Gustav Meyer (Majer) dhe albanologjia

Gustav Meyer, Gustav Majer
Shkolla gjermane, që ka arritjet më të suksesshme në fushë të albanologjisë dhe njëri prej studiuesve më të shquar nga kjo shkollë, Gustav Majeri, janë të lidhura ngushtë me fillimet e albanologjisë, me studimet e saj më të rëndësishme në të gjitha kohërat, me themelimin e albanologjisë si shkencë, dhe me shkallën më të lartë të studimeve të saj në ditët tona.

Mund të thuhet kështu se: në shekullin XV, kur gjejmë veprën e parë për gjuhën shqipe ndër të huaj, një Fjalorth, që sado i vogël qoftë, e kemi trashëguar nga një udhëtar gjerman, Arnold von Harff (1497); për shkak se në shekullin XVI, në mesin e disa veprave të njohura që flasin për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, gjendet edhe vepra e një studiuesi gjerman: Konrad von Gesner (1555); për shkak se, në shekullin XVII, veç të tjerash, kemi edhe një lutje në gjuhën shqipe, të cilën e ka botuar Andrea Muller (1680); për shkak se, në shekullin e XVIII njëri prej filozofëve më të mëdhenj gjermanë dhe evropianë të kohës së tij, Gottfried Wilhelm Leibnitz (1705-1715), është njëri prej popullarizuesve më të mëdhenj të prejardhjes së gjuhës shqipe, madje jo vetëm një herë dhe në një rast, por për mëse njëzet vjet me radhë. I po kësaj kohe është edhe kritiku e filozofi i madh gjerman Johan Gotfrid Fon Herder (1744-803), si dhe historiani Johan Erih Tunman (1746-1778); në shekullin XIX, disa prej studiuesve më të shquar të gjuhësisë evropiane, gjermanët: Johan Christoph Adelung (1809), Christian Gottlieb von Arndt (1818), J.A.G. Schmidt (1822), Johann Severin Vater (1822), Karl August Anton Alfons Joseph Ritter von Xylander (1835), gjendet edhe studiuesi i madh gjerman Johann Georg von Hahn (1853-1855), i cili vuri bazat materiale dhe shkencore të albanologjisë. Le të kujtojmë se në gjysmën e parë të shekullit XIX vepron edhe studiuesi i njohur për zonën mesdhetare të Evropës, Jakob Philip Falmerajer (1790-1860). Po i kësaj kohe është edhe njëri prej historianëve më të mëdhenj të këtyre dy shekujve, Teodor Mommsen (1817-1903).

Gjithë ky interesim dhe gjithë kjo punë për studimin e gjuhës shqipe edhe është pritur që do të kurorëzohet një ditë me rezultate të reja shkencore në fushë, jo vetëm të albanologjisë si shkencë, që po linte, por edhe në shkallë të ballkanologjisë dhe të indoevropianistikës në përgjithësi. Për të ndodhur kjo nuk është dashur shumë kohë. Vetëm disa dhjetëvjetsha më vonë, pra në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishte studiuesi i madh Franc Boppi (1855) dhe më pas Gustav Majeri (1891), i cili do t'i vërë bazat e shkencës të albanologjisë. Puna shkencore e studiuesve gjermanë dhe austriakë nuk mbaroi me këtë shkallë të ngritjes së dijes për albanologjinë. Ata do të shtohen, jo vetëm për nga numri i hulumtuesve, por edhe sipas fushës së interesimit. Le të kujtojmë këtu punën e madhe shkencore që në fillim të shekullit XX e bëri Norbert Jokli (1916-1939), angazhimin e madh jo vetëm shkencor, por edhe kulturor e kombëtar për shqiptarët të Maksimilian Lambercit; vlerat shkencore të studimeve ilire nga profesori i gjuhësisë krahasimtare Paul Kreçmer (1886-1956), le të kujtojmë këtu profesorin e historisë Hansjorg Frommer (1939-), filozofin dhe historianin Peter Robert Franke (1926), studiuesit, nga më të zellshmit në ditët tona: Herman M. Olberg, Wilfred Fiedler e Oda Buchholz, Norbert Boretzky etj.

Megjithatë, ata që kontributin e studiuesve gjermanë e shikojnë vetëm në një kënd dhe i qasen vetëm nga një anë, nuk harrojnë të thonë se: interesimi i shkollës gjermane për gjuhën shqipe ishte i natyrës politike; i natyrës së rastit, d.m.th. studiuesit gjermanë ishin marrë me albanologjinë falë pranisë së tyre në trojet shqiptare, e madje edhe kolonitë shqiptare, për aktivitete të caktuara politike, tregtare, ushtarake etj; se për studiuesit gjermanë gjuha shqipe ishte vetëm një trampolinë krahasuese me gjuhët e tjera, për të nxjerrë rezultate sa më të sakta në shkallë të gjuhësisë indoevropiane etj. Prandaj, në këtë rast shtrohet nevoja që interesimi i studiuesve gjermanë për gjuhën shqipe, popullin shqiptar dhe për historinë e tij, të trajtohet edhe në aspekte të tjera.

Jeta dhe vepra

Gustav Majer u lind më 25 nëntor 1850 në Gross-Strelitz, krahina e Silezisë së Epërme të Gjermanisë. Ishte bir i një nëpunësi prusian. Mësimet i filloi në Gjimnazin e Opelit dhe i vazhdoi në Universitetin e Breslaut. Tregoi interesim të veçantë për studimin e gjuhëve të lashta: për indishten, sanskritishten, latinishten e në mënyrë të veçantë për greqishten. Në fillim emërohet asistent i gjuhëve të lashta në Gjimnazin e Gotës (1871), por vetëm pas një viti emërohet profesor i universitetit të këtij qyteti. Pas dy vjetësh emërohet profesor i gjuhëve të lashta në Universitetin e Pragës dhe më 1877 emërohet profesor i Gjuhësisë indoevropiane në Universitetin e Gracit, ku i vazhdoi studimet për greqishten e vjetër, turqishten, dhe bëri një punë të madhe sidomos në studimet albanologjike. Rezultat i studimeve të tij në fushë të gjuhëve klasike, në këtë kohë, është studimi "Ndihmesë për teorinë e fjalëformimit të greqishtes dhe të latinishtes" (1872).

Aktiviteti i tij si mësimdhënës dhe studiues në Universitetin e Gracit, baza e gjerë e dijes shkencore që kishte fituar deri më 1877 dhe metodat e rrepta shkencore që në fushë të gjuhësisë shtroheshin në fund të shekullit XIX, bënë që horizonti studimor i Gustav Majerit të kufizohej në zona më të ngushta gjuhësore. Interesimi i tij për gjuhën greke, e cila në studimet indoevropiane mbahej për gjuhë mis, nuk ishte i rastit, ashtu sikur edhe për gjuhën latine, por as interesimi i tij për gjuhën shqipe nuk mund të thuhet se ishte një rastësi. Shqipja tashmë ishte bërë fushë studimi nga shumë paraardhës të tij, si: Lajbnici, Ksilanderi, Mikloshiqi, Hani, Shuhardi, e ndonjë tjetër filozof, historian, arkeolog a gjuhëtar, dhe kishte zënë vend të qëndrueshëm në familjen e madhe indoevropiane e në bashkësinë gjuhësore të Ballkanit, bashkëthemelues i së cilës do të bëhet edhe vetë Gustav Majeri. Për ne këtu është me interes të thuhet se, ndryshe nga studiuesit e mëparshëm (historianë, filozofë, gjuhëtarë, etnografë, arkeologë etj.), Gustav Majeri me studimet albanologjike nuk do të merret në kontekst krahasues ose të rastit, por edhe me studimet e brendshme të shqipes. Aq më shumë, Majeri do të bëhet mbledhës, botues, studiues dhe sintetizues i folklorit, leksikut, të folmeve, letërsisë së shkruar etj. Një jetë të tërë do t'ia kushtojë albanologjisë, duke u bërë kështu edhe themelues shkencor i saj.

Duke hulumtuar materiale për studimet greke në Itali, Gustav Meyer u interesua edhe për gjuhën, folklorin dhe letërsinë shqiptare, prandaj të njëjtin interesim e vijoi edhe gjatë hulumtimeve të tij shkencore në Greqi. Kështu, dy kolonitë arbëreshe, kolonia e arbëreshëve të Italisë dhe kolonia shqiptare e arbëreshëve të Greqisë, u bënë nxitje e tij për gjuhën, kulturën dhe historinë e tyre, për të cilat do të punojë deri në fund të jetës së tij.

