Kujtime françeskane.., Lazër Shantoja

lazer shantoja kujtime franceskane
Ishem kund katër a pesë vjeç. Em atë (dritë i baftë shpirti!) më muer nji ditë të dielle mbasdite për dore e, rrap-çap me at kambë drûni mbi kalldramin e shkallmuem të rrugzës së Marvukës, (dukej ai kalldram, me mâ shum gropa se gur, porsi goja e nji plake ku nuk kan mbetun mâ shum se dy a tre dhambë), shkuem në Kishë të Fretenvet në Gjuhadol. Kisha e Fretenvet aso kohe nuk ishte ndërtesa madhështore e artistike me të cilën stoliset e nderohet sod ajo lagje e Shkodra mbarë. N'at kohë ksaj kishe nuk i shiheshin veçse disa mure, qi mâ fort kishin hijen e nji rrenimi se të nji ndërtese. Sot katërdhetë e katër vjet kisha e Fretenvet ishte nji kapelë pak si e gjatë, e ngushtë dhe e ultë, nji pjesë e Kuvendit.

Hŷmë n'oborr. Në mjedis së tij nji marshallojë e madhe, e bukur, në lule. Rreth oborrit rrugina shtrue me guraleca të vogjel e symetrikë, zbukurue nga harqe të gjana. Dritorevet vareshin flamuj fetarë. Kundruell shihshe disa viza, do numra shkrue në mur, e nji thupër hekuri. Ishte ortari dielli. Nga nji derë e vogël, dera e kishës, dilshin tingullime e fjolla tymi. Kangë e kem. Popull i madh at ditë. Ishte dita e Shë Ludovikut, nji ndër ndjesë ma të mëdha të Shkodrës s'atyne kohvet.

Umbrrela venediklije te mundafshta e shumngjyresh mbulojshin japanxhe e degërmija. Hallvaxhija, miku i parë i fëmijvet, kalonte nëpër rruginë tue shitë hallvë e terhan e molla e krena gjelash veshun në sheqer të kuq. Jani, me tepsì maje krès, shitte qahija e byrekë. Un at ditë piva nji gotë xhinxhibirrë...

Baba më muer hopa e më vû me ndêjë - dojshem mâ fort me pa se me pushue - në qoshen e nji dritoreje qorre. Në nji anë t'oborrit ishte ngrehë nji kathedër mbulue me disa peca të kuqe e sherita t'arët. Duel nji frat prej kishe e hypi aty me predikue. Ishte Padre Françeskja!

Kujtimi i parë i em françeskan.

*****

"Ça po më don frati, moj babë!" Ishte em vlla qi kthehej prej shkollës së Fretenvet. Kishte kërkue të gjitha shkollat e qytetit e n'asnjanën nuk kishte mujtë me xanë vend. Tash e kishte gjetë! Kishte gjetë Fravoriston (kështu e quejshim na fëmijtë Fra Evariston) qi e donte mirë! Shkolla e Fretenvet! Uh sa shtyp të keq pat n'at kohë pa shtyp kjo shkollë françeskane. Nji shkollë për malsorë e fëmijë të vorfën... Për fëmijë me brakesha të shkyeme e kambëzdathun... Teneqe, ajo shkolla e Gjuhadolit! Nuk ishte aspak aristokratike... E mbandej! Shkollë ku mësohej shqip! A ke çë ndie? Po çë nevojë kan fëmijtë shqiptarë me xanë shqip? Paj shqip ata flasin se të bâjnë dita me nanën e babën! Ku duen me shkue ata me gjuhën shqipe! Ajo gjuhë nuk të çon përtej Shën Gjinit, jahu! Gjuhë të hueja na lypen! Kështu flitej n'at kohë në Shkodrën t'onë.

Kur qe... N'at shkollë aq të përbuzun kumboi nji emën. Nji emën i madh qi e mbushi, qi e sundoi, qi e naltoi dhe vûni në fron shkollën shqipe dhe gjuhën shqipe në Shqipnì.
Ish-famullitari i Gomsiqes, At Gjergj Fishta!
At ditë e at ditë, shkollën e Fretenvet dhe Françeskanët e Shqipnìs mbarë i rrethoi shkëlqimi i nji symboli të rì, symboli i krenìs me qênë e me u quejtun shqiptarë, symboli i pavarsìs kombëtare! Ça kishin qênë e ça kishin bâmun Padër Toma, Padër Françeskja e tjerë plot për Fè, nisen të jenë e t'a bâjnë At Fishta e tuba e e madhe e shokvet të tij për Atdhè.

