Kënga e Moisi Golemit

Mojsi Golemi, Moisi Golemi, Moisi Arianit Golemi,
Kuer pán Turqt se ç'priti e ç'bani
Mojs Golemi Kapitani:
Se si kryet i a preu Delís,
Se si e hodh n'mjedis t'ushtrís,
Si vû n'shpotë, medjè, edhè Mretin,
Qi njaq t'madh e ka pushtetin
Sa pa tê s'bân dielli dritë,
(Si Ulenaja e kan leçitë,)
Ata fort na jânë merzitë,
Ata fort na jânë idhnue,
Teper keq ke u ka qillue:
Me mytë kaurri nji Turk dinit,
Edhe shndosh, mbi shpinë t'vrâçinit,
Aj me u kthye n'gjytet të Krues
N'voter lavd me i qitun grues
Se si e preu t'bir'n e lugatit,
Deli Cenen prejë Bagdatit,
Mikun e Sulltan Muratit.
Po, 'i herë s'parit me shoshojnë
Ulët ket punë po e bisedojnë;
Por, mandej, me fjalë t'u nzitun
Nisen të madhe me bertitun,
Sa prej vigmet e brigimit
Ushtoj gollja e pakthillimit.
A t'ka ndollë ndoj herë me ndí
Se si luâj, bisha edh' ari,
Meçka, drêj e tigra t'leta,
Orla, shqype e kaçabeta,
E tjerë shpend, tjera shkerbé,
Larg të xânuna mbi dhé
E qi n'moje t'nji gjytetit,
Bajtë e majtë me ar t'ndoj mretit,
Me qinda gjallojn nder stela,
Vallue n'hekur, thuer me tela:
A ké ndi, po tham, si ulrojnë
Se si lehin, se si ungrojnë
Si vekrrojnë, si fishkullojnë,
Kuer t'i a mrrîjë ajo kohë ditet
Gjella para qi t'u qitet,
Njashtu Turqt, po, bân me ushtue
Rrokull ajrin tue ligjrue,
Kuer u nis Mojsi per Krue,
Mbasi ktij i pat metë mejdani;
Veç se Mojsi, si aj luâni,
Qi, prej vathit dalë tuj kthye,
Krejt fulqîjsh me gjak perlye,
As me kqyrë nuk dredhë me sŷ
Qênt qi lehin mrapa tí,
Aj mbî shpînë të vraçit t'zí,
Po shkon udhës pa kurrnji droe,
Turqt per rreth pa i vû n'oroe.

Veç s'bân keq, tham, me i grahë kalit
Mojsi i Dibers, e brîs s'malit
Me i u njitë me hî në Krue;
Persè, besa, fort po drue
Mos t'na bîjë ndoj punë e ligë,
Turku fort do pasun frigë:
Trim ka kênë heret e vonë,
Edhè m'besë s'e ké gjithmonë.
Por kahë krisi kjo kumonë ...
A kumonë a, shka me thânë,
Qi po rreh kështû m'njânë ânë? ...
A mos t'jetë tuj hî kush n'dhé,
- Kû do t'hîj kushdo ka lé! -
E tue ra kumona n'kishë
T'kshtênët e feshem ajo i grishë,
Per m'i u lutë Atit t'Pushtueshem
Me pasë mshrirë në gjygj t'trishtueshem
Ndaj at shpirt, qi dheut u dá?
Ah! Kumonë, jo s'â tue rá,
S'rreh kumonë, jo, tash per mallë
As per të dekun as per të gjallë,
Kuer të gjallët i lodhë nevoja;
Veç, ushton, po, e arenzët muroja,
Në krah të Mojsit ndê si hâna,
Kahë dý t'prehta patershâna
Mndershim tue fishkllue n'ajrí,
Per te ndeshen me furí.

