Bashkoniu.., Ndre Mjeda

ndre mjeda dom ndre mjeda
Përmbí prone t'Skanderbegut
Mbí qytete t'Arjanitit,
Ku Golemi n'krahë petritit
Mbí Halldupë u lëshote, e plot

Arm' e krena armiqsh përmblidhte
Atdheut të vet me i bâ therore,
Ndër kto kohna qytetnore,
Shqype, s'rreh flamuri i jot.

Jo sot gjuhën që përmbajti
Tesh sá shekuj Shqyptarija,
E Romaku dhe Shkjenija
S'mujten kurr m'e dnue ndopak,

Nëpër shkollë s'e ndien ferishta,
Sot ai kryq s'mbretnon që i pari
Trashigim na la, e Shqyptari
Për te nepte jet' e gjak.

Veshë me zhele anadollaku
Me gjysë shkarpet nëpër kambë,
Porsì kuajt buqari në lamë,
Lidhë me'i pe pëpara e çon

Parín tuej, o Male të Mëdhana!
E njatë zog që s'i vetote
Syni diellin kur shikjote,
Sot një hanë drapnore e bon.

E pra shumë nëpër fusha e male
Gjak po derdhë pushka mizore;
S'a trimní: një dorë tradhtore
Shoq e vlla pa marre vret.

Nuk din gjak, nuk din vllazëni,
S'din atdhe, zemra e dinakut;
E për mnerë anadollakut
I jep forcë për hupje t'vet.

Ah! Për kishat e lulzueme
N'argjend e n'ar prej kallogjerit,
Që Halldupi atdheut të mjerit
Me furi në gërmadhe lëshoi;

Për shkollë t'rrxueme e muneshtira
Ku një ditë shkëlqente dija
E n'gjith botën Shqyptarija
Për djelmoça n'za lumnoi;

Për qytete e kështjella rojsa
Frigshëm vrojtun prej Romakut
Që sot gishti i Anadollakut
Tuj zgerdhi rrënue i shenjon;

Për gjak t'vllazënve që rrkaja
Hapë nëpër male e nëpër fusha,
Për t'hukatme që vejusha
Ban mbi fëmij' që pushka rrxon:

Për nderë t'vashave shqyptare
Që në derë t'shpís dhunon nizami,
Për atë dhunë që i pari e i mbrami
Prej Halldupit bán n'hestim;

Për tokë bajse e male t'veshme
Që me kambë dogj Otomani,
E ç'atëherë gjith toka fshani
Pá u stolisë ma kurr në blerim.

Për madhní që shet i hueji
Përmbi kombin e Shqyptarit;
Për qestina të barbarit,
Për ato lavde që qet Shkjau;

Për kocíjt e Skanderbegut
Që prej vorrit xuer Halldupi
E bashknín e atmes hupi,
Shkëndín e zemravet, e i thau;

Mblidhun'ju, vllazën, e bashkohun'ju
Nën flamur të Shqiptarìs:
Prej një gjakut, një gjinìs
A Shqyptari kând e kând.

Një gjuhë t'shejtë gjithë kuvesim
Një histori, një atdhe na kemi,
Gegë e Toskë një zemret t'jemi
Me ndjekë, Shqype, hovin tand.

COMMENTS