E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë; Një jetë e re po lulëzon gërmadhash

qemal stafa qemal
Fjalë të arta, fjalë plot kuptim! Tash sa vjet duelën rrjedhshëm prej pendës së nji idealisti të madh, Shilerit, shpirti i të cilit, i etshëm për gjana të reja, ndër të cilat vendin ma të parë e zë liria e popujve, lëshonte za kushtrimi në shkretinën e thatë të idealizmit të asaj bote të vjetërueme ku rronte.
Shileri e kishte kuptue të vjetrën.
Edhe na e kemi kuptue.
E vjetra asht çdo gja që kohnat e kalueme na kanë lanë. Sistemi shoqnuer, arti i dikurshëm, feja, dasia midis popujve, janë të tilla. Njeriu vetvetiu i prirun nga përparimi, i sheh të metat e kohënave të kalueme, dhe dëshiron t'i ndreqë. Këndej shpikjet e reja të çuditshme në çdo lamë të kulturës.

Dëshirën e rrënimit të së vjetrës e ka dishmue ku e kur ka pasë: fancezi me Revolucionin e madh të Francës, Galileu me ligjin e tij, Lindbergu në udhëtimin prej Amerike në Francë, rusi me ndryshimin e sistemit shoqnuer ... (borgjezë, hapni veshët mirë!).

Tash të vërejmë imtësisht e mirë të gjitha sendet e vjetra.

Sistemi shoqnuer i sotshëm, asht ai i sa mij vjetëve, i ndryshuem disa pika, por aq pak, sa që nuk bie në sy.
Bota asht e ndame në kontinente, këto në shtete, shtetet në qytete e krahina, derisa mbrijmë ke njeriu e ke idetë e tij. Pasunia, që asht pika e mbështetjes së të gjitha veprimeve, asht damë keq (hapi sytë sa të duesh, kapitalist!).
Njeni nga ne ka miljarda, n'sa tjetri nuk ka asnji dysh. Disa kanë toka të gjana për mbjellje, n'sa t'afërmit e tyne nuk kanë as bukë (bukë, them, të hanë!).
Thonë që asht zhdukë skllavnia. Jo, nuk asht zhdukë, por ka marrë nji trajtë tjetër, atë të ndihmës. Në vend të kamxhikut të drejtuesit të robve asht penda e bankierit; në vend të kasher agait asht polici që regjistron gratë publike, viktimë të vorfnisë dhe të padrejtësisë së shoqnisë.
Nuk flas për shpatat e jeniçerëve të zavendësueme me karrigen elektrike.

Të gjitha këto i kemi trashëgim prej kohëve të kalueme, pse e kanë burimin në ndamjen e pasunisë.

T'ishte pasunia e ndame me drejtësi, barabar, e të punojshim të gjithë njerëzit e botës për nji qëllim, sa e ndryshme do t'ishte jeta! Statistikat zyrtare diftojnë haptas se gjaksinat ma të tmerrshme, vjedhjet ma të mëdha, kanë pasë shkak vobekësinë.
Prej këndej shohim se asht e domosdoshme të ndryshojmë ndamjen e sotme të pasunisë (gja e vjetër) e ta zavendësojmë me nji ndamje të drejtë e të njinjishme (gja e re). Rusët e kanë ba që me kohë: shembull ky se e vjetra shembet.
Edhe ne do ta bajmë.

Të shofim fenë, opiumin e popujve.
Në kohnat e vjetra populli nuk i kuptonte këshillat e drejtuesve të tij. Për me e ba arabin të lahej e t'i pagunte taksa Kalifit, ishte nevoja e nji Muhamedi që t'i predikonte popullit injorant se asht (ekziston) nji zot që i çon në xhehnem ata që nuk lahen, që nuk bajnë gjimnastikë, e nuk lajnë rregullisht taksat. Deri këtu asht mirë. Por të shohim këto të tjerat.
Nën maskën e këtyne rregullave sa e sa poshtërsina u banë! Sa e sa herë turma e popullit, e qorrueme prej drejtuesve të fesë së saj, u bante robnues i nji tirani: "Jepni Çezarit ç'asht e Çezarit e Zotit ç'asht e Zotit".
Sa bukur e diftojnë këto fjalë qëllimin e fesë!
Ku ka nji kishë, aty ka nji mbret.
Shekulli XX po e shkatërron të vjetrën. Në vend të saj shton shkollat laike, të majtuna prej shtetit, plotëson biblioteka, lavron shkencat (armiket ma të mëdha të fesë: ku je, Galilej, para turrës së druve?), shndërron kishat e xhamit në muzeume antiklerikale.

Të vijmë tek arti.
Arti i deritanishëm, që veç trajtës së bukur nuk ka tjetër cilësi, nuk i përmbush nevojat tona. Ç'më duhet mue nji poezi e bukur në trajtë, por e vorfën në ide? Nji pikturë me copa të bukura, por pa ide?
Poezia e sotshme nuk ka aq bukuri të trajtës, sa t'idesë. Mos kërko në kuadrot moderne gra të bukura, skema idilike, shenjtorë të rrethuem me ngjyra të gjalla, mundimin e nji hamalli kur ngre nji arkë të madhe mbush me... shishe shampanje.

Edhe na shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën.
Mbi të do të ngrehim madhënisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunisë (në vështrim të begatisë; shënim i N.J).
Kemi besim në vetvete, prandaj gëzojmë.
Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjetëvjeçar që ju flet.

Shkodër, më 19 qershuer 1935.

__________

Është një nga hartimet e Qemal Stafës, shkruar në vitin 1935, kur ishte nxënës i klasës së pestë në gjimnazin shtetërorë të Shkodrës. Tema e hatimit u xuar nga dy vargje të dramës "Vilhelm Teli" të Frederik Shiler, të përkthyer nga Skënder Luarasi që aso kohe jepte lëndën e letërsisë në klasë e Qemalit. Hartimi u lexua në klasë dhe bëri jehonë ndëmjet nxënësve të gjimnazit. Nxënësi 15-vjeçarë u thirr në drejtorinë e shkollës dhe iu tërhoq vërejtja.
U botua për herë të parë në gazetën "Rinia", më 15 maj 1949.

COMMENTS