Po, dy Turq, dy jeniçerë,
Dy gjarpîj tanë helm e vnerë,
Nder mâ t'idhtë qi ngrofte Azija,
Tuj pá Mojsin se kahë shpija
Shndosh po kthete m'mâje kalit,
Si ajo rêja krés s'nji malit,
Ata mâ nuk mund u ndalen,
As mâ andej s'e tueren fjalën,
Por tue sjellun sa kû muejten,
Me dý heshta t'randa e gjuejten,
Me dý t'randa patershâna
N'zí qi pshtjellë kishin sá nâna.

Kuer ndien Mojsi si muroja
M'krah i ushtoj e shunglloj Kroja,
E se Turqit, mbushë me resë,
Aty dojshin me e pré n'besë,
Vrik aj drodh kalin tuj ngá,
E, ndê heshten sa nji trá,
U lshue kulm mbî Tyrkushakë,
Si skyferi m'zogj trumcakë;
E mâ t'parit, n'ndesh qi e hasi,
Heshten kthellët m'parzme i a rrasi,
E cilla n'kurrîz, ka' i duli,
Me mushkní shpirtin i a shkuli.
Masandej msyni të dytin,
E me heshtë i a shporoj fytin;
Mandej t'tretin per mbas ktí,
Dekun m'tokë tue e karraní.
Bre, kisht' kênë ky 'i Turk zotní,
N'at Sivaz aj n'nâm e n'zâ
Si per rodë, ashtû per gjâ,
Si per tokë, ashtû per shpija,
Si per kadna e per xharrija,
Qi n'harem kisht' si hyrija:
Quejtun emnit Hamz Kadrija.
Kuer kisht' bû ky me i hypë atit,
Per me u nisë me ushtrí t'Muratit,
Nana e vet dalka te dera
E me lot kshtû i thânka e mjera:
- Shporru, bír, ti bejlekijet,
Shporru luftet e Shqypnijet;
Perse yt-át t'ká lânë kto fjalë,
Kuer erdh shpirti per me i dalë:
Me i vû mênden rrasës s'lmueme,
Me i lshue rrugen shakës s'terbueme,
Me i u ruejtun grues së lshueme,
E n'don pûnët me t'hecë per s'marit,
Kurr mos me i rá ndesh Shqyptarit,
Pse ktí, besa, pshtim s'i ké
Treqind pash me hî nên dhé ...
Shporru luftet, prá, e bejlegut,
Edhe shporru Skanderbegut
Qi kushdo ndesh i ka rá
Mâje vedit s'i ka pá:
Loken i a ka bâ me kjá! -
- Hajd, moj nanë, - aj m'i ka thânë,
Shikjo furken kû e ke lânë,
Edhe vênu e tier pështetë,
Se kto punë un i dij vetë, -
I tha Hamzi nanes s'shkretë,
Edhe i kcej kalit mbî shpinë,
Tuj flutrue si gieraçinë.
T'a kisht' dijtë atbotë qyqari
Se ç'rod trimash âsht Shqyptari,
Pa dyshim se m'kál e m'shalë
Kisht' rá udhës pak mâ kadalë;
Edhe nanës s'i kisht' kthye fjalë.
Por, pse s'dite Hamz Kadrija
Se ç'farë burrash ká Shqypnija,
Prandaj, teper n'mend harlisun,
Mbî shpinë t'kalit shkon tu krisun,
Thue se krushk ndokahë â nisun.
Veç po, turrin per nen Krue
Mojsi atij i a ka ndalue,
Vrap per vrap kahë fushës e mrrîni,
Brî m'brî heshten kahë i a shtîni
E ka' e hodh dekun per tokë,
Tu e lânë shtrekt per zogj sterqokë.
Si barít me pasë per t'pá
Se 'i bishë malit n'vrrî ka rá,
N'zâ tuj thirrun kta shoshojnë
Per rreth malin e çarkojnë;
E me armë ânash tuj msŷ,
Qênt balosha tuj nderhŷ,
Me shum vigmë e t'madhe zhurmë
Ndjekin bishen gjurmë per gjurmë,
Der qi shtiqet krejt t'i a presin
Edhe coftë m'ndoj lak t'a qesin:
Njashtû Turqt Mojsin rrethuene
E me zhgjeta e heshta e gjuene,
Kuer pán Hamzin shtrît per dhé,
Tuj rektue, pluhen tuj bré.
E tue ndollë kje kob i zí
Pse nji i vetun me 'i ushtrí
S'mund e qesë as n'Shqyptarí:
Mâ se i shpirt as Mojsi s'ká!
Po, nji shpirt aj tjeter s'ká;
Veç shka 'i fjalë â, more vllá,
Se e ka kthellët e duehet pùnë
Per m'i a xjerrë at shpirt me dhunë ...
Jo se as vetun s'ka qillue,
Per me ngelë nder Turq ngujue:
Njiqind vetë i ka nên Krue,
Njiqind vetë, po, djelm besnikë,
Kalorí t'zgjedhun kreshnikë,
T'cillve shpirti nuk u dhimet
Per Mojs Dibren, flakë vetimet:
U ka prî i nipi i Kastriotit,
Qaj Muzaku, trim si motit,
Trim si motit, shpatë e gjallë
Me msŷ Deken ballë per ballë.