Studiuesit shqiptarë dhe të huaj asnjëherë nuk e kanë vënë në pyetje karakterin thjesht shkencor të interesimeve të tij, mirëpo tash së fundi në një analizë të zgjeruar lidhur me studimet austro-hungareze për shqiptarët, kanë vënë re se interesimi i Gustav Majerit për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, pas Kongresit të Berlinit, nuk ka qenë i rastit.

Gustav Majeri në studimet shqiptare

Jeta dhe vepra e Gustav Majerit, edhe një shekull pas vdekjes së tij, ende nuk është bërë objekt studimi në shkallën që ajo e meriton të studiohet. Shënimet, artikujt dhe studimet e deritashme dëshmojnë se themeluesi i albanologjisë, Gustav Meyer, ende nuk është i njohur sa duhet as si personalitet i gjithanshëm, as për bëmat e tij, për popullin shqiptar dhe gjuhën e tij, prandaj është e kuptueshme pse në bibliografinë e tij ende nuk i janë shënuar të gjitha ato elemente themelore, të cilat do ta rrumbullakosnin plotësisht jetën dhe veprën e tij.

Për jetën e tij ende nuk kemi monografi të veçantë, kurse një pjesë e aktivitetit të tij për shqiptarët ende nuk na është e njohur. Megjithatë në artikujt, vështrimet, studimet shkencore dhe paraqitjet vulgare për veprën e Majerit dhe temat që lidhen me veprën e tij, autorët shqiptarë apo të huaj, janë përpjekur të paraqesin biografinë e tij jetësore dhe bibliografinë e tij shkencore, lidhjet e tij kulturore, shkencore dhe politike me studiues shqiptarë e të huaj.

Po të paraqitej një pasqyrë e përgjithshme e pranisë së Gustav Majerit në letrat shqipe brenda këtij shekulli të fundit, e nxjerrë nga bibliografia e Palok Dakës (Bibliografi retrospektive e gjuhësisë dhe e onomastikës shqiptare, (1879-1944), I (1879-1921), II (1921-1941), III (1941-1944), (Bibliografi me anotacione hartuar sipas të dhënave të shtypit periodik shqiptar e mbi Shqipërinë të viteve 1848-1944). Për përdorim të brendshëm, ASH e RPSSH-IGJL, Tiranë, 1984), kjo pasqyrë do të dukej kështu: Calvosa, në një nekrologji për Zef de Radën njofton se gramatika e tij, veç të tjerëve, i kishte tërhequr vëmendjen edhe Gustav Majerit; gazeta Albania njofton për gjendjen shëndetësore të Majerit pa shpresë se do të mund të shërohet; Kremones, duke u nisur nga vepra e Naim Frashërit "Qerbelaja", paraqet një parashtresë të tij për diskutim lidhur me alfabetetet e shqipes, ndërsa në radhën e alfabeteve më të njohura radhit edhe atë të Gustav Majerit; Bauer, në një notes të tij të botuar në "Albania", veç të tjerash, njofton edhe për gjendjen shëndetësore të Gustav Majerit; Kalendari i Maleve boton një fotografi dhe shënime për jetën dhe veprën e Majerit; në gazetën Albania njoftohet për vdekjen e Majerit; Asdreni kundërshton mendimin e Sami Frashërit dhe të Majerit lidhur me prejardhjen e etnonimit shqiptar dhe e kërkon këtë fjalë te legjenda e Pirros; revista Albania e Londrës njofton se Albert Thumbi ka botuar një studim interesant mbi Gustav Majerin; Kalendari Kombiar boton një skicë të shkurtër për Majerin dhe e shoqëron me një fotografi; Bogdan P. Hazdeu, profesor i Universitetit të Bukureshtit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, në një ligjëratë të mbajtur më 25 maj 1901, pikëpamjet e tij për prejardhjen ilire të popullit shqiptar i mbështet edhe te Gustav Majeri; në një mbledhje të prelatëve të Shkodrës, sipas gazetës La Nazione Albanese, Ndre Mjeda kishte mbrojtur një sistem alfabetik, i cili nuk ishte tjetër veçse një mutatis mutandis i atij të Brugmanit, Majerit etj; në një letër të tij dërguar "Albanisë", paraqet pikëpamjet e tij për alfabetet e shqipes, ndërsa për alfabetin e Gustav Majerit ka konsideratë, por me kusht që t'i hiqen karakteret greke, punë të cilën, siç dihet, e bëri Ndre Mjeda; me rastin e vdekjes së Gustav Majerit, Albert Thumbi boton në "Albania" një artikull me shënime për jetën dhe veprën e tij; Loreochio mban një qëndrim kritik dhe madje favorizues ndaj shqiptarëve për rolin që kishin në zhvillimin e shqipes në kolonitë e ndryshme, përkundrazi sa u përket studiuesve të huaj, në mesin e të cilëve radhit edhe Majerin, mendon se gjuha shqipe ishte një mjet për ushtrime doktrinash morfologjike e filologjike të krahasuara; Pashko Bardhi, pasi riprodhon dy fragmente të Ungjillit të Shën Lukës në të folmen e Borgo Ericos, njofton se këto fragmente më parë i kishte botuar në dialekte të ndryshme edhe Gustav Majeri; fletorja e Selanikut "Diturija" jep shënime për Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe dhe e radhit në mesin e nëntë fjalorëve që mund të shërbejnë për mësimin e gjuhës shqipe, siç thuhet, derisa të botohet një fjalor i plotë i gjuhës shqipe.

Besoj se Anton Xanoni i ka bërë vështrimin më të mirë këtij fjalori në fillim të shekullit XX, duke dhënë edhe vërejtje dhe shpjegime shumë të arsyeshme lidhur me të dhe rezultatet e tij. Autori i paidentifikuar deri më tash në Fjalorin e pseudonimeve, anagrameve e siglave të botuara me pseudonimin H., në gazetën Bashkimi të Shkodrës boton shënime për veprat dhe autorët e huaj që u morën me gjuhën shqipe, duke i dhënë një vend të merituar edhe Gustav Majerit; Lorecchio, duke i kundërshtuar mendimet e xhonturqve, që po e mohonin gjuhën shqipe, flet për lashtësinë e saj, duke iu referuar, mes të tjerash, edhe Gustav Majerit, si dhe bën thirrje për një alfabet të përbashkët, duke ftuar kështu edhe një Kongres gjuhësor për arbëreshët e Italisë, me çka, sipas autorit, do të dëshmohej se nuk kishte asgjë kontestuese ndërmjet kongreseve të arbëreshëve të Italisë për gjuhën shqipe dhe Kongresit të Manastirit. Aleksandër Xhuvani, duke bërë një polemikë me Nolin, lidhur me disa terma fetarë, kritikon edhe disa zgjidhje etimologjike të Gustav Majerit; Kristo Dako në një artikull për gjuhën shqipe sipas dijetarëve të huaj, veç të tjerash, mbështetet edhe te Gustav Majeri. Pashko Bardhi, duke shkruar për historinë e alfabeteve të shqi pes, thotë se për alfabetin e Dhaskal Todhrit, Hahni mendonte se ishte i lashtë, ndërsa përcaktimin e drejtë të tij e bëri Gustav Majeri. Kristo Floqi boton një artikull divulgativ, mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, duke u mbështetur, veç të tjerash, edhe në veprën e Gustav Majerit. Aleksandër Xhuvani boton një artikull gjuhësor, duke u mbështetur në veprën e Gustav Majerit Die Pluralbildung der albanischen Nomina, Wien 1883. At Pashk Bardhi, me pseudonimin B., boton një artikull nga gjuhësia krahasuese, në të cilin u bëhet një vështrim tezave kryesore të Gustav Majerit për etnogjenezën e gjuhës shqipe, emrin kombëtar dhe vendit të tyre Shqipni apo Albani etj. Në revistën Hylli i Dritës, botohet një artikull përmbledhës për etnogjenezën e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, mbi të arriturat e gjuhësisë krahasuese, në të cilën pasqyrohen edhe rezultatet e Gustav Majerit; Petro Vullkani boton një artikull divulgativ në lidhje me origjinën e emrit Alban dhe lokalizimin e vendit Albanopolis, në të cilin radhit edhe mendimin e Gustav Majerit për këtë çështje. Brandejs, duke shkruar mbi albanologun e parë çek Jan Urban Jarnikun, në bibliografinë e tij radhit edhe një recension mbi tri vepra të Gustav Majerit: Gramatikën e shkurtë të shqipes (1888), Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe (1891) dhe Studimet shqiptare, III (1892). Faik Konica boton një artikull divulgativ për gjuhët e botës dhe citon një vepër për gjuhësinë, të botuar nën udhëheqjen e prof. Groberit, në të cilën një artikull mbi elementin latin të gjuhës shqipe e kishte botuar edhe Gustav Majeri. Dr. Glottofil (pseudonim), boton një artikull mbi origjinën e popullit shqiptar dhe radhit tri teoritë kryesore me përfaqësuesit e tyre, duke i dhënë edhe Majerit një vend shumë të merituar në mesin e përkrahësve të prejardhjes ilire të popullit shqiptar. Lajos jep një përmbledhje të shkurtër të veprave të Gustav Majerit për gjuhën shqipe. Gelli, në një artikull për Dhimitër Kamardën, veç të tjerash, shkruan për jehonën që pat vepra e tij Saggio di grammatica comparata sulla lingua albanese (1864) edhe te Majeri. Te Gazeta e Re e Tiranës i bëhet vërejtje Gustav Majerit, se kuptimi i fjalës nameta, që sipas tij ka etimologji greke, në gjuhën shqipe d.m.th. "më vonë, mbi këtë". Në një studim të shkurtër rreth etnonimit shqiptar, arbnuer e alban, Marin Sirdani e mendon më të qëndrueshme tezën e Gustav Majerit për toponimin Shqipni. Në një studim të tij Namik Resuli kundërshton mendimin e Gustav Majerit për fjalën regj dhe pranon mendimin e tij për etimologjinë e fjalës "rig"; Mati Logoreci boton një studim biografik dhe shkencor për Gustav Majerin. Po këtë vit Logoreci boton edhe një vështrim me pikëpamjet e tij rreth fjalës "shqyp", për të cilën Gustav Majeri mendonte se vjen nga shqiptoj, Logoreci e lidh me greqishten "skopos", nga fjala skopeio = kqyr, vrej. Mustafë Kruja, me pseudonimin Shpend Bardhi, në një studim mbi origjinën e popullit shqiptar, në mesin e tezave të radhitura, gjendet edhe ajo e Gustav Majerit për shqipen si gjuhë iliroindoevropiane, e cila iu prin tezave të tjera dhe studiuesve të tyre. Në një vështrim të përgjithshëm për problemin e gjuhës letrare shqipe, ndalet edhe në gjykimet e Gustav Majerit për këtë problem. Në studimin e Norbert Joklit për popullin shqiptar e të gjuhës së tij, vendi që zë Gustav Majeri është i rëndësishëm në shumë aspekte.

