëm nëpërmjet këngës, dhe kush më bukur se këtë e shprehin jaret e famshme Shkodrane si:

Për mu paska ken kismet
Me ken ti e tjera kujt.

Ose:

Kenke nuri i bukurisë
Shpin' ma kishe moj në sejran.
O do t'i baj rixha kojshisë
Le t'ma presin pak nj'at mand.

Me kangën shkodrane u morën dhe profesionistë, poetë të mirëfilltë dhe kompozitorë.

Lindën kangë të tilla origjinale si: "Margjelo", "Synin si qershija", "Kur prendon dielli", "Luleborë" (e famshme që është bërë si hymn i Shkodrës dhe e dijnë i madh e i vogël), "Me lule t'bukra", "Turtulleshë", "Kaçurrelat e tua", "Lule t'bukra sjell pranvera", "Ky marak", etj.

Kjo traditë vazhdon edhe sot kuptohet në kushtet e një dimensioni tjetër të jetës social-ekonomike dhe kulturore, mundësisht duke ia transmetuar sa më shumë brezit të ri.

Sa është e vështirë që të krijosh vlera artistike po aq e vështirë është dhe për t'i ruajtur këto vlera dhe për t'i transmetuar ato brezave të ardhshëm pa i deformuar dhe denatyruar. Duhet theksuar se vetë populli dhe banorët e Shkodrës jo vetëm që e pëlqejnë këngën e tyre por dhe e ruajnë me fanatizëm origjinalitetin e këngës shkodrane pasi ajo është pjesë e identitetit të qënurit shkodran dhe shqiptar. Prandaj duhet patur kujdes për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj vlere me të gjithë elementet e saj përbërës, dhe për këtë kërkohet që asnjëherë të mos tërhiqemi në ruajtje të kësaj vlerë që me të drejtë është shpallur kryevepër e trashëgimisë shpirtërore.

Orkestra Frymore e qytetit (Banda)

Shkodra njihet edhe si qyteti i themelimit të orkestrës së parë frymore në Shqipëri, në vitin 1878. Ishte iniciativa e arbëreshit françeskan Atë Markoci që me ndihmat që mblodhi në popull, bëri të mundur ardhjen e mjeshtrit napolitan Giovanni Canale, i cili për katër vite me radhë jo vetëm që e drejtoi këtë bandë muzikore, por përgatiti instrumentistë të rinj.
Mjeshtri Canale shumë shpejt "nuhati" talentin e një të riu, anëtar të këtij formacioni tek i cili më vonë besoi drejtimin e Bandës. Ky ishte mjeshtri Palok Kurti, i cili përveç drejtimit të këtij formacioni, punoi fort edhe për krijimin e një repertori kombëtar.
Pjesëtarë të bandës në vite, u bënë instrumentistë të talentuar të qytetit dhe dirigjentët e saj ishin mjeshtra të tillë, si: Frano Ndoja, Sulë Liçaj, Martin Gjoka, Luigj Prela, Abdulla Grimci, Zef Kurti, Prenkë Jakova, Nush Shllaku, Tonin Daija, Abdullah Salabegu, dhe nga viti 1986 e në vazhdim Kujtim Alia.
Në repertorin e këtij formacioni është përfshirë literatura tradicionale shqiptare si dhe literaturë e zgjedhur nga muzika e kultivuar botërore.

Si rezultat i ndryshimeve social-politike që ndodhën në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist, ashtu si tërë shoqëria shqiptare, banda muzikore kaloi një periudhë të vështirë. Duhet të vinte viti 2001 që kjo trupë t'i rikthehej qytetit dhe nga ky vit, ky formacion po punon për konsolidimin e tij, si një vlerë artistike dhe krenari e qytetit.
Orkestar Frymore (banda) e Bashkise Shkodër, përbëhet nga rreth 40 instrumentistë dhe dirigjenti i saj.
Ka statusin dhe dizenjon e saj karekteristike.
Si rezultat i punës dhe pasionit të pjesëtarëve të saj, të dirigjentit dhe të stafit drejtues, kjo orkestër është fituese e çmimeve të para në shume Festivale Kombëtare. Në vitin 2009 kjo Orkestër mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Bandave muzikore zhvilluar në Giulianova (Itali) ku dhe meritoi Çmimin e Parë - akorduar nga Presidenti i Republikës Italiane.

