Prof. Jusuf Alibali

In Memoriam për Jusuf Alibalin - nga Dr. Moikom Zeqo


Kurrë nuk do ta harroj ecjen e 80-vjeçarit Jusuf Alibali mbështetur mbi një shkop, sikur ia kishte huajtur ndonjë invalidi të luftës, sepse në shumë kuptime të krejt paradokseve të jetës së tij të guximshme por edhe të trishtuar, ky shkop kish atributin e një paterice. Por shpirti dhe jeta e Jusuf Alibalit nuk kanë nevojë për asnjë lloj paterice, as për apologji të kotë, por vetëm për një vlerësim të ndershëm dhe të vërtetë. Ai vdiq gjatë një operacioni, ra në koma dhe nuk u çua më përgjithmonë.
Lajmi i vdekjes së tij më trishtoi në thelb...

Jusuf Alibali është një figurë historike dhe e kulturës shqiptare i lënë nga shtjella e viteve dhe padrejtësitë mënjanë, larg spektakleve mediatike. Ai pati një jetë relativisht të gjatë, plot privacione, me monotoni të dhimbshme por dhe me dendësi ngjarjesh të stuhishme, duke mos i shpëtuar persekutimit të gjatë.

jusuf alibali
Jusuf Alibali lindi në Shkodër më 9 nëntor 1922. Mbaroi gjimnazin e Shkodrës dhe më 1941 filloi studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Firences. Atje arrestohet dhe burgoset për veprimtari antifashiste. Pas kësaj kthehet në Shqipëri me disa bashkëstudentë.

Në Shqipëri ai përqafon antifashizmin që gjëllonte kudo. Arrestohet nga nazistët gjermanë dhe burgoset në burgun e Tiranës.

Merr pjesë në formacionet partizane si kuadër i lartë deri në çlirimin e Shqipërisë. Mbas çlirimit vazhdon Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin "Lomonosov" të Moskës, që e përfundon me rezultate të larta më 1949.

Jurisprudenca bëhet bota dhe pasioni i tij. Ka qenë zv/ministër i Drejtësisë, anëtar i Gjykatës së Lartë, kryesisht punoi në fushën e arsimimit juridik, në lëndën e së Drejtës Ndërkombëtare, ku merr edhe titujt shkencorë. Një pasion i dytë i Jusufit është publicistika, punon si shef i sektorit të jashtëm të "Zërit të Popullit" dhe si kryeredaktor i revistës "Shqipëria Sot". Është një nga hartuesit dhe bashkautorët e "Historisë së Shqipërisë" për çka fitoi dhe Çmimin e Republikës.

Unë e kam takuar Jusuf Alibalin më 1973. Pasi më kishin hequr nga redaktor letrar i gazetës "Drita" i akuzuar për poezitë hermetike në plenumin e IV të PPSH dhe më kishin çuar arsimtar në Rrogozhinë. Në këtë situatë të vështirë dhe për mua, shkrova një nga librat e mi më të frymëzuar "Mujo Ulqinaku". Në një konkurs kombëtar, ku Jusufi ishte kryetar i jurisë ai me entuziazëm nguli këmbë për të më dhënë Çmimin e Parë. Kërkoi të më takonte dhe nuk kam për ta harruar bashkëbisedimin tepër rinor, të çiltër dhe befasues me të. Më dha zemër por historia e paradokseve funksionoi edhe për të. Më 1975 ai përjashtohet nga PPSH dhe internohet familjarisht në disa fshatra të rretheve Gjirokastër dhe Berat deri më 1988. U duk sikur shokët dhe kolegët e harruan përfundimisht. Ai e vuajti tmerrësisht këtë tragjedi.

E shoqja e Jusufit, Vika (Adivije Alibali), spikati në filmin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" si një aktore shumë e talentuar në rolin e Mamicës.

Persekutimi i Jusufit qe dhe bllokimi dhe mbyllje e karrierës për të...

Para 5 vjetësh (1998) unë organizova në Muzeun Historik Kombëtar ceremoninë e 75-vjetorit të Lindjes së mikut tim. Qe ndoshta ngjarja më kulminante dhe më publike e tij në të gjitha kuptimet. Mbaj mend që më dhuroi një fotografi që e tregon duke qeshur. Pas fotografisë unë i shkrova këto rrjeshta: "Jusuf Alibalit, të qeshësh është mrekulli morale. Ja një shpikje që nuk e kanë kafshët dhe as njerëzit që janë jo njerëz. Moikom Z."

Jusuf Alibali kish fituar titullin Docent dhe më pas Profesor. Krijimtaria e tij përfshin 500 tituj në rrafshin e drejtësisë, historisë dhe letërsisë. Disa nga këta libra m'i ka dhuruar dhe unë i ruaj si relikte të shtrenjta. Veçoj këtu librin për dy shokët e tij intimë të luftës Kristaq Tutulanin dhe Gjikë Kuqalin, si dhe librin "8 portrete" një libër i shkëlqyer eseistik, që përmban esse të ndryshme për Shekspirin, Mikelanxhelon, Makiavelin, Zolanë etj. Ky libër shpalos kulturën enciklopedike të Alibalit.

Përpara se të shkonte në operacionin fatal, ai botoi librin poetik me tiull "Tinguj të jetës", ku ka përfshirë krijimtarinë e tij poetike, që nga rinia deri në fund të jetës. Ky libër me kushtimin e tij më ra në dorë mbasi mësova lajmin e vdekjes, kur në zyrë më erdhën vëllai i tij Besniku dhe djali i Jusufit, Agroni, të cilët më njoftuan për mbarimin e jetës të njeriut të tyre të dashur.

Jusuf Alibali qe një njeri i veçantë, me karakter të pathyeshëm, me bindje të thella sociale dhe me horizont intelektual të pasur. Ai dinte t'i nderonte talentet e reja, i donte miqtë dhe kishte etje të madhe për miqësi të ndërsjelltë. Jo gjithnjë e shijoi këtë miqësi ndonëse e meritonte plotësisht shumë më tepër.

E kam të vështirë dhe jam tepër i emocionuar për të shkruar IN MEMORIAM...

Jam i sigurt që botimi i shkrimeve të Jusuf Alibalit në disa vëllime do të duket sikur do të bëjë një rizbulim për ata, që ende nuk dinë shumë për këtë njeri. Tërë vepra dhe jeta e tij janë të ndërthurrura, janë e njëjta substancë.

Qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë për këtë njeri të shqetësuar dhe të mirë! Amen!

Teksti nga Gazeta "Shekulli", 13 maj 2003

COMMENTS