Gjergj Fishta - Deka e burrnija

gjergj fishta giorgio
Qitë dhamët porsì lata t' prehta,
Zgaver kerrçikët e plasaritët shtanguemun,
Kosen pështetun permbì kocka t' ngrefta
T' cepit tshpulpuemun,
Atjè n' maje t' mjerueme t' rruzullimit,
Zymtë e me 'i hije t' trishtueshme, t' permnershme,
Lshue krahve 'i haver t' zezë, si rê thellimit,
Rri Deka e tmershme.
Prej avisit t' humnerevet, t' gropueme
Këthelltë në rrashtë të thatë, plot mizorië,
Të haptë terthoren e natyrës s'krijueme
Kundron me mnië,
E idhtë asa' i kercnohet. Nji perqethtë
Acarr, atbotë, natyrës i shkon nper tejza,
Amull i cilli ja ngurron të njethtë
E jetës nder fejza.
Me u zbè nisë rrezja shî n' gurrë t' vet t' shkelqyeshme;
Bresë dryshku njeshet, n' at shauret, mbi rrota
Të moknës s' rrokulliës, e boshtit rryeshem
I vjen rreth bota.
Felgruemun njerzit nên tiara struken;
Per nên kunora pshtimin atà lypin;
Depertojnë rêt e nalt kahë qiella zhduken;
N' angra t' dheut zdrypin;
Por kot. Mizore ajo m' kosë t' vet kah siell,
Shungllon thellimi per nên kupë t' Epirit;
Gjarpen rrefeja lvitet neper qiell,
E nên kamë t' nierit
Kthelltë shperthen gjini i tokës. Tuj bulurue
Gukson Vulkani zhari, flakë e shkndija;
Tallaz m' tallaz nisë deti me gjimue:
Ulron stuhija.
E para Dekës, at herë, biën rob Mbreta;
Shkrifen mbretnië, gjytetet kulm rroposen;
Ka' ajo siell kosen.
T'poshtrat me t'eprat vise pshtillen n' vàj,
E mnertë kah kosa cepit t' Dekës të shkulet;
Kah m' kordhoklla londitë kerrçiku i sajë,
Shekllì perkulet.
Vetem s' perkulet para Dekës njaj trimi,
N'zêmer të cillit nuk randojnë punë t' liga,
E qi s'e ndalë, kû atê t'a lypë perlimi,
As paja as friga.
Per nên murojë t' ndergjegjes s' vet t' kullueme,
Atjè n' kufî t' Atdheut a se në truell
T' Elterit shîjt, pa u tutë, aj Dekës s' shemtueme
I rrî kundruell.
Perpara tij shkon moti rreth t'u endun;
Vjen fati i nierit t'u ternue pa dà;
Tash Mbreten n' burg, tash shkanha m' fron të permendun
Kan per t'u pa:
Por, ngulë aj synin m' ideal t' naltueshem,
Si 'i kep qi vala s' mundet n' dèt m'e lkundun,
Sido qi t' dajë neshtrasha e dheut t'mjerueshem,
Ngelë m' vend pa u tundun.
Jo, po: as n' flakë t' armvet nuk velon aj sye,
As buzës s' humneres nuk i dridhet thêmra:
Sheklli, po, marë me pasë per t'u shperthye,
S'i ban lak zêmra.
Rekton marë jeta per nên fyell t' kerrcik'e
Te Dekës s' shemtueme, t' permnershme, mizore:
Vetëm Burrnija - nji Burrnië çelike
Asa' i rrshet dore.

COMMENTS