Dom Ndoc Nikaj

Ndoc Nikaj ka lindur më 15 qershor 1865 (9 mars 1864, sipas një varianti tjetër), në qytetin e Shkodrës. Ishte prift, shkrimtar, historian dhe tregëtar (pronar i së parës fabrikë alkooli në Shkodër). Në vitin 1910 ka hapur shtypshkronjën e parë publike në Shkodër, Shtypshkronja Nikaj, ku u botuan gazeta, vepra letrare dhe tekste shkollore. Ai njihet, gjithashtu, edhe si botuesi i të parit roman në gjuhën shqipe.

Dom Ndoc Nikaj vdiq në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951. Për të njohur diçka më shumë mbi jetën dhe veprintarinë e këtij atdhetari dhe rilindasi të palodhur, po sjellim këtu një artikull të botuar në "Hylli i Dritës" (1938) me rastin e 50 vjetorit të Meshtarisë së tij.

ndoc nikaj, dom ndoc nikaj
Me 15 Gusht të këtij vjeti, i Nderëti veteran e shkrimtari i vlertë shkodranë Z. D. Ndoc Nikaj kremton pêsëdhetëvjetorin e Meshtarìs së vet. Në këtë rasë Drejtimi i së pêrkohëshmes s'onë tuj i paraqitë Fort të Nderëtit urimet e veta mâ të perzêmertat merr shkas njiheri edhè me i a parashtrue publikut aktivitetin e palodhëshem të këtij njeri, qi si në pikëpamje letrare si edhè në pikëpamje patriotike âsht pernjimend ndera e qytetit të Shkodres.

Shpìrt energjik e shqyptàr në veshtrimin e njimendtë të fjalës, D. Ndoc Nikaj kje nji nder mâ të parët reakcjonarë qi ndieu me nji intensitet të këthellë nevojen e të perhapunit të gjuhës shqype. Shkrimet e tija të shumëta nuk paten qellim tjeter veç me e rrajosë në zemren e popullit dashtnìn e gjuhës amtare, tuj u provue pesimistave meskin e robve të mendimit të huej aso kohe se gjuha shqype nuk ishte e dêjë me u folë vetem prej shegertash, bakajsh, prej malcorësh e katundarësh, por ishte e zoja të shprehëte mâ së miri edhè ndiesit mâ të lartat e shpirtit të njerit, mjaft veç qi të diehej a të xêhej e të lavrohej me zèll e kujdes. Kje ky qi, i shoqnuem prej nji çete djelmoçash të cillt digjeshin n'entuzjazem per nji Shqypnì t'ardhëshme, nisi fushaten e diskreditimit kundra atyne qi u pershndetëshin e flitëshin në gjuhë të huej pà kenë nevoja. Ishte koha atëherë kur veç nji grusht idealistash besojshin në rinjalljen e atdheut t'onë me gjith apatin e zhargtë të borgezìs shkodrane e kundra njatyne urithave hipokrizije qi kerkojshin me e marrë mêç shpirtin e shqyptarit mbas lajleve të hueja tuj i a bjerrë shijen per gjithë shka ishte thjeshtë shqyptàr e vêndas.

Dom Ndoc Nikaj leu në vjetin 1864 në Shkoder, prej njij familje besimtare në mënyrë të veçantë, e muer rrugen e Meshtarìs. Në vjetin 1888 tha Meshen e parë në Kishen e Stigmatineve, tuj kenë se kishte dy motra n'at institut.

Ndermjet studimeve qi i bâni në Kolegjen Papnore të Jezuitve në Shkoder filloi me shkrue në gjuhen shqype, qi aso kohe ishte e ndalueme rrebtsisht prej Qeverìs turke. Mund të flitej shqyp, por nuk mund të shkruhej mâ pertej se korrespondencë familjare private e çëdo botim ishte i ndaluem. Shkollat e pakta qi gjindeshin aso kohe e quheshin mejtepe, ishin të gjitha në gjuhë turqishte; të pakët ishin ata qi kishin diejenì gjuhe, pse gjuha ishte teper e vështirë me u shkrue e me u kuptue me shkrojat turqishte.