Po, kuer pa kundruell Muzaku
Se e thej besen Tyrkushaku,
E se në rreth Mojsin zateti
Tuj i a pré shtigjet mbas veti,
Aj mâ teper nuk i a ngjati,
Veç, porsi perlyket mzati,
Kuer me thundra dhén tuj çue
Idhët me bryna m'tokë tu rmue
Mndershim msŷn ndoj mazatuer
Qi trazon gjedhet n'sinjuer,
Shokve t'vet kshtû u buluriti,
- Shunglluen malet kahë bertiti, -
"Trima, mrêndë! ... Me dorë! Me dorë!"
Edhe theri kalin m'shporë,
E u lshue vrap, po, porsi zhgjeta
Me ata djelm si shqype të leta.
Ah! Se falë i kjoshna Zotit!
Njata ushtarët e Gjergj Kastriotit
Sa herë rakan n'fushë t'bejlegut,
Aq i a dhankan gjâmen bregut
Aq i a dhankan bregut gjâmen
Thue se malet per rreth shâmen.
Me shokë t'vet, po qe Muzaku,
Kuer u nis ke derdhej gjaku,
Kaq u dridh toka nên kamë,
Kaq at-herë muer fusha gjâmë,
Qi t'kish kênë atŷ me pa,
Kishe thanë, besa, mor vllá,
Se i termet i randë ka ra;
E se shkepë karpa edhè curra,
Kulihum e turra-turra
T'u plandosë neper rrmore,
Rrokullohshin m'fushë gjâtore;
Kaq u dha maleve ushtima,
Kaq gersiti dheut bumllima.
Dyndun pluhni per ajrí
Porsi njegulla n'Malcí,
Rrokull vendin ka pershí,
Sa mâ s'dan as kál as niri,
Kahë âsht muzë der nalt empiri.
Porsi ujqt, qi n'mal t'Peshterit,
Rreshkun ujet, lodhë prejë Verit,
Zogorí dirgjen njiherit,
E tu ulrue teposhtë lisnijet,
- Edhè ujku ulron prej zijet ... -
Me terbîm lshohen mbî berre,
Qi kullotë barin nder djerre:
Njashtû, po, mbî kual katana
Fluturojnë Shqyptarët vigana,
E thejnë shtiqe - edhè gardhiqe,
Kapercejnë nji mí rreziqe,
Per me rá në log t'mejdanit,
Per me u ndeshë me ushtarë t'Sulltanit.