Pas Luftës së Dytë Botërore emri i Gustav Majerit përmendet më rrallë në artikujt dhe në studimet shqiptare për një kohë të gjatë, nëse këtu përjashtohet emri dhe vepra e Profesor Çabejt, sado as ai nuk ka shkruar ndonjë artikull të veçantë, qoftë për veprën qoftë për jetën e tij, ashtu sikur kishte shkruar për autorë dhe vepra të tjera të studiuesve gjermanë apo austro-gjermanë sikur i paraqet Eqrem Çabej.

Deri më 1995, në asnjërin nga artikujt e botuar gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve të fundit, nuk është shënuar se Gustav Majeri nuk ishte vetëm mik i rilindësve shqiptarë, por ishte edhe më shumë se kaq, ai ishte mik i çiltër i popullit shqiptar, dhe këtë e ka dëshmuar edhe me letrat që ua kishte dërguar sulltanëve të kohës, për lejimin e hapjes së shkollave shqipe për shqiptarët. Se ky element i rëndësishëm në jetën e tij dhe në historinë tonë nuk ishte i njohur, dëshmon edhe biografia e tij e paraqitur në Fjalorin enciklopedik shqiptar. Autori i njësisë Gustav Majer (1850-1900), akademiku Shaban Demiraj, vlerëson kontributin e Gustav Majerit në studimet etimologjike, duke përmendur disa lëshime (fjala është për ndikimin e madh të latinishtes, që Gustav Majeri dhe bashkëkohësit e tij shihnin në leksikun e shqipes), theksohet se ai ishte grecist e turkist, por nuk shënohet asnjë fjalë për punën e tij në mbledhjen dhe botimin e folklorit shqiptar, e cila gjë dihej, por sigurisht autori në fjalë nuk dinte për interesimin e tij rreth çlirimit të popullit shqiptar nga zgjedha turke, pra nuk dinte se Gustav Majeri ishte mik i veçantë i shqiptarëve, cilësi kjo e cila personaliteteve të huaja u mbiçmohet në këtë vëllim, madje edhe atëherë kur këtë e meritojnë më së paku.

Shqipja, gjuhë indoevropiane

Prej letrave të Lajbnicit e deri te teza themelore e Gustav Majerit për vendin e shqipes në rrethin e gjuhëve indoevropiane, mendimet e dijetarëve sado që nuk kanë qenë shumë të ndryshme, në thelb ato janë dalluar në aspekte të caktuara. Lajbnici kërkonte nga studiuesit që gjuhës shqipe t'i caktohej vendi që i takonte në mesin e gjuhëve indoevropiane; Franc Bopi, sipas Çabejt, vendin e gjuhës shqipe e caktoi me këto fjalë: "gjuha shqipe, në elememtet e saj themelore, nuk ka ndonjë lidhje më të ngushtë, ose, aq më pak, ndonjë lidhje derivacioni me asnjërën nga gjuhët motra sanskrite të kontinentit tonë" (1959/1976, 13). A. Shllajher, ndonëse shqipen e përfshiu brenda drurit gjenealogjik, këtë vend ia bëri në kuadër të familjes pellazgjike, d.m.th. pranë e pranë greqishtes, për çka me kohë u pajtuan edhe rilindësit shqiptarë në krye me De Radën e sidomos gjuhëtarin Dhimitër Kamarda. Një vend i veçantë shqipes iu caktua edhe në teorinë e valëve nga Johanes Shmid, por sipas Çabejt, vetëm më 1883, Gustav Majeri, me artikullin "Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indogjermane", hapet një epokë e re në punën e afrive të shqipes me gjuhët simotra.

Duke ndarë mirë pasurinë vetiake të shqipes nga elementet e huazimit, pas një analize krahasimtare të sistemit fonetik e të disa elementeve të leksikut, ky dijetar i caktoi shqipes me dorë të sigurt një vend, i cili, në vija të përgjithshme, mbetet i vlefshëm edhe sot e gjithë ditën. Ky vend është i caktuar me këto dy drejtime: "shqipja është një gjuhë indoevropiane lindore dhe njëkohësisht një gjuhë indoevropiane veriore" (Ibid. 14). Nëse kthehemi përsëri te kërkesa e Lajbnicit për t'i gjetur një vend shqipes në mesin e gjuhëve indoevropiane dhe të atyre të mëvonshme, për të parë vendin e shqipes në mesin e këtyre gjuhëve, lidhjet e saj me gjuhët indoevropiane, përkimet e veçanta dhe të përgjithshme etj., që lidhen po ashtu me vlerësimet e Çabejt për formulimin e Majerit, atëherë edhe këtu do të gjejmë vlerësimet e Çabejt. Bie fjala, sa u përket elementeve të trashëguara të shqipes, Çabej mendonte se "Gustav Majeri qe i pari që konstatoi e që vuri në dukje në një formë përmbledhëse e tërësore elementin e trashëguar të shqipes dhe që e vendosi atë në vendin që i përket kësaj gjuhe në rrethin e gjuhëve të tjera indoevropiane" (Çabej: 1981-1986, 185). Sa u përket konkordancave leksikore të shqipes me gjuhët baltike, të cilat dalin nga teoria e valëve e Johanes Shmitit, Çabej, ndonëse për hapjen e rrugës e vlerësonte Majerin, meritën për rezultate shteruese megjithatë ia njihte mësuesit të vet, Norbert Joklit (Çabej: 1976, 15). Pra, konstatonte Çabej, "Norbert Jokli e ka vërtetuar dhe thelluar rrugën që pat rrahur Gustav Majeri (...), që shqipja ka lidhje të ngushta sidomos me gjuhët baltike, dhe që të parët e shqiptarëve, duke zbritur nga vise më veriore ngulen në brigjet e Mesdheut" (Çabej: 1972/1976, 205). Mirëpo, pas Gustav Majerit, Holger Pedersenit e Norbert Joklit, të cilët zbuluan lidhjet gjuhësore të shqipes me gjuhët simotra indoevropiane, është Çabej ai i cili me sintezën e tij Studime etimologjike në fushë të shqipes plotësoi kërkesën e themeltë të Hygo Shuhardit, të bërë më 1827: "Kur njëherë t'i jetë caktuar shqipes një vend i ngulët e i paluajtur brenda gjuhëve indoevropiane, atëherë mjaft fjalë që ne sot i konsiderojmë, dhe me plot të drejtë, si huazime, ka të ngjarë që do të na duhet t'ia kthejmë prapë asaj, si një pjesë të pronës së saj të trashëguar" (Çabej: 1964/1977, 243). Rrjedhimisht, në qoftë se këtë "vend të ngulët e të paluajtur brenda gjuhëve indoevropiane", ia kanë caktuar një varg studiuesish, e sidomos Majeri, Holger Pederseni e Norbert Jokli, atëherë fjalët e konsideruara si huazime, të vjela dhe të arsyetuara nga zhvillimi i brendshëm historik i shqipes, i ka kthyer Çabej.

Prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe

Problemi i prejardhjes së popullit shqiptar për disa shekuj me radhë ka qenë çështje shqyrtimi nga historianët, arkeologët, historianët e gjuhës etj. Prej letrave të Lajbnicit (1774) e deri sot, kahet e studimit të këtij problemi kanë qenë nga më të ndryshmet. Në qoftë se çështja e prejardhjes së popullit shqiptar nga ilirët u zgjidh kryesisht nga arkeologët dhe historianët, çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe, e trajtuar shumëfish nga gjuhëtarët hapi edhe probleme të reja, sidomos pas hipotezave për prejardhjen trake të gjuhës shqipe, që dolën në fillim të këtij shekulli.

Nga radhët e gjuhëtarëve të huaj prejardhjen ilire të gjuhës shqipe e kish trajtuar Lajbnici, Tunmani, Hani, Kopitari, Benfej, Mikloshiq etj., mirëpo vetëm me punën e Gustav Majerit lidhen bazat shkencore të studimeve albanologjike, kurse leksiku i gjuhës shqipe bëhet bazë për të nxjerrë analogjitë me ilirishten. Lidhur me prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, Gustav Majeri ka konstatuar që nga fundi i shekullit XIX, se: "Sa kohë që nuk del ndonjë fakt i kundërt, duhet të pranojmë që shqiptarët banojnë që prej kohësh të lashta në Shqipëri ose së paku në një pjesë të saj dhe që janë pasardhësit e ilirëve, të cilët në kohë të vjetra banonin në Dalmaci, Bosnje e Shqipëri" (Majer: 1943, 122), kurse shqipen e quajti me fjalë të peshuara "një epokë të dialekteve të lashta ilire" (Majer, Ibid. 130). Heqjen e kësaj murane e ka çmuar që më parë studiuesi i vijës së tij gjuhësore në fushë të albanologjisë, Norbert Jokli (Jokli, Historia e shqipes... 1972: 255). Sipas Çabejt, mendimin e Gustav Majerit për çështjen e burimit të gjuhës shqipe e mbron dhe e përforcon edhe Kreçmeri kur thotë se "shqipja paraqet fazën më të re të njërit nga dialektet e moçme ilire" (Çabej: 1957/1976, 171). Madje Kreçmeri thotë në një rast tjetër: "kjo është në bazë të të gjithë situacionit aq afër mendsh, sa duhet njeriu të sillte arsye shumë të rënda për të hedhur poshtë. Sepse shqiptarët banojnë atje ku në kohë të vjetër rronin popuj ilirë, dhe i mbajnë këto vise të paktën që nga shekulli X pas erës së re" (Kretschmer, Gröbers Grundriss der romanischen Philologie, I, 804, sipas E. Çabej: 1976, 29-30). Prof. Çabej edhe mendimin e Trajmerit për shqiptarët si mbeturinë të fundit të botës ilire e shihte të pajtuar nga pikëpamja gjuhësore me Gustav Majerin, i cili këtë çështje po në fund të shekullit XIX, e kishte formuluar drejt, pra: "gjuha shqipe është mbeturinë e fundit e një dialekti të ilirishtes më fort sesa mbeturinë e ilirishtes së vjetër" (Çabej: 1962/1975, 237). "Po të jetë kështu, – vazhdonte Çabej – dhe kështu ka të ngjarë që të jetë, atëherë populli shqiptar si mbeturinë e një populli të madh të Evropës Juglindore dhe të Mesme është prodhim jo i një ekspansioni, po i një restriksioni; edhe trualli gjuhësor i këtij populli është pra përfundimi jo i një zgjerimi, po i ngushtimit të një treve më të hapur" (Çabej, Ibid, 237). Kështu, pra, prejardhja ilire e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe e mbrojtur nga historianët, etnografët, arkeologët, gjuhëtarët etj., në shekullin e kaluar dhe në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX (pra, deri sa nuk lindi teoria e Gustav Vajgandit për prejardhjen trake të shqipes), mbështetje kryesore kishin Gustav Majerin (Çabej: 1969/1977,197) dhe rezultatet e sintezës së tij e të studiuesve të mëvonshëm, të cilët ishin të shumtë: Holger Pedersen, Sophus Bugge, Albert Thumb, Francesco Ribezzo, Matteo Bartoli, W. Meyer-Lübcke, S. Puscariu, Sigmund Feist, C. Karstien, Lehr-Sptavinski, Vacslav Cimochowski, Radoslav Katiqiç etj., historianët si Fellmerayer, Nopcsa, Haberlandti, Hahni, Hertzberg, Jorga etj. Për këtë arsye, Norbert Joklin, Prof. Çabej e quante pasardhës të Gustav Majerit "për sa i përket caktimit të karakterit gjuhësor të shqipes" (Çabej: 1977, 205). Edhe përkufizimi i Katiçiqit për shqipen, si një "ilirishte moderne-gjuha shqipe", i cili është cituar shpesh nga studimet shqiptare në Kosovë, do kërkuar krejtësisht te përfundimet e mëparshme të Gustav Majerit. Vështruar në tërësi, ndihmesa e Gustav Majerit nuk do parë si e tërësishme, por edhe si e veçantë, pra edhe për probleme të caktuara të lidhjeve gjuhësore iliro-shqiptare. Bie fjala, ndonëse, siç shkruante Çabej, "për periodën para-linguistike një nga gurët themelorë e vu J.G. Hahni, Gustav Majeri në studimet që zhvilloi rreth shqipes preku e zgjidhi edhe disa nga problemet e ilirishtes në lidhje me shqipen" (Çabej: Ibid, 20). Nisur nga rezultatet e arritura shekuj me radhë, sidomos nga shkollat më të arritura të Evropës dhe i përgatitur edhe vetë në po këto shkolla, Çabej, jo njëherë, e ka përkufizuar prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, kështu: "djepi ballkanik i shqiptarëve së paku që nga epoka greko-romake e këtej është Ballkani Perëndimor, e jo Lindor. Atyre që përfaqësojnë mendimin e përkundërt, do t'u binte të zëvendësonin këtë pamje historike solide me një tjetër, e më saktësisht të na dëftonin se në cilin vend më në lindje u bë marrje e këtyre dorëzimeve. Në mënyrë përmbledhëse do të themi pra se një gjykim objektiv i situatës historiko-gjuhësore pas mendimit tonë na çon të shohim në shqipen e sotme vijimësi e ilirishtes ose për ta thënë me fjalët e G. Majerit (Grobers Grundriss der romanischen Philologie), I (1888) 804) fazën më të re të njërit nga dialektet e vjetra ilire" (Çabej, 1962/1977, 175).

Marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera

Biografia shkencore e Gustav Majerit tregon se ai ishte indoevropeist, grecist i shquar, turkist, ballkanolog, madje bashkë me Franc Mikloshiqin ishte edhe themelues i kësaj dijeje gjuhësore, – por mbi të gjitha ai do të mbetet albanolog. Prandaj është e kuptueshme pse Gustav Majeri, duke pasur njohuri të thella për zhvillimin e gjuhëve indoevropia ne, duke qenë njëri nga autorët më të mirë të gramatikës greke dhe njohës i mirë i studimeve turke, sllave e rumune dhe sidomos studiues i shquar i studimeve albanologjike, këtë të fundit e bëri objekt studimi e krahasimi edhe me gjuhët e tjera nga shumë anë. Nga ky kënd, në njësi të shumta të Fjalorit etimologjik, në Studimet gjuhësore etj., Majeri ka trajtuar lidhjet e ngushta të shqipes, sidomos me gjuhët baltike, me gjuhën greke, me gjuhët sllave, me gjuhën rumune, me gjuhën turke etj. Këtu është me interes të shihet sesi ai shprehet për këto lidhje të shqipes me gjuhët e tjera. Derisa për huazimet latine, turke e greke flet si për "ndikesa", për huazimet sllave shprehet si për "vrragë", ose thënë me fjalët e tij: "në gjuhën shqipe nuk mund të mohohen vrragë të forta të gjuhëve sllave" (Majer: 1943, 125). Po të lihen mënjanë huazimet latine, është me rëndësi të theksohet se interesimi i Gustav Majerit ishte i veçantë, para së gjithash, për faktin se ai trajtoi jo vetëm huazimet greke të gjuhës shqipe, por edhe të kundërtën, pra edhe huazimet shqipe në greqishten e re. Madje, problemit të huazimeve të shqipes në greqishten e re, i ka kushtuar një monografi më vete (Neugrieschische Studien, II 64-71) dhe sipas saj, këto huazime arrijnë afro 70 (Çabej: 1976, 72). Prof. Çabej, duke e vlerësuar mirë dhe duke e çmuar këtë vepër me interes për studimet krahasimtare të shqipes dhe ballkanistikës në përgjithësi, vijoi zgjerimin saj, zbuloi edhe një varg fjalësh të shqipes në greqishten bizantine, sidomos në dialektet e veriut, dhe arriti të konstatojë se "nga të tilla huazime del se elementi shqiptar në greqishten e re është më i madh nga ç'e llogariste Gustav Majeri" (Ibid, 72), madje, po sipas Çabejt, "shihet se ky ndikim përfshin edhe të tjera fjalë, si të mbarë gjuhës si dialektore" (1966/1976, 341, 342). Edhe sa i përket elementit shqiptar në Greqi, ndryshe nga studiuesit e kohës së tij që përgjithësisht përkrahen edhe sot në studimet shqiptare, Gustav Majeri mbante qëndrimin që "shqiptarët jetuan në Greqi edhe para vitit 1349, kur përmenden në Peloponez" (Majer, Vep. e cit., 126).

Lidhur me marrëdhëniet e shqipes me rumanishten, të trajtuara nga Gustav Majeri, Çabej është ndalur disa herë në studimet e tij, por këtu po i veçojmë dy elemente themelore. Duke shkruar për elementet e përbashkëta (simbioza) të leksikut shqiptaro-rumun, Çabej tërhiqte vërejtjen se "do vënë re mendimi i Gustav Majerit, që thotë se disa cilësi fonetike e semantike të elementeve shqipe të rumanishtes na shpien në një kohë, e cila është më e moçme se formimi i gjuhës e i kombësisë rumune" (Çabej: 1976, 77). Në marrëdhëniet e rumanishtes dhe të shqipes prej shumë kohësh studiuesit hulumtojnë mundësinë e gjetjes së një substrati të përbashkët, madje shumë herë edhe duke i nxjerrë si gjuhë pranë e pranë njëra tjetrës. Sikur dihet, lidhur me këtë çështje, kanë ekzistuar më shumë se një teori për prejardhjen e tyre nga një burim i vetëm: trak, dako-miz, iliro-trak etj. Pranë e pranë kësaj çështjeje është trajtuar edhe një dorë fjalësh të shqipes e të rumanishtes që gjallojnë edhe sot në njërën gjuhë apo në të dyjat njëkohësisht. Duke shkruar për problemin e substratit të rumanishtes dhe të shqipes, Çabej tërheq vërejtjen për dallimin e tyre me dy fjalë: "Kundra mendimit të vjetër, të cilin e ka p.sh. edhe Gustav Majeri (Alb. Studien, III, 22, vv), që substrati i rumanishtes është një dialekt ilir dhe që baza jolatine e gjuhës dhe kombësisë rumune është ilire, gjer më sot nuk janë paraqitur gjëkund arsye vendimtare. Ndërkaq shtrurja e konceptit të substratit duke e zbatuar edhe për shqipen, duhet të kundërshtohet. Substrati lidhet e kushtëzohet me një ndërrim gjuhe; një ndërrim i tillë, nga sa dihet në truall të Shqipërisë nuk vërehet në periodën historike, sikurse përkundrazi pranohet me siguri për Rumaninë" (Çabej: 1977, 176).

Historia e dialekteve të shqipes


Në fushë të studimit të zhvillimit të brendshëm të shqipes, problemi i moshës së dialekteve zë një vend të rëndësishëm. Siç dihet, në studimet e tij Hani, kohën e ndarjes së dialekteve e kishte shtyrë aq larg në antikitet, sa e vinte në lidhje me ilirishten dhe epirotishten (Hahn: 1854, 219; Cit. Çabej: (1967/1977, 191), mirëpo më vonë kjo tezë qe kundërshtuar nga një lagje studiuesish që vjen nga shekulli i kaluar deri në kohën tonë: Norbert Jokli, Justin Rrota, Karlo Taliavini, Marko la Piana e sidomos Gustav Majeri, i cili i priu kësaj lagjeje. Gustav Majeri, duke u nisur nga materialet që kishte për të folmen e shqiptarëve në Greqi, ndarjen e dialekteve të shqipes e konsideronte më të vonshme (Nuova Antologi-ja: 50/1885, 588; Cit. Çabejt: 1976, 190-91). Pra, sipas kësaj lagjeje gjuhëtarësh, të cilëve u printe Majeri, të dy dialektet e shqipes nuk ishin diferencuar deri te dy shekujt e fundit. Prof. Çabej thotë se "në fillim i këtij mendimi kam qenë edhe vetë. Tash veç rezulton që aty duhet zbatuar një shtresim i dyfishtë" (Çabej: 1968/1975, 256). Në një hulumtim shterues në veprat e Çabejt nuk është vështirë të shihet sesi ai, duke u mbështetur në hulumtimet dialektore dhe në dukuritë që i kanë përcjellë ato te një varg leksemash, (të cilat Majeri dhe studiuesit para tyre i konsideronin të lashta, ose më saktë të ilirishtes), ai shihte jo dukuri të lashta. Mirëpo, te dukuri të përtrira brenda zhvillimit gjuhësor të shqipes, që më parë, për shumë kohë ishin shuar, e që Gustav Majeri dhe studiuesit e mëvonshëm shihnin bazën huazuese të gjuhës latine, greke ose të ndonjë tjetre., Prof. Çabej shihte dhe lidhte nyjat kohore nëpër të cilat leksema përkatëse kishte kaluar brendshëm ndërtimit të gjuhës shqipe që nga lashtësia. Me një fjalë, Çabej pasi ua njihte meritën lagjes së gjuhëtarëve në krye me Gustav Majerin për përmbysjen e tezës së Hanit, besonte që këtë mendim, siç shprehej ai "ta kem përforcuar në pika të veçanta sidomos me anën e krahasimit të dialekteve të Atdheut e të kolonive si midis tyre si me monumente të vjetra letrare e me emrat historikë të vendeve e të personave ta kem çuar më tej duke e ngjitur në periodat e mëparme të gjuhës e ta kem pjesërisht dhe modifikuar" (Çabej: 1936/1977, 305).

Themeluesi i fonetikës historike të shqipes

Në fushë të studimit të fonetikës historike të shqipes, kontributi i Gustav Majerit është parësor dhe këtë rëndësi Çabej e ka vlerësuar çdo herë. Studiuesit e historisë së gjuhës që më parë e kanë theksuar se vepra e Gustav Majerit "Albanesische Studien III" (1892), prof. Çabejt i kishte shërbyer si bazë për përgatitjen e veprës Fonetika historike e shqipes (1959), që për mëse një gjysmë shekulli, krahas arritjeve të tjera të tij dhe të albanologjisë si tërësi, në fushë të fonetikës historike është vepër themelore universitare në studimet albanologjike. Këtë vepër të Majerit Çabej e quante "studim bazë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, kur në mënyrë sistematike është trajtuar fonetika historike e shqipes". Mirëpo, tërheq vërejtjen Çabej, sado që "historike kurrkush nuk e mohon që Gustav Majeri në veprat e tij ka vënë themelet e fonetikës dhe të etimologjisë (...) megjithatë ndërtesa e ngrehur prej këtij dijetari të shquar, kryesisht për arsye të kohës, është vjetruar në disa pika, si bie fjala në lëmin e fonetikës historike, në kapitullin e grykoreve (guturaleve), të likuideve e hundoreve rrokjesore (silabike)" (Çabej: 1975, 255). Për ndihmesë të veçantë të studimit të fonetikës historike të shqipes, meritën ua njihte sidomos edhe Holger Pedersenit, autorit të studimit monografik për guturalet e shqipes dhe mësuesit të tij Norbert Joklit të cilët, siç shkruante Çabej, "i kanë shpënë më tej e sqaruar shumë çështje të papërfunduara definitivisht prej Majerit" (Çabej: 1988, 9). Fjala është këtu për njërin nga problemet më të rëndësishme të fonetikës historike të shqipes dhe përgjithësisht të studimeve indoevropiane në fushë të fonetikës historike, pra, çështjen e guturaleve dhe aty "sidomos çështja e mënyrës së trajtimit të palataleve indoevropiane, të cilat edhe sot mbeten temë e hapur e diskutimeve shkencore" (Topalli: 1996, 37-44). "Dihet se këto dy teza – shkruan Çabej – qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Në njërën anë është rregulla e Gustav Majerit (...) e në anën tjetër ajo e Pedersenit" (Çabej: 1977, 212). Në këtë problem Çabej e përforcon rezultatin e Holger Pedersenit, ndërsa sa u përket rezultateve të Majerit, ai gjen një rrugë tjetër. "Rregullat e Majerit – shkruan Çabej – ne i zëvendësojmë me dy rregulla të tjera:
1. Një -nd- intervokalike e lashtë, pavarësisht nga theksi, nëpërmes të një trajte -nn- ka dhënë -n-;
2. Një -nd-, -ng- e gjuhës së sotme, në çdo pozicion që të jetë në një fjalë, është historogjene, sekondare. Me fjalë të tjera, edhe ne pranojmë bashkë me Majerin që në ato fjalë ku n-ja intervokalike nuk është kthyer në -r- në toskërishten, kjo -n- ka dalë nga një -nn- dhe ky grup rrjedh nga asimilimi i një konsonanti tjetër me n-në; veçse ne, në kundërshtim me Majerin, besojmë që edhe një konsonant që vinte pas n-së mundi e u asimilua me këtë
" (Çabej: 1953/1977, 56).

