Te ura e Sutjeskës, Lahuta e Malcis

lahuta e malsis te ura e sutjeskes
Mark Milani kuer ká pá
M'Qafë-Hardhi se aj shtek s'po ká,
Per me dalë me rá n'Gucì
Me ato tetë taborre ushtrì,
Naten n'terr kurrkush pá e ndi,
Si vû i kisht' Knjazi leçi
Kah Sutjeska fill ká msye,
Kin' po e gjên shtekun shperthye
E n'Guci po mund i a behë,
Qên as klysh m'tê per pá lehë.
Por gabue âsht kopilani,
Pse Ali Pasha aty i a rrâni
Me dŷ mîj ushtarë të vet
- Orrl, sokol e kaçubet -
Kû edhè mirë na jânë ngujue
Pushken markut m'i a fillue:
Pá gjak vendin mos m'e lshue.
Edhè pushka kà fillue,
Dielli m'cila at herë t'u çue.

Lum per Tý, o i lumi Zot!
Se gazep do t'shofim sot,
Ke n'Sutjeskë - nder ata curra
Na jânë ndeshë burrat me burra -
Na jânë ndeshë Shqyptarë e Shkjé:
N'mnì t'shoshoqit të cillt lé,
Kan me u grî, besa, e me u pré,
Si njatà derrat me derra:
Kan me metë trimat nper ferra,
Kush pá i kjá, kush pá i vajtue,
Pá pasë nget moter as grue,
E as të mjeren morì nânë,
Nji fjalé t'amel per m'u a thânë!
Kaq, po, atŷ potera âsht nisë,
Kaq, po, atŷ pushka âsht tuj krisë
Edhe topi tuj gjimue,
Gjylja e plumja breshen lshue,
Krisma veshët me t'i shurdhue,
Tŷmi syt me t'i verbue:
Qi, po t'keshë ti nja 'i qind krena,
E per krye kà dŷ parë brena
Me t'vojtë mendja, lum daija,
Se asnji shndosh s'e çon te shpija.
Porsi n'flakë kerset dullija,
Njashtû rreh huta e novica
Nper shkamîj, aha e plakrrica;
Edhe ushton vigma e piskama
Si ata mazat neper lama,
Si ata ujqt, lodhun prej zije,
Kuer merr plajmi bjeshkë e vrrije.
Por, si rán cilat e mdhá,
Krisma e pushkës mâ aty s'u dá,
Veç se ndêj ushtimë tuj vlue,
Kurr pá prâ, kurr pá pushue:
Porsi ushton breshni tuj ardhë
Bulkut t'ngratë zêmren m'i a mardhë.

Ashtû pushka tuj kersitë,
Mnershem topi tuj bulritë
Vigma e brima tue gerthitë
Po vjen gjaku edhè t'u zé
E atŷ-ktû Shqyptarë e Shkjé
Nisin pritat e po i lshojn,
Jetë as dekë mâ s'po shikjojnë,
Veç po msŷjn trimat shojshojnë,
Hap mbas hapit t'u hjedhë para
Si kaçikrrat neper ara.
Se ç'u ndez lufta m'at hera,
Se ç'shunglloi zhurma e potera,
Se edhe pushka ç'ndêj tuj zì:
Mendt e krés me t'u perzì!
Me shoshojën idhtë kaperthye
Grykë per grykë me armë t'u msye,
Tuj u msŷ - e tuj u shtŷ.
I a kan nisë trimat me metë,
Ofshe! nper at rrah të shkretë:
Si, mo' Zot, mâ keq per nè,
Qi kem' ndollë n'kufi me Shkjè,
T'cillt t'pabesë e t'dobë tu' kânë,
Trima po i'n sà t'duesh me thânë!
Met mâ i pari aj zog skyferit
Selimi i Selman Ymerit,
Derë e vjeter n'at Plevì,
Kû kisht' pasë pleme edhe gjì,
Kisht' pasë dhên e kisht' pasë dhì,
Tokë në mal e tokë në vrrì
Si mâ i miri në Malcì,
E qi fjalë pêng kurr s'pat lânë:
Ashtû bâ pat si e pat thânë;
Gjak as varrë - s'la kund pa mârrë.
Këtê të mjerin pushka e muer,
Kah, tuj msŷ aj si n'terthuer
Rrâjës s'njâj bunge desht m'i u fuer.

Mandej met Beqir Haxhija
Larg permendë per kahë trimnija,
Larg kerkue per kahë urtija:
Bè m'krye t'tij bâte Gucija;
Pse as n'Shqypni as n'Cernagore
S'pat prè mik, s'pat çartun ndore.
Me gjith mend aj t'u mundue
Hakun m'hak gjithkund m'e çue:
Veç jetshkurtë kisht' pasë qillue!

