Martin Gjoka, kompozitor dhe përpunues i muzikës popullore

Pëfaqësuesi i tretë i brezit të muzikantëve shkodranë është Martin Gjoka, i cili përfaqëson dhe shkallën më të lartë të zhvillimit të vetë këtij brezi si dhe të vetë zhvillimit të muzikës shqiptare të kësaj periudhe. Ai përbën urën kalimtare midis krijimtarisë gjysëm profesioniste të Palokë Kurtit e Frano Ndojës dhe zhvillimit të gjërë profesionist që muzika shqiptare do të merrte në gjysmën e dytë të shekulli të XX. Ndryshe nga paraardhësit e tij, të cilët u formuan në mjediset e ahengut shkodran, Martin Gjoka u formua në Austri, ku krahas studimeve për teologji që ndoqi, mundi t'i zhvillojë dhe prirjet e tij muzikore, duke marrë një edukatë të mirë profesioniste. Pra, ai paraqitet në sferën e krijimtarisë shqiptare si kompozitor dhe përpunues me vlera vërtetë profesioniste. Përveç meritave si drejtues orkestrash frymore, me anë të të cilave ai tentoi të ngrerë nivelin e interpretimit të këtyre formacioneve, si kompozitor vepra më me rëndësi për sa i përket përpunimit të muzikës popullore, padyshim është "Rapsodia mbi këngën popullore shqype" (1922) e shkruar për formacion të plotë orkestral. Kjo vepër përbën dhe kulmet e zhvillimit artistik e profesional të gjuhës muzikore të vetë kompozitorit, shkallën pra më të lartë të rritjes së individualitetit krijues të tij. Ndryshe nga paraardhësit, ai iu drejtua muzikës së fshatit të zonave Veriore, e veçanërisht të Malësisë së Mbishkodrës dhe të zonave të tjera të Veriut. Në këtë vepër ai përmblodhi gjithë synimet krijuese të tij, të mbështetura në muzikën popullore, duke dalë nga caqet e përpunimit të saj, e duke krijuar kështu vepër të frumëzuar e me tipare të larmishme popullore.

Martin Gjoka, gjatë periudhës 30-vjeçare në të cilën shkroi, krijoi në shumë gjini të muzikës, duke u paraqitur si një kompozitor me të vërtetë profesionist. Për sa i përket muzikës vokale ai shkroi koralen "O ata të lumët", kuartetin vokal "Atmes", këngën lirike "I dëbuemi", baladën "Gruaja Shqyptare, kurse në lëmin e veprave me përmasa të mëdha të muzikës vokale, ai shkroi melodramën "Shqyptarja e qytetërueme" si dhe veprën "Juda Makabe", e cila përbën përpjekjen e parë për kompozimin e operas shqiptare. Nga veprat më me rëndësi që ai krijoi në lëmin e muzikës orkestrale dhe simfonike, përmendim "Dy lule mbi vorr të Skanderbegut", të cilën e shkroi për orkestër të plotë simfonike. "Dy lule mbi vorr të Skanderbegut" është një krijim i zgjeruar liriko-orkestral dhe dallohet për drejtimin e theksuar romantik. Dramaturgjia e saj ndërtohet nga dy linja kontrastuese, njëra lirike e tjetra epike.

Në përgjithësi, veprimtaria krijuese e Martin Gjokës i kalon caqet e arritjeve muzikore të 10-vjeçarit të dytë të shekullit të XX, duke pëfaqësuar kështu ngritjen e nivelit të krijuesve shkodranë, e duke i hapur rrugën zhvillimit që muzika do të merrte në shumë aspekte, pas gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.

Fragment: "Tre beza të muzikantëve shkodranë" nga Zana Bihiku (studiuese në fushën e historisë) / Revista Kuvendi, 1992.

martin gjoka at martin gjoka
Martin Gjoka lindi në Tivar, më 20 shkurt 1890. Kur ishte 15 vjeç, ndoqi studimet në shkollën e etërve françeskan në Shkodër. Në këtë qytet ai njihet me dy muzikantë të shquar të kohës, Palokë Kurti e Frano Ndoja. Ato, duke parë tek ai një djalosh të zgjuar e me zotësi të veçanta, e mbajnë afër. Kështu, Martini nuk mungonte thuajse asnjëherë kur bandat e tyre jepnin aty-këtu shfaqje në raste festash të ndryshme e mitingje. Në vitin 1908, kur ishte 18 vjeç, eprorët e shkollës françeskane e dërgojnë për të vazhduar studimet në Salzburg (Austri); qytet i njohur në mbarë botën për arkitekturën e tij dhe për marrëdhënien që ka me muzikën - vendlindja e Wolfgang Amadeus Mozart. Martini nuk mund të rrinte pa përfituar nga ky rast. Përveç filozofisë e teologjisë, ndoqi edhe një shkollë muzike; aty mësoi të luaj në piano, violinë e flaut. Me ato njohuri muzikore që kishte akumuluar filloi të kompozojë; "Atdhe dhe gjuhë shqiptare" e "Liria" njihen si dy kompozimet e para të tij, të cilat i shkroi në vitin 1910.

Pak kohë para se të shpallej pavarësia e shqipërisë, pikërisht në vitin 1912, Martin Gjoka mbaroi studimet dhe kthehet në atdhe. Tashmë ishte një meshtar i ri dhe muzikant i talentuar, që kishte studiuar filozofi, teologji dhe muzikë në një nga qytetet më të përmenduara për kulturë në botë. Punoi si kapelan në burgun e Shkodrës, mësues historie në liceun "Illyricum" e si mësues muzike; për pëgatitjen muzikore të elementeve të rinj mbi baza profesionale, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e muzikës shqiptare. Mjafton të përmendim disa nga nxënësit e tij, që më vonë u bënë muzikantë të shquar dhe pedagogët e parë të Shkollës së Muzikës, si; Çesk Zadeja, Tonin Zadeja, Tish Daija, Zef Alimhilli, Prenkë Jakova, Tonin Rrota, Pjetër Dungu, Zef Gruda, Lukë Kaça, Gjon Kujxhia, Simon Gjoni, Abdulla Grimci, Tonin Harapi, etj.

Krijimtaria e Atë Martin Gjokës është e larmishme si formë e tematikë. Temat e veprave vokale, instrumentale, simfonike e operistike, që më së shumti e kanë frymëzuar kompozitorin Gjoka, përkojnë me aspiratat e kombit në atë kohë. Përmendim: "T’falem Shqypni", "Grueja shqyptare", "Ushatari i vogël", "Shqiptari e muzika", etj.

Martin Gjoka vdiq në Shkodër më 3 shkurt 1940.

COMMENTS