Shkolla shqipe! At Fishta!
Kujtime françekane...

*****

I jam avitun ne e parë me nji ndienje frike At Gjergjit t'onë. Ai kishte mbërrîjtë në kulmin e Parnazit e un po u argtojshem në fund të tij me ndonji guralec të latuem prej ujit qi gurgullonte nga kroni i zanavet shqiptare. Këndojshëm "Lahutën", më pëlqejshin "Anxat", u kënaqshem me "Mrizin", dilshe mendsh prej gzimi kur këndojshem "Rrokull botës" e "Rrokull Shqipnìs", e kronikën e përmuejshme e të pamujtëshme të numravet të parë të "Hyllit të Dritës"! Kush mundet me shkrue si ky? thojshem at herë, e thom prap sod. At Fishta nuk mund ndiqet e as duhet të ndiqet. Ai asht e do të mbetet i vetëm. Sikur të tânë të mëdhajt! Çdo imitim i artit të tij duhet të dalë me doemos nji karikaturë. Koha më ka dhanë arsye. Të gjithë ata qi janë mundue me na dalun "Fishta", të gjithë, pa përjashtim, kanë dështue. Kanë mujtë me i vjedhun Fishtës nji frazë, me i marrun uha nji trajtë, me ba rrugë der diku mbi falsarigën e shkrimevet të tija, por asnji nuk ka mujtë me mbërrîjtë der tu palci i stilit të tij. Fishta vetë bile kur në ndonji rasë âsht mundue me dalun likuret të tij, mos me qênë ma Fishta i parë, por me ngjeshun armë qi nuk ishin të tijat, na del i mangët dhe i vogëlsuem.

Shum âsht shkrue e shum do të shkruhet gjithnji mbi artin fishtjan. Në rasën e 60-vjetorit të tij qe botue dhe nji numër i veçantë i "Hyllit të Dritës" në nderim të Poetit tonë kombëtar. Nder gjith ato shkrime nuk e këndova kurrkund të shenjuem e të theksuem meritimin ma të madh t'artit të tij. Kuj i ra në mend at herë me na thanë se Fishta shkruente mirë shqip, krejt shqip, vetëm shqip? E pra Goetheja tjetër lavd nuk dijti me i dhanë vetes por kët: "Ich kann ein bisschen gut Deutsch schreiben!" - Un dij të shkruej pak si mirë gjermanisht. -
Shkrimet e Fishtës kanë erë toke shqiptare. Shpirtit të shqiptarit veshi i Fishtës i ka nxjerrë jonat ma të hollat, ma t'imtat, ma të thellat, ma t'ambëlat. Jonat qi përbâjnë jetën karakteristike të popullit tonë të vjetër. Âsht malsori, âsht mali, âsht gjaku shqiptar qi flet e shungullon e shkumbëzon ndër vargjet e Fishtës. E vargu i tij të trandë e të molisë.

E shoh sod Fishtën plak... (mos të na ndigjojë, pse e urren kët fjalë!) me nji shkop të trashë në dorë, tue ngrehë nji kambë rrëshqanë, mbi qafzën e murrët të zhgunit shêjin e nji akademiku. M'a kande por mâ fort kur e shoh ndejun. Sodis kështu mâ mirë të tanë hijen qi lëshon trupi e mâ fort shpirti i tij. Un nuk kam pamun ende nji shtat e nji fytyrë ma mikelangjoleske se shtatin e fytyrën e Fishtës s'onë. Nji model i denjë për Buonarottin e pavdekshëm. E tue e qyrun kët model - fenomen i ligjës së kundërtësivet - më ve mendja tu At Gjergji n'intimitet. E shoh kah lot spathish me mue në qelën e Sheldis, e shoh tue kuvendë në shoqnì të vëllazenvet e të miqvet të vet, e shoh në dritën e kandilit të vojit të gurit kah farkon bashkë me mue (qoftë për at herë!) mâ të bukrin e mâ të famshin ditiramb politik të letersìs shqipe...