At herë vrà âsht nji i Plevnjânë,
Nji i pà tatë edhe i pà nânë:
Kurt Zeneli i ki'n pasë thânë:
I rà pushka rranzë gabzherrit
E e lshoi dekun terthuer djerrit,
Vendin n'gjak të tanë tu' e lá,
Si t'kish kênë tarok a kà:
E vrau Steva i Plamenacit,
Nji haram, ky, nji farë bracit,
M'e pasë randë toka me e bartun.
Veç se Kishë qi s'kishte çartun,
Se per tjeter mi ket tokë
Gjâ pà bâ s'la m't'huejë as m'shokë:
Naten vidh, diten plaçkit,
Dikê pre, dikê kurit,
Tokët e hueja del e shit.
Ky pà e paska Kurt Zenel'
Kah, mì cup krahcat shpervjelë,
T'u matë ishte aj pushkë me shtì
M'nji t'Nikshiqas djalë të rì,
Edhe i metka Shkjau m'novicë
Tuj i a njitë shi m'njânen cicë,
Tu' e hjedhë dekun m'kokerr t'shpinës.
Por âsht ngutë i biri i shkinës
Me qitë pushkë, pse Adush Haliti
Me nji plume krés i a njiti,
E t'i a derdhi trût per tokë
Me kapicë, kapole e flokë:
I met rrashta shyt si boskë,
Edhè rà dekun n'nji prroskë.

Por medet bân landë e guer
Ke kà metë nji Dardhaçuer:
- Trim si kjenë trimat dikuer:
Mos m'i a trêmë synin as deka -
Ke kà metë qaj Mican Leka!
Burrë çufrrok, por burrë çengèl,
Me do flokë ngrehë kaçarrèl,
Porsi kreshtë derrit bugàr,
Sŷnin gjarpen mledhë kulàr,
Kuerdoherë m'poterë qi rrâni
Behli vedin, besa, e bâni,
Kah m'i lshohej hasmit m'shpinë
Si skyfèr, si gjeraçinë:
Thue per s'gjalli po e perpînë.
Ky pà e paska at Nikë Mihajlin
Ke m'a gjuejti Zyber Smajlin
- Nji të Reças, djalë të rì -
Dekun m'tokë tu' e karranì,
Edhe m'hutë i u dredhka Nikës
Fill i a njitka m'zhabë t'bytykës:
Derdhë i a kà pësheshët m'livadh.
Bertet Shkjau sà kà n'germaz,
E, tuj shkue çapraz m'çapraz.
Ngerthye kuk, dŷ duert mì varrë:
- Kah qyqari meç isht' marrë -
Ashtû 'i copet, porsi shul,
Vjen e bjen m'nji hurdhë pingul,
Kamët perpjetë e kryet në baltë.
Dŷ-trì herë trandë i kà shalët,
Edhè hupë kà nd'një palmuq:
Krejt prej gjakut hurdha u kuq!

Kuer kà pà njaj Juriq Mata,
- Nji zgobell me gaqe t'gjata -
Se ç'gazep bâni Micani
M't'ngratin Nikë, njâ as dŷë s'i a bâni
Edhè trimi çue âsht në kâmë,
Me tagan shterngue nder dhâmë,
E m'novicë tuj qitë pà dà,
Fill m'Micanin turr kà ngà
Kin' po e vret Micanin n'pritë,
Kin' atŷ aj po i a merr kryet.
Si aj ariu, qi kà soditë
Se shpellës s'tij âsht tuj i u avitë
Derr i eger - me t'shkye m'dhâmë -
Kerleshë kreshten gjatë nji pllâmë
Me nji hov jashta flakrohet,
Edhe m'shpinë derrit i lshohet
Idhtë me tê tuj u perlà,
T'u dermishë, krejt m'gjak t u là:
Kshtû Micani, kûr ká pá
Se Juriqi m'tê ká msye,
Merthye huten, vû per sŷ,
Asht çue m' kâmbë e n'shesh kà dalë,
Edhe t'dy ashtû ballë per ballë,
Flakë per flakë armët i kan kallë.
Rá Juriqi m'tokë pikë gjallë.
Met Micani porsá gjallé.
I rá pushka mù m'krahnuer
Tuj e lshue djerrit terthuer,
Në gjak t'vet t'mjerin tu' e lá
Zêmren s'âmës dŷysh tuj i a dá!
Edhè i ngrati Mican Lekë,
Vû duert n'zêmer, shtrî me dekë, 195
Kryet mì stom e kâmët në vì,
Zânë martinen per nen ì,
Tu' i shkue gjaku vì e vì,
Zên e u thotë shokve per brî:
"Amanet, o shokë të mì,
Neper Dardhë kuer të kaloni,
Armët e mija barré t'i çoni,
N'oborr t'kullés edhe t'm'i lshoni,
Nânës as tatës mos m'u kallxoni,
Pse janë t'vjeter e i verboni.
Ne përvetët nâna per mue,
Thoni djali t'âsht martue!
Ne pëvetët se ç'nuse muer:
Muer nji plume në krahnuer!
Ne u pëvetët se ç'darsmorë pat:
Pat tre korba ndêjë per ngiat!
Ne u pëvetét se ç'zoja kndojshin!...
Orrla e sorra m'tê po rmojshin!...
Qindro, thoni, oj nânë e shkretë,
Se Micani të kà metë,
Tuj luftue me Mal të Zì,
Qi të mjeren moj Shqypnì
Po e vorfnon me djelm të rì,
Ke po i vret hiri e pà hiri,
Gjithkû t'jetë djali mâ i miri!"
Edhè â shkimë si shkimet qiri.
- Ah! Mican, bre, Mican Leka,
Se ty mirë manà, nânë-shkreta
Të pat msue, të pat qortue,
Kuer u nise n'luftë me shkue
N'at Sutjeskë, kû rreh shejshana:
"Pa ndigjo, t'tha, të pastë nâna:
Kuer të bâjsh me u gjuejtë me Shkjá,
Amanet, nder mend me t'rá,
Se si 'i plakë dikur pat kjá:
Luftë as darsem pá mish s'ká;
Se prandej ky nieri i shkretë
Mundet n'luftë, besa me metë;
Pse edhe krenat, morè bìr,
N'fushë t'mejdanit po ishin lirë...
Por ti lokes s'm'i ndigjove,
Veç jurish mì Shkjá m'u lshove,
Si ajo bisha në Kallnduer,
E, tuj qitë kryq e terthuer,
Vrave 'i herë Pavlo Serdarin,
Krejt në gjak tu' e zhytë qyqarin;
Mandej Stankun - mandej Jankun,
Mandej prap Veshoviq Brankun
- Veshoviqin, gerxheli,
Qi Nel Gilen t'vrau per brî:
Njat t'Vuthjanin djalë barì,
Qi kisht' lânun dhên e dhì
Edhe dalë kishte n'ushtrì
Per me u vrá me Mal të Zì.
Prandej tý, mor' Mican Leka,
S'ká pse t'dhimet t'rìt as jeta;
Se, manà, mirë ké qindrue
Vedin mirë e ké pague,
Marre vendit s'i ké lshue,
Emni i yt ká per t'u kndue
Vonë e vonë m'lahutë t'Malcis
Si t'i vijë dita Shqypnìs. -

