Trashëgimia letrare e Qemal Stafës

qemal stafa qemal
Kur rri e mendon për Qemalin, ndjen se në figurën e tij janë bashkuar madhështia e heroit me burrërinë e luftëtarit, bukuria e talentit me thjeshtësinë e njeriut. Tek ai janë shkrirë në një: njeriu, komunisti, letrari.

Qemal Stafa nuk qe një fenomen i shkëputur në historinë shqiptare. Ai lindi në gjirin e lëvizjes sonë revolucionare, u brumos e u formua që në rininë e parë me mendimin marksist; atë e ngriti në rolin e militantit të shquar Partia Komuniste Shqiptare.

Qemali jetoi gjithsej njëzet e një vjet, dhe, duke e njohur nga afër jetën e tij, kupton se sa shumë mund t'i shërbejë njeriu çështjes së revolucionit kur gjithë forcat e veta ia kushton idealit të komunizmit edhe në kaq pak vite jete. Qemali mundi që, brenda një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, të punojë e të luftojë në shërbim të këtij qëllimi të madh si rrallë kush nga moshatarët e tij. Dhe, kur ai u nda para kohe nga radhët e luftëtarëve, vdekja e tij qe një humbje e rëndë, jo vetëm për gardën e komunistëve që po ngrinin atëherë popullin në këmbë, por edhe për letërsinë tonë revolucionare, së cilës iu shkëput një talent mjaft premtues. Krijimet më të mira të Qemalit bënin pjesë në përpjekjet e atyre shkrimtarëve përparimtarë që po i hapnin letërsisë shqipë horizonte të reja ideoartistike. Letrari i ri revolucionar çmonte rolin e fjalës artistike si mjet lufte për përhapjen e mendimeve të reja. Dhe ai vetë dha një shembull të mirë, duke iu nënshtruar këtij qëllimi fisnik gjithë sa shkroi.

Trashëgimi letrar i Qemalit, sado i paktë, bart në vetvete një pjesë të botës së tij të madhe. Shkrimet që la ai janë vetëm disa shkëndija të flakës që i përftonin idetë e larta që e udhëhiqnin në jetë, shkëndija të shpirtit të zjarrtë revolucionar, të emocioneve të thella e të interesave të gjithanshme që ai kishte, gjithnjë me prirje nga e vërteta komuniste dhe e drejta e popullit.

Qemali nuk arriti dot të shprehte gjithë sa dëshironte. Ai zhvillonte një veprimtari të gjithanshme revolucionare dhe nuk i mbetej fare kohë për krijimtari letrare. Kënga e tij u këput që në hovet e para, tek merrte fluturim. Dhe ajo mbeti përjetë këngë hovesh të para!

2. Qemali nisi të debutojë në letërsi në një moshë fare të re, kur ishte pothuajse ende fëmijë. Duke qenë nga natyra i zgjuar e i hollë, i ndjeshëm e studjues, vërejtës e këmbëngulës, talenti i tij spikati dhe ai krijoj qysh herët shkrime letrare që tërhoqën vëmendjen dhe merituan lavdërime. Kontakti i drejtëpërdrejtë me jetën e vështirë të popullit, përqafimi i ideve revolucionare, leximi i letërsisë përparimtare, i hapën atij horizonte të reja dhe i ushqyen talentin.

Provat e para të Qemalit letrar janë hartimet e bukura që shkroi në bankat e shkollës. Këto punë modeste u çmuan që atëherë nga mësuesit dhe shokët e tij. Ndonjë prej tyre bëri jehonë dhe jashtë klasës. Për këtë Qemali pati dhe pasoja si nxënës. Shkrimet letrare të Qemalit janë një shembull i shkëlqyer se si ky revolucionar i ri edhe në punët shkollore derdhte mendime të fuqishme, sulej me urrejtje kundër shtetit shtypës feudoborgjez dhe shprehte dashurinë e flaktë për masat popullore.

Pas hartimeve, me punë këmbëngulëse Qemali kaloi në krijime të vërteta letrare. Disa, edhe këto qenë pak, i botoi në shtypin përparimtar të kohës, kurse pjesa më e madhe mbeti në dorëshkrim.

Që në fillim, Qemali e mori letërsinë me dashuri e seriozitet. Ai e kuptoi me kohë se letërsia nuk është mjet argëtimi. Që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, si nxënës ai shkruante: "Arti i deritashëm, që, veç trajtës së bukur, nuk ka tjetër cilësi, nuk i përmbush nevojat tona. Ç'më duhet mue një poezi e bukur në trajtë, por e vorfën në idena?"

Prandaj shkrimtari, sipas Qemalit, në rast se do që vepra e tij të ketë vlerë e t'u shërbejë njerëzve, duhet që në themel të saj të verë ide të shëndosha, të pasqyrojë realisht shoqërinë e ndarë në klasa, të luftojë padrejtësitë shoqërore, të bëjë hero të vetin njerëzit e vuajtur të popullit. Dhe kur lexon shkrimet e Qemalit, e ndjen se tema kryesore e tyre është mjerimi i popullit shqiptar, pakënaqësia dhe revolta ndaj rendit të asaj kohë.

