Çiftelia dhe buzuku

Çiftelia është një nga instrumentet muzikore me të cilat identifikohet me madhështi trashëgimia dhe e sotmja e kulturës tradicionale shqiptare. Ajo është një nga instrumentet e lashta muzikore në botë, prej së cilës kanë rrjedhur disa nga instrumentet e tjera muzikore me tela. Vetë emri "çifteli", që shpjegohet si fjalë nëpërmjet gjuhës shqipe, tregon se kemi të bëjmë me një instrument me dy korda. Por emri "çifteli" filloi të përdoret vetëm kur teknologjia bëri të mundur prodhimin e kordave metalike, sepse emri i vjetër i këtij instrumenti muzikor është "duter" ose "dutar", që përsëri shpjegohet vetëm nëpërmjet shqipes së vjetër, që do të thotë "dy të tjerra", pra "dy fije". Përdoret fjala "të tjerra" sepse në lashtësi kordat e instrumenteve muzikore bëheshin me qimet e tjerra (thurura) të kafshëve.

Në rajonin e Ballkanit përveç çiftelisë janë të njohura edhe instrumente të tjera muzikore me tela, ndër të cilët përmendim buzukun, me të cilin në ditët tona identifikohet kultura tradicionale greke. Në fakt, të tërë studiuesit e instrumenteve muzikore me tela e kanë pranuar se vegla muzikore e buzukut është një modifikim i vonë i tamburjasë. Por tamburjaja është pranuar botërisht në aspektin akademik, se si vegël muzikore me tre tela është një modifikim i hershëm i dutarit (çiftelisë), duke i shtuar asaj një tel, ndërsa buzuku, që dihet se është krijuar shumë shekuj pas tamburjasë, në fillimet e tij si instrument muzikor ka qenë me tre tela, që ishin të vendosur çift midis tyre në po ato oktava si tamburjaja e hershme, dhe kjo për të krijuar një tamburja me zë më të fortë dhe jo me synimin për të krijuar një instrument tjetër.

Në të vërtetë buzuku, siç e njohim ne sot me tetë tela (katër çifte kordash), është krijuar si variant vetëm midis viteve 1958-1960, dhe kjo sepse muzikës greke të atyre viteve i duhej një bazë tradicionale për të vazhduar më tej me muzikën e përpunuar, pranuar ky fakt pa asnjë ngurrim edhe nga vetë akademikët grekë.

Edhe tamburjaja, nga e cila e ka origjinën buzuku, është një instrument muzikor që, ashtu si çiftelinë, e kanë krijuar të parët tanë. Tamburja do të thotë "ta mbajnë burrat" ose "ta mburrja" dhe në të vërtetë në lashtësi tamburaja ka qenë vegël muzikore e meshkujve, kryesisht e luftëtarëve, që e përdornin për të kënduar e mburrur trimërinë e treguar në luftë dhe për të kujtuar e mburrur të rënët. Kjo është aq e vërtetë, sa në pothuajse të tëra dekoracionet e lashta, skulpturat e pikturat e vjetra anembanë Ballkanit, kryesisht në ato të shekujve 9-3 p.e.s., meshkujt luftëtarë paraqiten me tamburja në dorë, në dallim nga femra ballkanase, që në deokracionet, skulpturat dhe pikturat e vjetra të po kësaj periudhe paraqitet me një vegël tjetër muzikore, që quhet "pandora", që femrat e mbanin në një kuti të zbukuruar me dekoracione, pasi, me sa duket, ka qenë një ndër dhuratat që kryefamiljari i bënte vajzës së tij apo një dhuratë që jepej në rastet e ceremonive të bashkimit martesor.

