Zeneli.., Migjeni

migjeni millosh nikolla
Zeneli asht si ajo tokë e mirë e plleshme ku fara dosido e hjedhun zen, rritet dhe ep fryt mâ tepër se pritej.
I tham:
- Zenel, thueje ti atë që s'diti shoku...
Çohet me syt' e tij të gështejtë të përqëndruem mendueshëm ndër syt' e mij. Dhambët e bardhë, ftyra e zeshkët, balli i rregulltë, kryet e zgjatun përmbrapa. Flet. Përgjigjet me besim të madh në vetvete. E at besim e fitoi me shum' prova, mbassi gjithmon' kur s' dijnë tjerët atij i takon me folë. Dhe flet me báll' pak të rrudhun në mes të syve.
Nganjiherë - ashtu tue folë - e tradhton Zenelin fantazija fëminore, i hypë kalit imagjinarë me flatra dhe fluturon nga reja në re, - por me të vumun ré buzëqeshjen t'eme, kujtohet se asht tue gabue, ndalet, disi ndjehet ngushtë, ulet pa i thanë unë me ndejë, dhe mbulon ftyren me duer nga turpi. Atëherë qeshem unë, qeshen shokët e tij dhe sjellin kryet herë nga unë herë nga Zeneli.
Nganjiherë, rrallë, i mbushet mendja Zenelit dhe thotë: S'dij, zotni.
Atëhere mësimi nuk shkon si duhet. Nuk dom me ditë për té.
Nganjëherë, gjithashtu rrallë, i futet Zenelit gëzimi fëminuer mu në zemër, asgjasend e ban të qeshi, dridhet nga gazi, s'rri urtë dhe trazon shokët. Dhe nuk ndihmojnë as qortimet as interesi i mësimit. Mue atëherë më bahet se dhe më tallë dhe më qorton Zeneli në këtë mënyrë:
mjaft mâ, zotni mësues, mjaft, mjaft na mësuet si duhet me jetue, ç'ka asht mirë e bukur mjaft na mësuet - megjithatë na po rrojmë si rrojten stërgjyshnit t'onë, po n'ato gëzime e po n'ato mjerime, të lanun e të tretun ndër këto bjeshkë. Qé, na shiko njëherë, njenit nëpër këmishë të shkyeme i shifet supi i verdhë, tjetrit barku si drrasë, atij atje asht gati t'i bijë të fikët nga uria, një tjetër prap mezi përmbahet mos t'i bajnë dhambët brrr nga ethet...
Kështu më dukej se më qortonte me tallje ftyra inteligjente e Zenelit ndërsa qeshej. Pra na lén pak të qeshemi - më dukej se thoshte - të gëzohemi deri sa jemi në shkollë: rroftë shkolla! rroftë arsimi! Sa herë kemi këndue, e në shtëpi s'ka gaz, s'ka të qeshunt... rroftë shkolla! rroftë arsimi! që na mëson këndim e shkrim, të cillët me të vërtetë nuk kan me na hymë shumë në punë në jetën tonë, por mjaft që kemi me marrë një hû... jo gjâ tjetër por, për të shkrue në qiellë: rroftë shkolla! rroftë arsimi!

I la fëmitë t'argtohen dhe sillem nga dritorja. Vërej. M'at bjeshkë të naltë përbáll' asht një pyll i madh të cillit s'i dihet kufini e ku shkuem njëherë në sheti; asht nji visár që s'bahet. Vërej shpatet e kodrave, të brigjeve, vërej ndoj arë të vetmueme në largës, drujet, dhenë e kuqe dhe gjelbrimin e verdhë; mâ afër vërej kasollet e rrasuna për dhé që përbahen vetëm nga mbuloja e kashtës... Tretem në kontemplacjon të mërzitshëm e buzët e mija makinalisht lëvizen, flasin me vetveten. Shpejtë kujtohem se më shikojnë fëmitë, sillem e Zeneli:
- Zotni, a po bajmë mësim?