Mbas instalimit të Jezuitve në Shkoder, të cillt paten marrë në dorë Seminarin Papnuer, per mësim e rritëje të djelmnìs qi dote me ndjekë rrugen e Meshtarìs, me shum mshehtësì pat kenë ngrehë në Shkoder nji shtypshkrojë private n'at seminàr, ku qiteshin me shum reservë libra feje; por sà per mësime këto epeshin pergjithësisht në gjuhen latinishte e italishte. Shtypshkrimet e pakëta të bâme n'ato kohë qiteshin në Propaganden e Romës e edhè ka 'i herë në shtypshkrojen e naltpermendun qi ishte e tolerueme porsi e nevojshme per studimet e xanësve të seminarit.

Botimi mâ i pari i D. Ndocit, i shkruem në sà ishte endè xanës, kje "Vakinat e Kishës", shtypë në vjetin 1888 në shtypshkrojen e Propagandës në Romë. Veç se shka dishiri i tij nuk ishte vetem të perhapëte me shkrime të veta njoftimet letrare, por perpiqej edhè me e perhapë shijen e gjuhës shqype tuj e shtŷ djelmnìn të lexote per sà ishte e mundun, sà mâ shum në gjuhen amtare e prandej edhe në vjetin 1889 shtypi nji romanz të vogel "Marzia" qi kje këndue me shum ande e dishìr prej djelmìs. Mirë tuj e dijtë se per djelmnì nuk kà gjâ mâ terhjekëse se romanzi u vû me e perdorë ket mjet me qellim qi si padashtë të depertote gjuha amtare në masen e rè e pernjiheri edhè të xevendsoheshin leximet e këqija me kallzime morale e ndertuese.

Veprat e tija nuk u permblodhen vetem në romanza. Libri mâ i çmueshmi e mâ me radsì per at kohë kje "Historija e Shqypnìs", volum 414 faqesh, me shkroja shum t'imta, i shtypun në Brukxelles vjetin 1902 nen pseudonimin N. D. N. Pershkrimet e luftave të shqyptarëve të rreshtueme në ket liber deri në të ràmt e Shkodres në dorë të Turkut, janë aq të gjalla e punue me nji entuzjazem kombtar qi lên me pà kjartas zêmren e flakët të shkrimtarit per fisin e vet. Mjerisht aso kohe kjenë shtypë aq pak copë, sà sod âsht nji liber i vështirë me u gjetë edhè nder ato pak biblioteka qi gjinden në Shqypnì. Do t'ishte mirë të bahej nji botim i dytë i këtij libri qi kje shkrue në nji kohë kur nji publikim i tillë mbahej prej qeverìs turke si delikt politik, e per të cillin mâ i vogli ndeshkim ishte internimi në Djaribekir t'Azìs.

Mbasi pat ndêjë porsi ndimtar për dy vjetë e gjysë në famullìn e Shkodres, kje çue në Shkrel, kû nisi të merrej drejtë per së drejti me lvisje politike per çlirimin e vendti t'onë prej zgjedhës së huej. Mik i ngushtë me Abatin e Mirditës, Emzot Doçin, kjenë lidhë zbashku me i shpenzue gjitha energjìt e veta per të mkamunt e nji djelmnije me ideal kombtar e njiheri me u shkrî e me u flijue, po t'a lypëte nevoja, veç me bâ çmos me i a mërrijtë të shihshin Shqypnìn të pamvarëshme.

Në vjetin 1892, në sà gjindej famulltàr në Shkrel, Emzot Doçi prej Oroshi rà në Shkrel, kû u formue ndermjet tyne nji lidhëje veprimi patriotike, qi mâ vonë dha fryte mjaft të dobishme për ngritjen e indipendencës s'onë kombtare. Kjo lidhëje kje thirrë "Lidhëja e msheftë per Fè e Atdhè". Kjo lidhëje e msheftë muer të hapun e dha mâ vone frytet e duehuna në rasen e kryengritëjes kundra Turkìs.