Disa nga trofetë e fituara në vite:

Në takimin kombëtar, në Tiranë 1930 - Çmimin e parë, drejtues Zef Kurti.
Në takimin kombëtar, në Vlorë 1962 - Çmimin e parë, drejtues Prenkë Jakova.
Në takimin kombëtar, në Korçë 1967 - Çmimin e parë, drejtues Prenkë Jakova.
Në takimin kombëtar, në Elbasan 1968 - Çmimin e parë, drejtues Tonin Daija.
Në takimin kombëtar, në Shkodër 1977 - Çmimin e parë, drejtues Abdulla Salabegu.
Në Festivalin e II kombëtar, në Sarandë 2008 - Çmimin e parë, dirigjent Kujtim Alia.
Në Festivalin e III kombëtar, në Sarandë 2009 - Çmimin e parë, dirigjent Kujtim Alia.

Teatri

Lëvizja teatrore në Shkodër fillon nga fundi i shekullit XIX-të dhe u zhvillua kryesisht në shkolla dhe shoqëri fetare, më vonë edhe laike. Rreth viteve 80-të të këtij shekulli Shkodra, si epiqendra ekonomike e kulturore e Shqipërisë së Veriut u bë kryeqyteti i skenës amatore. Ky aktivitet i gjerë u zhvillua në shtatë lokale teatrore që u ngritën njëri pas tjetrit:

Salloni i Kolegjit Saverian ndërtuar me 1890 me rreth 450 vende.
Salloni i shkollës Franceskane me 300 vende.
Salloni i shkollës Stigmatine me 250 vende.
Salloni i Shkollës Parrucës me 400 vende.
Kinoteatri "Rozafat" me 400 vende.
Salloni i shoqërisë "Bogdani" me 350 vende.
Salloni i shoqërisë "Vllaznia" me 400 vende.

Më 20 shkurt 1879 u shfaq nga nxënësit e shkollës saveriane farsa poetiko- muzikore "Mako" e përkthyer në gjuhën shqipe, më pas u shfaq drama e parë "Nata e Kshnellave" e shkruar nga poeti arbëresh At Leonardo de Martino, "sipas të folmes së gropës së Shkodrës". Veprimtaritë skenike të dokumentuara i kemi rreth viteve 1905, në faksimilet e fletushkave të programeve të shfaqjeve.
Mbas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, ishin kryesisht shoqëritë e ndryshme laike që vazhduan punën e nisur nga shkollat fetare. Shoqëria "Vllaznia" me kryetar Hilë Mosin, u dallua për një program të mirë teatror.
Përmes shfaqjeve teatrale të cilat u bënë jo vetëm burim argëtimi dhe kënaqësie, ato ishin edhe një shkollë për masat e qytetit. Jehona e fuqishme, si dhe polemikat që shkatonin ato në publik flisnin qartë për interesimin e madh të qytetarëve për problemet që trajtoheshin në teatrin e tyre.
Në vitin 1933 u krijua shoqëria Antoniane, e cila pati një degë të konsolidur teatrore. Aktorët diletantë të kësaj dege më vonë u bënë profesionistët më të mirë të artit skenik shqiptar. Në qytet funksiononin dhe grupet teatrore pranë shkollave të shtetit, si shkolla Skanderbeg, shkolla Parrucës, Konvikti Malet Tona, Gjimnazi i shtetit, etj.
Por vetëm pas luftës së dytë botërore teatri arriti lulëzimin e vërtet profesional.
Në vitin 1945, në Shkodër filloi një lëvizje teatrore nga grupe të ndryshme të cilat formuan bërthamën e artit skenik të Shtëpisë së kulturës. Me kontributin e shumë të rinjëve, një pjesë e të cilëve më vonë bëheshin aktorë profesionistë të skenës shqiptare, u vu në skenë drama "Bujtina e të varfërve", drama "Përtej horizontit', "Armiku i populli" të Ibsenit, të vënë në skenë nga përkthyesi i këtyre dramave Zef Zorba. Por shfaqja më e sukseshme ishte tragjedia "Juda Makabe" vënë në skenë më 28 nëntor 1945 nga Zef Zorba me muzikë të Preng Jakovës dhe me aktorët Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Lec Bushati etj.
Në vitin 1946 Shtëpia e kulturës me regjizor Andrea Skanjetin vë në skenë në vitin 1947 melodramën folklorike "Dasma", me drejtues kori kompozitorin Preng Jakova.
Në vitin 1949 u dha vendimi për ngritjen e Teatrit profesionist të qytetit Shkodrës dhe vepra e parë e vënë në skenën e këtij teatri ishte drama "Përmbysja" e shkrimtarit sovjetik Boris Lavraniev.
Në vitin 1952 u vu në skenë komedia "Kopraci" e Molierit, ku shkëlqeu në rolin e Harpagonit, aktori Zef Jubani.