Mbasi 'i herë Mata e Micani
Flì u bânë m'at fushë mejdani,
Prap gjimoi topi e havani:
Prap shunglloi huta e novica,
Prap ushtue ká Brezovica,
Edhe rán shakull per dhé
Shum do tjerë Shqyptarë e Shkjé,
Kû dŷ-tre, kû pêsë, kû gjashtë,
Kush në pod e kush mrendë n'ashtë,
Njâni i rì e tjetri i lashtë,
Té gjith burra e pika e djalit
Kû ki'n kênë sokola malit,
Me i u dhimët gurit e drunit:
Si njaj Osja i Shas Alltunit,
Zeqir Meta i Metë Xhelilit,
Dŷ të bijt e Man Halitit,
Osman Sela - 'i zog bylbylit,
Janjiq Mirko e Tomiq Pera,
Rrahman Duli, porsi fjera,
Krye per krye me at Jeliq Gjuren,
Qi n'Kotorr pat shitë fuguren
Edhè blé pat aj kuburen,
Me të cillen mandej, Shkjau,
Me dorë m'tê Rrahmanin vrau -
Rrahman Dulin, qi pà dekë
Mirë ky Shkjaut kryet i a ká çekë,
Tuj i a dà dŷsh me tagan,
Si t'kisht' kênë poç a bastan.
Të dŷ trima, s'ké shka u thue:
Njâni bishë, tjetri drangue.

Por shka kndon njaj zog i zì
N'ato llugje mì Guci,
Kah fluturon selvì m' selvì?
"Amanet, o fushë e male,
Shueni kangë e shueni valle -
Shueni vallet per me kjá,
Se n'Krasniqe 'i kob ká rá:
Smajl Arifi, thonë, âsht vrá
N'at Sutjeskë t'u gjujtë me Shkjà!
Shum do t'bâjë e âma medèt,
Kuer të ndiej se Smajli met -
Se met Smajli - aj farë viganit:
Balli i tij nji fushë mejdanit,
Sŷni i tij agzot havanit,
Shtati ardhë si shtî bajrakut,
Vesh e m'vesh dega e mustakut,
S'bâjn mâ nanat nji asi djalit!"