Le t'i kujtojmë lexuesit skicën e njohur "Qortimet e vjeshtës", që me të drejtë mund ta quanim si një kredo të Qemalit letrar. Duke na dhënë fatin e mjerë të një gështenjëpjekësi plak, nëpërmjet skenasht të thjeshta, por shprehëse, me detaje të gjetura, me një notë dhimbjeje e proteste fëminore, Qemali mban hapur anën e njerëzve të thjeshtë dhe ngrihet me zemërim kundër padrejtësive shoqërore. Ideja e shëndoshë që e përshkon gjithë skicën qartësohet edhe më mirë në fund, kur mbyllet me këto fjalë: "U largova me një premtim dhe një dënim në zemrën time. Dënova shoqërinë njerëzore; premtova ..."
Por te njerëzit e thjeshtë, të vuajtur e të dërmuar nga hallet dhe shtypja Qemali futet thellë, zbulon botën e madhe të këtyre njerëzve, krenarinë dhe pastërtinë e ndjenjave, qëndresën burrërore dhe besimin tek e ardhmja. Duke zbuluar të tilla tipare Qemali shpreh në shkrime edhe gëzimin e tij të thellë, edhe besimin që i japin këta njerëz.

Nota kryesore e krijimeve të Qemalit është revolta, qëndresa. Autori i ri tërhiqet jo aq nga mjerimi, se sa nga lufta për të mos u pajtuar me padrejtësitë shoqërore. Ai kërkon të japë figura njerëzish që nuk mposhten para vështirësive e që me stoicizëm u qëndrojnë besnik idealeve të veta. I tillë është detari i skicës "Nënshtypje kaltërsie", i cili, i rrahur e i kalitur nga furtunat e jetës, me besim të patundur në forcat e veta, refuzon çdo mëshirë e lëmoshë. "Ai nuk kërkon mëshirë - shkruan autori. - Porsa dallon gjurmë të lehtë keqardhjeje mbi fytyrën time, qesh e këndon me za. Përmes gojës së tij më flasin mijëra burra që bajnë të njëjtën jetë". Qemali do t'u paraqesë bashkëkohësve të vet, si shembull që të ndiqet në jetë, një njeri të tillë ku spikat forca dhe qëndresa.

Simpatia për njerëzit që ndiqeshin e burgoseshin nga qeveritarët, e ka shtyrë autorin të ravizojë portretin e një të burgosuri në skicën letrare "Rreze frëngjijash".

Mjaft interesant e i përshkruar nga mendimet materialiste paraqitet shkrimi "Portreti i Skënderbeut". Pasi karakterizon drejt figurën e Heroit tonë Kombëtar, Qemali nënvizon, ndërmjet të tjerash, se udhëheqësi i vërtetë i popullit duhet t'i shembëllejë Skënderbeut dhe se pas një prisi të tillë çdo njeri është gati të vdes. Aluzioni i autorit për kohën është i qartë; përpara personalitetit të madhërishëm të Skënderbeut, Zogu, që ishte vetë shpallur mbret e që shtypte popullin, s'ishte gjë tjetër, veçse një karnaval.

Për ide mjaft të përparuara, në një moshë fare të re, dëshmon shkrimi i njohur i Qemalit "E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë; një jetë e re po lulëzon gërmadhash". Aty është sintetizuar gjithë botëkuptimi i komunistit të ardhshëm. Edhe pse është shkruar në një moshë fare të re, ky hartim të habit me pjekurinë e mendimet revolucionare, të shprehura aq qartë dhe në mënyrë shumë të guximshme. Ai shpall me guxim që në bankën e shkollës: "... asht gja e domosdoshme ta ndryshojmë ndamjen e sotme të pasunisë (gja e vjetër) e ta zavendësojmë me nji ndamje të dytë e të njinjishme (gja e re). Rusët e kanë ba që me kohë: shembull ky se e vjetra shembet. Edhe ne to ta bajmë".
Ky shkrim të prek për thellësinë e mprehtësinë e mendimeve, për formimin e parakohshëm, për horizontin dhe talentin. Ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç kur shprehej kështu, e kërkonte, në emër të brezit të ri që po vinte, ndryshime në themel të shoqërisë shqiptare. Në këtë shkrim del besimi që ai ka në realizimin e këtyre idealeve të mëdha.

"Vetëm të rijtë mund ta organozojnë një shoqëri të re shqiptare - shkruan Qemali në artikullin "Qëllimi ynë" - thomi të rijtë, pse tue mos pasun lidhje me të shkuemen, vetëm ata janë në gjendje mi i shikue çështjet me syun e kohës sonë. Thomi të rijtë pse vetëm ata janë në gjendje me i shti në punë energjitë e tyne të reja për nji punim sistematik, pse janë të zhveshun prej mbetyrinave të kohëve të kalueme".