Autori i fjalorit të parë etimologjik të shqipës

Në studimet etimologjike të Gustav Majerit, "Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe" (1891) zë vendin kryesor. Kjo është vepra për të cilën autori fillimisht është lavdëruar më së shumti dhe për të cilën më vonë është kritikuar po kaq shumë. E shikuar kështu në mënyrë të skajshme, për më se një shekull, ajo është bërë vepër referimi, vepër bazë e studimeve albanologjike dhe njëkohësisht vepër e kritikuar. Le të kujtojmë këtu vetëm çmimin e vitit të Akademisë Franceze, poezinë e Ndre Mjedës në shenjë nderimi për Gustav Majerin dhe kritikën e Holger Pedersenit me shprehjet e rrepta: "Më vjen keq të them se linguisti gjerman dhe miku im Gustav Majeri ka bërë shumë për të përhapur mendime të rreme në këtë fushë (d.m.th. se gjuha shqipe ka një karakter të përzier -BB)" (Pedersen: 1917/1988, 23-24). Pavarësisht nga këto, vlerësimi i Eqrem Çabejt për studimet etimologjike të Gustav Majerit ka qenë i gjithanshëm dhe shterues. Për Çabejn, Gustav Majeri në studimet e gjuhësisë historike është figurë qendrore e studimeve etimologjike. Duke e vlerësuar me maturi këtë vepër, Çabej thotë: "Autori i kësaj vepre është përfolur shpeshherë që ai e kishte mbiçmuar disi elementin e huaj në visarin e fjalëve të shqipes dhe se ky visar nuk përfaqësohet në masën e duhur në fjalorin e tij" (Çabej: 1972/1975, 289). "Megjithatë, – thotë Çabej – duhet pranuar që ai edhe sot përbën një bazë jo vetëm për studimet shqiptare, po edhe përgjithësisht për studimet ballkanistike" (Çabej: 1972/1975, 289). Prof. Çabej e ka njohur mirë gjendjen e studimeve albanologjike në fund të shekullit të kaluar, sidomos i ka njohur dhe studiuar mirë edhe kritikat që i janë bërë veprës së Gustav Majerit deri në kohën e tij, prandaj qasja e tij veprës së Majerit në përgjithësi, e sidomos Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe, është e tipit analitik dhe referues.

Cilat ishin ato veçanti objektive që dallonte Çabej për të arsyetuar "të metat e Fjalorit të Gustav Majerit, sidomos në punë të materialit": (Çabej: Ibid. 289)
– gjendja e përgjithshme kulturore në Shqipëri, në të cilën nuk kishte kushte hulumtimi për punë të tilla sistematike;
– njohja e kufizuar e literaturës së shkruar, sidomos e letërsisë së vjetër;
– mungesa e fjalorëve të shqipes deri në fillim të shek. XX;
– gjendja e studimeve albanologjike dhe mbështetja e studimeve të saj kryesisht vetëm në burimet e diasporës etj.

Sa i përket pasqyrës së paraqitur në parathënien e Fjalorit lidhur me karakterin gjuhësor, Çabej thotë: "Karakterizimin e shqipes si "një gjuhë e përzier gjysmëromane", që e dha së pari Franc Bopi, e përfaqësuan disa gjuhëtarë të shquar të shek. XIX, si F. Miklosichi, Schuchardti e Gustav Majeri" (Çabej: 1976, 54). Më në fund vlerëson Çabej, në mbivlerësimin e këtij elementi përveç që ishte prirje e kohës së tij, ai kishte edhe arsye objektive, vërtetësie. Pra, sipas Çabejt ka pasur shumë arsye objektive që ky fjalor të dalë i mangët, ndërsa autori i tij të nxjerrë rezultate të gabuara, për të cilat edhe vetë Majeri më vonë ishte i vetëdijshëm, sepse për një numër njësish, të cilat i rimori më vonë, ai solli përfundime që shkonin në të mirë të shqipes. Duhet pranuar se Gustav Majeri ndikimin latin e ka mbiçmuar, por pas punës së tij dhe më tutje të Holger Pedersenit e të Norbert Joklit, gurra vetjake e përfitimit të shqipes ka krijuar mundësi për të hequr nga rendi i ditës çështjen e mbisundimit të latinishtes dhe italishtes më vonë, ose mendimin e përgjithshëm se shqipja është gjuhë romane. Ky mendim tashmë nuk përsëritet. Çështjen e heqjes së kësaj hijeje mbi shqipen Çabej e mori shumë seriozisht, prandaj në vend që t'i bënte një kritikë kaluese, ai fillimisht objektin e studimit (d.m.th. Fjalorin) e përkufizoi kështu: "Kjo çështje është me rëndësi themelore për gjuhësinë shqiptare, sepse prek në vetë problemin e karakterit gjuhësor të shqipes. Për shqiptarët kjo përtej caqeve të gjuhësisë ka edhe një rëndësi nacionale; megjithatë dijes si kudo edhe në këtë çështje i ka hije të ruajë objektivitetin e duhur" (Çabej:1976, 70). I nisur nga këto parime morale dhe shkencore, Çabej së pari voli në mënyrë shteruese gjithë materialin e njohur leksikor të shqipes, të cilin e sintetizoi me akribi shkencore, pastaj çdo njësi etimologjike të Majerit e pasqyroi në kuadër të leksikut të përgjithshëm dhe pasi bëri një sintezë të shumfishtë dhe të drejtë shkencore, duke e përvijuar në shumë anë të studimit të saj, arriti në rezultate të tjera, për të cilat më parë studiuesit e huaj dhe ata të shqipes më vonë vetëm ishin deklaruar apriori, por pa dëshmuar rezultate konkrete. Mbi këto kritere, Eqrem Çabej u bëri një kritikë të gjithanshme jo vetëm rezultateve shkencore të Gustav Majerit, por edhe përfundimeve shkencore të Mikloshiqit, Ksilanderit, Nopçes, Majer-Lubkes, Nahtigalit, Oshtirit, Manit etj. Konstatimeve për përparësinë e romanitetit, sipas Çabejt, duhet nisur nga së paku dy kritere: ose me numrin e fjalëve bazë, ose me përdorimin e gjallë të tyre, pra: "Kriteri i parë do të rrokte më mirë këtë anë historike të leksikut, po duke lënë jashtë numërimit morinë e fjalëve të rrjedha prej fjalëve bazë, nuk do të pasqyronte pasurinë e vërtetë të tij, do të paraqiste si të thuash eshtërinë, jo muskulaturën e tij. Pavarësisht nga këto rrethana, përpjestimi i sasisë së trashëguar të leksikut ndaj sasisë së huazuar, përveç anës sasiore, thjeshtë numerike, mund të shqyrtohet edhe nga ana cilësore, kualitative" (Çabej: 1986, 264). Në këtë çështje Çabej bëri edhe një sintezë të gjerë të leksikut të shqipes dhe vetëm pastaj edhe nxjerrjen e përfundimeve për sasinë e leksikut të vendit dhe atë të huazuar (Shih pasqyrën e të dhënave sintetizuese të Çabej në Studime gjuhësore, VII, "Rilindja", Prishtinë, 1986, f. 264-265). "Nga një vështrim paraprak, – shkruan Çabej, – po i mbështetur në një studim të gjatë të leksikut të shqipes nga kjo anë, neve na del që elementi i trashëguar mbizotëron në atë pjesë të tij që ka lidhje me një jetë më afër natyrës e me një ekonomi e një kulturë më fort baritore-agrare, elementi i huazuar – në pajtim me vetë karakterin e huazimit në atë pjesë që i përket një veprimtarie njerëzore më të shumanshme në fushën e kulturës materiale e morale; megjithëse do shënuar që pjesa e leksikut abstrakt e të ideve është në shqipen më e konsiderueshme nga sa mund të mendohet" (Çabej, Ibid., 264). Janë një varg problemesh që dalin në studimin përfundimtar të njësive leksikore të cilat duhen marrë parasysh. Ndër to, Çabej ka parasysh leksikun e marrë nga atdheu në diasporë, bie fjala te arbëreshët e Italisë, njohja e dukurive të gjuhëve në kontakt, njohja e leksikut të shqipes në gjuhët fqinje, dallimi i huazimeve nga leksiku i trashëguar, ndërtimi i brendshëm leksikor, rrjedhojat, kryqëzimi etj., për disa fjalë të cilat edhe sot e kësaj dite nuk e kanë zënë vendin e merituar në fjalorët etimologjikë. Po sipas Çabejt, problematike del, sidomos, çështja e formimeve onomatopeike. Po t'i kishte parasysh Majeri të gjitha këto edhe rezultatet do t'i nxirrte të tjera, që të formulonte një sintezë të tillë. Gustav Majeri së pari është dashur që të vilte materialin bazë, domethënë leksikun shterues të shqipes së vendit për kohën e tij.