Ah At Gjergj Fishta!
Kujtime...

*****

Rrethet e Shkodrës ishin mbushun me shatorre e Shkodra vetë me ushtarë. Vijshin e shkojshin për ditë, e për ditë numri i tyne bâhej mâ i madh. Nën komandën e Turgut Pashës këta ushtarë anadollakë kishin ardhë me shtrue Malsìn e Madhe qi kishte çue krye. Kryengritja e tyne muer mejherë trajtën e nji legjende, e maja e Deçiçit e Sukat e Moksetit e liqeni i Hotit e kazerma e Tuzit u bânë të famshme. Dedë Gjo Lulat e Gjelosh Gjokat po bâjshin me malet e tyne mrekullì. Për terr të natës lundra të zeza picigjate shprazëshin në limanin e doganës së qytetit trupa të varruemësh. Natën... Të varruemit nuk ishin ushtarë por, mjerisht, vullndetarë shqiptarë qi luftojshin kundra shqiptarvet. Kishin prandej turp prej dritës së diellit!
Lufta prani e malsorët tuba-tuba dirgjeshin në qytet.
N'at pshtjellim lëvizjesh e kujtimesh un dajë disa fytyra. Janë Fretent e Malsìs së Madhe! Atë Mati Prendushi, Atë Sebastjan Hila, Atë Karl Prendushi, Atë Luigj Bushati, Atë Bona! I kam gjithnji para sŷsh fytyrat krenare të këtyne Fretenvet famullitarë kah u silleshin per gjatë fushës së Çelës e të Serreqit krah për krah me krenët e atyne malevet kreshnike, kreshnikë ata vetë. I shoh sidomos në Kryeipeshkvìn e Shkodrës kah i bâjshin kunorë të bukur e të meritueme atij Prelati zemërmadh qi, sidomos n'ato kohë kritike, vû në kandarin e politikës të tânë peshën e personalitetit të tij të madh, Emzot Jak Serreqit!
N'at tubë un dajë edhe dy shokë të mij mâ t'afërm, dy priftent e Malcìs së Madhe, Emzot Nikoll Ashten e Don Frano Karmen, të cilët n'at luftë drangojsh për lirìn e Shqipnìs bashkë me malsorë danë vuejtjet e mërgimin e luftën e ngadhnjimin.
Sod prej ksaj shqene kaq të bukur e madhështore ça ka mbetë?
Nji kartuç ku dora e Kel Marubbit ka ngjitë nji rryp letere të shëndritshme. Nji grup fotografije qi shoh të varun në ndonji mur plot lagështinë të qelavet t'ona katundi...

Kujtime!