Megjithëse ishte shumë i ri, këto mendime e radhisin Qemalin me brezin e shkrimtarëve përparimtarë të viteve '30. Ai, si nga idetë, ashtu dhe nga trajtat që mori letërsia asokohe, ishte i afërt me ta. Kështu, në këto vite, Qemali, në shembullin e Migjenit e të të vëllait, Veliut, që shkruante me pseudonimin Platonicus; lavroi llojet e vogla të prozës tregimtare si skicën, portretin, etj. Me një gjuhë figurative, shpesh alegorike, në mënyrë konçize, në këto shkrime goditeshin shfaqje negative të jetës shoqërore. Qemali botoi disa nga ato, duke ngritur probleme shoqërore, si nevojën për të luftuar kundër fanatizmit e robërimit të gruas shqiptare, demaskoi bestytnitë e sharlatanizmat e klerit, etj.

Për Qemalin mund të thoshim se është më tepër poet se sa prozator. Këtë e tregon, në radhë të parë, fakti se krijimet e tij më të pjekura artistikisht janë vjershat. Po dhe prozat e tij, nga mënyra se si janë shkruar, nga nota poetike që i përshkon, nga gjuha figurative e lakonike, mund t'i quanim me të drejtë proza poetike.

Vjersha e parë që njohim nga Qemali është "Kënga e kumbanores". Duke vënë në qendër të vjershës figurën e një plaku të munduar nga vuajtjet e uria, ai zbulon para lexuesit kontrastin e fortë shoqëror të kohës; ndërsa një grusht njerëzish "thurin andrime rreth kumbonës", mejton ai fëmijtë që bukë pa pra kërkojnë". Kuadri poetik i kësaj vjershe është një copë e gjallë e jetës shkodrane në vitet në vitet e rënda të regjimit feudoborgjez e të obskuratizmit fetar.

"... lart horizonte ngadhnjyese na presin". Ky është laitmotivi i vjershës "Shokut të prangave", të cilën Qemali ia kushton Vasil Shantos. Ai i këndon luftëtarit të revolucionit, shokut të luftës së përbashkët kundër "fëlliqësinës agallare". Vargjet i përshkon një patos i zjarrtë revolucionar, që e ka burimin te urrejtja ndaj botës së vjetër dhe në besim për jetën e re, që do të lindë përmes luftës.

Krijimi më i mirë i Qemalit dhe një nga vjershat më të bukura të poezisë sonë revolucionare është, padyshim, vjersha "Hijes së tim vlla". Megjithëse e shkruar në një çast të rëndë, në të nuk djehet fryma elegjiake. Poeti nuk vajton për fatkeqësinë që i ka rënë, por himnizon figurën e të vëllait revolucionar. Me një patos të vetëvetishëm ai evokon, nga pozitat e një poeti qytetar, çastet kryesore të jetës së Veliut e, njëkohësisht, veprimtarinë e tyre të përbashkët revolucionare. Duke shkruar këto vargje për Veliun, ai i drejtohet jo aq vëllait, sa shokut të ideve. Sepse të dy vëllezërit kishin marrë me kohë rrugën e luftës, të dy e kishin urryer e dënuar këtë "shekull të ndytë që ka shkëlqim gënjeshtar ...", të dy nuk ua kishin vënë veshin atyre që thoshin "lodhja e juaj asht e kotë". Ata kishin ecur përpara me guxim, të vendosur në rrugën e tyre. Por një ditë, papritur, ai ndjeu se Veliu u shkëput nga radhët, vdekja i rrëmbeu shokun dhe vëllanë. Këtë ngjarje ai e konsideroi si rënien e një luftëtari në betejë e sipër dhe zëvendësimin e tij nga një shok i ri. Në këto çaste të vështira, ai nuk u ligështua, po, duke shtrënguar më fort flamurin ndër duar, u betua solemisht:

Flamurin
që n'zi të bukës me lot qendisi nana
e që t'pashë unë se vajtove
mos druej, pa krah ai kurrë s'do të jesi,
bri timit pror kryenaltë ka me value.

Këtë betim Qemali e mbajti, sepse tre vjet më vonë, i radhitur në gardën e dyqind komunistëve të parë, i prirë nga flamuri i Partisë Komuniste, ai u vu në krye të luftës së rinisë dhe ra heroikisht në fushën e nderit.

Duke dhënë frymën e fundit në luftë të paepur me armiqtë e popullit, ai linte pas emrin dhe veprën e një heroi e bashkë me to dhe këngët e hoveve të tij të para. Këto këngë, të mbledhura me dashuri e respekt të thellë, po ia paraqesim rishtas lexuesit, duke i bërë tek-tuk ndonjë ndryshim drejtshkrimor.

Nuk ka dyshim se trashigimi letrar i Qemalit, ashtu si jeta dhe lufta e tij do të mbeten gjithnjë burim frymëzimi për brezat e ri të lexuesve, një shembull i shkëlqyer i shkollarit të pjekur e plot dijeni që edhe në punët e shkollës derdhte mendimet e mëdha revolucionare.

Nga Nasho Jorgaqi; shkrime letrare "Qortimet e vjeshtës", Tiranë, 1975.

____________

Nasho Jorgaqi lindi në vitin 1931 në Fier. Shkrimtar, skenarist, hulumtues dhe studiues, doktor i shkencave. Është dekoruar me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh i Punës".

COMMENTS