Kur Hylli i Dritës ndalohej në Jugosllavi

hylli i drites reviste kulturore e atdhetare
Në të përditshmën "Obzor" të Zagrebit (Kroaci) - vj. 71, num. 145 - lexohej:

Beograd, 31 Maj.
Me vendim të ministrisë së punëve të brendshme, num. 14.378, 26 Maj 1930, ndalohet në shtetin tonë futja dhe shpërndarja e revistës "Hylli i Dritës", e cila në gjuhën shqipe del në Shkodër e shkruan kundër interesave të shtetit tonë. (A.A)


Në këtë rast redaksia e revistës "Hylli i Dritës", në qershor 1930, shkruan:

Artikujt e "Hyllit të Dritës" që ka të ngjarë t'i kenë ra në sy qeverisë jugosllave, nuk mund të jenë tjetër, veç dy artikuj të botuar mbi Atë Shtjefën Gjeçov dhe vjershat e Lahutës së Malcis.
Është e vërtetë se ne rreptësisht kemi protestuar kundër vrasjes së Atë Gjeçovit, sikurse kundër një vrasje kaq të turpshme, do të ketë protestuar çdo Jugosllav i ndershëm. Por nuk arrijmë të kuptojmë si protestimet tona kanë mund me qenë kundër interesave të shtetit jogosllav. Mos ndoshta qeveria jugosllave ka pritur prej nesh që t'i thënkëshim gjakësorëve të Atë Gjeçovit: Ju lumtë pushka!?


Sa për vjershat e Lahutës së Malcis, këto këndojnë luftërat e kohëve të kaluara, në të cilat Shqiptarët iu dolën zot vendeve të veta kundër mësymjeve nga malazeztë, e në këto vjersha çmohet edhe trimëria e këtyre të fundit.

"Hylli i Dritës" nuk merret me politikë dhe si e përkohëshme letrare e diturore ka pranuar me gëzim edhe bashkëpunëtorë të huaj, ndër këta kanë qenë edhe jugosllavë.

Në Beograd botohet e përkohëshmja "Arhiva za arbanasku starinu, jezik i etnologijo", e ne jo vetëm që nuk kemi pasë ndonjë kundërshtim kundër sojet, por me gëzim e kemi lexuar edhe kemi pasur korrespondencë diturore me shkrimtarët e saj, pse e dimë se literatura e dituria nuk do të ndërliket me politikë. Na vjen keq që qeveria jugosllave ka vepruar ndryshe me ne.

Ne nuk na bën shumë dëm ndalimi i "Hyllit të Dritës" në Jugosllavi, pse atje s'kemi një numër të madh pajtimtarësh. Por na vjen keq, pse qeveria jugosllave nuk i ka lënë nderë vetes, duke ndaluar në shtetin e saj një të përkohëshme diturore, vetëm pse është shkruar në gjuhën shqipe.
Në këtë mënyrë nuk bëhen miq Shqiptarët.

COMMENTS