Mësuesit e hershëm të Shkodrës

Karl Gurakuqi Karl
Më i pari mesuës, që dihet se ka qenë në Shkodër dhe për të cilin na flasin pleqtë, qe shkodrani Gegë Kodheli, i cili njihej prej popullit me mbiemrin Bushiqi. Ndoshta quhej me këtë emër, pse ishte i shëndoshë dhe shkurtalaq.

Rreth vitit 1830 çeli një shkollë të vogël, në atë shtëpi ku banoi më vonë Gaspër Mikeli, në lagjen Serreq, në rrugën Don Jak Vasija: shkollën e tij e ndiqnin rreth 50 kalamaj dhe secili nga ata paguante 2 deri në 4 Groshë (grosh/i; monedhë turke që përdorej edhe në vendin tonë) në muaj, sipas gjendjes ekonomike të familjes të çdonjërit. Fëmijët që ndiqnin shkollën e Gegë Bushiqit mirrnin me vete ushqimmin e drekës, hanin bashkë me mësuesin; në dimër, në klasë pranë votrës, dhe në verë, n'oborr të shkollës. Në kohën e drekës Gega tregonte përralla, të cilat nxënësit i përsëritnin në klasë, dhe atij që i mbante në mend më mirë, i falte pare dhe fruta. Mësimi vijonte deri vonë, dhe nga mbrëmja dërgonte njërin nga nxënësit që të pyeste sa ishte ora, tek njëfarë Prend Shani, i cili e kishte dyqanin aty ku ka qenë prestaria e Zef Nikollës, babai i Tefë Gerës dhe i Lacë Gerës.

Një mësues tjetër, me cilësi mësimore më të larta se Gegë Bushiqi, dhe që çeli e mbajti një shkollë më të rregulluar, me njëfarë sistemi didaktik, ishte Gjergj Benussi (alias Benushi). Ky qe nënshtetas i huaj nga Rovigno (Istria), dhe duke mos ditur shqip, mësonte italisht. Shkolla e tij u çel në vitin 1836 në rrugën e Jezuitëve, ku ka qenë shtëpia e Gaspër Benussit. Duke qenë se nxënësit e shkollës së Gjergj Benussit u shtuan tepër, në vitin 1856 pasanikët e Shkodrës bënë një mbledhje në dyqanin e Ejëll Çekës, për të biseduar mbi hapjen e një shkolle popullore të rregullt. Në atë mbledhje vendosën të thirrnin katër mësues prej Trieste, ose prej Venediku (Venecia). Për kët qëllim dhanë 40 Napolona (napolon; monedhë ari), por duke qenë se kjo shumë nuk mjaftonte, hyri ndërmjetës konsulli i atëhershëm i Austrisë, V. Ballerini, i cili dërgoi për këtë çështje një letër qeverisë së vet në Vjenë dhe brenda gjashtë javëve i erdhi përgjigjja prej Ministrisë së Jashtme, se qeveria austriake mirrte përsipër pagesën e rrogave të mësueve. Në mbështetje të këtij premtimi, Shkodranët morën këta tre mësues: Mark Bebeschini, Gjuriq, Luigj Katraniq dhe bashkë me Gjergj Benussin, që gjendej në Shkodër, hapën një shkollë me katër klasë në shtëpinë e Kolë Ndrekë Krajës, ku ka qenë mungadja e Françeskanve të lagjes Gjuhadol. Kjo shkollë nuk pati jetë të gjatë, pse tre mësuesit e parë u mërziten dhe ikën në vende të tjera, dukë mbetë përsëri vetëm Gjergj Benussi, i cili tashmë fliste shqip dhe ishte bërë gjysmë shkodrani, pse emri i tij ishte i lidhur me fatin e qytetasve.
Gjergj Benussi vdiq në vitin 1869, duke lënë si vijues të tij të birin, Gaspër Benussi, i cili vazhdoi punën e babait, duke mbajtur për dymbëdhjetë vjet rresht një shkollë private shqipe në shtëpin e vet. Prej tij kemi një "Abetar", të shtypur në Bukuresht në vitin 1886, edhe një libër tjetër "Shqiptari i mësuem në gjuhë të vet".