Fjala "pandorë" do të thotë "e panë në dorë", pra e nxjerrë nga kutia, dhe me sa duket ka të bëjë me femrat që e mbanin këtë instrument në dorë dhe luanin në të për t'u dukur në publik sa më interesante dhe tërheqëse. Një tjetër shpjegim mund të jetë edhe "pa atë në dorë", pra "nuk e kishte në dorë instrumentin", që ndoshta ishte si rregull apo zakon i shoqërisë së asaj kohe që të mbahej me vete nga femrat gjatë ceremonive të ndryshme, kur dilnin në publik ose kur në shtëpi kishte vizitorë. Tamburjaja lëshonte zë të fortë dhe ishte më e rëndë sesa pandora, që kishte zë të ëmbël dhe të butë, gjë që tregon fare qartë për dallimin që i bënin dhe për rolin që i kishin përcaktuar femrës në shoqërinë e asaj kohe meshkujt e paraardhësve tanë, që ishin ata që prodhonin vegla muzikore, sepse në atë kohë, ashtu si edhe sot, punimi i drurit për të bërë vegla muzikore ishte punë e vështirë, që kërkonte forcën e krahut.

Vegla muzikore me shumë tela, që sot e njohim me emërtimin "harpa", në emërtimin arkaik quhet "qafiharp" dhe lidhet me fjalët shqipe "qafë" dhe "hark", sepse në variantin origjinal kjo vegël muzikore varej në qafë dhe harpa e parë në të vërtetë ka qenë harku i gjuetarëve, të cilët më vonë e kuptuan se me harkun e gjuetisë mund të krijoheshin edhe tinguj, hark që gjatë ecjes gjithashtu mbahet në qafë. Harpa njihet edhe me emrin "lyra" (lira), që vjen nga ylli që sot përcaktohet nga astronomët perëndimorë me emrin "Vega", yll që para rreth 14000 vitesh ka qenë Poli i Veriut, por që me ndryshimet hapësinore të mijëvjeçarëve të kaluar nuk tregon më veriun.

Të parët tanë e kanë njohur këtë yll, sepse e kanë parë me sy të lirë, pasi ai është një ndër pesë yjet më të ndritshme në qiell, që duket mjaft qartë në mot të kthjellët përpara se të bjerë nata dhe herët në mëngjes, yll që bënte orientimin në kohë dhe hapësirë të njerëzve në tokë për një kohë shumë të gjatë, deri në zbulimin e busullës. Paraardhësit tanë e kanë quajtur këtë yll me dy emra: "neservaki" dhe "lyra". Neservaki do të thotë "nesër vajti ki" ose "nesër do të bëhet ikja". Kjo e dhënë është e shënuar në librat e vjetër persë dhe arabë, ku ylli emërtohej "alneservaki" dhe përcaktohej si ylli që u printe karvaneve të udhëtarëve. Mitologjikisht popujt e lashtë të Ballkanit e paraqitnin këtë yll me pamjen e një shqiponje, që duke mbajtur veglën muzikore të lirës në këmbët e saj, shikon poshtë në tokë nga njerëzit, sepse, kur meneadat e vranë Orfeun, atij i ra lira nga dora në lumë dhe Zeusi dërgoi një shqiponjë për të marrë lirën e për ta ngritur atë në qiell, pikërisht në yllin Vega, në mënyrë që paraardhësit tanë përsëri të shikonin lirën dhe dritën e yllit të orientimit.

