Jolanda Shala

Jolanda Shala, aktore e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës, lindi më 14 maj 1947 në Shkodër. Shkollën fillore e kreu në "11 Janari" (sot shkolla "Martin Camaj"). Më pas mbaroi shkollën e mesme pedagogjike "Shejnaze Juka", për mësuese. Fillon punën në Estradën Profesioniste të qytetit të Shkodrës më 1 prill 1968. Ndonëse karriera e saj artistike qe e shkurtër, ajo mbeti një aktore e talentuar në skenën e estradës profesioniste të teatrit "Migjeni". Vdiq më 22 nëntor 1984.

Jolanda Shala, Jolanda Preka, aktore Teatri Migjeni
E thërrisnin Landi. Emrin e vërtetë e kishte Jolanda. Shkurtimi i emrit nuk kishte të bënte me ndonjë episod apo kujtim fëmijërie. Jo, ishte thjesht një përligjje lirike që rrezatonte ngjyrat më të bukura të ndjesisë njerëzore e humane, sepse konvergonin të gjitha te dashuria që kishin për te: të afërmit, miqtë, dashamirët, kolegët e punës..., si dhe rrugica e fëmijërisë, së cilës shpejt do t'i thoshte: lamtumirë!

Porta e drunjtë nuk do të çelej më. Do të shuheshin edhe trokitjet. E, zogjtë do të jenë të vetmit dëshmitarë, të ikjes së saj. Në fluturimet e tyre do të ketë diçka prej loti, qielli e ëndrre të Landit të vogël. Kështu e thërrisnin Jolandën, Landi. Kështu i mbeti emri.

E shoqëron Landi Jolandën, jo 37 vjet sa ishte jeta e saj (14 maj 1947 - 22 nëntor 1984), por edhe sot e kësaj dite. Një jetë, më shumë me ëndrra! Celën në maj, u venitën dhe u thanë në nëntor. Një rriskë qielli mbushur me xixëllonja maji! Dhe ashtu siç do të thoshte Anni Filip për të shoqin, Zherar -in: "Po çfarë përfaqëson një jetë njerëzore në krahasim me përjetësinë? Kohën e një psherëtime."

Vetëm kaq apo më shume?!...
Fëmijëria e saj rrinte si një pikë loti mbi qerpikun e njomë, pezull mbi faqen e brishtë. Se prindërit i vdiqën herët. Së bashku me vëllezërit e saj, i thanë lamtumirë shtëpisë së vjetër me çardak dhe parmakë, atje në lagjen "Skënderbeg". I thanë lamtumirë: pusit me çikrik, kumbullës ku lidhte shtregullën, trëndafilave që lulëzonin përgjatë bordurave të shtëpisë. Një lamtumirë gjithë trishtim, përmes pikave të shiut që ofronte vjeshta shkodrane si në pikturat e Vladimir Janit.

Landi do të kujtonte me mall tingujt drithërues e shpesh herë melankolikë të serenatave shkodrane përballë avllive me shermashek e dritarëve kafazlije, që dilnin nga shpirti përvëlues i violinistit plak, zotni Gasprit.

(Eh, zotni Gaspri, me kapelën e vjetër republikë që s'e hiqte asnjëherë, me mustaqet e holla, fytyrën thatanike, mollëzat pak të dala, me kostumin ngjyrë kafe ku shfaqej një xhamadan e një zinxhir ore i sermtë, me sytë ëndërrimtarë... Edhe pse i kërrusur, gishtrinjtë e plakur lëviznin si ndër ëndrra... Ajo botë e magjishme tingujsh sikur ia hiqnin pleqërinë).

Në atë shtegtim Landi do të përjetësonte në zërin e saj, ëmbëlsinë e zërit të nënës së saj, Marijes, e cila ashtu e ulur shkallëve, duke ecur nëpër çardak apo e mbështetur pas parmakëve këndonte bukur jaret shkodrane, të cilat i zgjonin sa dëshira të fjetura....! Në Shtëpinë e Fëmijës kaloi shumë vite. Shkollën 7 vjeçare e kreu në "11 Janari" (sot shkolla "Martin Camaj"). Më pas mbaroi shkollën e mesme pedagogjike "Shejnaze Juka", për mësuese.