Shuke zâ'n, bre zogu i malit,
Se ti s' din shka jé kah thue:
Ti veç din me çurlikue,
Gêm më gêm tue fluturue.
Pse t'a kjajë Smajlin e ama,
Kuer, qe, aj trimi Sadik Rama
Smajlin mirë e kà pague,
Dy të vram e tre t'shitue?
Por t'kjajë nana Can Brahimin
Qi, kuer pá ká probatimin
- Njat Sadrìn e Çun Selimit -
Se mu m'parzme e mori pushka,
Aty çue âsht kaptinë-mushka
Edhè vû âsht vrap me hikun,
Dekun m'tokë tu' e lânun mikun
E 'i kori tu' i lshue Shqypnìs;
Kryet pse Shkjét i a prén Sadrìs
E i a ngulne, ofshé m'nji hû,
Me ngranë m'tê sorrë e falkue,
Edhe nisë kan me u levdue:
"Mirë nenshtrasha - or Ali Pasha;
Pa vre'i herë m'ket mâje huni
Pse, me gjasë, njaj Sadri Çuni
Dishka 'i fjalë do me t'a thashë:
Do me t'thashë - me gjasë, or Pashë,
Se t'bân êmer Mark Milani,
Mark Milani - Kapidani,
Me i a ndreqë cilen n'Xhamì,
Dreken n'Plavë, darken n'Gucì,
E mandej - per n'kjoftë gjikue -
Dér në Shkoder me kalue,
Per me i vû Shkoders kapicen
Per me ngulun trobojnicen
Mù m'kalá të Rozafatit."

Kuer ká pá Pasha i Gucìs
Ngulun m'hû kryet e Sadrìs,
E ndie ká si prrallej Shkjau:
Ç'âsht berlykë atŷ si kau,
Me u ndîe vigma shkam e m'shkam:
"Bini, burra, bre! kû u kam?
Se né Shkjau na ká marrue,
Armë e ftyrë na i ká zezue,
Sadri Çu'n per pá e pague
Dy per njâ, si e kem' kanue".
Porsi kuer atje prej veret
M'ujë a m mriz bariu ndiell shqeret,
Edhe lshohen dhên e dhî
Turr e vrap mbas zânit t'ti,
Njashtû burrat e Malcìs
- Gjithkû kje lulja e djelmnìs -
N'bulurimë të Pashës s'Gucìs
Ata hovin mârrë e kan,
E tuj krisë top e havan,
Tuj zi pushka pá i a dá,
N'dorë taganat tu' u shkelqá,
Me nji brimë, qi kryet me t'çá:
Fulikare turrë janë m'Shkjá,
Atje, kû m'nji mâje hûnit
Ngulë isht' kryet e Sadri Çunit.

A din ti si bleta idhnohet,
Si pështiellet, si egercohet
E rreth zgavrrit n'shkam si vrullet,
Kuer të shofë se meçka i hullet
E se do turî'n e ndyet
Nder fashoj mrenda me zhyet?
Malazezt njashtû egercue
Janë atbotë e krejt terbue,
Kur kan pá Shqyptarët tuj rrâ:
Kê drangue, kê katallâ,
Nja'n arî, tjetrin luâ,
Të gjith trima m'nâm e m'zâ:
Edhè lshue pritat me 'i herë,
N'dorë taganat zjarrë per mnerë,
Sŷnin gjak e ftyren vnér,
Dredhë kapicat m'njanin sŷ,
Ata vetë kan mârrë e msŷ,
Me vikame - e me piskame,
E t'janë lshue burrat e dheut
Si ajo lava n'muej të Shndreut.

Tŷ, o Zot, të kjoshim falë!
N'at fushë t'lame kuer kan dalë -
Kuer kan dalë Shqyptarë e Shkjé,
Se ç'kan nisë atá me u pré,
Se ç'kan nisë - o me u shemtue
Krahësh e krenash tu' u krekcue,
Hundësh e buzësh t'u rrumullue,
Fyt-a-fyt m'dhâmë t'u kafshue,
Si ata derrat me harusha!
Rî në gjak âsht të tanë fusha.
Mì trim trimi hapet, turret,
Lshohet, struket, hidhet, ngurret,
Tash ha shtatin me dredhì,
Tash m'tagan sjellë me furì,
Herë t'u mprojtë, herë vetë tuj msye
Jo per t pshtuem vetë gjallë me krye
Por per t'lânë hasmin pá krye:
Se mâll jeten kush s'po e bân,
Veç se i cilli ndjekë m'tagan
Kryet e shoqit, thue, âsht bastan
Per t'a kputë me u shitë në treg,
Ase mollë per t'qitë bejleg.
Ka mê topi edhe havani
Ká prâ pushka, âsht shukun zani,
E veç ndiehen ke rrapllojën
Idhtë taganat ndeshë m'shoshojën
Ndeshë per krena e ndeshë per llana,
Ndeshë per togza e koparana:
Thue janë korrcat tu' korrë n'arë.

