Shqypnija.., Gjergj Fishta

gjergj fishta shqypnija
Edhè hâna do t' a dije,
Edhè dielli do t' ketë pá,
Se per çark ksajë rrokullije,
Si Shqypnija ' i vend nuk ká!

Fusha t' gjâna e kodra t' blera,
Zijes s' mnershme larg kû â droja,
Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera,
Si t' Parrîzit t' larmet shtroja.

Nen nji qiellë perherë t' kullueme,
N' rreze e n' dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n' ajrí.

Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t' kjarta e t' cemta gurra,
Tuj rrëmye per mriza hale,
Gurgullojn nper rrâjë e curra.

Mbî ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande' ata djelm si Zâna,
Armët e t' cillvet, perherë besnike,
Janë permendë ndër fise t' tâna.

Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n' flakë t' nji diellit:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qiellit.

Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rrîjtun gjakut kah çeliku
N' dorë t' ktij shndritë për vend të Parit.

Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kan' mûjtë me pá
Se sá forca e frigueshme
N' turr t' Shqyptarit pît ká rá.

Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka' i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmen kû e thrret Lirija.

Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhen dete e male;
Mbretent fjalen s' mund t' i a shkelin,
Turrin ferri s' mund t' i a ndale.

Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí,
Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë.

Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanat ká besë e Fé,
Për Lirí, per fron të Mbretit
Me dhânë jeten ká bâ bé.

Sŷ per sŷ, po, kqyr anmikun;
Perse djemt, qi ti ké ushqye,
S' i ká pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s' i ká thye.

Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perendija t' fali i Amshueshem,
Sá 'dhe deka âsht per tý e shieshme:
N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshem.

Po, edhè hâna do t' a dije,
Edhè dielli do t' ketë pá,
Se për çark ksajë rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká!

Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.

COMMENTS