Që në bankat e kësaj shkolle u duk prirja drejt artit. U shqua edhe si balerinë. Për këtë në vitin 1967 mbaroi një kurs katër mujor në Tiranë, nën kujdestarinë e balet-maestres Zoica Haxho. Mësuesja balerinë është edhe si nënë për Landin. Zëri i ëmbël, takti i duhur, lëvizjet nazike..., sikur kanë gjëra të përbashkëta mes tyre, ndaj dhe shpesh trokasin në të njëjtën portë kujtimesh.

Në Estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, fillon punën me 1 prill 1968.

Ndonëse karriera artistike qe e shkurtër, ajo mbeti një aktore e talentuar në skenën e estradës profesioniste të teatrit "Migjeni", duke lënë gjurmë edhe në rolet me të vogla. Veçanërisht, së bashku me aktoren e talentuar Zyliha Miloti, krijuan një duet të këndshëm, plot ngjyresa humori në interpretimin e shumë gjinive e zhanreve të estradës shkodrane.

Çdo rol që i besohej kërkonte e këmbëngulte që atë figurë që krijonte ta plotësonte derisa të shfaqej si karakter i plotë, pra, e qëndiste. Ishte e kujdesshme qoftë edhe për një përparëse të vogel që i duhej personazhit, pa le për garderobën e rëndë.

"Duke parë natyrën e saj si aktore - do të thonte në një bisedë vite më parë regjisori Paulin Sekuj - Jolanda punonte ngadalë e me kujdes. I kushtonte vëmendje detajit për të tipizuar me mirë personazhin e për të krijuar doemos situatën humoristike".

Puna e Jolandës, si aktore në gjininë e humorit sikur përligjte një thënie të Stendalit, që thonte: "Detaji më i vogël, situata më e vogël, kanë rëndësi vendimtare, shkaktojnë të qeshurën ose i kundërvihen asaj". Tekstin jo vetëm e nënvizonte disa herë, por edhe e rikrijonte.

Kjo veçori e punës aktoriale, që për regjisorin dhe trupën artistike nuk ishte më sekret, bënë që në lamtumirën e fundit, në mes të tjerave të thuheshin edhe këto fjalë: "Ne i kemi të gjalla në kujtesë preokupimin e saj për punën e madhe që ajo bënte me rolet, shqetësimi që nuk i ndahej deri në shfaqjen e fundit, për të krijuar figura sa më të bukura, reale, që kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën e shikuesit".

Landi shpesh në biseda me kolegët, si me Tano Banushin, Hasan Smajën, Paulin Prekën, Zyliha Milotin, Katrina Bigën, thonte se: "aktori nuk duhet ta çojë rolin te vetvetja, por vetveten duhet ta shkrijë në rol. Kështu del në pah talenti i aktorit, sa vlen ai..."

Në punën e saj krijuese, Landi i diferenconte karakteret njëri prej tjetrit pa krijuar stampe, monotoni, pa përsëritur vetveten. Ndryshe do ta shikoje në një grua fshatare, tjetër në një komedi muzikore, një pamje tjetër në rolin e shkueses, një tjetër të një llafazaneje apo në karakterin e bukur që krijoi te Tazja (cikli: "Tazja me Lacën"), në rolin e një fëmije, etj., etj. Si aktore e profilit komik, portreti i saj plotësohet me paroditë, vodevilet, komeditë e operat muzikore.., në 60 shfaqje që mori pjesë, duke interpretuar rreth 180 role.
Interpretimet e Landit i kujtojmë në premierat: "Ballafaqimi", "Shigjeta thumbuese", "Nën tik takun e orës", "Laj e shplaj, qit në diell e thaj", "Ngjyrat pranverore", "Peshqeshi i fundit"; komedinë: "Fundi i një komedije" të Fadil Krajës, etj.

Gjurmët që la në skenën e Estradës, duke kujtuar këtë apo atë personazh, patjetër na sjellin në kujtesë gjithmonë një grua: me fytyrë të hajme, me flokë të gjatë onde-onde, me balluke përpara, elegante, të qeshur e gazmore; një emër: Jolanda Shala, me sytë e saj të kaltër, shprehës e depërtues deri në dhembje të qenies së saj shpirtmirë dhe plot humor. Jo vetëm shpirti i mirë, por flisnin, flisnin shumë edhe ato sy...! Një pasuri e rrallë dhe e vyer që e ëndërron ta ketë çdo aktor...!

Nga Xhahid Bushati

COMMENTS