Shkrabiq Pera 'i trim budallë,
T'fortë jurìsh aj kisht' pa' marrë
Edhe lshue ç'isht' kênë m'Shqyptarë,
Me i perpî, thue, po do gjallë.
Pret Sulë Memen m'hov të parë.
Nji djalosh prej Lumit t'Bardhë,
Si ajo ltina e shtatit ardhë,
Sá nisë djali me u burrnue;
Edh'âsht turrë kryet m'i a shkurtue,
Qerim Çela, 'i zog petriti,
Atŷ turrin mirë i a priti:
Me tagan mù krés i a njiti,
Tuj i a çá dèr m' htek të ballit:
I u hap kryet si shegë Tivarit,
Shperthiqë trût i janë livadhit.
Msyn Bozhiqi mizë me mizë,
Do me e pré Qerimin n'kizé,
Si t'kisht' kênë gjarpen a bollë.
- Tagan Shkjaut s'i kisht' pasë ndollë.
Edhe, besa, trimi i trimit,
Ngusht me at kizë i a prû Qerimit,
Ke ktij n'luftë me kizë me u pré
S'i kisht' rá kurr, q'se kisht' lé.
Shka ka thânë qaj Llazo Bjela:
"Ah, kadalë, bre Qerim Çela!
Se ktû hasë ké m'bubazhela,
Qi t'bâjn luften me kortela -
Me kortela, kiza e kmesa:
Gjallë nuk t'lânë me pshtue, qe besa!"
Edhe m'kmesë i âsht hapun Shkjau,
Njânin vesh me tê i perlau,
E t'i a ngûli 'i pllamë m'cup t'krahit,
Tu'e plandosë permys gjatë rrahit,
Lshue m'tê, at herë, Bozhiqi rrfé,
Ká nisë kryet aj m'kizë m'i a pré;
Por s'i doli m'i a rrumllue:
Orrl mbi tê kà fluturue
- Tu'i qitë sŷni zjarm e shkndija -
Burri i dheut Omer Haxhija,
Vojevoda prej Nokshiqit,
Qi me 'i t'sjellme kryet Bozhiqit
I a ká pré e hjedhë per tokë.
Ká hikë Llazja e â mshefë nder shokë;
Perse pá qi n'luftë s'kisht' gjasë,
Me mârrë burri teper lasë.

Veç Bozhiqi po kisht' pasë
Nji të nipin me trî zêmra,
T'cillit mrapa s'i muer thêmra
As nen gjyle të havanit,
As nen tef të prehtë t'taganit,
Kuerdoherë duel n'fushë t'mejdanit:
Stojan Rade i ki'n pa' thânë.
Kaprroç burrë e i shkathtë, zarânë,
Me do sŷ t'tanë gjak e vnerë;
Ky, kur pà ungjin e mjerë
Shyt per tokë e zhytë në gjak,
Grizë ká buzen nen mustak
E t'â lshue m'Omer Haxhìn,
Thue 'imend m'kâmbë aj po e perpîn.
Por s'perpihej, besa, Omeri,
Qi po isht' kênë nji arì Peshteri
Hijen por m'i a drashtun njeri.
Kryet e tij t'tanë gunga - gunga,
Vetllat strehë porsi dŷ shllunga,
Me nji parë mustakë të zez,
Qi me i mrrîjtë, po dér më brez;
Edhè shtatit ardhë vigâ
Pergjakë sŷsh si katallâ,
Kishte pasë llanen e krahit,
Thue, po isht' kênë nji degë prej ahit,
Të tanë lesh e toje - toje:
Vet kulshedra me u trêmë soje.
Se ky, besa, kuer ka pà,
Se po e msŷte i mnîjti Shkjá,
Vrik prej si atŷ trimi âsht dredhë,
Vrik n'ndesh t'ti atŷ trimi âsht hjedhë,
Si me dashtë me i hî n'gojë gjallë;
E dhâmë tue kercnue e dhmadhë,
Kaq taganin ká vringllue,
Sá qi Shkjau zên me u pendue,
Pse aq pá beh turrin kisht' lshue;
Edhè nisë turrin me e ndalë
Nisë m'e dredhë shtatin si njalë:
Si po t'dote i biri i Shkjaut
Me u futë kund n'ndo 'i bryne kaut:
Kaq, qi mrrudhej lâmsh i mjeri,
Kur m'tagan hapej Omeri.
E as nuk diej sá kje t'u shtŷ
Per pá hupë atŷ me krye;
Veç se e pàn dy Malazez
- Njâni i rêmtë, tjetri kermez:
Nehmanj Savo - e Zvekan Pavo -
Se aj n'log Zânash po kisht' rá,
Se me krye shndosh s'isht' t'u dá,
Edhe lshue kan t'dy vetimë
Atŷ shoqit me i vojtë ndihmë.