Lidhëja e mshehtë veproi si mbas programit të vet, me mâ të madhen mshehtësi, për mos me kopromentue antarët e vet e me bâ të deshtonte puna. Dom Ndoci nuk ndêi veç se dý vjetë në famullìn e Shkrelit e kje transferue në Dajç të Bregut të Buenës. Atje veproi me nji tjeter taktike sikur e lyepëte vendi, por mate gjithnji në dorë drejtimin e partìs, qi nder malet shkoi tuj u shtue perherë e mâ teper. Mikrobi i lirìs kje shtî si nji iniekcjon, e në fushë e në mal kisht' fillue me frŷ nji erë shqetsimi e moskondendimi. Gadi si pà u kujtue u çfaq me nji herë nji nduer andje ndrrimi kundrejt gjendjes politike e këta jo vetem në Gegnì kû veprote Lidhëja e Mshehët, por edhè nder gjitha viset e Shqypnìs. Tjera lidheje të mshehëta veprojshin nder tjerat anë, e nji kundrim i rì bani me kjarua sjelljet qi dueheshin mbajtë në rasen e njij shpejtimi të rilindjes. Duehej me mendue per kryengritje qi, doli a nuk doli me fitim, mjaftote me fillue. Programi i Lidhjes se Mshehët u ndrrue, jo në princip të mshehëtsìs por në princip të veprimeve.

Në ket rasë Dom Ndoci nuk ngurroi. Guximtàr i pashoq, nuk i u shmang as për nji çast, por permblodhi në vetveti të gjitha pergjegjësìt e rastit. Per nji kryengritje lypej qi shqyptarët t'ishin t'armatosun si mbas rrethanëve të kohëve. Pushka e gjatë e kapsulaçja per bàll mauzereve nuk ishin veç pushkaliqe në dorë të burrave. Prandej u mendue per perhapjen e mauzerreve ashtu si i kishte ushtrija e Turkut, qi në rasë nevoje per fishekë, të mund perdoreshin edhe ata t'ushtrìs së Turkut, tuj i blè a se tuj u a marrë per dhuni ushtarëve. E lajmrueme Turkija per shtimjen e armëve në Shqypnì me anen e ambashjatorit të vet në Vjenë, bani ankim pranë qeverìs austriake, e cilla me nji herë ndaloi importimin e armëve në Shqypni.
Por shtigjet nuk u mbyllen krejt, pse prej tjera anësh u shtîn armë e u shperdàn në popullin e maleve.

Prej Dajçit kje çue famulltàr në Pentàr, ku zhvilloi mâ të madhin aktivitet letrar e politik, tuj shkrue libra e tuj ndêjë pà dà në perpjekëje me njerzt e jashtem.

Në vjetin 1897 Faik Konitza pat fillue prej së jashtmi pregatitjen e rilindjes shqyptare me publikimin e së perkohëshmes "Albania", në të cillen mueren pjesë shkrimtarët mâ me vlerë t'onët. Me At Fishten e At Bardhin kje bashkpunëtuer edhe Dom Ndoci, i cili shkruete perherë nen pseudonimin Nakdomonici.

Kje thirrë prej Faikut me shkue në Paris, kû gjet grupin e perbam per rreth Aladro Kastriotit, Faikun, Babatasin e Xhafer Vilen qi aso kohe ishte ende student, grup qi mundohej prej së jashtmi me e bâ të njohtun n'Europë çashtjen shqyptare.

U këthye në Shqypnì tuj kalue neper Kostantinopull edhe me guxim të pashoq pruni me veti dy flamuj të mdhaj të Shqypnìs, qi në kufij të doganave i mveshi per shtat nen petka. Njanin nder ta i a dorëzoi Ndoc Kolës së Mazrekut në Sheldì, i cili në krye të do cubave kisht' dalë në mal i ndjekun prej ushtrìs së Turkut.

Në vjetin 1899, me Abatin e Mirditës, Emzot Doçin, ideoi e perpiloi programin e nji shoqnije letrare, e cilla kje tolerue prej auktoriteteve turke nen pretekst se ishte nji shoqnì fetare. Këjo kje "Shoqnija Bashkimi". Në te mueren pjesë ma të permendunt shkrimtarë të Klerit sikur At Gjergj Fishta, Dom Dodë Koleci, At Pashko Bardhi, Dom Mark Shllaku, etj.

Në vjetin 1904, të subvencjonuem prej Abatit të Mirditës u shtypen në Napull disa libra per msojtoret shqype.