Në rradhën e mësuesve të hershëm të Shkodrës nuk duhet harruar edhe Gjon Shkrumi. Shkolla e Gjonit ndodhej aty ku ka qenë prestaria e Zef Nikollës, për të cilin folëm më lart. Gjoni mësonte shkrim e këndim në gjuhën shqipe; për mësimet që jepte, çdo nxënës e paguante 3 Groshë në muaj. Në odë ku bënte mësim, zinte edhe gjellë; në klasë rrinte këmbëkryq pranë votrës, me mashë në dorë, dhe nxënësit i rrinin rrethas. Për tryezë kishte një bidon vajguri.

Një tjetër mësues, që përmendej shumë në Shkodër, është Jak Speci. Emri i tij i vërtetë është Jaku i Tush Mark Krajës, por ngase ishte i egër dhe idhnak, kalamajt e patën mbiemërzuar Speci. Shkollën e kishte në një odë përdhese, në lagjen Serreq kundrejt Kishës së Madhe. Ai vetë, ashtu edhe nxënësit e tij, shkruanin me pupla patash, të cilat i shpuplonte vetë Jaku për 30 kalamajt, që ndiqnin shkollën e tij. Gjatë mësimit pinte duhan me çubuk. Çdo nxënës i paguente 5 Groshë në muaj, dhe në stinën e dimrit, gjysmë okë (okë; njësi e vjetër peshe rreth një kilogram e një çerek deri një kilogram e gjysëm, sipas krahina të ndryshme) qymyr; por edhe Konsullata austriake e paguante 15 Napolona në vit.

Bashkëkohës me Jak Specin qe Shor (Signor) Markja, për të cilin dihet vetëm se ishte italian; ky u mësonte fëmijëve në shkollë përralla dhe pak shkrim edhe këndim. Por shkolla e tij qe jetëshkurtër për shkak se ishte gjithherë dejshëm dhe pse mësonte vetëm italisht, nxënësit ikë prej tij e shkuan në shkollën e Jak Specit.

Kjo ishte me pak fjalë gjendja shkollore e qytetit të Shkodrës para se të çelej Shkolla Françeskane (1855). Shkollat e hershme nuk patën ndonjë rëndësi të posaçme, pse u mungonin mjetet e duhura, ashtu edhe forcat mësimore ishin në një shkallë të ultë. Por, duke marrë parasysh kohën, në të cilën vepruan, duhet të dëshmojmë se kanë bërë një shërbim të madh, pse, në mos patën bërë tjetër, mjaft është, që luftuan analfabetizmin, duke mbajtë gjallë shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe. Këtë gjë na e provojnë pleqtë e plakat, që dijnë të shkruajnë dhe të lexojnë gjyhën amtare.

Karl Gurakuqi

Shënim i autorit: Këto informacione, si dhe të tjerat mbi mësuesit e hershëm të Shkodrës i mora prej Z. Gaspër Benussi, të cilit i bëra një vizitë bashkë me Z. Mid'hat Frashëri më 5 dhjetor 1927.


Grupi i mësuesve të qytetit të Shkodrës në vitin mësimor 1923-1924


Mësuesit e Shkodres

Rreshti i parë nga e majta, lart: Rexhep Abazi, Ashim Kopliku, Neki Kraja.

Rreshti i dytë: Hamdi Gogaj, Shuajp Domnori, Gani Dizdari, Hamdi Bushati, Riza Neshani, Teofik Gjyli.

Rreshti i tretë: Rexhep Dibra, Ruhi Zaka, Smajl Anamali, Ragip Hoxha, Jonuz Çajku.

Rreshti i katërt: Ragip Gjylbegu, Qamil Quku, Mehmet Gjyli.

COMMENTS