Masar Bushati, personalitet i shquar i arsimit shqiptar

Unë jam shumë mirënjohës për strehën vllaznore që më jepni në shtëpitë tuaja, për bujarinë dhe çiltërsinë tuaj. Puka më burrëroi, më bëri mësues të vërtetë dhe më dha jetë - shprehej ish- mësuesi i Pukës, Masar Bushati.
Masar Bushati Masar
Masar Bushati njihet si një personalitet i shquar i arsimit dhe shkollës shqipe, duke qenë që në fillimet e para të jetës së tij anëtar i grupit të mësuesve, së bashku me Migjenin, Skënder Luarasin, Mësuesin e Popullit Salo Halilin, Teufik Gjylin, Gani Dizdarin, Hamit Gogajn, Ahmet Çakun, Malo Becin, etj., ku krijuan dhe organin e tyre "Bota e Re", ku u zgjodh dhe sekretar.

Masar Bushati njihet për veprimtarinë e tij si një veprimtar i shquar dhe mjaft aktiv në grupin e mësuesve, që synuan gjatë gjithë jetës së tyre ruajtjen e karakterit kombëtar të shkollës shqipe. Në fillimet e punës së tij, në vitet '30, pas përfundimit të shkollës normale, erdhi mësues në Pukë, por pas një periudhe jo të gjatë do të vazhdonte punën dhe në rrethin e Zadrimës e Shkodrës, duke hapur mjaft shkolla dhe duke punuar plot pasion për konsolidimin e arsimit.

Të shkruash për kontributin e mësues Masarit është vërtet kënaqësi, por nuk është edhe e thjeshtë, pasi bëhet fjalë për njërin nga ai brez mësuesish, që punuan plot përkushtim dhe qytetari, në një periudhë mjaft të vështirë.

Hapja e shkollës së parë shqipe në rrethin e Pukës, në vitin 1903 në fshatin Iballë, me mësues Kol Zezaj ishte dhe lajmëtarja e pionierja e parë e shumë shkollave të tjera, ku deri në vitet '20 në Nënprefekturën e Pukës gjendeshin vetëm pesë shkolla fillore me 150 nxënës. Pothuajse të gjithë mësuesit që shërbenin këto vite në zonën e Pukës, mes të cilëve dhe Masar Bushati, vinin nga Prefektura e Shkodrës. Është e vështirë t'i përmendësh sot të gjithë ata që kanë punuar gjatë këtyre viteve,por janë dhjetëra dhe qindra të tillë, ku dua të theksoj se ishin bijë dhe bija të familjeve më të vjetra dhe më të nderuara të Shkodrës, duke punuar në gjithë fshatrat e Pukës. Duke qenë i ndërgjegjshëm se shumë prej tyre dhe mund t'i harroj, do të përmendja emra të tillë si Çanga, Çurcija, Dibra, Boriçi, Gogaj, Bushati, Uruçi, Gjylbegu, Gjyrezi, Hoti, Çefa, Ulqini, Daragjati, e shumë të tjerë, por sido qoftë, një gjë është e qartë dhe e pa diskutueshme, që dhe sot të gjithë ne pukjanët u jemi shumë mirënjohës.

Pukjanët, duke qenë një popull punëtor, guximtar, këmbëngulës, nuk dëshironin në asnjë kohë që të mbeteshin prapa të tjerëve, prandaj dhe hapjen e shkollave dhe arsimimin e njerëzve e shihnin, si një nevojë jetësore dhe domosdoshmëri të jetës. Dhe vetë dokumentet flasin për këtë. Mjaft të përmendim qendrat urbane të Pukës, Sardës apo Dalmacias, të cilat dëshmojnë këtë fakt. Relatori Frang Bardhi në shek. XVI dhe XVII tregon se populli i Pukës kishte një dëshirë të madhe për arsimin.

Domeniko Passi, një misionar italian që erdhi në Pukë, në vitet 1888-1906, në mes të tjerave tregon interesimin e madh që kishin pukjanët për dije.

Një ndihmesë në këtë drejtim ka dhënë pa dyshim mësuesi Masar Bushati, i cili në vitin 1945 do të kthehej përsëri të punonte në Pukë, ku dha një kontribut me vlerë në hapjen e mjaft shkollave (apo rihapjen e tyre si në fshatrat Bugjon, Bicaj, Micoj, Aprrip, Fierzë, Truen, etj.) dhe po në këtë kohë do të shohim se në rrethin e Pukës funksiononin 16 shkolla me 823 nxënës, ku mësuesit si Ton Shoshi, Muhamet Uruçi, Masar Bushati, Malo Beci, Idriz Çanga po ndihmonin konkretisht në arsimimin e pukjanëve, por në veçanti dora e mësuesit Masar Bushati, në cilësinë e inspektorit të Arsimit, të ardhur nga Prefektura e Shkodrës, do të shënonte dhe hapjen e shkollave të reja në Bicaj, Rrape, Aprrip, Ars, Fierzë, Bugjon, ku lokalet e shkollave u bënë shtëpitë e malësorëve, duke tërhequr mjaft fëmijë dhe këmbëngulur me një vullnet e pasion të madh, për të zvogëluar numrin e analfabetëve në moshë të re, në këto zona të largëta.