Në vjetin 1905 duelen "Këndime të para". Nji vjetë mâ vonë "Mësime të Kshtena". Volumet e dyta të këtyne librave duelen në 1907 e kjenë shperdà neper gjytete e katunde neper gjith ata qi dojshin me xanë gjuhen shqype.

Me të xèt bashkveproi me puntorin e qitun, mjerisht sod të harruem, Dom Dodë Kolecin, per shtypjen e librave të botuem prej shoqnìs "Bashkimi". Dom Ndoci muer pjesë edhe ky me tjerë në perpilimin e fjalorit "Bashkimi", qi kje e âsht gjithnji nji nder fjalorët mâ të mirët e gjuhës shqype.

Penji qi u çpall Konstitucjoni në mbretnìn turke, Dom Ndoci perfitoi prej asaj gjysë lirije të dhanun edhe çili nji shtypshkrojë në Shkodër per me botue nji fletore në gjuhen shqype. Ishte ideali mâ i madh e i vetmi mjet per me çue në vend dishirin e vet per me komunikue me gjith ata qi dijshin me lexue e per me shtue edhe andjen e tjerëve per me xânë gjuhen shqype.
Lirija e dhanun nuk ishte aq e plotë sà mos me ndeshë nder pengime të forta. Lêja per të çilun të shtypshkrojes u dha, por kur erdh puna e botimit të fletores në gjuhen shqype, ndeshi në pengime të forta. Lêja e kerkueme kje percjellë në Kostantinopull prej kah këthej me pëvetje e me kerkesa formalitetesh e plotsimesh, kështu qi trì herë u dha e u mur me Stambollë deri sa së mbrami u xuer definitivisht lêja e dishrueme

Kështu, në vjetin 1910 nisi të botojë ma të paren fletore në gjuhen shqype në Shqypnì. Fletorja e Dom Ndocit nen emnat "Koha", "Bashkimi", "Besa Shqyptare", "Zani i Shkoders", si mbas rasëve të politikës së mbrendshme, kje ngushtue me marrë gjithnduer trajtash, por në brumë mbet gjithmonë e njajta e vijoi deri në vjetin 1921 qi deshtoi prej ndalimeve të dhunëshme t'imponueme prej kohëve të luftave e përshtjellimeve të mbrendëshme. Fletorja shitej nji metelik copa e tirazhi maksimum kapej deri në 100 copë, prej të cillave 60 zakonisht bleheshin herë për herë.

Në korrespondencë të vijueshme me Faik Konitzen e në marrëveshje me Aladro Kastriotin bâni çë mos me gjitha mjetet me gatue lamin per vetqeverimin e Shqypnìs nen nji mbret të vetin.

Gjindej famulltar n'Obot, kur te Ura e Buens kje xanë nji copë e "Historis së Trukìs" e shkrueme prej tij e e botueme në Londer. Kaq mjaftoi per me u ndjekë prej qeverìs turke vetem pse kishte guxue me shkrue në gjuhë shqype Historin e Turkìs. Me ndermjetsìn e Abatit Emzot Doçit, u fashit këjo punë mbas shum ditëve qi Dom Ndoci ndêi mshehtë e nuk rà në dorë.

Në vjetin 1902, per sherbime patriotike në degen letrare e politike, komisjoni çëmues i Parisit i dha nji dekoracjon nderimi bashkë me Fr. ari 1000, qi ky i shpenzoi per botimin e Historìs së Shqypnìs. I njuhtun nder qendra politike e letrare t'sajë kohe, po n'atë vjetë, Galerija Biografike Internacjonale e Romës, në publikimn e vet "I nostri Contemporanei" shkroi mbi tê me shum entuzjazem tuj e paraqitë si nder mâ të vlefshemt patriot shqyptàr.