Kúr kan rá në log t'mejdanit,
Kúr janë ndeshë m'ushtarë t'Sulltanit
Ah! Sa fort ká krisë atëhera,
Fort ká krisë zhurma e potera,
E âsht dyndë vigma e bulurimi,
Thue po shamet rrozullimi.
Mbí trim trimi turr flakrue,
Ndezë, kerndezë, mnershim kercnue,
Trup per trup t'u krepatue,
Rrebtë me heshta t'u shinue,
Rrebtë me shpata tue vringllue,
Kualt amshorë idhtë tue hingllue,
Edhé gjindja tue sharrue,
Kush pingul bje mbí ledinë,
Kush plandosu permbí shpinë,
Kishe thânë se n'at njegllinë -
Se n'at plûhen disa lata,
Disa lata - e sa supata
Janë n'zabel trena tue pré,
Per t'qitë landen ndoj shpís s'ré:
Kaq kje krisma e patershanave,
Krisma e shpatave e e taganave,
Edhe bumullima e thundrave
Si mjerë zêmra e atyne bullave
Qi perkundë kan djep n'Azí,
Qi kan nisun djelm n'ushtrí,
Per me marrë t'ngratën Shqypní,
Qi po e kisht' bota lakmí:
Kaq të mirë qi e falka Zoti!

- Besa, po, mori turkina,
Korba, sorra e gjeraçina
Djelmve t'ue, n'at moje zallit,
Kan me u a xjerrun sŷt pre ballit:
Kan me u a qokë zêmrat nen parsem,
Kan me ngrefë m'ta gostë e darsem,
Ndersa ju - si cungat n'záll -
Mort të bâni edhe vercáll
Atjè larg kahë dielli lé;
Persè djelmt jue ju a kan pré
Ju a kan shtrî dekun per dhé.
Páshi t'rít e páshi veren,
Pse s'ju a vût djelmve poteren,
Mos me i lanë me ardhë nen Krue?
Mirë kisht' kênë, po, me i qortue,
Sa i patët djelmt enè te shpija,
Se me armë s'mirret Shqypnija.
Jo; kjo e forta tokë shqyptare,
Veç e n'dalët ndoj dorë tradhtare
Qi m'i a shitë ndokujë me pare,
Se per me topuz e shpatë,
S'mirret, jo, Shgypnija e ngratë. -

Eja, Zanë, pásh të dy sýt!
Eja e m'rri tash ti te kryet:
Ti qi punët, edhè nper njegull,
T'gjitha i shef me rend e rregull:
Qi me at sŷ, si flaka e diellit,
Nget e larg skjyrton mirfillit,
E shef Vallet n'dritë t'Empirit,
Shef tallazet e dishirit,
Qi valviten n'zêmer t'nierit:
Ti, po, tash, moj Zanë e malit,
Eja e m'thuej se ç'pikë e djalit
Nder atà ushtarë e Sulltanit
U shue sod n'at log mejdanit,
Qi t'a diej, po, rrokullija,
Se sa e shtrêjtë â Shqyptarija.

Kúr janë ndeshë burrat me burra,
Si me u ndeshë currat me curra,
Mbet ká i pari Zenel Durra,
Burrë kah fjala e trim kah duka:
I a preu kryet qaj Gjergj -a Kuka.
Gjergj -a Kuka, trimi i trimit,
Turri i tij si rribë thellimit.
Mandej mbet Visho beg Cufi,
Beqir aga e Elez Isufi,
Edhè njaj Haxhi Mahmuti
Qi na u ngrifka prej Bejruti,
Per me ardbë me shitë trimní
- Ani ku? - në Shqyptarí,
Kû nji gúr, me thânë nuk ká
Qi mos t'jét me gjak aj lá,
Mos të jét lá, po, me gjak nieri!
Ndoshta njeti i kisht' hecë falli,
Por jo ktu, ku Gjin Mar' Zalli,
Na isht' msue me i rá anmikut,
Si ajo bisha e Kaçanikut,
Tue zdramë gjinden m'heshtë çelikut,
Po, tek pau Gjini Haxhín,
Idhtë me shporë theri "dorín"
Edhe msy e ka m'patershanë,
Tue i a rrasun anë e m'anë
Kû âsht njitë m'arrç trupi me kokë
Edhè e hodh dekun per tokë.
Zbardhi sŷt Haxhija i mjere,
Zbardhi sŷt, po, edhè m'at herë
E pau vetë - sado qi vonë,
Se ishte rrênë fjala qi thonë,
Se Shqypnija â i strofull cubash,
T'msuem me pré gjind mbas kaçubash:
Pau, po, vetë, me shpírt nder dhamë
E hjedhë çallmen poshtë nder kamë,
Se Shqyptarët janë trima-rrfé,
Kúr t'jenë lidhë me Besë e Fé;
Edhè mbylli sŷt i shuemi,
Per jetë t'jetës e zuni gjumi.