Një ngjarje me rëndësi të madhe për lëvizjen artistike ishte vënia në skenë e operas "Mrika" me libret të Llazar Siliqit dhe muzikë të Prenkë Jakovës. Premiera e kësaj opera u shfaq në sallën e Teatrit të ri "Migjeni", më 1 dhjetor 1958. Ajo ishte opera e parë shqiptare dhe një sukses i madh i artit muzikal shqiptar.
Mbas vitit 1958 Teatri Migjeni përveçse ishte një ndër institucionet skenike më të rëndësishmit në Shqipëri u kthye edhe në një shkolle të madhe të formimit të artistëve të rinj, një pjesë e të cilëve vazhduar me sukses debutimet ne Teatrin kombëtar në Tiranë. Nga ky teatër kane dalë emrat e mëdhenj të artit skenik shqiptar: Loro Kovaci, Pjetër Gjoka, Tinka Thani (Kurti), Roza Xhuxha (Anagnosti), Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Rikard Ljarja, Vitore Ujka (Nino) e shumë e shumë të tjerë.
Në vitin 1954 u vu në skenë për herë të parë në Shkodër një numër estrade, "Estrada në penxhere", e cila u shfaq në kinemanë verore të qytetit dhe në vitin 1958 krijohet Estrada Profesioniste e qytetit, me regjizor Paulin Sekuj.
Në vitin 1960 u shfaq drama "Nora" shkruar dhe vënë në skenë nga Andrea Skanjeti, me aktoren portogoniste Roza Anagnosti. Kjo dramë u vlerësua shumë në festivalin e dytë të teatrit dramatik dhe korri një sukses të madh.
Vitet 60-të sollën suksese të njëpasnjëshme në teatrin profesionist. Me shumë aktorë tashmë profesionistë si dhe emrimi i regjizorit Esat Oktrova solli një rritje të nivelit profesional të trupës. Në keto vite premiera më e sukseshme ishte drama novatore "Histori irkutase" e shkrimtarit rus Arbuzov, e cila u vlerësua me çmimin e parë në festivalin e teatrove në vitin 1961, dhe Tinka Kurti u shpall aktorja më e mirë e këtij festivali.