Lira njihet edhe si vegla muzikore e Davidit dhe e mbretit Artur, dy nga njerëzit që, sipas legjendave, kanë pasur edhe aftësi shumë të mira orientuese në natyrë. Nga romakët kjo vegël muzikore njihet si "timpani", nga persët si "zuraja" dhe nga arabët si "àsanja", fjalë që shpjegohen me shqipen e vjetër "ti mba ne", "zë-unë-ra-ja" dhe "à shaja" (është shenja)". Pra, shenja se do ndodhte diçka, ndryshimi i vendit të yjeve rreth tokës dhe rënia e yllit si dhe ngritja e lirës në qiell nga ana e Zeusit, emri i perëndisë më të rëndësishme ballkanase, që përsëri mund të shpjegohet me shqipen e vjetër "e ke zërin si unë", pra "të kam bërë ty si shëmbëlltyrën time", që fare lehtë lidhet me të tëra besimet fetare pikërisht me krijimin prej Zotit të Adamit dhe më pas i dhuroi atij Evën. Adamin e bëri sipas shëmbëlltyrës së tij dhe me zë, sepse e para ishte fjala, në krahasim me gjallesat e tjera, që nuk kishin artikulim, por vetëm thirrma. Fjala është e përbërë nga "fi-à-lë-at", pra, "i është lënë filli" i vazhdimësisë së jetës në tokë dikujt, ndërsa kur Zoti i nxori nga trupi Adamit brinjën me të cilën bëri Evën e pyeti: "A t'dhamb" (?) dhe / ose: "A t'dhemb" (?), që prej nga vjen edhe emri i njeriut të parë në tokë, emri "Adam" apo "Adem". Emri "Eva" vjen nga "e vë u(unë) at" (fjalë bazë të shqipes së vjetër, pra "e vura unë atë atje", që përshkruhet në mësimet fetare të të tëra besimeve me momentin kur Adami ishte në gjumë dhe Perëndia i vuri atij atje pranë Evën.

Për t'u kthyer përsëri në argumentin tonë të lirës, emri "meneada", që u dedikohet vazhduesve femra të Dionisit, e ka shpjegimin vetëm nëpërmjet shqipes së vjetër, sepse me vrasjen e Orfeut të parët tanë i ndanë marrëdhëniet me Dionisin, duke mos iu lutur më atij, siç bënin më parë për të pasur më shumë prodhime bujqësore dhe blegtorale, pra "me ne a da", që janë fjalë themeltare të shqipes, që do të thotë "me ne është ndarë", sepse Orfeun e vranë meneadat, vazhduese të Dionisit. Edhe në gjuhën e sotme bullgaro-maqedonase meneadat njihen si "mimalona", që në fund të fundit shpjegohet me shqipen e vjetër "mbi malet tona", sepse sipas mitologjisë meneadat, ose mimalonat, rrinin në majat e maleve të Ballkanit, larg nga sytë e njerëzve, për të bërë jetën e tyre të shfrenuar, që është edhe arsyeja se pse ato vranë Orfeun, i cili rrëfente me këngë dhe lirë jetën e njerëzve të thjeshtë, historinë e botës e të jetës dhe jo mungesën e arsyes dhe humbjen e qëllimit të jetës, rrugë në të cilën ishin futur meneadat ("Orfe", "orëfe", "do rrëfej", "u rrëfej"). Vetë emri "Dionis" shpjegohet me shqipen e vjetër "dy en i si" ose "dy enë njësoj", që tregon sasinë e prodhimit të madh që do merrej në stinën e vjeljeve, por që ka edhe një lidhje me legjendën e vjetër të paraardhësve tanë, atë të dy vëllezërve që bënin të njëjtën punë njëkohësisht, kur vinte koha e punimit të tokës, vjeljes së prodhimit, stina e shirave etj., pra "të dy njësoj", legjendë që të parët tanë ua tregonin brez pas brezi të rinjve, që ata të mësonin se si të përdornin me kujdes kohën dhe stinët e vitit për të pasur sa më shumë mbarësi.