*****

"Vorri i Fratit" ishte dikur shum i përmendun në Shkodrën t'onë. Gratë t'ona katolike shtegtojshin n'at vorr, pa dalun mirë drita, me kandila në dorë, dhe u ulshin në gjuj para nji guri në rrugë të madhe, kund njatje larg përtej Hanit të Salo Kalit. Shkojshin atje për me nxjerrë me luta qi i bâjshin Fratit të martirizuem shëndoshjen e ndonji të smueti. Nji bullë fytyrë-zbetë qitte sŷtë prej kapaku të çelun përgjymsë të nji derë oborri e shkonte mbandej, e shkreta, me mbledhun at grimë lëmoshë qi të devoçmet e Shkodrës kishin lanun tu ajo rrasë.
Kush ishte ai frat? Si i kanë thanë? Kur kje mbytë aty e në çë mënyrë? Un s'e dij. As gratë t'ona moderne nuk do të dijnë ndoshta sod se dikur nanat e gjyshet e tyne shkojshin me u lutë tu "Vorri i Fratit"!
Ai vorr i harruem më kujton sod vorre të tjera fretnish qi nuk do të harrohen.
Gjindet vorri në Kosovë i nji At Shtjefen Gjeçovit! Ishte i mirë, ishte zelltar, ishte i dijtun, ishte patriot! E mbyten në rrugë të madhe, porsi mbyten bishët e egra. Fytyrën e kishte t'egër. Kishte fytyrën e nji revolucjonari. Por ai qi, si un, ka pasë fatin me e avitë e me e njohun prej s'afërmi, âsht kujtue sesà butësì shpirti, sesà idealizëm të thjeshtë ndryente nji veshë kaq e vrazhdë.
A ka mujtë me dhanun kush ndonji fjalë t'ambël kujtimi mbi rrasën e vorrit të nji Frati qi qe edhe nji shkrimtar i madh?
"Veni mbi qivurin t'em nji shpatë, pse un kam qenë nji ushtar trim në luftën e lirìs së njerzìs!" Testamendi politik i poetit Heine mund të jetë edhe ai i Fratit letrar. E shpata qi Shqipnija ulë mbi vorrin e këtij ushtari quhet "Kanuni i Lekë Dukagjinit"! Shpata e prehme me duerët e tija!
Nji vorr tjetër në Romë. Në dhomën e bardhë të nji klinike dha shpirtin e bardhë nji Atë Ambroz Marlaskaj. Frati i pathyeshem dhe i papërkulshëm, frati qi urrente kompromiset, frati qi nuk donte me dijtë politikë. Frati me menden e hollë, me vullnetin e hekurt, me shpirtin e pastër, me jetën e shenjtë.
Çë fat ky i pamishrirshëm dhe i pashpjegueshëm qi Moizeat i bân gati përherë me vdekun larg tokës ku linden, larg tokës së premtueme?...
E në Shkodër kemi vorrin e nji frati artist! Kush ndër né s'e ka njoftun, kush ndër né s'e ka dashun At Martinin?
Un u pashë me tê nji ditë nadje heret në sakrestìn e Kishës së Gjuhadolit. U rrokem me mallë dhe u falem me zemër. Vetëm pak minuta ndejem bashkë mbas pesëmëdhjetë vjetësh qi nuk e shihshim - e mbas nji moji mora vesht se Atë Martini kishte vdekë.
E kaloi jetën - bujar, me gjak e me shpirt - pa bujë.
Nji fytyrë e qeshun, e ambël, e përvujtë: françeskane në të tanë kuptimin e fjalës. Janë fytyrë të tilla qi i apin gjallnì të shenjët atmosferes typike të heshtjevet kuvendore. Janë këto fytyra të qeshuna, të paqta e të pa-hile, qi na e bâjnë të bukur e të lakmueshëm kuvendin.

Vorri i Fratit! Vorre Fretënsh!

Kujtime...

