Piktori Ndoc Gurashi

piktori ndoc gurashi
Ndoc Gurashi kalon çdo ditë përgjatë rrugës "Gjuhadol" në lagjen e hershme katolike të Shkodrës. Ai është 88 vjeç dhe të gjithë e njohin kush është. Të rinjtë e thërrasin "axha Ndoc", kjo e bën të ndjehet mirë.

Nuk besoj se ekziston një vend tjetër ku ai do të kishte dashur të jetonte përveç Shkodrës, qytet me të cilin është i lidhur emri i Fishtës dhe Idromenos. Ndoc Gurashi u bë nxënës i tyre pasi dikush tjetër e ndihmoi në hapat e para, një vajzë që shkonte gati çdo ditë të merrte mësime në pikturë tek maestro Idromeno. "Unë ju vesha mrapa", qesh maestro Gurashi kur kujton fëmijërinë e vet. Xhuzepina Gurashi (Zadrima) ishte motra më e madhe, piktorja e parë në Shkodër.

Ndoc Gurashi është sot piktori më i vjetër në qytet. Ai i ruan më shumë fanatizëm pikturat e tij aq sa nuk i pëlqen fort t'ia fotografojnë. Jeton në një shtëpi të vjetër shkodrane, e mbushur me kujtime brenda atyre mureve me piktura të vjetra plot vlere.

Katolik i devotshëm

Një prej pikturave mban zemrën e Krishtit, sipër të cilës për 50 vite ishte portreti i Karl Marksit. Zgjedhje e detyruar e kohës, por Gurashi ka qenë shumë i lidhur me fenë e të parëve. Dikur mbante Lahutën origjinale të Malcisë, me firmën e të madhit At Gjergj Fishta.

Gurashi bën pjesë në ato që në Shkodër quhen "der e madhe" sepse me artin e familjes së tij (Kol Gurashi, babai) është identifikuar ndër breza me radhë, qyteti.

Në vitin 1937 Gurashi fillon gjimnazin françeskan "Illyricum", që në atë kohë drejtohej nga padër Leon Kabashi, aso kohe i sapo diplomuar në Akademinë e artit Firenze. Kjo ishte periudha kur ai kupton se piktura do të ishte më shumë se dëshirë. Profesori italian Lorenzo Kolura, i cili pas ikjes së italianëve qëndroi për 2 vjet në shtëpinë e tij, e ndihmon më vonë të rritej në këtë art, "Penelat e fortë i mora prej tij", - thotë Gurashi teksa pimë bashkë një pije me vishnje, që ai e kishte bërë vetë.

Një tjetër piktor që ka patur shumë influencë në artin e tij ka qenë Vladimir Jani.

Rreth viteve 60-të ai fillon bashkëpunim me Ferdinand Pacin. Në këtë periudhë çel ekspozitën e parë lokale ku merr pjesë me dy piktura peisazhe. Që nga ky vit Ndoc Gurashi merr pjesë në të gjitha ekspozitat lokale dhe shumë kombëtare. Në vitin 1964 diplomohet në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë dhe po këtë vit hap ekspozitën personale në Shtëpinë e Kulturës, Shkodër, me 78 punime në tre gjinitë e pikturës: vaj, grafike, pllakat. Në vitin 1974 ai hap ekspozitën personale me 20 peisazhe nga Thethi dhe dy vite më pas çel dhe ekspozita të tjera personale. Me 1978 merr çmim kombëtar me tabllonë "Një marshim i vështirë". Në Santa Chiara (Bari) ai çeli ekspozitën personale me 32 punime në vaj. Në 2005-së pas titullit "Mirënjohja e Qytetit" që i akordon Bashkia e Shkodrës, ai promovon CD e jetës artistike në ekspozitën vetjake. Ndoc Gurashi është anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të shqipërisë. Parlamenti i ka akorduar dy medalje pune, në vitin 1962 dhe 1972 dhe Mjeshter i shquar në profesion (1976). Këshilli Bashkiak në Shkodër i aprovon pensionin e posaçëm që nuk u miratua nga Kryeministri i asaj kohe (2003).

Ndoc Gurashi flet me pasion sidomos për veprat e tij, një prej të cilave ai e quan "ma të dashtun" se të tjerat. Një dritare me pamje nga jashtë, apo e thënë ndryshe "dita kur kam pa dynjanë për her të pare". Teksa më shoqëron në studion e vet, më flet për koleksionet e hershme që mban, bizhuteri argjenti të trevave të ndyshme shqiptare. Studioja e tij është tepër mbushur me libra por e mirëorganizuar.

Ndoc Gurashi pikturon dhe sot. Një prej pikturave që ai ka në dorë, është ai i një personi që diktatura e errësoi. Një prej burrave më për zemër të Gurashit. At Gjergj Fishta. Kleriku, shkrimtari, poeti, rebeli, besimtari i vlerave të historisë shqiptare. Është një pikturë e papërfunduar ajo e Fishtës ajo që mban Ndoci në studio, një figurë komplekse, e rrallë por ai po e hedh gjithsesi në telajo. Një punë jo e lehtë, por Gurashi, dhe pse 88 vjeç nuk para dorëzohet kollaj ndaj veprave të vështira. Besoj e di pse.

Në ato orë që kaluam bashkë, u njoha me zonjën e shtëpisë dhe m'u desh pak kohë të kuptoja se ajo ka luajtur një rol të domethënës sepse me qetësinë e një besimtareje dhe humorin shkodran kishte arritur të krijonte një harmoni "të amël" në familje, apo jo "axha Ndoc"?

Nga Doriana Metollari/hermesnews.org

COMMENTS