Tahir Dizdari, kontribues në zhvillimin e shkencave albanologjike

Tahir Dizdari, Tahir Nasuf Dizdari
Tahir Dizdari lindi në Shkodër më 15 nëntor 1900. Ishte i biri i Nasuf Dizdarit, shkodrani që mbajti fjalimin mbi varrin e Isa Boletinit.

Fisi Dizdari në Shkodër, sipas Hamdi Bushatit, rrjedh nga një familje e vjetër ushtarakësh që u vendosën në Shkodër, që në periudhën e parë të sundimit osman me detyrën e rëndësishme të "kështjellarëve".

Tahir Dizdari që në moshë të njomë veshi i kapte dhe mendja e zemra i inçizonte copëza nga kuvendi i të rriturve, vargje e këngë trimërie plot tablo betejash e jehona armësh, ku përjetohej dhe lavdia e të parëve të tij. Pas arsimit fillor vazhdoi shkollën Ruzhdije, por studimet u ndërprenë, sepse shkolla u mbyll më 1912 për shkaqe lufte.

Mbyllja e shkollës nuk ia theu vullnetin. Larg paragjykimeve, në ato vite u ul në bankat e Saverjanes, si moshatarë të tjerë prej familjesh myslimane të njohura, duke përfunduar shkëlqyeshëm në vitin 1917-1918. Duke iu kushtuar gjuhëve orientale dhe përvetësimit të italishtes e thellimit të frëngjishtes, që kishte njohur më parë, ai do të ndihej mjaft i kompletuar. Edhe tradita e gjermanishtes që ruhej në familje, duhet të ketë lënë gjurmë. Angazhimi i tij që në moshë të re në poste me përgjegjësi në administratën shtetërore, në qendër dhe në rrethe të ndryshme, si: Vlorë, Durrës e Pukë, i hapi horizonte të reja dhe i ofroi material të shumtë jetësor, gjuhësor e kulturor.

U internua në Itali pas 7 prillit, jo vetëm si ish-nëpunës i lartë i administratës së mbretërisë shqiptare, por sepse ai e kishte shprehur me kohë qëndrimin e tij ndaj sundimit fashist dhe akuzohej për organizim rezistence të armatosur tek ura e Gomsiqes.

Sipas vetë kujtimeve të tij, në periudhën e internimit, ndonëse në vend të huaj e në mbikëqyrje, ai nuk u dekurajua, sepse si besimtar ushqente bindjen se fati i njeriut ishte ekskluzivitet i të Madhit Zot. Duke iu shtruar fatit me vetëdijen se "ogni male non viene a nuocere" (çdo e keqe e ka edhe të mirën e vet) edhe në atë mjedis të ri, në ato kontakte të drejtpërdrejta ai thithi gjithçka paraqitnin më të bukur e interesante ato treva ku ndërthurej natyra e puna, antikiteti dhe e reja, historia dhe arti.

Gjatë kohës që iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet "Ligja e katundarive dhe e komunave", ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën "Udhëhjekës për konferenca". Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: "Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë". Po kështu në revistën "Ekonomia Kombëtare" lexohet se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi Tahir Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë.

Gjatë vitit 1944 boton në gazetën "Bashkimi i kombit" rubrikën "Pyes vetveten", rubrikë që vazhdon në gazetën "Bashkimi" në vitet 1945-1946 me pseudonimin "Hijekakeqi". Gjatë vitit 1944, po në gazetën "Bashkimi i kombit" ushqen me material rubrikën gjuhësore "Fjalë iranishte në gjuhën shqipe" me pseudonimin "Bishtiqindija". Boton studimet toponomastike "Kraja" në gazetën "Bashkimi i kombit" dhe të "Katër Balët" në revistën "Bota e re". Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, "Bishtmbledhësit e cingareve" dhe "Me këta miq që janë sot" në "Bashkimin e kombit". Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat "Kultura islame", "Bleta", etj.

Në maj të vitit 1945 bëhet bashkëpunëtor i gazetës "Bashkimi" dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.

Në shkurt të vitit 1951 arrestohet dhe mbahet për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën "bombë" në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja do t'i transferohej në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me "njollë" në biografi s'lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë do të shpërndaheshin me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952. Nuk duhet shumë fantazi për të llogaritur se ç'pasoja të mëvonshme do të kishte për shëndetin e tij të lëkundur kjo situatë, duke ia vështirësuar edhe punën e madhe shkencore që ndërmori dhe njëherazi duke ia shkurtuar jetën. Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin "Studime filologjike" (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969. Vlerësime mbi këto kumtesa do të kemi më vonë nga gjuhëtarët Emil Lafe e Jup Kastrati.

Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Tahir Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 deri kur ai vdiq, më 9 maj 1972.

Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore "Orientalizmat në gjuhën shqipe", të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të mësipërm. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull "Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm".

Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj "Colege de France" i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973.

Me propozim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në vitin 1995, Presidenti i Republikës z. Sali Berisha dekoroi z. Tahir Dizdari me urdhrin "Naim Frashëri" të kl. I-rë me motivacionin: "Për kontribut të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike".

Teksti nga libri "100 personalitete shqiptare të kulturës islame"

COMMENTS