Në vitin 1962 vihet në skenë drama "Plaku i maleve" shkruar prej Tom Shoshit, në vitin 1963 vihet në skene drama "Shtëpia e kukullës" e Ibsenit e pastaj gjatë viteve në vazhdim "Cuca e maleve", "Fisheku në pajë" të shkrimtarit Fadil Kraja ,"Këshilli i ndrikullave" e Sherri Mitës dhe drama "Zekthi" e Vojnicit, ku spikati roli i aktorit të ri Serafin Fanko.
Vitet 70 u vunë në skenë "Sinjalet e natës" nga F. Kraja, "Pushkët e nënës Kara" e B. Brehtit, "Toka jonë" e Kolë Jakovës, "Viti 61" e F. Pacramit, "Katër nga armata" e Serafin Fankos, "Fëtyra e dytë" e Dritëro Agollit, "Çifti i lumtur" e Bik Pepës, "Luani i shtëpisë" nga F.Kraja, "Lulet e shegës" nga K. Jakova, "Baca i Gjetajve" nga F.Kraja
Në vitet 80 u vunë në skenë dramat "Çështja e Blertës" e F. Krajës, "Vizita inspektorit" e Xh. Pristit, "Shtëpia e Bernarda Arbës" e Garsia Lorkes, "Hetimi" e Piter Vaisit "Gjenerali ushtrisë vdekur " - sipas romanit te Ismail Kadares e vënë në skenë nga regjizori i ri Serafin Fanko, "Gjaku i Arbërit" nga F. Kraja.

Vitet 1990-2000 bashkë me shembjen e diktaturës, sollën ndryshime rrënjësore përsa i takon zgjerimt të repertorit, me pjesë nga autorë dikur të ndaluar por edhe trajtimi me një gjuhë më të hapur, subjekte kureshtare, karaktere dhe ide të pacekura më parë. Por nga ana tjetër periudha e tranzicionit me efektet e saj ekonomike, solli largimin e shumë aktorëve të shquar.
Në fillim të viteve 90-të u vu në skenë "Gomari i Babatasit" i Gjegj Fishtës e më pas drama "Franku i Pestë" e Friedrich Dürrenmatt, vënë në skenë nga regjizori Arben Kumbaro. Në vitin 1994 u shfaq drama novatore e Serafin Fankos "Çmurosja".
Në vitin 1996 përmes një stili me risi të reja vjen drama e Stefan Çapalikut "Ftesë për darkë'. Ndërkohë që pas viteve '90 në teatrin "Migjeni" hyjnë në skenë vepra dikur të ndaluara si dramat "Me dyer të mbyllura" e Zhan Pol Sartrit, (1995), e cila u vu në skenë nga regjizori francez Domenique Dolmieu, melodrama italiane "Ultima luna", "Mirandolina" e Galdonit. Për të vazhduar me drama të shkruara me gjuhë moderne si: "Vizita e fundit" dhe komedia "Ishulli i Shitenit" të Arbri Brahushës, "Luaj me mua në violinë" e Gazmand Krasniqit, "Putargat e thata" dhe "Shën Gjon Kryepremi" nga Stefan Çapaliku, "Një histori e thjeshtë" nga Edmond Mhilli, komeditë "Një burrë skarco" dhe "Miloner pa asnjë kacidhe".

Me dramen" Çmurosja" (1996) të S. Fankut dhe me dramën "Ftesë për darkë" të S. Çapalikut, trupa e teatrit "Migjeni" fitoi çmime në festivalet mbarëkombëtare.

Regjizorët që kanë krijuar profilin artistik të këtij teatri janë: Andrea Skanjeti, Lec Shllaku, Esat Oktrova, Serafin Fanko, Tonin Ujka, Elez Kadria dhe Fatbardh Smaja. Aktorët: Zef Jubani, Tinka Kurti, Preng Lëkunda, Adem Kastrati, Lec Bushat, Bep Shiroka, Ndrek Prela, Vitore Nino, Antoneta Fishta, Violeta Sekuj, Ymer Bala, Viktor Bruçeti, Bruno e Paskualina Shllaku, Agron Dizdari, Merita Smaja, Rita Gjeka etj.

Regjizorët e estradës veçojmë Paulin Sekuj, Edmond Mhilli, ndërsa si librestistë të estradës veçojmë shkrimtarët e njohur të humorit shkodran Bik Pepa, Paulin Selimi. Ndër artistët e njohur të këtij zhanri përmendim: Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Zef Deda, Drane Xhaj, Katerina Biga etj.

COMMENTS