Kur ushtrìt malazeze, me gjeneral Veshoviqin si kryekomandant e me kryesundues civil Bozho Petroviqin, të kushrinin e Knjaz Nikollës, pushtuen Shkodren, Dom Ndoci vijonte gjithnji me qitë fletoren e vet.
Nuk paten kalue ma se trì ditë që se kjen xanë Mustafa Qulli e Qerqiz Topulli, të cillët kjèn burgosë, edhè tue i percjellë thue se po i dergojshin n'internim kjèn pushkatue rrugës, kur u xu edhè Dom Ndoc Nikaj, i cili në fletoren e vet "Besa Shqyptare" kishte artikuj mjaft të komprometueshem e të randë kundra politikës Malazeze e Serbe me apele e thirrje shqyptarve per me i perballue e me u dalë zot tokëve të veta.
Kje thirr me polic në Prefekturë, ku kje ndalue edhè burgosë. Shtypshkroja e shpija e tij kjèn rrethue me ushtarë me bajoneta ngrehët e vulosë me dyllë të kuq.
Nuk i rà me ndejë në burg mâ teper se nji natë. N'e nesre kje qitë para prefektit Bozho Petroviq, kû aj mendoi me pritë dënimin per internim ase ma fort per dekë me pushkatim sikur tjerët para tij. Shembulli ishte i freskët.
Pa i lânë rend me folë Prefektit, D. Ndoci paska lypë fjalen e thânë: "Zotnì, po kje se më keni xânë porsi patriot shqypàr e kundershtàr t'uej un jam dora vetë. Artikujt e fletores e dishmojn çiltas edhè po të dojshem me i kalue un në heshtje. Un konfirmoj shka kam shkrue para se të vijshi ju në ket vend, pse e kam bâ me konvincion per me i dalë zot vendit t'êm. Por po kje se të xânunt t'êm âsht shkaktue nga ndonji faj i bâm qe me diten qi ju keni hî në ket vend, të rrfej se nuk mund të jèt veç se shpifje. Nuk drue dënimin per sherbime të bâme atdheut t'êm, por un nuk due të më pshtetet dënimi në fakte me shpifje!"

Bozho Petroviqi qi e ndigjoi në heshtje deri sà i perkëthej fjalë per fjalë perkëthyesi, e tue ndreqë tek shtatin i tha: "Të lutem ulu ktu brî meje e flasim pak ndêjëshem, e ashtu e bâni me u ulë në poltronë afer tryezës së shkrimit të vet. Un të kam thirrë shî per ket punë, lum zotnija, i tha. Nga hetimet e bâme kam pà se un kam punë me nji patriot shqyptàr, patriot të thjeshtë e të vertetë shqyptàr qi don vendin e vet. Na shqiptaret i duem e i kena miq. Na jena anmiq me të huejt e me gjith ata qi perkrahin e janë antarët e miqt e të huejvet. Ata lloj njerzsh nuk janë patriot të vertetë, janë njerz të shitun e të poshtem. Kundra atyne njerzve na nuk kena me pasë mshirë. Sà per patriot shqyptarë qi kerkojnë lirìn e vendit të vet un gzohem kùr i shof e i ndigjoj. Per se ti jè nji patriot me këso kuptimesh e kam konfirmue edhe të tham se un kishem me dashtë me i pasë Malazezt e mij aq Malazez sà ti jè shqyptàr" - e tue thanë ashtu u çue prej poltronet e i dha doren tuj thanë: "Të nderoj porsì shqyptàr". I ra kumbonës, porositi dy kafe edhe, tue bisedue miqsisht i tha: "Ti jè i njoftun në ket vend edhè ke në dorë nji vegel me të cillen mundesh me influencue permbi ata njerz të gabueshem qi pështeten nder të huej e qi presin të vîj i hueji me shtî në dorë vendet e Shqypnìs. Na vjen keq me mundue kendin. Por diftoju të gjith atyne se sod per sod jena na qi kena në dorë sundimin. Na e kena në dorë me i burgosë e me i pushkatue. Të mendojn se, si do kjoftë, na kena me i majtë nder burgje deri sà të vîj i hueji me i lirue. Sà per tý të lutem të na falësh gabimin qi u bâ e çë me tash jè i lirë ti personalisht edhè në ket çast po nap urdhna per me të lirue shtypshkrojen, zyren edhe shpìn". Edhe ashtu bâni.

