Nëntor: Krujë 1443 - Vlorë 1912

gjergj kastrioti skenderbeu - ismail qemail
Nëntor! Ky muaj mban kujtimet e ngjarjeve më me rëndësi të historisë tonë kombëtare: ngritjen e flamurit në Krujë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë.

Në nëntor të vitit 1443 Gjergj Kastrioti mbërriti në qytetin e Krujës, bashkë me shqiptarë të tjerë, dhe ngriti flamurin e kuq, me shqiponjë dykrenare të zezë në mes, mbi kështjellën e Kastriotëve. Zemrat e shqiptarëve gufonion nga mallëngjimi kur shikonin të valëvitej, në vënd të flamurit të urryer, flamurin e tyre të dashur që kishin kohë që e mbanin në zemër por që gjer në atë ditë nuk kishin patur guximin ta ngrinin. Jo se mund ta duronin robërinë, jo se u mungonte trimëria, por pse nuk gjenin momentin e volitshëm. Sa për trimërinë dhe dashurinë e tyre për liri, vetë Fatosi i ynë i Madh u tha, kur ishin mbledhur atë ditë:
"S'është as e re as e pa pritur pamja që kam sot para syve. Ashtu si ju kujtoja, ashtu ju gjeta, stërnipër të thjeshtë të një race të vjetër e bujare, trima të patronditur të vëndit... Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një tjetër udhëheqës, se Shqipërisë nuk i mungojnë burrat, por ju pëlqente ta prisnit nga dora ime, ndonëse vonë, se kështu ndoshta desh vetë i madhi Zot. Se është me të vërtetë çudi që trima kryelartë si ju, autokton në këto troje e të rritur në liri, duruat kaq kohë robërinë e barbarëve.
Lirinë s'jua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj... e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë, në hushtat".

Por që të mbahej lart flamuri që u ngrit, duhej të derdhej gjak, duhej të pagëzohej me gjak. Për njëzet e katër vjet me radhë shqiptarët, me Kryetrimin e tyre në krye, nuk iu trembën kurr vdekjes. Luftuan si burra për të mbrojtur atdheun dhe flamurin e tyre. Sa herë ndër beteja e thyen armikun dhe e detyruan të lidhte paqe! Sa herë me krenari nuk pranuan propozimet e Sulltanëve! Por gjaku shqiptar në atë shekull nuk u derdh vetëm për lirinë e Shqipërisë; ai u derdh dhe për mbrojtjen e qytetërimit evropian - dhe për këtë Europa duhet të na jetë mirënjohëse - se pengoi Sulltanin lakmonjës Mehmeti II që të hidhej përtej Adriatikut dhe të ecëte nga Përendimi.

Mjerisht nuk ishte e thënë që ai gjak trimash, që vajti rrëke e lumë, të përjetësonte lirinë tonë. Skënderbeu vdiq dhe bashkë me Të u varros dhe Shqipëria. U varros vërtetë, por nuk vdiq. Fryma heroike, që kishte përhapur Skënderbeu, rronte e gjallë në zemrat e shqiptarëve. Trimëritë dhe dashuria e tij për atdhe u bënë, gjatë shekujve, simbol dhe një nga mbështetjet më të forta të patriotizmit shqiptar.

***

Pluhuri i zi i robërisë që mbuloi vëndin tonë, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, jo vetëm që qe i rëndë në veten e saj, por solli dhe pasoja tëpër të dëmshme. Për afro pesë shekuj sumdimi turk na veçoi nga qytetërimi evropian; detyroi shqiptarët të iknin në vende të huaja; dhe ajo që ishte me e keqe, na përçau dhe u përpoq të na bënte të vrisnim vëllau vëllanë. Megjithatë, nuk mundi të shuante flakën e lirisë që shqiptari e ka patur dhe e ka gjithnjë të ndezur në zemrën e tij. Dëshira për pavarësi nuk u zhduk asnjëherë. Që nga shekulli i XVI dhe gjer në Lidhjen e Prizrenit, shqiptarët përherë kanë ngritur krye kundra zgjedhës së huaj. Prandaj të huajt që na kanë shkelur - Romanë ose barbarë, Turq ose Sllavë - kurrë s'kanë mundur ta venë gjith atdheun tonë nën zgjedhë.

