Kënga popullore e Oso Kukës

oso kuka, osman kuka
Të Mërkurën, në dy sahati,
Ishte mbledhun Mali i Zi;
Osmanagës na i vojt xhevapi
Vranina t'âsht bâ hasi.

Osmanaga tha nji fjalë:
Mos ja hiqni gozhdën derës,
A s'i njifni Vraniçarët
Se janë qena të pa besë?

Ç'ka po thot e zeza Shkodër?
Na ndihmë paçim Perëndinë,
Me lot kjajnë i madh e i vogël,
U doq Osja në Vraninë!

Ti Nikollë i biri i shkinës,
Shpejt i mblodhe tetë mijë vetë
Me i ba yryç Vraninës
Ku janë lidhë burrat me vdekë!

Po ndigjo, bre Nikollë popi,
A s'ke pa Shkodranë me sy?
Mue më thonë Oso Baroti
Që djegë vedin edhe ty.

Po shkina me këto lajme,
Ç'ka na bani Oso Kuka:
Perenikt i dogji fare,
E Dodosht' i shtini në futa.

Me këto lajme vojti shkina,
Po ndigjo more Nikollë,
Për pa u djegë gjithë Vranina
Osmanaga nuk bjen në dorë.

Osmanaga del në pexhere,
Yryç ban tuj u hallakatë,
Jena bamun muhasere,
S'ka kah vjen Shkodra imdatë!

Salja i vogël nji grimë fëmi
Shokëve t'vet u jep garjet,
Jalla burra në franji
Se shkojmë lule për xhenet.

Salja i vogël, Met Golemi
Bajitin luftë si dy asllana,
Na s'mund të rrimë me na djegë zjermi
Por do të pritena me kapidana.

Salë Behri nji grimë fëmi
Hypë nelt e i thërret Ezanit
Bini burra për Shqipni,
Sot për ne asht ditë Bajramit.

Salë Behri e Met Golemi
Në krallhane janë rrethue
Se t'a dinë të gjithë alemi,
Osmanaga na u varrue.

Hajde, hajde Osmanaga.
Per dynja s'paske mendue
Në katër qoshet j'u dha flaka:
Nami yt s'ka me u harrue.

Na kur vojtme, në Maksud-Kullë
Krisi topi e kumbaraia,
Osmanaga digjej nur,
Rahmet i jep gjithë dynjaja.

Krajl Nikolla thot nji fjalë,
Me yryç në kullë me hi
Oso Kukën e due gjallë
Se âsht namë për Mal të Zi

Ç'ka po i gjegjë Nikollës Shkjenimi?
Në Vraninë me çue imdatë:
Asht rrethuemun Oso trimi
E s'bjen në dorë pa u ndezun flakë.

M'katër anët rrahë telegrafa,
I vojt lajmi të gjithkrajlnis,
Ah! të lumtë, bre Osmanaga,
Ç'ja ke zbardhë faqen Shqipnis!

Ditë e natë tuj kjamun shkinat,
Kuku bajnë se ç'na ka gjetë;
Habiten si ndezen trimat,
Kush i gjallë nuk paska mbetë!

Osmanaga burrë bejlekut
Me njizet e katër vetë,
Krent' e vramë edhe të vdekun
Ma shumë janë se dyqind vetë.

Nikoll popi, ka kallxue
Me kët punë s'fitova gja,
Ç'ka ma bani Osja mue
S'ma ka ba kërkush n'dynja!

Osmanaga me nji herë
Me gjithë shokë lidhi kët besë:
A ma mirë me vdekë me nderë
A me rrnue me faqe të zezë?


__________

Portreti nga Pjerin Sheldija

COMMENTS