Fshati Lotaj, Komuna Shalë, Qarku Shkodër

fshati lotaj komuna shale qarku shkoder
Lotaj është një fshat në Komunën Shalë, Rrethi i Shkodrës, Qarku Shkodër.
Fshati Lotaj është pjesë përbërëse e fisit të Shalës. Duke i hedhur një vështrim historisë vëmë re se ky fshat ka qenë pjesë aktive në të gjitha betejat e zhvilluara për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së zonës së Dukagjinit. Burrat e këtij fshati kanë marrë pjesë në luftërat e Qafës së Agrit, Qafës së Boshit dhe të Gurit të Kuq, në të cilat kanë treguar heroizmin e tyre në fushën e betejës.

Fshati Lotaj përbehet nga dy vëllezër: Lot Deda që i përket fisit të Gecajve dhe Mark Deda që i përket fisit të Kolmarkolajt. Këta ishin vëllezërit që u ndanë nga e njëjta shtëpi dhe me kalimin e kohës Lotajt u bënë 80 shtëpi me 650 banorë. Është për t'u lavdëruar pasi në këtë fshat, si në kohën e komunizmit ashtu edhe në kohën e demokracisë, nuk ka pasur asnjë vrasje apo vjedhje për t’iu drejtuar burgjeve apo formave të tjera.

Fshati Lotaj ka një sipërfaqe të madhe toke, e ndarë në bjeshkë e verri, pyje, livadhe, kullota, pemë frutore, të cilat kanë krijuar kushte për një jetë normale. Fshati Lotaj ka burime natyrore me ujë të bollshëm e të një cilësie te lartë për t'u pirë, njëkohësisht me ujë të bollshëm për ujitjen e tokës bujqësore. Ky fshat, nga pozita gjeografike kufizohet në Lindje me fshatin Vuksnaj, në Perëndim me bjeshkët e fshatit të Planit, në Jug me komunën e Shoshit, në Veri me fshatin Breg-Lumi dhe fshatin Nenmavriq. Kufiri me komunën e Shoshit është tek varrezat e vjetra në Kodërshëngjergjit për të vijuar pastaj me zgjatimin e kodër Markoçit - koçeku i Martinit, përroni i Pllasit - koçeku i fushës se Malhutes, kodra e Qukut të Kunorës - koçeku i Gjelosh Markut. Me fshatin Vuksanaj vija kufizuese është lumi i Shalës deri tek dy shkëmbijtë e portës se Shalës. Me fshatin Breg-Lumi kufiri është tek koçeku i Vat Gjeloshit. Me fshatin Nenmavriq vija kufizuese është nga përroni i Shkafit deri në bjeshkët e Tajlanit në fushën e Llabunit tek uji i ftohtë e në rrethinat e Lekçet, quku i Sukës e livadhi i Marash Sokolit. Brenda këtij rrethi kufizues ka dhjetëra e qindra toponime të ndryshme. Bjeshkët janë të ndara në të ashtuquajturat "bjeshkët e ulëta" dhe "bjeshkë e larta".
- Në "bjeshkët e ulëta" përfshihet këto zona: fusha e Malhutës, fusha e Pllasit, fusha e Dardhës, ara e Mollës, livadhi i Lek Nikës, mjaxhi i Poshtër, në të cilat dilej me bagëti për verim që nga muaji maj e deri më 13 korrik, ditën e festës së Shqurkut të Shoshit.
- Në "bjeshkët e larta" përfshihet këto zona: kodra e Çetinës, Ndërgurrcat, quku i Sukës afër Sukës së Kunorës, kreja e Shpatit, Çuka, poti i Rrëgallës, logu i Lterit, etj. Kjo bjeshkë karakterizohet nga një freski e mahnitshme, ujë të ftohte saqë nuk mund të ngopesh pa e ndërprerë dy–tri herë, kullota të pafund, e të tjera. Lteri i Sukës mbi Sukën e Kunorës është pika që dominonte horizontin nga ku mund të shikosh Shalën, Shoshin, Planin, Xhanin, qafën e Valbonës, Bregun e Bubës, bjeshkët e Thethit, Denellin, qafën e Pejës dhe shume zona të tjera. Në këto bjeshke ka shume ortiqe, të cilat nuk shkrijnë as gjatë periudhës se Verës.

Në tokën që përshin fshati Lotaj ka 35 kroje me ujë të pijshëm dhe 12 vija vade të gjalla për të përballuar ujitjen e tokës së fshatit.

Ky fshat është mjaft i njohur për virtytet e larta njerëzore që kanë karakterizuar zonën e Dukagjinit, si: besa, nderi e burrëria, por njëkohësisht në të gjitha kohërat ka rënë mbi të bujshëm kamxhiku i persekutimit. Me marrjen e pushtetit nga Partia Komuniste, Dukagjini u bë rreth me qendër Kodër – Shëngjergjit, me degë të brendshme, me degë ushtarake, në të cilën në lagjen e Gjelaj u zunë të gjitha shtëpitë për t'u bërë zyra, dhe nga këto ishte shtëpia e Prekë Lulashit, Çuk Gjeloshit, Ndoc Marashit, Lulec Ndout; ndërsa shtëpijat e tjera ishin në dispozicion të partizanëve.

