Filip Daija, një nga gaztorët me emër të Shkodrës

filip daija
Shkodra është shquar edhe për "letërsinë" humoristike. Zakonisht e kanë bërë gaztorët. Emrat e tyre përmenden edhe sot e kësaj dite në bisedat e shkodranëve. Tregohen thëniet e historitë e tyre. Në këta emra hyn edhe Filip Daija, me zanat rrobaqepës.

Vinte nga një familje që shquhej për humor. Genin e këtij humori e gjejmë tek një xhaxha i Filipit. Quhej Jak Daija, sahatçi në Pazarin e Shkodrës. Komik i lindur. Për të tregojnë edhe këtë histori. Ditën e Pazarit, në dyqanin e Jakut, një fshatar la një thes me misër, se nuk iu shit. Ishte mësuar një mi i madh e shkonte çdo natë e hante atje për shtatë palë qejfe. Por kjo nuk vazhdoi gjatë se javën tjetër, të merkuren erdhi fshatari dhe mori thesin e misrit. Miu, nga që ishte mësuar çdo natë të hante misër "qyl", u dëshpërua së tepërmi ngaqë s'gjeti gjë, i zemëruar e i dëshpëruar i hëngri veshin Jak Daisë, nga që shpesh flinte në dyqan. Atëherë Jaku, bëri si bëri, dhe një ditë e zuri miun. E "ekzekutoi" midis pazarit e në ditën e pazarit, në prani të rreth 200 vetëve. Ky ishte, pra, Jak Daija, xhaxhai i Filip Daisë.

Kurse i ati, Ndreka, ka qenë këpucar. Alamet burri, trupmadh e me mustaqe. Ka qenë këngëtar popullor. Çuditërisht nuk ka qenë shakaxhi, ka qenë serioz. Ky seriozitet sikur e "prishte" rrjedhën e humorit në trungun familjar të Daijeve. Si këngëtar që ka qenë, në atë kohë ka pasur dhe disqe, kështu që ishin të regjistruara edhe këngët e kënduara prej tij, si: "Vallë si kenka ba dynjaja", "Ti, o det, o ujë i njelmët" etj.

"Ka vdekë Filip Daija! Vizitat priten në kafe "Moska"


Të kthehemi tani te Filipi. Ai hyn në vazhdën e atyre gaztorëve që mbahen mend, si: Osoja i Falltores, Rrok Nushi, Hila i Files, Miço Kola, Zef Hilgega, Bixh Trimi, etj. Kush në një mënyrë, kush në një tjetër, kanë pasur figurën e vet, stilin e tregimit, mënyrën e rrëfimit, stilin e thënies së gjërave ose të përgjigjeve që janë fokusuar, tashmë, me shprehjen proverbiale shkodrane: "Qit e prit".

Filip Daija është një nga gaztorët e veçantë të qytetit të Shkodrës. Skena e tij e vetme gjithmonë ka qenë mejhana. Rekuizita e tij ka qenë: gota e rakisë, kokrra e ullirit, pak djathë ose një saragë e thatë, dhe si dekor rreth e qark ka pasur tavolina që komunikonin me të gjithë. Nuk mund të merrej me mend e qeshura që bëhej në mejhanë! Strumbullari i gjithë kësaj të qeshure ishte gaztori Filip Daija. Zakonisht ka shkuar në mejhanën e Tom Çapalikut. Por shkonte edhe te Lin Prela, te Lin Prendi, te Kolë tezukja, sa te njeri e sa te tjetri, nëpër mejhanet e kafenetë nga më pikantet që kishte lagjja "Serreq", të cilat mendohen të kenë qenë afro njëzet e gjashtë. Aty, zbuloheshin të gjitha ngjarjet e Shkodrës çfarë ka ndodhur e si ka ndodhur, ka ka vdekur, kush është martuar, kush është fejuar, kush është bërë hor, kush është bërë pasanik, kush e kush... Aty, pra, përmes të qeshurave, silleshin të tëra ngjarjet e qytetit, dhe të gjitha këto trajtoheshin me atë humorin e thjeshtë, fin shkodran e të pambarim të këtyre njerëzve të thjeshtë.

Filipi, shpesh "stacionin" e ka pasur edhe në kafe "Moska". Bile këtu ka edhe një histori të vërtetë. Financat i sollën tatimin. Filipi s'kishte me se ta paguante. Gjeti një letër vdekjeje, e futi brenda xhamash dhe shkroi: "Ka vdekë Filip Daija! Vizitat priten në kafe "Moska" ".
Filipi, që ishte brenda, shihte se ç'po ngjante jashtë, para dugajës së tij. Njerëzit mblidheshin me kureshtje, e lexonin, ndonjëri edhe dëshpërohej... Po kur lexonin: në kafe "Moska", ktheheshin e qeshnin me të madhe.

"Tash jam ba serioz!"