"Ah, kadalë! piskati at hera
Jakup Feri, porsi fjera;
Se kshtû trimat nuk e kan:
Tre me nji me u pré n'mejdan!"
E t'âsht lshue burri m'tagan,
Copë e grimé, thue, tash po i ban.
Tash po i ban, thue, copë e grimë.
Vjen Todori sá 'i perbimë,
Me nja dy t'Njegushas t'ri:
Njâni Musë, tjetri Mili.
Msŷn Jakupin porsi rrfé:
Nji me tre po do me u pré,
Si t'u rrahë t'ishin me shtaga...
"Mos e lsho, bre Jakup aga!"
Perlykë âsht sá kurr ká mujtë
Alush Smajli i Hotit t'Kujit,
E me 'i djalë prej Buzes s'Ujit,
Qi per mik dalun n'Gucì,
Kishte rrâ n'kushtrim me ushtrì:
Gjeto Preka êmni i tì:
- Djalë me bré hekur me dhâmë:
Sŷni gacë, qafen dy pllamë -
N'nihmë Jakupit vrap kan rrâ,
Porsi breshni me murrâ,
E t'kan nisë burrat me u pré
Fyt-a-fyt perlá me shkjé:
Si zanat, besa, gjithmonë
Qi e ka pasë Malcija e jonë
Ballë per ballë me u pré me Shkjá
Idhtë me i bâ Shkinat me kjá.
Ata siell - e këta siell,
Njâni turru - tjetri ngurru,
Hapu - zmbrapu, msŷju - shtŷju;
Në gjak lá u janë llanat,
U kullojn gjak n'dorë taganat
Rrebtë kah trimat i vringllojën
Idhtë me mârrë kah duen shoshojën.
E kaq nisë â atŷ potera,
Kaq âsht dhânë vigma m'at hera,
Besa, or probe, me t'hî mnera.
Pse edhé tjerë Shqyptarë e Shkjé
Atŷ msŷ kan si shkerbé,
E po rrìn ata t'u pré
Si per s'tepermi t'ki'n lé.

Lamsh bâ gjindja n'at log Zânash,
Si gjarpîj n'zgavrra murânash,
E thue lé s'kishin prej nânash,
Veç se toket t'zezë shperthye,
Dekë as jetë pa kqyrë me sŷ
Atŷ trimat t'janë merthye,
T'janë merthye - t'janë kaperthye,
Njâni m'tjetrin rrebtë kan msŷ,
- Shkjau m'Shqyptàr, Shqyptari m'Shkjá -
Kush tuj sjellë m'tagan pa dá,
Kush t'u rrokë kush t'u perlá,
Me t'u trandë toka nen kâmë!
Fyt-a-fyt janë njitë me dhâmë,
Ndryshe jo, besa, lum djali,
Veç si qêjt me bisha mali:
Edhe s'ngjati e mâ se 'i kokë
Rrotullue ka, ofshé! per tokë,
M'to me ngranë e m'to me krrokë
Korba, sorra e cilikokë.
Met i nipi i atij Bozhiqit
Edhe 'i farë Savo Jukiqit,
Me at serdarin e Nikshiqit:
Të tre i preu Omer Haxhija.
Mandej met Llano Kadrija,
Nji prej Krenësh të Dragovìs,
Edhe aj Myrtja i Can Faslìs,
Qi 'i herë vetë nji Shkjá pat pré;
Por kuer m't'dytin lshue ka rrfé,
Nji farë Lluko prej Cetinet
M'tagan gati i rri mbas shpinet,
Edhe e lên t'ngratin pa krye:
Ktê pa krye - t'âmen pa sye,
Tjeter djalë pse ajo s'kisht' pasë.
Krenue Llukja edhe trumhasë
Masi preu Myrton e ngratë,
Ç'âsht zhgjanue, ç'âsht hallakatë,
Se edhe hovin ç'e ka lshue
M'Jakup Ferin trim drangue,
Kinse kryet ktij m'i a shkurtue,
Por me t'vetin ka sharrue;
Pse m'tagan kuer m'tê ka lshue,
Shpejt Jakupi 'i herë âsht zmbrapë,
Por mâ shpejt mandej âsht hapë,
Edhe Shkjaut doren ka kapë -
I a ka kapë, po, me do kthetra
Qi i kisht' pasë si ajo kulshedra,
Edhe, rrasë taganin n' planc,
I a ka shkye porsi latrâc
M'rreth t'shallvareve e dër n'gerglâc.

Por ka metë, heu! Basho Jana,
Nji i Merturas, trim si Zana,
- Vetë, po, nipi i atij Prêlë Tulit -
Cilli at vjetë kthye prej Mosulit,
Kû 'i herë Mbreti atê e pat tretë
Per nji gjak, qi kti i kish' metë,
Bashkë me Prêlen rá në Gucì,
Per me u vrá me Mal të Zì,
Per me dekun per Shqypnì.
Kaperthye ky me nji Shkjá,
T'dy varrue edhe krejt n'gjak lá,
Kah âsht kapë m'tagan me i rá,
Kryet dŷ felesh me i a dá,
Shkjau mâ i shpejtë po kisht' qillue,
M'tagan parsmen i a ka shpue.
Dekun m'tokë edhe e ka lshue.
Kur ka pá kumara i tì,
Njaj Balë Gjoni kime-zì,
Se met Basha zhytë në gjak,
Kurrkund kâmës s't'i bâni lak
Por vetimë, si kokrra e rrfés,
M'kandak t'pushkës i met Shkjaut krés
E t'i a bâni pshesh me pshesh,
Kalamùq e lshoj mì shesh;
Edhe at herë si katallâ,
Zâ Prêla Tulit aj ka bâ;
"Kû jé, Prêlë, eh, ti mos kjosh!
Se ti nipin s'e ké shndosh:
Se tŷ nipin t'a kan pré!
Mo' le, bre, kûdo qi jé!!
Njat herë Prêla shtrî per dhé
Kishte pasë nji farë Nikicet,
Kaprroç burrë pre' Andrijevicet;
E t'u mâtë isht' shi m'at herë
Orrl me u lshue mì dy Shkjé tjerë,
Kuer, qe, ndien Balen tu' ulrue,
Aty trimi s'âsht hutue.
Kah Balë Gjoni por ká msŷ,
Ftyren vrântë, vetimen n'sŷ;
Si taroç, qi të ketë ndie
Tu' u perlykë kund mzat a ká,
Lshohet djerreve tuj ngá,
Ka' atij zêmra i hjekë me u vrá.