Orë gjeografije. Marr globin në dorë. U flas.
- Po Shqipnia ku asht? - pyesin dy-tre veta e tjerët i ngrehin qafat që të shofin mâ mirë.
Kur ua dëftoj shejin: një pikë e kuqe në mes të ngjyrave tjera, ndëgjohen zânet të pakënaqun, disi të shqetsueme:
- Sa e vogel!...
- E vocerr e vocerr, mezi shifet...
- Po si, Zotni, kaq e vogel Shqipnija? - çohet njeni tue kundërshtue me dorë.
Të gjithë flasin njeni me tjetrin, të shqetsuem, thue se tashti, në kët çast u bâ Shqipnija e vogel, ku duhet me u vrá për me qëndrue mbrenda kufinit. Vetëm Zeneli s'flet gjâ; më shikon në dritzen e syrit me syt e tij të mençëm, si me më than: zotni, shpëto situatën, si tjera herë që e shpëtove kur kemi folë për mjetet teknike të bujqsis' dhe shkaku pse s'i kemi, kur kemi folë për komoditetet e jetës, të cillat s'i kemi, për shtetet e pasun çka na nuk jemi - gjithëherë ke shpëtue situatën, shpëtoje dhe tash.
Vërej shpirtet e vegjel të shqetsuem, pse atdheu i tyre kaq i madh - si u duket atyne në natyrë - asht vizatue aq i vogel dhe mendojnë se asht gabim. E dij se nenesre Shqipnija në glob ka me u rritë, ka me u bâ kushedi sa e madhe prej dorës së ndonjenit nga shqipot e klasës.
Për me i ngjallë, me ua çue moralin, u flas:
- Çfarë?! Shqipnija nuk asht e vogel! Asht e madhe! Po t'u pjestonte ndër njerëz sa jemi, i bjen kaq e kaq sejcilit, sa nuk u bjen njerzve të shteteve të tjerë t'Evropës.
- Pse e kanë vizatue prâ kaqë të vogel? - me zemrim dhe tue u ndihmue me duer flet mprojtsi i vogel i drejtave t'atdheut.
Mezi përmbahem së qeshunit dhe u flas:
- Pse jemi mâ të vegjel se shtetet e tjerë. Por kjo s'do me thanë gjâ. Për me qenë të lumtun na mjafton kjo tokë qe kemi, veç duhet ta punojmë e... - në kët çast ra zili e fmitë mâ nuk kuptojshin gjâ nga filozofia e lumnís që nisa t'u a zhvilloj. Duelen jashtë pa qejf, ngadalë, ende tue u skjarue me shoq-shoqin, ndërsa Zeneli mundohej të mbesi mbrapa pa u vue ré. Kur duelën të gjithë, më tha në mes të buzëqeshjes dhe hidhnimit:
- S'kemi kurgja zotni, as vegla të reja për punë, as shtëpija higjenike, të mira, si shtetet e tjerë, jemi të vegjel...
E ndala. Deduksjoni i Zenelit t'em ish sa i hidhët aq edhe i vërtetë. I fola. U mundova t'a paqtoj. Nuk dij a më besoi.

Shpeshherë më pëlqente të mendoj mbi ardhëmenín e Zenelit. Por ç'e do. Nuk mjafton vullneti i mirë i em që t'a baj Zenelin të hypi ndër majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Mandej dhe pjesa e eme fataliste arsyetonte: lene Zenelin të rrojë jeten stërgjyshore, primitive, e ka má mirë, mos e merr në qafë me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thejë qafen i dëshpruem tue pá të vett të dashtun tepër ultë dhe tue mos mujtë me u ndihmue.
Prandaj, kur erdhi koha, i a dhash' Zenelit dëftesën e lirimit, u përshendetëm dhe kur shkoi m'erdh keq që s'do shifemi mâ kurr.

COMMENTS