***

Por u desht Lidhja e Prizrenit që të shfaqte më mirë dhe më me fuqi dashurinë e Kombit tonë për liri dhe pavarësi; u desht ajo që t'ia bënte këtë të ditur botës dhe fuqive të mëdha.
Kur më 1878 u bë Kongresi i Berlinit, fshqinjëve tonë u dhanë toka shqiptare pa pyetur se cilët banonin në to. Në atë rrezik të madh gjithë krerët shqiptarë, të veriut dhe të jugut, muhamedanë dhe të krishterë, u mblodhën në Prizren dhe me një zë protestuan kundër vendimeve të padrejta të Kongesit. Jo vetëm me shkrim, por edhe me armë. Kaq sa e shternguan atë që të ndryshonte vendimet e para. Kuptoi atëherë Europa se një komb mijë e mijëvjeçarë i vjetër që me shekuj ishte përpjekur për lirinë e tij nuk mund të merrej nëpër këmbë në këtë mënyrë. Kjo ishte e para herë, nga Besëlidhja e Lezhës në kohën e Skënderbeut, që gjithë Shqiptarët u mblodhën dhe vendosën të mbronin me derdhje gjaku tokat shqiptare dhe të kërkonin autonomi.

***

Lidhja e Prizrenit jetën e saj të dukëshme s'e pati të gjatë.
Kur qeveria turke, e cila në fillim e kishte përkrahur për interesat e veta, pa se po bëhej e rrëzikëshme për të, urdhëroi që të shpërndahej me anën e forcës. E ndjekur nga Turqit, Lidhja u bë e fshehtë; por nuk u çarmatos. Kryengritjet e vitit 1893, në kohën e luftës greko-turke, dhe të vitit 1903, në kohën e turbullimeve të Maqedonisë, ishin veprat e saja. Por gjëja më me rëndësi ishte se fryma e saj u përhap kudo që kishte Shqiptarë. Duke kaluar koha, ajo vazhdonte të bëhej edhe më e fortë, sepse kolonitë shqiptare në mërgim - në Itali, Rumani, Bullgari, Egjypt, Turqi dhe Amerikë - po përpiqeshin me anë të gazetave, periodikëve, revistave dhe librave për përhapjen e gjuhës amëtare dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare.

***

Fati i Shqipërisë pritej të përmirësohej kur fitoi kryengritja e Xhonturqve. Shqiptarët kishin ndihmuar tepër në atë kryengritje dhe shpresonin se, në saje të lirisë së premtuar nga regjimi i ri, dëshirat e tyre shekullore do të përmbusheshin. Dhe me të vërtet Xhonturqit nuk i trazuan fare, kur ata filluan të shtypnin gazeta, të botonin libra, të hapnin klube dhe shkolla shqipe në vende të ndryshme të Turqisë. Por nuk shkoi shumë kohë dhe kjo gjëndje ndryshoi. Xhonturqit i shfaqen qëllimet e tyre të vërteta: ata nuk njihnin asnjë të drejtë kombëtare dhe përpiqeshin për turqizimin e perandorisë së tyre. Atëherë nisi për ne një periudhë shtypjesh dhe kryengritjesh. Më në fund, më 1912 shpërtheu kryengritja e përgjithëshme. Shqiptarët u futën triumfalisht në Shkup dhe i kërcënoheshin Manastirit. Me ndërmjetësinë e shteteve të mëdha, qeveria turke u detyrua të plotësonte çfarë ato kërkonin.

***

Por ja që pas afro tre muajsh plasi lufta Ballkanike. Sido që mbeti asnjanëse, Shqipëria pothuaj se e tëra u shkel nga fitimtarët. Në këtë gjendje dëshpërimi, një grup patriotësh, duke patur në krye Ismail Qemalin, shkuan në Vlorë dhe më 28 nëntor 1912 ngritën flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare dhe shpallën mëvehtësinë shqiptare. Ky flamur, i cili kaq shekuj kishte ndenjur në varr bashkë me kryetrimin e Krujës, po valëvitej tani kryelartë nën qiellin shqiptar. Ishte lulja e bukur e vaditur nga gjaku i shumë dëshmorëve; ishte simboli i bashkimit dhe i lirisë së Shqiptarëve. Vërtet fuqi të mëdha, në radhë të parë Austria dhe Italia, na ndihmuan, për interesat e tyre, në fitimin e pavarësisë tonë - ashtu siç ka ngjarë me krijimin e çdo shteti ballkanik - por ato s'do të mundnin të bënin gjë, sikur ne të kishim ndenjur me duar lidhur, sikur ne të mos kishim ndjerë dashurinë për liri dhe të mos i kishim shfaqur botës, me teori dhe praktikë, se ne jemi Shqiptarë dhe se Shqipërinë e duam për Shqiptarët.

Nga Stavro Skendi (gjuhëtar dhe historian shqiptaro-amerikan; lindi në Korçë më 1905, vdiq në Long Island (US) më 17 gusht 1989)

COMMENTS