*****

Marre me thanë, por në Dukagjin nuk kishe qenë kurrë.
Dëshirojshe mjaft me i pamun ato vise aq të përmenduna, sidomos mbas këndimit të tërhjekshëm të fejetonavet koliqjane: Letra nga Dukagjini. Shkova tekembramja në Dukagjin, mâ mirë me thanë, në Thethë të Shalës, në gjymsën e dytë të gushtit të kaluem. Kur hŷna n'automobil, para kronit të Bogës, e nisa me ju ngjitë leqevet të shuma e të ngushta qi të çojnë në Thore, më rrihte zemra prej kureshte e prej gzimi. Për shoq rruge kishe zotni kontin Zatta Sanfermo, me të cilin lidhme nji njohtje qi mâ vonë u bâ mikësí. Më thotë: "Keni me pa panoramë me sŷ! Un njoh alpet e Tirolit e të Svicres e të Skandinavjes, por nuk kam pa gja mâ të bukur e të madhnueshme se malet e Dukagjinit." Me folun të drejtën, këto fjalë m'u dukën pak si tepër të mëdhaja e un po pregatitshem në menden t'eme adjektivat mâ të bukur e shungullues për me i shprazun të gjitha në Thore para dukjes panoramike qi pritshe. Kur mbrrijta nalt e pashë... mbeta harû! Nuk dijta me thanë tjetër por: ah, oh! oh! ah! Sa bukur! Ato male, ato maje, ato shkamije, ato humnere, ato hije, ato blerime, ajo botë guri viganore më lanë pa gojë.
Ku âsht qela e Fratit?
Ulemi, ulemi e qe, ne e djathtën, nji zallë, nji livadh, nji banesë mâ e madhe se të tjerat. At Anton Harapi e kishte zgjedhun tash sa vjet at vend për banesë verimi të xhakojvet, e un i kishem premtue se do të shkojshem nji ditë me e pa atje.
Kur më pau... Do të rrëfej këtu nji origjinalitet! Kur na të dy ndeshemi, mâ parë fillojmë me qeshë nji herë mirë e mirë, e mâ vonë ia nisim bisedës. Âsht kjo ndoshta edhe mënyra mâ e mirë e mâ e shpejtë për me u marrun vesht me miqë. Pse na me At Antonin jemi miq të moçëm. Un e njoh kët frat (nuk po e veshi me adjektiva, mbasi adjektivat me të cillët zakonisht duem me veshë miqët, zbulojnë veten tonë...) qyshë se ai u quente Gaspër. E njoh me brakesha të leshta, me takije e caruqe në shkollën e Jezuitvet. Jezuitët janë mjeshtra për me diktue talenta, e kur i diktojnë, etiqetat i shkapërcejnë. At Antoni, Gaspri i atëhershëm, ishte i vetmi bashkë me të vllan, Markun, qi mund të përzihej n'at shkollë plot brandavekë e xhamadana e jelekë e pantallona e kravata. Un e pashë së pari në... fron! Ishte dita e të damit të çëmimevet dhe emni mâ i parë qi u përmend qe ai i Gaspër Shirokës. (At Antoni âsht prej Shiroke). I përcjellun nga jonat e daulles së Frano Ndojës, ngjitej Gaspri shkallës së shqenes theatrore të salonit të Kolegjës saverjane, me brakesha të bardha e caruqe të kuqe, nishanin në parzëm. Kështu e kam para sŷshë. Mbas disa ditësh më thotë nji shoq në rrugë të Jezuitvet: a din gja? Gaspër Shiroka ka hë xhakue ndër freten.
Sa vjet po bâhen? Tridhjet e tetë vjet! Nji jetë njeri! E në kët jetë njeri nè të dyve na ka ra me jetue mà se nji jetë. Kemi damun së bashku ideale e luftime e bashkë kemi hangër dhe bukën e burgut. E shoh sod At Antonin të lodhun... Âsht nji lis i rrahun prej shum duhìsh e qi rrajët i ka të forta. E sodis kryetar xhakojsh në Qelën e Thethit. Tash e thërrasin me peshue nji sheke me djathë, mbandej me pa kah repet nji mëzat, mâ vonë me ndigjue nevojët e disa malsorvet. Shoh xhakojt kah losin, të lumtun, foot-bal në livadhin e blerë. "Valbona" mësŷn "Shtegun e Dhenvet" e del fituese. Shqenë bukolike n'at qetì pafajnije të bukur.
E sodis gjithnji At Antonin... Frati qi rrin e lot me fëmijë, të cilvet ditë për ditë u shtron bukën e gojës e gjellën e shpirtit. Kalon kohën tue edukue brêzet e reja françeskane në Shqipnì!
Në heshtje e përvujtnì!
Thethë... Shalë... Secila maje e atyne malevet âsht nji strofë epopeje kombëtare!
Të bijtë e Shë Françeskut tash qinda vjetësh banojnë aty. Ndër luginat e malevet mâ t'egra, bashkë me fatosat e bjeshkvet mâ shqiptare. E Krisht e Shqipnì âsht predikimi i tyne. Jeta e tyne: Fè e Atdhè!

*****

Kallxon legjenda se Shë Françeskun e quejshin "Hylli i Dritës".
Dante shkruen (Par. XI, 50-51)
"Di queste coste venne al mondo un sole."

Shtatqindvjetuer françeskan!
Hyllë drite ka qenë ky Urdhën për vendin t'onë.
Mbas sodit ai "hyllë" u bâftë "diellë"!
Me kët urim po i mbylli këto "kujtime françeskane"!

Dom Lazër Shantoja - Tiranë, me 5 të dhjetorit 1940

COMMENTS