Veç, nji rrahit t'reptë tue rá,
Qe po i del para nji Shkjá,
Hokubét me sy me u pá,
Kryet e tij, po, me mrrijtë m'trá,
Të tanë kodra e të tanë neje:
Dredhë mustaqet teje-teje,
Si dy bishta dashsh galana:
Cupi i krahit sa murana:
Mashkull qerrit ishte thana:
Çelik ndoset gjûni e kama,
Me t'thânë mendja se 'i pendë buej
Atê vendit s'mund t'a luej.
Betér shtatit si 'i mullár,
Kerleshë ftyrës, ngerthye kulár,
- Thue, per t'gjallë do me t'bâ gjâmen -
Per rrâzë vithes pré dollâmen,
Zên e i thotë Prêlës matrahuli:
"Po a ti jé, mor', njaj Prêlë Tuli,
Qi kasap jé bâ mì né,
Edhe gjinden po na i pret
Si me pré krena baktish?
Se un, maná, t'kam lypë nper qiellë
Jo mâ tash qi t'hasa m'tokë
Po t'lâ gjallë me shkue me kokë?"
Edhè âsht lshue m'tê si kulshedra,
Thue, po e shtje ndandë pash nen dhé.
Sá shpejt Prêla i ka ndêje gati,
Sa mirë pritë e ka m'tagan.
Se ç'kan shkrepë shkendija taganat,
Se ç'janë kputë - shitofti Zâna!
Si t'ki'n kênë dy cokla Drini:
Mollzat veç u kan metë n'dorë.
At herë msŷ t'a kan shoshojën,
E t'janë rrokë edhe perlà,
E t'janë hjedhë - edhe perdredhë;
Shoqishojën s'po mûjn me e rrzue.

