Të korrunat.., Migjeni

migjeni millosh gjergj nikolla
Dita me ditë lindej dielli mâ i madh e mâ i shkelqyeshëm, e perëndonte i qeshun dhe i kënaqun me njerzì.

Fshatarët, të zgjuem heret ndër mëngjezet e kristalta, falnderojshin diellin që lind, e ndër mbramjet, të qindisuna me rrezet e kuqe të diellit, i u folëshin dhe i u lutëshin që nesër të mos lindi, por të dergojë shiun, mbasi arat e tyne të mbjelluna, atje poshtë në luginën e gjelbër, dy ditë në javë kanë nevojë për shi.

E dielli i ndëgjonte si ndëgjon prindi i lumtun fëmin e dashur, qeshej i kënaqur dhe i skuqun perëndonte. Dhe nenesre nuk lindej. As mbasnesre. Por një shi i lehtë i bukur xhevahirë, i praruem me ylbera, binte lehtë, lëmonte token dashunisht, lante dhe shplante barin javash javash, pa i bamë keqë as lulekuqes.

Kështu dy ditë.

Në të tretën ditë prap një diell mrekullisht i bukur! Lëshon rrezet e argjenta që dridhen si po t'ishin gjymtyrët e një shpirtit që ndjen hollë e thellë.

Pamasë gëzoheshin njerzit të korrunave t'ardhshme. Nga kodra e fshatit shikojshin se si arat e grunit, si një det i gjelbër, trazohen nga flladi i lehtë i perëndimit. Dhe fshatarët shikojshin me sy, ndjejshin se si rritet gruni, e si me grunin dhe ata rriten, mbrrinë deri në qiellë, bahen titaj. Oh! Oh! i u shmangej nga gjoksi i kënaqun tue andrrue të korrunat e ardhshme.

E fëmitë, tue pamë prindët e tyne të gëzuem, gëzoheshin dhe mâ tepër. Endëshin kunora lulesh fushore, i vendosëshin mbi kryet e vet të vegjel, kapëshin dora-dora, këndojshin dhe kercejshin. Ah! Ah! i u shmangej nga gjoksat e tyne të vegjel të mbushun me jetë të re.

Dhe erdh dita e të korrunavet.

U çuen fshatarët heret në mëngjezin e kristaltë. Moren drapnat, i mprehen dhe u nisën drejt luginës s'aravet. Edhe dielli, u lind i madh i shkelqyeshëm, i vrau fshatarët ndër sy, e drapnat ndër duert e tyne shndriten dhe vezulluen. Dhe fshatarët, edhe një herë, nga thellsija e zemrës i thonë faleminderës, dhe rrokë njeni me tjetrin vrapuen drejt luginës.

Kur i u aviten arave të tyne, fshatarët nisen t'i fërkojnë syt. Nuk u beojshin syvet të vet. Grykat e topave të luftës u kërcnoheshin t'i përpijnë. Ishin drejtue drejt fshatit. U baheshin fshatarvet, këto topa, si përbinshat e prrallavet që kanë ndëgjue nga gjyshat e tyne dhe u dridhej këmisha mbi shtat.

- Ç'asht kjo? - thojshin tue i u avit topavet si të harlisun. I prekëshin me dorë e të ftoftit e hekurit u arrinte mu në zemër. Shikojshin rrotat e topavet që ishin thellue në dhè e i u bahej, ndjejshin se si ato rrota janë thellue dhe në mishin e trupnavet të tyne, dhe u dhimbste.

- Ç'asht kjo? Na kët farë s'e kemi mbjellë... E pra e thanun asht: "Ç'farë do të mbjellish, të tillë (lashte) do të korrish". Na kemi mbjellë farë gruni, ndersà këtu na kanë bimë topa hekurit...

- Ç'asht kjo? - pvetëshin fshatarët e gjorë njeni tjetrin. Por përgjegje s'kishin as-kah. Tue i u dridhë gishtat lëmojshin topat dhe gjylet si me dashtë me marrë me të mirë një përbindsh apokalipstik. Por topat mbetëshin hekur i ftoftë dhe përbindshi nuk zbutej.

- Ç'asht kjo? - thoshte sejcili në vetvete e syt u lotojshin të gjithve nga hidhnimi. Ftyrat e tyne u erren dhe ballnat u rrudhen. As nuk e panë shkelqimin e diellit. Por të gjorë, me shpresa të thyeme, me trishtim të papërshkrueshëm u këthyen në fshat. E kur arrijten ndër shtëpija gjysëm të marrë nga mendimi dhe vuejtja, fëmivet që kërcejshin dhe këndojshin u thanë:

- Do të mësoheni me ngranë hekur!

- Oho, oho, me ngranë hekur... këndojshin dhe kërcejshin fëmitë pa të keq.

COMMENTS