Ndonëse bëhen plot 100 vjet që nga lindja e mësuesit Masar Bushati, në Pukë ai kujtohet si një djalë, që në moshë rinore, në çdo fjalë të tij që fliste, shprehte forcë dhe entuziazëm, ishte optimist për jetën. Në fytyrën e tij dalloje qartë buzëqeshjen, shpresën e jetës, kurse në sytë e tij, dritë që donte në çdo çast ta reflektonte dhe te nxënësit, malësorët e kolegët e tij.
Ai shërbeu në rrethin e Pukës në një periudhë, ku uria kishte pllakosur shumë malësorë të këtyre zonave, ku bashkëmoshatari i tij, poeti i madh, Migjeni do t'i pasqyronte në ato vite, në skicat "Zeneli", "Novela të qytetit të Veriut", "Luli i Vocërr", "Idhuj pa krena", etj. Ai ishte jo vetëm një mësues që luftonte për arsimimin e pukjanëve, por i copëtohej zemra, kur i shihte malësorët të rreckosur, me fytyra të zbehta e me sy të futur thellë e të mavijosur nga uria. Këto dëshmojnë të vërtetën e tragjedisë njerëzore, ku Masari përpiqej të bënte diçka për t'ju lehtësuar sadopak vuajtjen, duke u dhënë aq sa mundej e duke i përkëdhelur e folur plot ngrohtësi me malësorët.

Kurdoherë veten e kam ndjerë krenar që edhe unë, sot si mësues të kem shëmbëlltyrë të timen mësues Masarin me shokët e tij dhe sot them: Faleminderit mësues Masari! Tanimë, Masar Bushati, me shumë mësues të tjerë, të ardhur nga Prefektura e Shkodrës kanë hyrë thellë, jo vetëm në qenien time, por në mjedise të ndryshme intelektuale dhe shtati i arsimit në Pukë, që sot ecën në rrjedhën e demokracisë, ka si refren një pjesë të madhe dhe kontributin e tij, e të mësuesve Malo Beci, Idriz Çanga, Muhamet Uruçi, e dhjetëra e qindra të tjerëve.

Për vendlindjen time, në ato vite të zhytur thellë në varfëri e padije, ishte e jashtëzakonshme të kishte në gjirin e vet mësues me talente të rralla si Migjeni, Masar Bushati, Idriz Çanga, etj. Ata vinin nga një qytet i madh si Shkodra, që dallohej nga një kulturë e lashtë në Ballkan e më gjerë, por në Pukë do të gjenin një realitet tjetër të jetës, një frymëzim të përmasave gjeniale, do të njiheshin me heronjtë konkretë të poezisë dhe prozës shqiptare, por ata me penën dhe daltën e tyre, do të gdhendnin përmendoren gjigande të mjerimit, që kishte pushtuar çdo kasolle të Pukës. Masar Bushati punoi në detyra dhe funksione të ndryshme në arsimin shqiptar në rrethin e Pukës, Zadrimës dhe të Shkodrës, ku bashkëkohës të tij e nxënës të tij si Tinka Kurti, Ibrahim Tukiçi, Fadil Kraja, Osman Kraja e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, tregojnë mirënjohje të madhe për të.

Po shkëpus katër vargje nga Gazeta "Mësuesi" e datës 5 Mars 1965, ku dramaturgu i madh shqiptar Fadil Kraja, në poezinë "Mirënjohje" kushtuar mësuesit të tij shkruan:
"Sa herë të takoj e m'ë buzëqesh,
Më zgjon shikimi yt mall e gëzim
Kujtimet e fëminisë çohen peshë,
E largëta kohë kur më jepje mësim."
Kjo tregon, krahas mallit të madh që autori ndjen për mësuesin e tij, Masar Bushatin, edhe personalitetin, karakterin që kishte ai në punën e tij me nxënësit, bashkëmoshatarët e kolegët.

Duke u njohur me jetën e Masar Bushatit, të këtij personaliteti dhe simbolit të një mësuesi të thjeshtë dhe të madh njëkohësisht, jo vetëm ne pukjanët, por të gjithë shqiptarët, institucionet dhe organizmat duhet ta vlerësojnë, të shprehin mirënjohje dhe respekt dhe të gjithë duhet t'i themi: faleminderit për kontributin, mundin dhe djersën që dhatë për arsimin shqiptar.

Nga Riza Tafilaku - Drejtor i Shkollës së Mesme, Pukë/Panorama - Nr. 2721, 11 maj, 2010, f. 20.

COMMENTS