Jo, po, kurr, besa, mor djalë,
Haxhís gjumi s'ká me i dalë;
Pse t'kisht kênë punë qi me u çue,
Tham, s'kisht' mbetë m'kamë pa flakrue,
Kúr brî tí - porsi 'i arí
Idhtë bertiti - Het Reshiti,
Kah s'i a ngjati - e Gjokë Perlati
M'heshtë e hodh djerrit per s'gjati.
Po, kúr Gjoka, sŷ skylferi,
M'patershanë Hetin e theri
Shi atŷ m'zgrof, kû zihet vneri,
Briti Heti: kuku, nanë!
Sa me u ndî malit m'at anë,
E prap desht ndoj fjalë me thanë;
Veç erdh shpirti tuj e lânë,
E ashtû praptë, si kisht' qillue,
Me dorë dhén tue çukurmue,
Erri sŷt edhè u shtangue,
Me at heshtë n'zêmër ngulun hû.

Por se nget birit t'Reshitit,
Kishte ndollë nji zog petritit,
- Shoqi n'Turk mos me ju pá -
Armatisë, mâ mirë nuk ká,
Êmnit quejt Asan Rizá,
N'at Bagdat ky kishte lé
Derës bujare per n'at dhé,
E qi gjâ, me djerës fitue,
Mjeft prej t'et kisht' trashigue:
T'cillin edhe e martueka nana
Me nji vajzë t'hieshme si Zâna,
Cilla i bâka nja dý fmí
Me i gia tatës me trimëní,
Me i gia nanës me bukurí:
Njani Musë, tjetri Muslí.
Burrë i urtë e namuzlí,
Para Mbretit fjala e tij
Bâte amel edhe n'Kapí.
Se atê Mbreti fort e dote,
Edhè me i besue i besote,
Si kurrkuj nder Pashallarë;
Persè trim edhe punë marë:
N'dorë lshue i kisht' nji urdí ushtarë.
Veç se shka, nji farë Esadit,
Msue me gjuejt gjinden mbas shpatit;
Me gjuejt gjinden, me mshehë doren,
Me marrë m'qafë shokët e terthoren,
Bulqve të ngratët me u a plaçkitë koren,
Mende të keqe kisht' m'Hasanin:
Me i a ndi nuk dote zânin;
Mushun zêmren me mëní;
Gjallë, t'kisht' muejtë, e kisht' perpî.
Ky pra Hasani, 'i trim rrfé,
Kur pa Hetin shtrî per dhé,
Fort atëherë aj na âsht idhnue,
Na âsht idhnue e ká turfllue,
Edhè m'kál trimi shterngue,
Me topuz Gjoken ká gjue,
Por m'e marrë s'kisht' kênë gjykue;
Perse Gjoka, si zarâne,
Lakue shtatin ká m'njan' anë
E topuzit vetë i hiku.
Veç po, shojnë mbas vedit fiku:
Fiku shojnë, qat Ndre Pertinen,
T'cillit per nji ças kaptinen
Pshesh topuzi atij ja bâni,
Rrebtë me tê kahë suell Hasani.
"Ha! Hau!" briti Gjokë Perlati,
Edhè vrik aty i ndej gati,
I ndêj gati e sà kû muejti
M'patershanë turkun ai gjuejti.
Tuej vringllue shkon patershana,
Porsí t'kndojshin n'mal dý Zana;