Sà sherbimet i a bâni vendit në degen e shkollave e të mësimeve të gjuhës shqype, mjafton qi të çëfaqim se të gjitha punët e bâme në shtypshkrojen e vet, në kohë të ngushta sà gjindej në Shkoder Mali i Zi, me shtypjen e mija abetareve e të librave këndimi, muejten me u cilë shkollat mâ të parat kur mbas hikjes së Malazezve e të Serbve, Austriakët ngrehen Drejtorìn e Arsimit Kombëtàr. Deri atëherë këndimet pergjithsisht me pak perjashtime bâheshin me abetàr të gjuhës italishte. Per me fillue shkollat lypeshin abetàr e libra këndimesh në gjuhen shqype, e këta vetem u gjeten në Shtypshkrojen Nikaj të gatuem prej tij. Me ngutsì u shtypne edhè 10.000 copë abetàr e tjerë libra këndimi të parë e kështu shkollat mujten me u hapë me at shpejtì jo vetem në qytet mbrendë, por edhe neper katunde e malci, kû kje fillue rregullisht me u dhânë mësimi në gjuhen shqype.

Deshtem të rreshtojme këto fakte qi e nderojn me të vertetë ket veteran patriot, i cilli nder kohë të ngushta nuk kà kerkue fitimin e vet personal në zhvillimin e aktivitetit të vet, por ka pasë para sŷsh gjithherë nji ideal, mâ të naltin qi mund kuptohet per kombin e vet, tuj bashkue idealin e patriotizmit e t'atdheut me degen Kishtare të veten.

Sà per botimet e shkrimet e bame prej tij e qi këtû po i rreshtojm, qe lista e tyne, prej së cillës mund të shihet kjartas veprimi intens i Dom Ndocit.

Në vjetin 1888, "Vakinat e Kishës"
1889, "Marcia" (Romanz)
1898, Shkrime e artikuj n'Albania të Bruxellit. (Nakdomonici)
1899, Veprimi mâ i madhi me ngrehjen e shoqnìs "Bahkimi"
1902, "Historija e Shqypnìs"
1902, "Historija e Turkìs"
1908, Bashkveprim në Fjalorin e "Bashkimit"
1909, Ngrehja e shtypshkrojes së parë publike ne Shqypnì, Shtypshkroja Nikaj
1910, Fletoret "Koha, "Bashkimi", "Besa Shqyptare", etj. deri në vjetin 1921
1910, "Kalendari me diftime gjithfarësh"
1912, "Diftime të natyrshme" (pjesë)
1913, "Shkodra e rrethueme" (pjesë e I)
1913, "Shkodra e rrethueme" (pjesë e II)
1914, "Abetari i vogel per Msojtore"
1914, "Të ndollmet e Kishës"
1914, "Abetari i madh"
1915, "Libri i Blerët i Italis"
1915, "Kndime të Para"
1915, "Diftime të Natyrshme t'unjimshme"
1915, "Tivari i marrun"
1915, "Bisedime Shqyp Tedeshk"
1916, "Abetari" (dorë e dytë)
1917, "Permbledhja e Historìs së Shqypnìs per shkolla"
1918, "Bukurusha" (Romanz historik)
1915, "Ulqini i marrun" (Romanz historik, dorë e dytë)
1918, "Bisedime Shqyp Italisht"
1918, "Lulet në thes" (Romanz historik)
1920, "Berbuqja" (Romanz historik)
1924, "Motra per vllàn"
1906, 1914, 1915, Kalendari "Shqyptari"

Per posë botimeve të bâme e të shtypuna deri tash aj ka edhe shum shkrime tjera të pà botueme e qi ka menden me i shtypë, porsà t'i a premtojë gjêja ekonomike.

Veprimi i këtij veterani të squem per idealin kombtàr nuk kà si me kalue ne heshtim, veç në daçim me hî edhè na në rradhen e disà personave të dyshimta, qi i çmojn njerzt si mbas petkut e êmnit qi bâjn. Qeverija mbretnore, e cilla nuk u kursye me u lidhë pensjone e shperblime edhè disa tjerëvet, veprimi i cillvet nuk la nji gjurmë aqë të madhe në lavrimin e gjuhës e nder perpjekëjet per zgjimin e ndiesive kombtare, jemi të sigurtë se kà me e diejtë t'a çmojë e t'a marrë para sŷsh mundin e këtij atdhetari të palodhëshem, qi sod në pleqnì të veten kundron sjellëjet e evarìn t'onë ndaj ata qi s'u kursyen në kurrgjâ, por u shkrîn per me na e bâ me e pà ket Shqypnì qi gëzojm na sot të lirë e të pamvarëshme.

COMMENTS