I mbetuni.., Ndre Mjeda

ndre mjeda dom ndre mjeda
Edhè shtâza po gazmohet,
Edhè bari mungullon;
N' shênd natyra gjith po çohet,
Veç ti, i mjeri, po gjimon.

Kâng' e valle tui bashkue
Shênd prei gojet gjithkush qet;
Veç i vorfni tui dertue
Porsì i huej â n' gjinië t' vet.

Tui ankue per t' zeza t' veta
Per gjith derë tui lypë kerset;
Per 'tê t' dhimtun kerkund s' gjeta:
Porsi i huej â n' katund t' vet.

Lodh' e ûnshem, kúr vjen nata,
N' prêhen t' nanës me shkue kujton;
Edhè nana i diq e ngrata,
E kush t' vorfnin s' e ngushllon.

Bab', oh! babë! sá herë ndo 'j trimit
Do me i thanë tui derdhun lot;
Po per 'têne â fjalë trishtimit,
 nji fjalë qi permêndë kot.

Per dhé t' vet tui dalë n' ushtrië
Rrebtë qindroj i jati e diq;
Sot i vorfni askund nji shpië,
Nji copë buk s' e gjên nder miq.

Ah! ti njome, o njome e mjera,
Dit' e natë qi po vajton;
Kund nder miq nuk t' çilet dera,
Kerkush vajin s' ta pajton.

Dit' e natë pá buk e shpië
Shkote i vorfni andej e këndej,
E prei t' pasunish zotnië
Nji fjalë t' mirë kerkush s' ja kthej.

Kû ké baben me t' ndimue?
Kû ké nanen me dérdhë lot?
Tý gjith robi t' ka harrue,
Kerkush s' do me t' dalun zot.

Tui raë bórë, tui frye murlâni,
Mjet dý vorreve si 'j lis,
Afer gropës qi vet' e bâni,
Djali i vorfen u molis.

Afer nanes u shtrue me fjetun,
Afer babës kerkoj pushim;
Kurrgjâ t' ngrîtin s'ká me e gjetun,
T' xét e t' ftoftë s'kan me pasë ndrrim.

Me njatá qi veç e dojshin
Trupi i t' vocerrit pushoj;
E n' lumnië qi atá po gëzoshin
Shpírti i njomes fluturoj.

________

njome: fëmi i njomë
mjet: në mes të

COMMENTS