lahuta shqiptare
Ndër të parat instrumente muzikore me kordë ka qenë lahuta, një vegël muzikore me dy pjesë, njëra është kupa me bisht, që mbahet vertikalisht dhe që ka vetëm një kordë të bërë me qime të tjerra kafshësh të egra, dhe tjetra është harku, që ka po një kordë e mbahet horizontalisht, dy pjesë, pra kordat e të cilave fërkohen me njëra tjetrën për të krijuar tingujt. Emri i vjetër i këtij instrumenti muzikor është "lutë", fjalë që lidhet me shqipen, ndoshta një ndër fjalët bazë të saj, që është fjala "lutje", ngjizje e katër rrokjeve fillestare të shqipes së vjetër që janë "le", u (unë), "në" dhe "ty", e cila ka të bëjë me faktin që njerëzit e pafuqishëm përballë dukurive të ndryshme të jetës së përditshme luteshin dhe lutjet e tyre shoqëroheshin edhe me instrumentin muzikor (që për këtë shkak e ka marrë emrin lutë - lahutë), për të pasur një kontakt më të afërt me Perëndinë, gjë mjaft e dukshme kjo në shkrimet e lashtësisë, në të cilat banorët e rajonit të Ballkanit përshkruhen se në momente të caktuara luteshin me këngë e duke i rënë instrumentin muzikor (lutës) për të pasur më shumë prodhime nga toka dhe për më shumë stinë të favorshme e kushte më të mira jetese. Lidhja bëhet edhe më e fortë për shkaqet ceremoniale të aktit të lutjes, kur njerëzit duhet të ishin të larë dhe të pastruar, sepse do të dilnin përpara Zotit për t'u dëgjuar nga Ai dhe me sa duket nga lutë emri filloi të bëhej lahutë, pra: "laj, hyu (hyjnia), unë, të (ty)", ose "lahu e pastrohu e këndo me lutë që të hysh në marrëdhënie me hyjninë, që Ai të të pranojë në komunikim". Lutja është momenti dhe elementi më i rëndësishëm në kronologjinë e vazhdimësisë së njeriut në planet, sepse përcakton etapën kur qenia njerëzore filloi të shkëputej nga perënditë e shumta në të cilat besonte dhe, si e tillë, lutja u krijua për të forcuar lidhjet e humbura dhe/ose të dobësuara me Zotin (momenti kur njerëzit filluan të besonin se Zoti ishte një dhe vetëm një) dhe me sa duket janë paraardhësit tanë ata që kanë menduar për këtë lidhje, pa të cilën bota e tyre nuk do të kishte asnjë kuptim, lidhje që bëhej edhe më kuptimplotë si proces kur lutja bashkëshoqërohej me këngën dhe veglën muzikore (lutën) dhe njerëzit duhej të ishin të pastër nga ana trupore, marrë këtu në konsideratë edhe faktin se në atë kohë trupi konsiderohej si i pandarë nga shpirti dhe, si i tillë, procesi i pastrimit të trupit shikohej edhe si procesi i pastrimit të shpirtit gjatë përpjekjeve për komunikim me Zotin.

Luta pranohet sot nga të tërë akademikët në rrafsh evropian dhe më gjerë pa asnjë përjashtim se është instrumenti më i vjetër dhe më primitiv në Europë dhe se violina e sotme është një pasardhëse e denjë e saj. Edhe varianti kroat i kësaj vegle muzikore, që quhet "gousle", shpjegohet vetëm me shqipen e vjetër, dhe kjo për faktin se kroatët janë pasardhës të asaj pjese të fisit ilir të dalmatëve, që u asimiluan nga sllavët, dhe fjala "gousle" mund të shpjegohet me gishtin që i bie instrumentit dhe aktin e mbarimit të të kënduarit me këtë instrument dhe me pjesën e gushës, ku mbështetet instrumenti kur përdoret. Në të tëra rastet e gjetjes nga arkeologët të varianteve arkaike të këtij instrumenti, fundi i bishtit të kupës mbaron me një kokë dhie, simboli i hershëm i ilirëve dhe simboli i përkrenares së Gjergj Kastriotit. Vërtet luta është vegla më e thjeshtë muzikore me korda në botë, por ajo për ne shqiptarët është më rëndësishmja midis të tëra atyre, dhe kjo për dy arsye: e para, sepse është një ndër veglat muzikore fillestare me korda e qenies njerëzore; dhe e dyta, sepse emri i saj shpjegohet vetëm dhe vetëm nëpërmjet shqipes së vjetër.

