Osoja i Falltores (fallxheshës)

Osoja i falltores, Osja i falltores
Secili komb ka gaztorët e vet të cilët nuk i harron, edhe mbasi ata të kenë mbyllur sytë. Populli i kujton bejtet dhe fjalët qesharake të tyre ndër argëtime, dasma e festime të ndryshme, me të cilat ata, kur ishin në jetë, argëtonin dhe ua bënin më të harmonishme kohën personave që kishin afër.

Kështu, bie fjala, populli grek u kënaqte me Eposin; populli gjerman nuk i shlyen asnjëherë fjalët qesharake të Till Eulenspiegel; populli turk nuk e lë kurr në harresë Nasredin Hoxhën (Nastradini).

Po Shkodra, e cilësuar ndër të tjera si "djepi i humorit shqiptar", nuk e kishte Nastradinin e vet? Po, tek e kemi: Oson.

Osoja ishte lindur nga prindër të varfër, në lagjen Dërgut të Shkodrës, rreth muajit shtator të vitit 1838. Babai i tij, Selo, endej rrugëve pa punë ndërsa nëna, Hamide, hynte e dilte nëpër shtëpitë e agallarëve e të bejlerëve për t'iu hedhur fall Zonjave dhe Zonjushave të tyre; zeje me të cilën, Hamideja, fitonte ca të holla për veten, burrin dhe djalin.

***

Dikur mbiemri nuk ka qenë i lidhur me emrin, dallimi i njerëzve nga njëri-tjetri bëhej vetëm nëpërmjet emrit. Me kalimin e kohës, kur shumë nga emrat nisën të shumëfishohen, u bë e domosdoshme gjetja e mënyrave të tjera për identifikimin e personave. Ato nisën të dalloheshin nëpërmjet tyre duke shtuar pas emrit fshatin apo qytetin e prejardhjes, emrin e babait apo të nënës, emrin e profesionit të vet ose atë të zanatit të babait apo të nënës.

E për këtë arsye Osoja ynë u quajt "Osja i Falltores".

***

Fëmijërinë Osoja e kaloi rrugëve. Një bamirës e regjistroi bashkë me femijët e vet në mejtep te Fusha e Teqes në Pazar, por aty Osoja qëndroi pak kohë.

Njëherë Hoxha i mejtepit ia kishte ngreh veshin Osos, sepse ky nuk kishte mësuar. Osoja, si fëmi i pa hair që ishte e që nuk mendonte tjetër veçse të trillonte gjëra të çuditshme, hypi një ditë prej ditësh në tavan të mejtepit e prej aty, me majë të ibrikut përmes hapësirës së dërrasave, e lagu hoxhën me ca pika ujë curril. Hoxha, kur kuptoi që ishte Osja ai që e kishte lagur, e rrahu me thupër deri sa ia fshiku mishin e këmbëve. Pra për këtë arsye Osja u nda prej mejtepit e kapë rrasë-buqin, lojë që atij i pëlqente më shumë.

***

Osoja u burrërua e si gaztor i lindur, ishte qejfli i ahengut dhe i mjedisit shoqëror. Shpesh ndodhte që netët e gjata të dimrit i kalonte duke qitë bejte, deri në të zbardhur. Merrte pjesë ndër ahengje jo vetëm për të dëgjuar ose me qitë fjalë gazi sa për të qeshur njerëzit, por edhe i binte vetë sazes.

Kështu, nisi t'i dalë nami Osos në Shkodër e nuk ishte dasmë, aheng a piknik, që Osja i Falltores mos të ndodhte aty. Osoja pati krijuar edhe një grup ahengxhinjësh që përbëhej nga: Ndrekë Teneqja, Ndrekë Biruca (Prekula) dhe Simon Shpori.

***

Alfred Von Rappaport-Arbengau; viçekonsull pranë konsullatës së përgjithshme Austro-Hungareze të Shkodrës prej vitit 1893 deri në 1897, i cili dha edhe një kontribut të vlefshëm që të përparonte sa më shumë mësimi në gjuhë shqipe ndër të vetmet shkolla katolike që në atë kohë ekzistonin; në kujtimet e tij personale, ndër të tjera shkruan: "... mblodha nga goja e këngëtarit popullor, Osja i Falltores, nji sasi këngësh kombëtare, të cilat ndoshta do të ishin humbë. Këto këngë bashkë me fjalë ari (fjalë të urta) shqiptare, të mbledhura nga unë, u botuan në vëllimin e gjashtë të "Albanesische Studien" të albanologut Gustav Meyer".

***

Me pak fjalë, ky ishte Osja i Falltores: bejtexhi, ahengxhi dhe instrumentist. U rrit në mjerim por me dhuntitë e tij u bëri më të lulëzuar kohën familjeve shkodrane, shumë nga të cilat e kujtojnë edhe sot, sidomos Kazazët e Dragushët, të cilat e kishin si mysafir thuajse për çdo rast familjar. Më të vjetrit, e kujtojnë portretin e tij në një skaj të Dritëshkrojes Marubbi; burrë fryçalak, ndejë këmbë-turqisht, me saze në dorë e me një gotë përpara.

Rruga "Osja i Falltores" në Shkodër mban emrin në kujtim të tij.

shkodradaily.com

COMMENTS