Njazi Kazazi - Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër (monografi)

Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër, monografi nga Prof. Dr. Njazi Kazazi


Kohët e fundit doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim libri "Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër" (nga fillimet e tij deri në vitet '20 të shekullit XX), shkruar nga Prof. Dr. Njazi Kazazi. Ky libër, i 19-ti në botimet e autorit, është një punim serioz që tenton të ndriçojë historinë e traditës së arsimit të mesëm në hapsirën shkodrane dhe të japë një ndihmesë modeste në njohjen e kësaj tradite të vlefshme. Monografia përmban pesë kapituj kryesor përveç përfundimeve dhe bibliografive.

Disa detaje mbi përmbajtjen e këtij libri na e dërgon z. Kabil Bushati, i cili shkruan:

Shkolla Parruce, Shkoder
Në kapitullin e parë njihemi me shkollat private të drejtuara nga klerikët e besimeve të ndryshme dhe nga të huajt. Kështu janë shkollat turke dhe medresetë, Kolegji Saverjan i jezuitëve dhe Kolegji Papnor. Shqiptarët edhe në mërgimit i ruajtën me fanatizëm traditat e tyre në fushën e arsimit shqip. Kështu më 1502, shkodranët që u shpërngulën në Venedik ngritën shkollë për bijtë e tyre që u quajt "Scuola degli albanesi", me mësues Marin Beçikemin dhe Leonik Tomeun, të dy emra që flasin shumë në historinë tonë për kulturën e tyre humaniste. Kjo shkollë ishte jo vetëm për zejet e ndryshme, por edhe për dije bashkohore. Mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, por njëkohësisht mësohej edhe gjuha greke dhe latine.

Të befason fakti dhe është shumë domethënëse e dhëna që gjatë shekujve XV-XVI Shqipëria ka pasur 9 profesorë universiteti në Itali dhe Dalmaci.

Më 1698 në qytetin e Shkodrës, siç rezulton në bazë të disa të dhënave të deritanishme, hapi shkollë filllore Filip Shkodrani. Po kështu më 1745 hapi një shkollë shqipe, në lagjen Tophanë, Jakë Kolë Kamsi. Në vitin 1830 hapi shkollë me 50 nxenës, në lagjen Serreq, Gegë Kodheli (i quajtur me nofkën Bushiqi meqë ishte tepër i shëmdoshë dhe barkmadh), ku secili nxënës paguante nga 2-4 grosh në muaj. E kështu vijojnë me radhë shkollat e Gaspër Benussit, Jakë Tushit, Gjon Shkrumit dhe e italjanit Signor (Shor) Markja. Në Shkodër u arrit që në vitin 1862 të hapet një qendër arsimore për vajza nga Kushe Micja dhe Tereza Bërdica dhe më pas edhe shkolla për vajza e Tina Nikës. Këtu vërejmë se sa me kujdes e profesionalizëm i ka mbledhur nëpër arkiva, shkollat dhe mesuesit, Profesor Njazi Kazazi. Nuk i ka shpëtuar asgjë vëmëndjes së tij.

Fillimet e shkollës fretnore i gjejmë në vitet 1854-55, at'herë kur ipeshkvi i Shkodrës veproi për të realizuar një evendiment të tillë të rëndësishëm. Kështu u përshtat një shtëpi me dy dhoma në mahallën Gjuhadol, të falur prej atyre njerëzve bamirës katolik. Më 1877 çelet në qytetin e Shkodrës Kolegja Saverjane e Jezuitëve që në vitin 1888 pa frikë mund të quhej një gjimnaz i vertetë. Gjatë jetës së tij ka pasur profile të ndryshme reale, teknike, tregtare, normale, por gjithmonë në epiqendër kishte tiparet e gjimnazit klasik.

Që në kohën e Bushatllinjve u hap në Shkodër nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), rreth viteve 1760-70, Medreseja në Lagjen Qafë dhe më vonë pranë Xhamisë së Madhe në Pazar që iu vu emri Medreseja e Pazarit. Më pas kemi mejtepin Ruzhdije Asqerije tek furra e Bejlikut. Shumë djem shkodran që mbaruan ketë shkollë, i vijuan studimet e larta në Stamboll.
Veçanërisht këto shkolla kulmojnë pas Shpalljes së Pavarësisë. Në vitin 1917 u çel liceu i Korçës, më 1923 u hap gjimnazi i Gjirokastrës, më 1924 shkolla tregtare e Vlorës dhe më 1925 u hap gjimnazi i Tiranës. Në këtë kuadër përfshihen edhe shkollat e mesme të rrethit Shkodrës për të cilën bën fjalë kjo monografi.