Sharkia, një tjetër instrument muzikor me korda, është një modifikim i çiftelisë, së cilës në shekujt 17-të, 18-të iu shtuan edhe dy korda të tjera dhe u zgjat si instrument, pasi këtë e lejoi përdorimi i kordave metalike, derisa ne sot e njohim si sharkinë e zakonshme me pesë tela, por ka edhe variante me më shumë tela. "Sharki" në shqipen e vjetër do të thotë "çfarë kije", pra "çfarë ke", që luan me këtë instrument apo që i bie këtij instrumenti. Edhe ky instrument në kohët e vjetra përdorej për të shoqëruar ngjarjet më të rëndësishme të jetës së njerëzve: lindjet e fëmijëve, problemet, hallet e gëzimet e ndryshme të jetës, vajtimin e njerëzve të humbur për shkaqe nga më të ndryshmet, ndër të cilët lufta me natyrën dhe me fiset e tjera pushtuese kanë qenë kryesoret. Pra, "çfarë të ka ngjarë".

Emrat e këtyre instrumenteve muzikore janë njësoj në tërë popujt e Ballkanit dhe është i padiskutueshëm fakti që pothuajse të tërë emrat e veglave muzikore me tela të rajonit të lashtë të Ballkanit mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet shqipes, dhe kjo sepse në pothuajse të tërë emrat e këtyre instrumenteve ka fjalë bazë të gjuhës shqipe ose fjalë që shpjegohen vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Kësaj dukurie nuk i shpëton as buzuku. Fjala "buzuk" nuk është tjetër veçse bashkimi i dy fjalëve shqipe: "buzë" dhe "ujk", që janë dy nga fjalë kryesore të shqipes. Fjala "buzë" është e prejardhur nga fjalët "bëj u (unë) zë" dhe/ose "bëju zë", që janë fjalë bazë të shqipes së vjetër, ndërsa fjala "ujk" lidhet me një nga kafshët e egra që ende dhe sot është mjaft e përhapur në rajonin e Ballkanit, që lëshon një zë të fortë dhe të zgjatur. Dhe për më tej, në lashtësi, përpara se të zbutej paraardhësi i kalit, kordat e veglave muzikore bëheshin me qimet e kafshëve të egra dhe një nga kafshët që vritej më shumë, për shkak se ishte armiku i njeriut, ishte ujku, qimet e bishtit të të cilit tirreshin (thureshin) e bëheshin korda. Gjithashtu, edhe nëse buzukut të vjetër me tre çifte kordash i bie fort, ai lëshon një tingull që ngjan me ulërimën e ujkut, pra e "bën zërin si ujk". Nuk është rastësi që në pikturat e periudhës së luftës për pavarësinë e Greqisë (fundi i shekullit të 18-të) arvanitasit, që ishin shpirti dhe zemra e revolucionit grek, paraqiteshin me veshjen e tyre karakteristike, me shpata, allti e pushkë të gjata dhe me tambure dhe/ose buzuk në dorë. Në gjuhën greke nuk ka asnjë fjalë që të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me fjalët "buzë" dhe "ujk", që janë pa dyshim dy fjalë të rëndësishme të gjuhës shqipe.

Në variantin turk të instrumentit të vjetër të buzukut me tre çifte telash emri është "dyzen", që përsëri shpjegohet vetëm me shqipen, që do të thotë "dy zëra", pra tela dyshe që lëshojnë të njëjtën zë, ndërsa në turqishten e vjetër tamburjanë e emërtonin "sazë", që përsëri shpjegohet me fjalët shqipe "sa" dhe "zë", pra "sa shumë zë që lëshon" dhe prej këtej duket ka ardhur edhe fjala "saze" për muzikën që luhej në përgjithësi nëpër qytezat ballkanase nga fundi i shekullit të 17-të e në vazhdim.

