Floreta Faber, gruaja e parë si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara

floreta faber luli
Znj. Floreta Faber ka lindur në Shkodër më 19 mars 1968. Ajo është e diplomuar nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomik, në degën Sferë Qarkullimi, në vitin 1990. Nga viti 1993 deri në vitin 1995 ajo ka studiuar në programin dy vjeçar Master Shkencor për Marketing dhe Strategji ndërkombëtare në Shkollën Norvegjeze të Menaxhimit, në Oslo të Norvegjisë. Këtu përfshihet një periudhë gjashtë-mujore si studente e programeve të shkëmbimit në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit (Washington State University), në shtetin e Uashingtonit në Amerikë. Diploma e saj Master Profesional në Marketing dhe Menaxhim Operacionesh është akorduar nga Universiteti MB, në Shqipëri. Zj. Faber ka ndjekur disa programe ekzekutive dhe trajnime si Programin e Lidershipit për Vizitorët Ndërkombëtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit apo programe të Universitetit të Harvardit, duke u fokusuar në programe për lidershipin, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci, menaxhimin, negociata, përgjegjshmërinë në sistemin e qeverisjes, protokollet shtetërore, si dhe në zhvillimin e biznesit.

Znj. Floreta Faber ka punuar si Drejtore Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri që në hapjen e saj në vitin 2000. Në këtë kapacitet, Znj. Faber ka punuar ngushtë me përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe amerikane, organizatat ndërkombëtare dhe BE-në, organizatat simotra të biznesit në Shtetet e Bashkuara, në Europë dhe më tej. Ajo ka qenë një element i kyç i zhvillimit të vetë Dhomës Amerikane si dhe i zhvillimit të funksioneve të tilla si kapacitetet lobuese në komunitetin e biznesit në Shqipëri. Kjo eksperiencë pune ka bërë që ajo të fitojë një ekspertizë të gjerë në disa fusha si në: marrëdhëniet me qeverinë dhe marrëdhëniet me publikun; facilitimin e tavolinave të rrumbullakta dhe negociatave; drejtimin e organizatave drejt suksesit; lobimin deri në nivelet më të larta të qeverisë, organizatave ndërkombëtare dhe qarqeve diplomatike; sjelljen e eksperiencave amerikane apo atyre ndërkombetare në ambjentin shqiptar. Ajo dallohet për një integritet të lartë dhe aftësitë e saj në komunikim.

Që nga viti 1995 deri në vitin 2000, Znj. Faber ka punuar me Deloitte & Touche, në Tiranë, Shqipëri, duke përfshirë edhe një periudhë pune për Deloitte & Touche, Pragë, në Republikën Çeke. Ajo ka punuar për hapjen e zyrës së Deloitte & Touche në Tiranë dhe ka lëvizur në disa nivele brenda një kompanie gjithnjë e më në rritje, duke ndjekur në mënyrë të veçantë zhvillimin e biznesit dhe duke marrë pjesë apo duke menaxhuar një numër projektesh.

Nga viti 1990 deri në vitin 1993, Znj. Faber ka filluar eksperiencën e saj të punës në Shkodër, në Shqipëri, me tre eksperienca në tre organizata të ndryshme, në Dhomën e Tregtisë Shkodër, në Agjensinë Rajonale të Biznesit si edhe në një kompani shtetërore import-eksporti, që i dhanë asaj një bazë të qëndrueshme pune me qeverinë dhe me ambjentin në lindje të biznesit shqiptar.

Znj. Floreta Faber është martuar me Dr. Edmond Faber, kirurg vaskular; ajo ka një vajzë, Kesli, dhe një djalë, Klint.

Më 29 janar 2015, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani ka emëruar Znj. Floreta Faber në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident, dhe të amabasadorit të Jashtëzakonshëm të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë dhe në Republikën Domenikane, jorezident.

Në këtë rast, Znj. Floreta Luli Faber është gruaja e parë e dërguar në Washington si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.

COMMENTS