Av. Myzafer Pipa

myzafer pipa
Myzafer Pipa lindi më 1914 në qytetin e Shkodrës. Babai, Mustafa Nuri Pipa me origjinë nga Libohova, ishte jurist i njohur. Në kohën e Luftës së Parë Botërore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, krijuar nga austro-hungarezët, ndërsa në vitet 1923-1926 ishte anëtar i Gjyqit të Diktimit.

Myzafer Pipa, vëlla nga babai me Arshi Pipën, ishte fëmija i parë i kësaj familje. Shkollën e mesme e kreu në liceun Illyricum. Në gjimnaz dallohet si i ri aktiv, pjesëmarrës në shoqatën "Besa", gjithashtu premtues në futboll. Duke ndjekur traditën e familjes, pas gjimnazit vijon studimet e larta për jurisprudencë në Padova, Italí.

Si student, pushtimi fashist e prek thellë dhe në një nga kafenetë e qendrës frymëzon studentët e tjerë shqiptarë për një protestë, duke ia nisë duke këngës "Vlona, Vlona... Bjeri më ju lumtë dora!" të Thoma Nasit, kushtuar Luftës së Njëzetës. Për këtë internohet në ishullin famëkeq Ventotene më 1940, ku gjendeshin dhe Safet Butka, Isuf Luzajn, Abas Ermenjin, Llazar Fundo, Fazlli Frashëri, dhe Sandro Pertini, Pietro Neni, Skeçimarro, Altiero Spinelli etj. Që u bënë personalitete të shquara në jetën politike shqiptare e atë italiane.

revita fryma, letraro kulturore
Në dhjetor të vitit 1943, si drejtor e përgjegjës, hapë revistën letrare kulturore "Fryma" bashkë me të vëllanë, Qemal Draçini e shokë tjerë, pranë zyrës së tij legale në lagjen Parrucë të qytetit të Shkodrës. Revistë e përmuajshme ku vetë Myzafer Pipa shkruan artikuj të spikatur si "Burrnija në Kanunin e Lek Dukagjinit" dhe "Vetëdije apor krim?". I pari përbën një interes të veçantë, kërkon që legjislacioni shqiptar të pasqyrojë edhe traditën juridike të popullit shqiptar "tue fillue me punën e mbledhjen e folklorës juridike e të zakoneve tona... sidomos tue studjue e komentue me kompetencë legjislacionin e malësive tona tek Kanuni i Lek Dukagjinit. Duke kërkuar që legjislacioni shqiptar të marrë tipare kombëtare, e të mos jetë përshtatje e atij të huaj. Kështu që të jetë nji zgjidhje e atyre problemeve ku sheh "lidhjen e ngushtë të bilancit të mbarëvajtjes së nji populli".
Me editorialin e botuar në numrin e fundit të revistës, "Vetëdije apo krim?", shfren me një kritikë të ashpër ndaj politikës qeveritare, gjë që do t'i shkaktojë, në gushtin e 1944-ës, arrestimin dhe internimin në kampin nazist të Prishtinës. Në këtë shkrim shohim, deri diku, një analogji me editorialin e Atë Gjergj Fishtës, me të cilin pat stigmatizuar Fuqitë e Mëdha të kohës, duke shkaktuar menjëherë mbylljen e revistës "Hylli i Dritës", në vitin 1914.

Më 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema "Rozafat" të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste "Bashkimi Shqiptar" nga Gjykata Ushtarake e Qarkut e përbërë nga ky trup gjykues:
Kryetar: Mustafa Iljazi,
Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror Aranit Çela.

Sjellja e turmave gjatë gjyqeve ishte histerike duke bërtitë si në kor "Plumbin ballit!" "Plumbin ballit!" ose "Tradhtarët në litar!" që të demoralizonte të pandehurit, avokati M. Pipa i bënte kërkesë trupit gjykues për nevojën e pak etike që kërkonte zhvillimi normal i një procesi gjyqësor, Aranit Çela nga ana e tij mezi priste që buzagaz e me cinizëm, t'i përgjigjej Myzafer Pipës: "E po, ç'të bësh, ky është populli".

Po më 22 mars 1946 guxon me iu shprehë trupit që po gjykonte Patër Gjon Shllakun, Atë Gjon Faustin, Atë Daniel Dajanin, dhe studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku (dhe të tjerë, por këto persona u dënuan me pushkatim):

"Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-"teneqexhi" - ishte fjala për Koçi Xoxen - e për prokuror një ish-"kafexhi" - për Bedri Spahiun - të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?"

Pyetje kjo që do të bënte përshtypje të madhe, që përmes Radio Tiranës e gazeta "Zërit të popullit" do të përhapej me bujë kudo nëpër Shqipëri. Në një nga seancat prokurori Çela deklaron se "Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Atë Gjon Shllaku me shokë". Trupi gjykues e përjashton si përfaqësues i Mbrojtjes i të pandehurve duke emëruar Ranko Çerankoviq. Avokat Myzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar "Impero": "Hë... Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!".

Në shtator të vitit 1946 do të arrestohej, torturohej me hekur të skuqur me porosi nga K. Xoxe, një natë tetori u vra me nji batere automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës, kinse kishte tentuar të ikte.

Më 27 qershor 2008 u organizua një takim në Teatrin Migjeni kushtuar avokatit, ku iu dha dhe titulli "Qytetar Nderi". Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin "Nderi i Kombit" (pas vdekjes) avokat Myzafer Pipën me motivacionin: "Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri".

Një rrugë në qytet mban emrin në kujtim të tij.

COMMENTS