Kontributi i Gustav Majerit në fushë të gjuhësisë


Më shumë se në fushë të letërsisë së shkruar dhe të folklorit, ndihmesa e Gustav Majerit është parë kryesisht në fushë të gjuhësisë. Për mëse një shekull nuk ka asnjë fushë e historisë së gjuhës shqipe në të cilën nuk është përmendur emri i tij dhe që nuk është shkruar për ndihmesën e Gustav Majerit. Duke filluar nga artikujt gjuhësorë për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe e deri te studimet etimologjike që kulmojnë me Norbert Joklin e Eqrem Çabejn, Shaban Demirajn, Jup Kastratin, Kolec Topallin etj., vepra e tij përbën bazën themelore për hulumtimin diakronik dhe sinkronik të shqipes. (Christo Dako, Holger Pedersen, Dr. Treul Lajos, Aleksandër Xhuvani, M(ati) L(ogoreci), Shpend Bardhi (Pseudonim), Namik Resuli). Mirëpo, me gjithë praninë e veprës së tij në shtrirje kohore për mëse një shekull, ndihmesa e tij është parë kryesisht përmes artikujve përgjithësues dhe as sot e kësaj dite ende nuk është botuar ndonjë monografi e veçantë për ndihmesën e tij në fushë të studimeve albanologjike, as ndonjë nga veprat e tij të shumta, përveç disa fragmenteve të caktuara.

Pikëpamjet e tij për letërsinë e shkruar

Në botimet shqipe të historisë së letërsisë, kontributi i Gustav Majerit nuk shënohet veçanërisht as në rrjedhat e studimit, as në kuadër të bibliografisë (Anton N. Berisha: 1985, 14-15). Në bibliografinë e zgjedhur të Historisë së letërsisë shqipe (Grup autorësh: 1989, 606) gjejmë vetëm veprën e tij "Della lingua e delle lètteratura albanese", Vol. L. Serie II, 15. IV. 1885, e cila përmendet edhe brenda në tekst si njëra ndër veprat studimore, që ishin botuar në fund të shekullit XIX. Në veprën "Histori e letërsisë shqipe" (Romantizmi), I (Qosja: 1984, 395-396), viti i lindjes së Gustav Majerit nuk është shënuar në "Pasqyrën kronologjike" mjaft të zgjeruar për vitin 1850. Po në këtë pasqyrë emri i tij shënohet vetëm për vitet 1883, 1887, 1891 dhe 1897, pra vitet kur Gustav Majeri botoi Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe dhe Studimet shqiptare I-VI. Në këtë vepër sintezë të Rexhep Qosjes, emri i Gustav Majerit përmendet si botues i letërsisë popullore, si mbrojtës i tezës së prejardhjes ilire të popullit shqiptar, si njohës dhe shfrytëzues i veprave të Jeronim de Radës nga aspekti gjuhësor, si letërkëmbyes me Jeronim de Radën, Thimi Mitkon, Konstandin Kristoforidhin, Ndre Mjedën, i cili ia kishte përkushtuar vjershën "Gjuha shqype" dhe kishte pasur një letërkëmbim shkencor me të, si mik i Zef Skiroit etj., por jo edhe si autor i studimeve për letërsinë shqipe. Në Historinë e letërsisë shqipe të Robert Elsit gjejmë një bibliografi më të zgjeruar, por pa ndonjë funksion të veçantë brenda tekstit. Brenda teksteve që merren me historinë e letërsisë shqipe, vendi i studimeve të Gustav Majerit është më i peshuar në veprën e Namik Resulit "I più antichi testi albanesi". Brenda kapitullit të këtij studimi, në të cilin janë komentuar veprat studimore të shekullit XIX, Namik Resuli ka radhitur edhe katër artikuj të Gustav Majerit, (Resuli: f. 39; Majer: 1883, 211-225; 1888, 128; 1888) siç i quan autori, dhe ka tërhequr vërejtjen se "këta artikuj e ruajnë vlerën e tyre edhe sot" (Resuli, 39).

Botimi i letërsisë popullore

Ndihmesa e Gustav Majerit në fushë të letërsisë popullore po ashtu ende nuk është shikuar në shkallë të kënaqshme, mirëpo ndryshe nga konsultimi i artikujve të tij në fushë të letërsisë, ndihmesa e tij në mbledhjen, botimin dhe studimin e folklorit shqiptar, është konsultuar më shumë për faktin se kjo ndihmesë është mbledhur dhe ribotuar në vëllime të veçanta të folklorit shqiptar. Njëra nga veçantitë e kësaj fushe, ndërkaq, është marrë fakti që Gustav Majeri është botues i parë i këngës kreshnike.

Botimi i letërkëmbimit të Gustav Majerit

Ndryshe nga interesimi i studiuesve për botimin e veprave të tij, interesimi posaçërisht i madh ka qenë për botimin, madje edhe ribotimin e letërkëmbimit të tij, shpesh me komente dhe sqarime hyrëse, me rilindësit shqiptarë. Pavarësisht nga botimet e deritashme, nga studiuesit dhe hulumtuesit e letërkëmbimit të Majerit me bashkëkohësit shqiptarë, vërehet se botimi i letrave të tij nuk ka përfunduar. Vetëm viteve të fundit një hulumtues i pasionuar i arkivave, Albert Rama, ka njoftuar se në bashkëpunim me Universitetin e Gracit është duke përgatitur letërkëmbimin e plotë të Gustav Majerit me rilindasit shqiptarë. Dhe tash si të shpjegohet qëndrimi jo dinjitoz i studiuesve shqiptarë ndaj personalitetit dhe ndihmesës së tij shkencore dhënë kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Me një fjalë, ky qëndrim do shpjeguar me qëndrimin e përgjithshëm, që paten shqiptarët gjatë këtij shekulli që po e lëmë, ndaj trashëgimisë së brendshme dhe të jashtme kulturore e historike të tyre.

Bibliografia e tij

Në artikujt e përgjithshëm dhe të veçantë të studiuesve shqiptarë, ndihmesa e Majerit është cilësuar kryesisht si autor i Fjalorit etimologjik dhe i Studimeve shqiptare, në të cilat ai i ka botuar studimet etimologjike të shqipes, studime krahasuese, studime mbi fonetikën dhe gramatikën historike të shqipes, dokumente të shkrimeve të para, fjalorë, leksik, folklor (poezi dhe prozë), studime mbi letërsinë, bibliografi, tekste popullore dhe tekste fetare të përkthyera më parë, të gjitha këto të përcjella me komente dhe shënime etj., dhe si mik dhe bashkëpunëtor i rilindësve shqiptarë, por deri më tash, në këto shkrime asnjëherë nuk është ndonjë bibliografi shteruese e tij. Prandaj, pa pretenduar se do të bëjmë një punë të madhe rreth kësaj çështjeje, po i radhisim veprat e tij, që kapin ndihmesën e tij në fushë të albanologjisë, e që nuk lënë pa prekur edhe studimet në fushë të ballkanistikes dhe indoevropianistikës.