Veç, m'e marrë, turkun s'e muer: .
Thát u ngul nji pash në zhuer.
Turflloj Gjoka prej zêmrimit,
E vrâ si nji rê thellimit,
Shpaten ai e xjer prej millit,
E cilla në rreze t'dillit
Date krejt si kosa e mnershme,
Me të cillen deka e tmershme
Rob e mbreten shkon tu i pré, ...
Tue vllaznue gjinden nen dhé.
Por edhè Hasan Rizaja
Njat shpaten e vet, si rrshaja,
Qi ngrehë kryet nji pashë n'ajrí,
Tuej fishkllue e me furí
Lshohet m'shpinë t'ngratit barí,
Dorës pushtuese aj vrik ja njiti,
Edhè n'vend Gjoken e priti,
Si harusha pret n'grykë t'shpelles
Nji derr t'eger m'bjeshkë t'Mundelles.
Veç shî atëherë kúr bumlloj toka,
Kah m'Hasanin turr merr Gjoka,
Hasani nen kál u puer,
Tuej rá djerrit per terthuer:
N'moh Esati, i zog turkinet,
Zhgjetoj shoqin per mbas shpinet
Me nji shgjetë, po, t'prehët si anza,
T'helmatisne mje ke rranza,
Tuej i a mbajtë nen but të kryenit.
Tuej i a xjerrë nper bebe t'synit
Palmuç m'tokë tue e garomisë,
Edhè vrap me hikë ká nisë.
Fort u bind Gjoka me veti,
Fort u bind, kalin e zateti,
Ká 'i pá fati Hasan Rizá
Terthuer kalit dekun rá.
U bind Gjoka zêmer-miri;
Por s'u bind Nikoll Eziri,
Qi kundruell kisht' pa pá biri,
Si Esati mbî shpinë t'kalit,
Myti deshtas at farë djalit,
Qi mâ trim s'e bân turkina;
E prandej, si gjeraçina
Mbi shpend lshohet fulikare,
Ai u lshue me shpatë shqyptare
Mbî Esatin faqezí
Tue i vikatun porsi ajrí:
"Ah! Kû ve, bre qêni i qênit!
Se me pasë ti kamët e drênit,
Sod prej mejet s'kan si t'pshtojnë.
Se kshtu burrat nuk punojnë:
Tinzí n'luftë me mytë shoshojnë!"
E, si 'i gogel, kryet prej trupit
Me 'i t'sjellme i a hoq halldupit.
- Amanet, moj nusja e Hasanit,
Kur të ndiesh se n'log t'mejdanit
T'ká metë burri, aj farë luânit,
Kjaje mirë, kjaje per mallë;
Pse ai kisht' kênë nji shpatë e gjallë,
Shpatë e gjallë e burrë çelikut,
Me ju dhimtun vetë anmikut.
Kjaje mirë, moj kjaje hollë,
Me t'u ndî vigma n'Stamollë,
Pse' dhè as vetun ti s'ké ndollë,
Qi kján burrin: shum do tjera
Shoqe t'ua i ká thá vera
E qi, pshtjellë, qyqet, në zí,
Si kercunat nper lisní,
T'rít e vet do t'rrín tu kjá,
Per t'zín kob qi m'krye u ká rá,
Kahë, pa pritë e pa kujtue,
U kan metë burra nen Krue
P'r'i tradhtí qi pa'n punue.

