Aleksandër Stipçeviq - Aleksandar Stipčević

Aleksandër Stipçeviq (Aleksandar Stipčević); historian, ilirolog, albanolog, arkeolog, specialist i bibliotekarisë, akademik.

aleksander stipceviq, aleksandar stipcevic
Aleksandër Stipçeviq lindi në një familje shqiptare më 10 tetor 1930, në fshatin Arbënesh (Arbanas, vendbanim i krijuar në shek. e 18 me ardhjen e shqiptarëve nga viset jugore të Liqenit të Shkodrës) të Zarës (Zara, Kroaci). Mësimet fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, pastaj ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit në vitin 1954 dhe u diplomua në arkeologji.

Më pas ka punuar në Muzeun Arkeologjik në Zagreb dhe Institutin e Shkencave Historike në Zarë, dhe në vitin 1957 u zhvendos në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Zagrebit.
Nga viti 1970 deri më 1973 ka dhënë lëndën e arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë viteve 1974-1983 ka qenë drejtor i Bibliotekës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë në Zagreb.
Në vitin 1977, merr diplomën për gradën shkencore "Doktor" me tezën "Simbolika fetare te ilirët".
Në vitin 1978 fitoi dy tituj: "Këshilltar shkencor në fushën e shkencave shoqërore" dhe "Këshilltar i lartë në bibliotekari".
Nga viti 1983 deri më 1987 ka qenë kryeredaktor i Leksionit Biografik Kroat.
Në vitin 1987 u zgjodh profesor në Fakultetin Filozofik (katedra e bibliotekarisë) të Univeristetit të Zagrebit.
Ka qenë, gjithashtu, anëtar jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Aleksandër Stipçeviq ka shkruar mbi 230 artikuj shkencor si dhe mbi 13 libra , të cilat janë përkthyer në gjuhën angleze, italiane, shqipe, arabe dhe perse. Ai është autor i shumë studimeve në fushën e ilirologjisë, si:

"Arte degli Illiri" ("Arti i Ilirëve"), Milano 1963;

"Gli Illir" ("Ilirët"), Milano 1966 (përkthyer në shqip në vitin 1967);

"Bibliographia Illyrica" ("Bibliografi për Ilirët"), Sarajevë 1967;

"Kultni simboli kod Ilira" ("Simbolet e kultit të ilirëve"), Sarajevë 1981 (botuar në gjuhën shqipe në vitin 1983, 1990 dhe 2002);

"Problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe aktualizimi i tij politik sot";

"Iliri - povijest, život, kultura", Zagreb 1974, 1989, 1991 (përkthyer në shqip në vitin 1980, 1990 dhe 2002 nën titullin "Ilirët - historia, jeta, kultura, simbolet e kultit");

"Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa", 2011 (përkthyer në shqip në vitin 2013 nga Istituti Albanologjik i Prishtinës nën titullin "Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës");

"Etnogjeza e shqiptarëve nga ilirët", etj.,

dhe në fushën e albanologjisë, si:

"Interpretime albanologjike", Shkup 1994;
"Etnogjeneza e shqiptarëve";
"Albanologjia në Kroaci", etj.

Në vitin 2001, Presidenti i Shqipërisë Rexhep Mejdani dekoroi Prof. Dr. Aleksandër Stipçeviq me "Urdhri Naim Frashëri i Artë" me motivacion: "Për kontribut në zbardhjen e historisë së ilirëve".

Më 30 janar 2015, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dekoroi Prof. Dr. Aleksandër Stipçeviq me "Urdhri Gjergj Kastrioti Skënderbeu" me motivacion: "Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përkushtimin e rrallë në zbulimin dhe hulumtimin e rrënjëve ilire të popullit shqiptar krahas dijes dhe thjeshtësisë karakteristike të një albanologu të vërtetë".

Aleksandër Stipçeviq vdiq më 31 gusht 2015 në Zagreb.

COMMENTS