Fjala "mandolinë", një instrument muzikor me katër çifte telash me bisht më të shkurtër se sa buzuku (vitet e fundit janë prodhuar variante me pesë çifte telash), që përsëri përdoret shumë në Greqi, mund të shpjegohet me shqipen, që do të thotë "ma nep dollinë", pra bjeri mandolinës dhe ma kalo radhën e dollisë, sepse do të këndoj e do të bëj dolli shoqëruar me muzikën e instrumentit muzikor në fjalë, pa u zgjatur këtu me fjalën dolli (doli), që ka të bëjë me çastin e daljes së dhëndrit në derë me nusen përkrah, çast kur të tërë urojnë e ngrenë dolli duke kënduar. Për më tepër, emri i vjetër i mandolinës është "mandolli", ose "mandollë".

Në fakt, përveçse emrat e këtyre instrumenteve muzikore nuk mund të shpjegohen me ndonjë gjuhë tjetër ballkanase përveç shqipes së vjetër, emërtimet e këtyre instrumenteve muzikore të shpjeguara më lart nuk mund të shpjegohet as edhe me ndonjë fjalë të ndonjë gjuhe tjetër evropiane.

Meqenëse luta, lira, çiftelia, tamburaja, pandora, sharkia, etj. janë instrumentet më të vjetra me korda në Ballkan dhe sipas disa burimeve me sa duket edhe në Evropë, prej kohësh sllavët, e sidomos sllavët e jugut, kanë bërë përpjekje që t'i trajtojnë ato si instrumente muzikore të tyre, pra me origjinë sllave, dhe kjo jo sepse sllavët nuk kanë instrumente muzikore specifike të tyre e se u duhet një i tillë, por sepse synimi i vërtetë i tyre është përvetësimi i baladave të kreshnikëve të të parëve tanë, baladat që në fakt janë zemra e kulturës dhe traditës ballkanase dhe ndoshta edhe e traditës së hershme panevropiane, balada që për shkak të cilësive specifike dhe karakteristikave të tyre unikale në rang botëror nuk është se mund të shoqërohen lehtësisht me balalajkë apo fizarmonikë. Arsyeja tjetër për këtë ngutje për të përvetësuar këto instrumente muzikore dhe për t'i bërë pjesë të trashëgimisë mitologjike kulturore sllavoserbe dhe/ose grekomaqedonase është afërsia e atyre që i kanë përdorur këto instrumente me shpirtin, afërsi që tregon më së miri lidhjen e fortë të njeriut me natyrën dhe krijuesin, që me sa duket të parët tanë e kanë pasur mjaft të fortë, dhe kjo jo pa shkak, por për faktin se paraardhësit tanë janë më të hershmit në Evropë dhe se gjuha e të parëve tanë, shtrati i vërtetë i gjuhës së sotme shqipe, është, siç thekson edhe shkruesi më i njohur i gjuhës shqipe në botë, Ismail Kadare, "një ndër dhjetë gjuhët më të vjetra të botës".

Lira, luta, dutari, sharkia, tamburaja dhe pandora, së bashku me buzukun e mandollën janë instrumentet kryesore muzikore që u shpërndanë në rajon dhe më gjerë gjatë shekujve, instrumente që u dhanë jetë dhe shpirt dhjetëra instrumenteve të tjera me korda që përdoren edhe sot në rajon dhe më gjerë në tërë kontinentin evropian, instrumente virtuale dhe origjinale të paraardhësve tanë, që shprehin qartë shpirtin e mrekullueshëm të tyre dhe që shpjegojnë mjaft mirë hershmërinë e shqiptarëve në Evropën Juglindore dhe specifikisht në Ballkan si dhe që hedhin dritë edhe mbi shkallën dhe nivelin e parësisë universale të qenieve njerëzore në kohë dhe hapësirë.

Nga Enriko Ceko

COMMENTS