Lavd shoshoqit qi po i qesin,
Kah po lidhen - kah po hidhen,
Atij rrahi kah po i siellen:
Bumllon toka rreth per rreth,
Thue po bìn topa per s'largu.
Qet Vasili edhe po i thotë:
- Se Vasil Shkjaut i ki'n thané -
"Se un, manà, qi atje n'Beranë
Fyt-a-fyt me Turk jam pré:
Qi kam mârrë krena n'Babune
Në Babune edhe në Shpûzë,
Në Kernicë - e n'Podgoricë,
Kah kujton, or ti Prêlë-shkreta,
Se tý kryet s'po t'a há sod?"
Vall, ç'ka mârrë Prêla e i ka thânë:
"Se ti, beli, or Vasil-zeza,
Dér më sod me Turk m'jé pré;
Por m'ké mârrë krena Harapësh,
Por m'ké mârrë krena Zejbekësh;
Veç se sod m'ké hasë m'Shqyptár,
Qi po e kisht' luften zanát,
Qi po t'kisht' erz e burrnì,
Besen besë, fjalen senèt,
E qi kryet ka me t'a pré
Si me pré, manà, 'i krye berri;
Edhe at t'mjeren grue te shpija
- Njat kercnuen mori shkinë -
Do t'a pshtjellë, besa, në zì."
E ka lodhë kjo fjala e Prêlës;
Sa me idhnim qi po i a kthen:
"Qi un Shqyptarin, morè Prêlë,
Pasha at Sh'Pjetrin e Cetinës,
S't'a bâj as p'r 'i hundë burrnot,
Edhe e há, po, dý herë gjallë.
Se na - shndosh kjoftë Gospodari! -
Kem' me hi besa, n'Shqypnì,
Edhe n'Shkoder kem' me shkue,
E Shqyptarit, qi po m'thue
Se po isht' trim e s'diej shka tjeter,
Do t'i vêjm kapicë mì krye.
Por jo tý, Prêlà, mos druej;
Perse kryet tý, maná t'Zotit,
M'arrç tash po t'a pret Vasili,
E t'a ngulë baca m'nji hû
Me ngranë m'tê sorrë e falkue:
S'ké me pasë, tham, mâ nevojë
As per ksulë as per kapicë.
Ç'ka qeshë t'madhe Prêla at herë:
"Se me gjasë, or ti Vasil,
Mordja mendt t'i ka trullue
Edhè ktû jé kah flet jerm.
Se un njetash t'kam lshue per dhé
Se un njetash kryet t'a kam pré -
Mau, Vasil, se ngusht e ké!"
Mirë janë lidhë me llana t'krahve
Ç'po plandosen trimat krepave,
Ç'po dermishen burrat cungjeve,
Janë trêmë bollat e strukë gropave,
Fort bumbullue ka aj rrahi i reptë,
Edhe dushku ç'fershllon malit:
Shkumë e verdhë u shkon prej goje,
U shkon djersa rrkajë e rrkajë,
Kah orvaten - kah rropaten,
Kah per mnerë trimat dihasin
Shoqishojën veç si m'e mârrë.
Por m'e mârrë shoshojën s'po munden:
Kishte hasë, po, sharra n'gozhdë.
Nji telbiz Prêla qi isht' kânë
Ka mârrë Shkjau edhe i ka thânë:
"Manà t'Zotit, mor Vasil,
Mbas do shêjesh qi po shoh,
Drue fort mirë pûnen s'm'a ké:
Se jem' kapë edhe perlá,
Tue na u sjellë â 'i korb i zì
Edhe krrokë ajrit pa dá:
Me tý e ka, thom, shpendi i keq."
I âsht dhânë Shkjaut qiellës me shikjue.
Shpejt i rrin qaj Prêla gati,
Shpejt nderkâmbcen i a ka qitë.
Âsht purë Shkjau sa i mullár dushku,
Âsht plandosë rrahit terthuer.
Fort âsht trandë rrahi nen kâmë.
Ç'ka kercnue Prêla me dhâmë.
Sa shpejt xjerrë e ka kortelen,
Se mirë Shkjaut i a ka rrasë n'brî:
Gurgullon gjaku vì e vì.
Ç'asht perpjekë at hera Shkjau,
Fort perplasë ka kâmbë e duer,
Tuj u shkarrafendë per tokë:
Si njaj buelli, kuer kanari
T'i a ketë çue thiken der m'asht:
Me i u dhimtë, besa, mor' burra,
Minit n'múr - e gjarpnit n'gúr,
Por dhimë Prêla s'po kisht' pasë
P'r atà anmiqt e Shqyptarìs;
Prandej kryet i a pret m'kortelë,
Si me pré, po nji krye berrit,
E e lên shyt Shkján terthuer djerrit,
At herë kapë ka aj atà krye
Per njat kaçirubë të flokve
Edhè krah atý i ka dhânë
Tuj u a hjedhë Shkjevet m'llogor:
Si njaj bulku kujdestár,
Qi bastan tue ngarkue n'arë,
Po i erdh n'dorë lladik i kalbun,
U a flakron dirqve edhè derrave,
Qi tu' rmue t'jenë n'djerr per brî;
Edhe nisë ka t'u lavdohet:
"A po ndien, or Mark Milani?
Falmeshndet Pasha i Gucìs,
Edhe thotë: byrmë gjithkuer t'duesh,
N'daç per cila, n'daç per drekë,
Si në Plavë, si në Gucì;
Pse e gjên tryezen gjithmonë shtrue:
Plum të randë, barot të zì.
Sa per tash, qe ket sherqî...
Po i a çoj Knjazit dhantì,
Pêmë e mirë bî në Mal t'Zì,
Por këputë ktû në Shqypnì,
Le t'a dajë me miqasi..."

Porsi kur rrugës nji shtektár,
Qi t'a msŷjn qêj a zagarë,
M'gur a m'bûcë qêjt t'i ketë gjue,
Kta nji herë porsi t'terbue,
Turr mas peshet kan per t'lshue,
E mandej mâ me furì
M'shpinë shtektarit me i u shtrî:
Malazezt kshtû rrân nji fillit
Per mas krés s'atij Vasilit
Kur flakrue Prêla u a ká;
E, si 'i herë ata kan pá
Se Vasil mâ nuk po ká,
Lum per tŷ, o Zot i lum!
Ç'u ka vû aty buza shkrum,
Se ç'janë hjedhë - se ç'janë perhjedhë,
Ç'janë terbue - ç'janë krepatue,
Idhtë m'Shqyptarë edhe ç'kan lshue,
Shtek as shkrep per pa shikjue:
Kush pa opangë, kush pa kapicë,
T'gjith m'tagan por e m'novicë,
T'gjith prej sŷsh shkendija tuj qitë,
Tuj gerthitë - tuj buluritë,
Tuj u dredhë podit e shpatit,
Si atà ujqit e bjeshkës s'Sopatit,
Kur t'i lodhë ûja e zalldani.
T'i a dha topi edhe havani,
T'krisi gjylja edhe potera,
T'hypi tŷmi e t'hypi mndera,
U shuen gjindja neper prroska,
U thyen krenat si t'i'n boska -
Si t'i'n kênë kakryq a goska.
Lshuen Shqyptarët at herë llogoret
Majten rreget edhe rmoret,
Edhe zûn n'at rrânzë të bjeshkës.
Ndersa Shkjau i u rras Sutjeskës,
E t'i a futi zjarmin vendit
Ç'merr prej Uret m'rrugë t'Kelmendit.

COMMENTS