  • "Etymologisches Worterbuch der albanisischen Sprache". Strassburg: Trubner 1891, Verlag von Karl J. Trubner. 1891, pp. XIII+526.
  • "Albanische Bibliographie", pp. 516-524.
  • "ALBANESISCHE STUDIEN" I. Die Pluralbildungen der Albanesischen Nomina. Wien, 1883. In Commission bei Carl Gerold's Sohn, Buchhandler der kais. Akademie des Wissenschaften., In. – 8 de 108 pp.
  • "ALBANESISCHE STUDIEN" II. Die albanisischen Yahlvorter. Wien, 1884. In Commission bei Carl Gerold's Sohn, Buchhandlerder kais. Akademie der Wissenschaften. In. 8 de 82 pp.
  • "ALBANESISCHE STUDIEN" III. Lautlehre der indogermanischen Bestandtheile des Albanesischen, Wien, 1892.In Commission bei F. Tempskz, Buchhändler der kais. Akademie der Wisenschaften. (A la fin:) Ausgegeben am 23 Janner 1892.
  • "ALBANESISCHE STUDIEN" IV. Das griechisch-sudru-manisc-albanesische Wortverzeichniss des Kavalliotis, herausgegeben und erklart. Wien, 1895. In Commission bei f. Tempsky, Buchhändler der kais. Akademie der Wissenscchaften. (A la fin:) Ausgegeben am 20 September 1895. 127 pp.
  • "ALBANESISCHE STUDIEN" V. Beiträge zur Kenntniss in Griechenland gesprochenen albanesischen Mundarten. Wien, 1896. In Commission bei Carl Gerold's Sohn, Buchhändler der kais. Akademie der Wisenschaften. (A la fin:) Ausgegeben am 1 September 1896, 106 pp.
  • "ALBANESISCHE STUDIEN" VI. Beiträge zur Kenntniss verschiedener albanesischen Mundarten. Wien, 1897. In Commission bei Carl Gerold's Sohn, Buchhändler der kais. Akademie der Wissenschaften. (A la fin :) Ausgegeben am 30 September 1897.
  • "Kurzgefasst albanesische Grammatik (Mit Lesestücken und Glossar)". Leipzig: Breitkopf und Hartel 1888, pp. XII + 105.
  • "Neugriechische Studien" II. Die slawischen, albanischen und rumänischen Lehnworte im neugriechischen. Wien, 1894. In Commission bei F. Tempsky, Buchhandler der kais. Akademie der Wissenschaften. Druck von Adolf Helzhausen, k. und k. Hof-und Universitäts Buchdrucker in Wien. Ausgegeben am 27 Apr. 1894, pp. 104.
  • "Albanische Märchen übersetzt", Anmerkungen von Reinhold Kohler, 1881.
  • "Albanisches Lied". In: "Yum 24. Juni 1890 begrüssten Reinhold Kohler vier Grazer Freunde. In Eile". 4 Blt. 4.
  • "Zum indogermanischen e – Perfektum". - "Indogermanischen Forschungen", Strassburg, 1895. V. Bd. S. 180-182 betrifft ausschl. Das Albanesische.
  • "Türkische Studien" I. Die griechischen und romanischen Bestandteile im Wortschatz des Osmanisch-Türkischen. Wien 1893.
  • "Gli albanesi nella storia e nella literatura", në La sicilia litteratura, 1888.
  • "Della lingua e della literatura albanese", në La Nuova Antologia, Roma, Via del Corso, n. 466, numero du 15 04. 1885. Pp. 585-607.
  • "Über die Sprache und Literature der Albanesen". In: Nord und Süd, Hsg. Von Paul Lindau, XXIV. Band, Februar 1883.- 71 Heft.
  • Breslau 1883, S. 211-226; Gustav Meyer, Essays und Studien. zur Sprachgeschichte und Volkskunde. Strassburg 1885, S. 49-90.
  • "Essays und Studien", Zur Sprachgeschichte und Volkskunde. Strasscburg 1885; III. Über die Sprache und Literatur der Albanes-en, S. 49-90; IX. Der Pathe des Todes, S. 245-250; Siche it. Übersetz.; Della lingua e litteratura albanese. Nuova Antologia (Roma), 15 April 1885.
  • "Drei toskische Märchen. Hochzeitslieder aus Korytza. In: G. M. Kurtzgefasste albanesische Grammatik mit Lesestücken und Glosar. Leipzig 1888, S. 57-67, S. 75-77.
  • "Zwei albanesische Lieder aus S. Marzano. In: Zeitschrift für Romanische Philologie. Hsg. Von Dr. G. Grober, XV. Bd. Halle 1891, S. 549-550.
  • "Die albanesischen" Tanzlieder in Byrons Childe Harold. Anglia 15, N. F. 3, 1-8.
  • "Zum den mittelgriechischen Sprichwörtern. In: Byzantinische Zeitschrift. Hsg. K.
  • Krumbecher. III. Bd. Jhg. 1894. Leipzig 1894, S. 396-408, bsd. 401-408.
  • "Fabeln, Märchen, Erzählungen und Schwanke. (In: Albanesische Studien V.) Wien, 1896, S. 6-66.
  • "Sprichwörter und sprichwortliche Redensarten aus Skutari; Lieder. In: Albanesische Studien VI, Wien, 1897, S. 5-114.
  • "Die lateinischen Elemente im Albanesischen. (In: Grobers Grundriss der romanischen Philologie) I J. Aufflage , 1888.
  • "Der Einfluss des Lateinischen auf die albanesische Formenlehre" In: Miscellenca di filolgia e linguistica in memoriam di Napoleone Caix e Angelo Canello). Firenze 1886 pp. 101-111.
  • "Die Stellung des Albanesischen im Kreise der indogermanischen Sprachen", In: Beiträge zur Kunde der idg. Sprachen 8 . Graz, 1884.
  • "Über Sprache und Literatur des Albanesen" (In: Nord und Süd) 24. 1983.
  • "Zur älteren Geschichte der Albanesen" (In: Zeitschrift für allgemeine Geschichte), Stuttgart 1884.
  • "Das Verbum substantivum im Albanesischen" (Philologische Abhandlungen für Herty). 1888.
  • "Die Albanesen". Neue Freie Presse, 12. Juni. 1880.
  • "Albanesisches". Allgemeine Zeitung Beil. 142, 22 Mai 1881.
  • "Über Sprache und Literatur der Albanesen". "Nord und Süd", 24. Februar 1983, 211-226. (Vgl. Nr. 9, S. 49-90).
  • "Zur älteren Geschichte der Albanesen". Zeitschrift für allgemeine Geschichte 9. Heft 1884, 667 ff. (Vgl. Nr. 9, S. 49-90).
  • "Ein albanesisches Memorandum". Tagespost 5, November,1885.
  • "Die Albanesen". I. Österr. –ungar. Revue, Juli 1886.
  • "Die Albanesen". II. Österr. –ungar. Revue, Oktober 1887.
  • "Butrinto". Schl. Zeitung . 27 Mai. 1888.
  • "Bei den Albanesen Apuliens". Neue frei Presse .8. Mai. 1890. (Vgl. Nr. 17, Kap. 20).
  • J.U. Jarnik, Zur albanischen Sprachenkund. (Leipzig 1881) Lit., Centralbl. 42. (Rez.).
  • J. U. Jarnik, Prìspevky ku poznani náreçi albanskych. (Beiträge zur Kenntnis alban. Mundarten), Prag 1883. (Rez) Arch. Trad. Pop. III. 146 ff.
  • P.W., Grammaire albanaise (London 1887). Lit. Centralbl. 50. (Rez).
  • H. Pedersen, Albanesische Texte. (Leipzig 1895). Lit. Centralbl. 47. (Rez.).
  • Jung, Kleines albanesisch-lateinisches Wörterbuch (Skutari 1895). Lit. Centralbl. 47. (Rez).
  • Pisko, Kurzgefaßtes Handbuch der nordalbanesischen Sprache. (Wien 1896). Phil. Woschenschrift 1. (Rez).
  • "Neugriechische Studien", I, Wien, 1894.
  • "Neugriechische Studien", III, IV, Wien, 1895.
  • "Türkische Studien", Wien, 1893.

Nga Prof. Begzad Baliu/Revista informative ANASH – Approaching Science, Viti III, Numri 5, Dhjetor 2008

COMMENTS