Fshati Lotaj ka emrat e bijve e bijave të tyre me të cilët kanë të drejtë të krenohen, prej të cilëve mund të theksojmë: Kolë Mark Kola, i quajtur Gardian i Fesë së Krishtit; Mikel dhe Ernest Koliqi me origjinë nga ky fshat; Mëhill Mark Delia i diplomuar në Itali dhe më vone vijon studimet universitare për Fizikë Bërthamore në Amerikë. Nga ky fshat janë shumë burra që e dhanë jetën për Atdheun duke bërë sakrificën më sublime në emër të patriotizmit, si: Mirash Pal Vuksani, i pushkatuar në kampet e nazizmit në vitin 1944; Dodë Biba, vdiq në burgun e Shkodrës nga torturat; Gjergj Biba, arratiset në Jugosllavi dhe atje vdes. Të gjithë këta ishin kundërshtar të vendosur të Zogut, të fashizmit e nazizmit. Të tjerë që dhanë jetën janë: Lina Zef Gjoni, e cila ra heroikisht gjatë ndërtimit të hekurudhës duke dhënë jetën në lulen e rinisë; dëshmori Petrit Mëhill Doçi, u vra pabesisht tek shërbente me devocion në radhët e policisë së shtetit; dëshmori Market Pjetra, oficer i luftës që dha jetën në krye të detyrës.

Shumë djem nga ky fshat kryen studimet ushtarake dhe morën profesionin e oficerit, si: Martin Gjon Ndoci, Marash Kolë Vata, Lazër Pjetri, Mirash Binoshi, Ndoc Grima, Jak Ndreu, Martin Kolë Delija, Gjin Mushaku, Edvin Jak Ndreu dhe Mushak Deda.
Një kontribut shumë të madh në edukimin e brezave të këtij fshati kanë dhëne mësuesit që nxori ky fshat përkrah atyre që ishin të ardhur nga zona të ndryshme të Shkodrës e më larg. Meriton të përmendim: Ndoc Mehill Xhuri, i cili ishte mësuesi i parë që hapi shkollën fillore në fshatin Lotaj; pastaj vijojnë vëllezërit Prelë e Ndoc Grima, Sokol Marashi, Lulash Ndoci, Prenda Pjetri, Shkurte Likja, Prelë Ndoc Vata, Mark Gjon Pjetri, Martin Gjon Pjetri, Pal Bregu, Lukë Shullani, Age Binoshi, Sokol Binoshi, Pep Lushi; ndërsa të ardhur nga Kodër-Shëngjergji janë Mëhill Lekë Cama e Dedë Pjetër Leka.

Kontributi që kanë dhënë bijtë dhe bijat e fshatit Lotaj në fushën e sportit është në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilët janë: Mundësi i talentuar Dedë Bregu, atletja me famë kombëtare dhe ndërkombëtare Vera Bregu, futbollistët Nikoll Gjergji dhe Armir Grima, të cilët me punën e tyre të palodhur kanë hyrë në radhën e atyre sportistëve të cilët do të kujtohen nga publiku për një kohë të gjatë.
Në fushën e mjekësisë theksojmë me respekt punën shumëvjeçare të infermierëve Dila Leka dhe Age Bregu. Duhet vlerësuar dhe respektuar kontributi bashkëkohorë që djemtë e Lotajve: Lekë Sokoli dhe Prelë Ndoci po japin sot në nivel kombëtar për edukimin e brezave.

Ndër ngjarjet zinxhir që i kanë rritur nderin Lotajve dhe Shalës janë: Miter Kola i cili shpiku topin prej “dardhe” për të luftuar turkun në Qafë të Agrit; Kolë Mark Kola i cili vrau begollin e Pejës vetëm për të ruajtur fenë e Krishtit; Lulash Sokol Vata, i cili dha jetën në Qafë të Boshit duke luftuar kundër malazezëve; Ndue Delija, që në përpjekje me xhandarët e Zogut në livadhet e Qafë Agrit vrau një prej tyre dhe shpëtoi vetë, ndërsa Grimc Ndou u vra në ketë përpjekje; Tulan Lulashi ishte pjesëtar në frontin e luftës, në provokacionet e 2 gushtit të vitit 1949.

Ky është një vështrim i shkurtër panoramik mbi fshatin Lotaj për t’ia lënë së ardhmes studimin e njëpërnjëshem të këtyre figurave që ka nxjerrë ky fshat me plot histori e virtyte të larta njerëzore.

Nga Fran Vuksani/shoqatadukagjini.com

COMMENTS