Filipi, si gaztor, ishte spontan. Ai kurrë nuk mendonte se po shkonte t'i bënte të tjerët të qeshnin, sepse do të ishte i pasuksesshëm. Filipi ishte i sukseshëm, aty, ku nuk e priste askush. Ishte ai që krijonte zakonisht situatën e papritur të humorit, e cila përligjej me batutat e tij humoristike, shpesh të paarritshme. Dhe i tillë mbeti, sepse edhe sot s'harrohen fjalët e tij. Përmenden, jo vetëm duke u përsëritur batutat e humori, por duke sjellë edhe në kujtesë, edhe emrin: Filip Daija.

Tregojnë që Filipi u martua vonë. Të nesërmen, kur mori nusen, kishin dalë shokë të mejhanes dhe miq, gaztorë e hokatarë të Shkodrës, për ta pritur Filipin. Nusen e mori nga Korça. Ata kishin zënë rrugën nga do kalonte Filipi me nuse. Ishte një rrugicë e ngushtë, dhe për së gjeri kishin vënë një shkallë goxha të madhe. Makina nuk mund të kalonte se ishte zënë rruga. Aty i zunë "pritë", pastaj e gjuajtën Filipën me misër, me guralecë, me kokrra groshe, me gjysma lekësh, me çokollata, me karamele, me lule dielli, etj., etj. E Filipi tërë seriozitet u thoshte: "Largohuni, largohuni! Tash jam ba serioz! Largohuni!..."

Një krap qorr

Tregojnë edhe për një histori tjetër për Filipin. Pikat e dobëta të tij, se shkonin gjithmonë bashkë e kanë qenë të një zanati; ishin Lin Pepa dhe Ndoc Triepshi. Të tre, miq të ngushtë, e kanë plotësuar njëri-tjetrin. Ndoc Triepshi çohet e blen një krap. Edhe thotë: "... po shkojmë e po e hamë te Filipi e po pimë raki". E qorrojnë krapin në njërin sy.

I ati i Filipit ka qenë qorr dy sysh. Daja tjetër, i madhi, ka qenë qorr me një sy. Daja tjetër që ishte në Itali, prej këtu pati shkuar qorr e atje i erdhi drita e syrit pas një operacioni. E kanë pasur këtë sëmundje traditë të familjes. Edhe maçokun, çuditërisht, e kanë pasur qorr...
I thonë tërë seriozitet: "Shife Filip, edhe krapi të ka takue qorr..."

Pak gaz nga gazi i Filipit...

Në vitet e fundit të jetës cakun e ka pasur përfundimisht te kafe "Moska". Aty bisedonin dhe bënin shaka. Edhe gjatë kohës së Monizmit, nxirrte batuta që ishin të rrezikshme për kohën që jetonte. Por Filipi si gaztor që ishte, humorin nuk mund t'ia ndalte askush...

Tregojnë një herë se një qen po vraponte me të madhe nëpër piacë. Filipi i drejtohet një shoku të tij: "Shife more, ka vonue me shkue në mbledhje të organizatës së partisë". Ose një ngjarje tjetër. Një ditë Filipi merr një gomar, e ngarkon me dru dhe e çon në Degë të Brendshme. I thotë gomarit: "Hajt, ec para, se kanë nevojë me ble dru!"

Të tilla ngjarje e situata ka plot Filipi. Jo vetëm Filipi, por edhe gaztorët e tjerë. "Letërsinë" që ata krijuan me talent, humor, pasion dhe dashuri; nuk duhet të humbasë, por duhet të mblidhet, të botohet, si dhe të studiohet.

Filipit i lindi dhe një djalë... Emrin ia vuri Andrea. Tani është muzikant (oboist). Çuditërisht nuk trashëgon asgjë nga i ati.

Teksa, një ditë, çonte Andrean e vogël në kopsht, u thoshte njerëzve rrugës: "He, sa të pa risk, na gjyshat. Na i rritëm tonët, e tash po i rrisim të fëmijëve!"

Ose kur i thoshin njerëzit rrugës: "Djali!... Sa mirë, djalë!" E ai u përgjigjej me "seriozitet": "Po, djali. E kur të rritet djali kanë me i thanë në shkollë, ç'ka të punon baba? Ai tash po u thotë: "Ka vdekë"!

Kjo natyrë ka qenë Filipi!... Me një zemër bujare!...

Ndërroi jetë në fillim të viteve '90, në moshën 85-vjeçare. Simpatik, kur ka qenë i ri, burrë simpatik edhe kur u plak. Një plak i bukur në mund ta quajmë kështu. Ka qenë burrë i gjatë, me flokë të bardhë, i thinjur, shumë fisnik.

Ky ishte Filip Daija, një nga gaztorët me emër të qytetit tim të lindjes, Shkodrës, të cilën e donte aq fort.

Nga Xhahid Bushati - Shkodër, tetor 2014

COMMENTS