Gjimnazi "Illyricum" u ravijëzua mbi bazën e shkollës fretnore, e cila në vitin shkollor 1920 kishte personel mësim-dhënës: qytetësja kishte 1 drejtor dhe 3 mësues, ndërsa fillorja kishte në gjirin e saj 1 drejtor dhe 6 mësues. Kohëzgjatja e gjimnazit në fillimet e tij ishte shtatë vite dhe më vonë në tetë vite. Po kështu kemi edhe shkollën Normale të Motrave Stigmatine. Edhe programet mësimore janë shqyrtuar me kujdes nga autori i monografisë.

Në historinë e arsimit të mesëm në Shkodër një vend të rëndësishëm zë edhe shkolla Normale. Në zonën e pushtimit austro-hungarez, në Shkodër, në gusht të vitit 1916, u krijua Drejtoria e Përgjithëshme e Arsimit, e cila kryente funksionet e organit më të lartë arsimor. Është interesant fakti se në vitin 1917, u dërguan për të sdudiuar në Austri 60 djem shqiptarë dhe 13 vajza, të cilat do të kryenin shkollat pedagogjike. Po këtë vit nis mësimi edhe në shkollën Normale. Në vitin 1922 do të hapej në Shkodër Gjimnazi i Shtetit, për të cilin është shkruajtur shumë. Për këtë gjimnaz janë bërë me dhjetra artikuj dhe studime nga gazetarë dhe studiues të ndryshëm, janë bërë me dhjetra kronika dhe telekronika. Të bie në sy fakti se qysh at'herë u paraqit kërkesa për futjen në planin mësimor të lëndës së "gjuhës latine", duke vënë në dukje se është lënda e parë e gjithë kësaj kategori shkollash.

Padër Gjergj Fishta, në fjalën e përgatitur për të mbajtur në Parlament në vitin 1922 jepte këto shifra:

"... nga 1120 mesues gjithsej janë pa diplomë 465, me diplomë 67 dhe pjesa tjetër prej 698 mësuesish janë mësonjës besimi."

Pra niveli pedagogjik i mësuesve në ato vite linte për të dëshiruar e ishte shqetësim i madh dhe i vazhdueshëm për drejtuesit e at'hershëm të arsimit. Kështu Luigj Gurakuqi flet për 60 nxënës që do të shkojnë jashtë shtetit sipas kësaj ndarjeje: 30 do të shkojnë në shkollat normale, 10 do të bënin gjimnaz klasik që të përgatiten për fakultete dhe 20 do të bënin shkollat e mesme të llojeve të ndryshme.

Në këtë kohë nisi botimi i organeve pedagogjike si "Shkolla e Re", "Revista pedagogjike shqip", "Kumtari arsimor", "Agimi", "Mësuesi", etj. Përveç artikujve teorik, edhe përkthime nga pedagog të huaj, vendin kryesor e zinin orët e mësimit të zbërthyera metodikisht për lëndë të ndryshme. Njëkohësisht pranë shkollave filluan të ngrihen edhe bibliotekat. Një ndihmesë të madhe dhanë edhe shtypshkronjat e Shkodrës, ajo e françeskanëve dhe e jezuitëve.

Në radhët e kësaj monografije një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e arsimit kombëtar kanë luajtur pa dyshim mësuesit që kanë dhënë mësim në këto shkolla. Autori i këtij libri ka bërë një punë të lavdrueshme në evidentimin e të gjithë atyre mësuesve që punuan pa u lodhur në përhapjen mesimit shqip. Ata ishin atdhetarë dhe mësues të vërtetë e të pa lodhur. Të tillë janë Kolë Margjini, Ismail Anamali, Gaspër Mikeli, etj.

Një vend të veçantë në këtë libër zë edhe bibliografia që është ndarë në dy pjesë si, botime të veçanta dhe artikuj të periodikëve të para dhe pas çlirimit. Të gjitha janë të vendosura sipas rendit alfabetik.

Duke përfunduar më duhet të theksoj se autori i librit Prof. Dr. Njazi Kazazi ka bërë një punim serioz dhe profesional pedagogjik. Duke e falënderuar profesorin në fjalë i uroj atij që edhe në të ardhmen të na japë punime të tilla dinjitoze.

COMMENTS