Po, edhè Kadna e Jashar Begut,
Kur t'ndiej punët e ktij bejlegut,
Kur t'ndiej zân' e Marash Palit,
Ka me kjá si qyqja e malit;
Pse Marashi i Pal Maneshit
Jashar Begut per rrânzë veshit
Kryet i a merrka m'dhimiskí
Shyt per tokë tu e karraní,
Porsi rrxohet nji trup halet
Qi, tu rá me ushtue bân malet.
E per n'pasët ndoken te shpija
Turku n'zâ Myrto Faslia,
Per n'pasët nanë, a grue, a moter,
Edh' atij, po, besa, n'voter
Kan m'ju shtrí, ofshe, per s'gjatit,
T'metne shkret petkat e shtatit,
M't' cillat Hâke edhe Kadùna
Pshtjellë në zí porsi kercuna,
Vajin t'mjerat kan m'ja qitun,
Si t'gjith qyqet tuj gerthitun,
Kur t'u vijn i zi kumeti
Se ka metë qaj Myrtja i shkreti.
Njeky Myrtja i Fasli Ymerit,
Drita e sŷve e Seraskerit,
Paska marrë me mend qyqari
Se zêmer s'ka n'bark Shqyptari,
Edhè msŷeka m'shpinë t'atkinës
Qat Muzakun e Angjelinës:
Ani pra, besa, Muzakun!
Krah e m'krah qi e ka mustakun,
Qi kur t'ndeshet n'luftë me burra,
Atŷ gjaku rrjedhë si gurra.
Rrjedhë si gurra gjaku i nierit.
"Ah! Kadalë, qafir, qafirit",
Po i vikatë Myrtja Muzakut,
"Kadalë, bre zogu i koçakut,
Se s'ké pá ti turk me sŷ,
Se të bâj ..." Por fjalët me i krye
T'gjitha aty qyqari s'mujti,
Kahë me t'shpejtë Muzaku e gjujti
Edhè n'gojë heshten i a nguli,
E cilla, mbas qafës ka' i duli,
Çak mje m'rrâjë gjuhen i a shkuli,
Edh' e hodh t'ngratin mbî zallë,
Me gjith heshtën ngujue nder tmallë.
Dy çurrelash tu i vojtë gjaku.
"Fol, deh! Tash, po i thotë Muzaku;
Fol: shka don me bâ mbî mue? ...
Sa per gjuhë s'ké pse me u ankue,
Pse edh' e gjatë ty t'ká qillue ...
Veç shka? Burri n'shesh t'bejlegut,
(Si e kam ndîe prej Skanderbegut)
Teper gjuhës ai s'do t'i apë:
S'bâhet, jo, lufta me llapë;
Por me zêmer e me shpatë,
Si e ká adet Shqypnija e ngratë".

Kshtu Muzaku i thotë në qestí;
Por Myrtja nuk isht' tuj ndîe
Me at heshtë t'gjatë porsi kamish,
Ngulun n'gojë e mrudhë dy fish,
Me marrë frymë ai kist' harrue.
Veç, po, fjalët i a kan ndigjue,
Pak pertej m'at moje djerrit,
Ata t'bijt e Dan Xhaferrit,
Qaj Halili edhe Gjelili
T'cilit, shterngue mí kual katana,
U lshuen vrap porsi dy zana,
Kin me pré befas Muzakun,
Kin m'i a marrun Myrtos gjakun.
Por me at pûnë besa gabuene,
Pse të dy priherë sharruene:
Kryet Muzaku ja u ká pré
E i ká lshue dekun per dhé,
Pa pasë hoxhë per dekë me i lá,
As moter per nget me i kjá,
Per posë sorrave t'Shqypnís.
Per brî dromit n'at bozë stomit,
Në gjak të vet zbytun unjí,
Kush do t'jet njaj kime zí
Me ato vetlla t'trasha t'trasha?
Aj â, thonë, qaj Feruzë Pasha
Qi nder gosta e n'log të kshtjellit,
Dér sa gjallë në rreze t'diellit
Pat lshue hije m'tokë i shkreti,
Giû per giû e mate Mreti,
E qi i hecte marë fetfaja
Ke Shejslami e ke Ulemaja;
Burrë kaprros me sŷ m'u pá.

Po kush Pashen paska vrá?
Kush po i vret kta Pashallarë?
Kush po i vret kta Pashallarë? -
Mojsi i vret kta Pashallarë!
Mojsi i Dibers, pelivani,
Nder aradhe, - si aj luâni
Qi s'xên miza - p'rherë me sý
Shkon tuj lypë 'i Pashë a 'i krye:
Gjithkû isht' lulja e bujarís:
Per m'ja bâ flîje Shqypnís;
E kû i shef me at sý - errfé
Aty i msyen porsi shkerbé
Edhè n'vend i lên pá kokë,
A se i a u derdhë angrat per tokë
Per me i ugrânë orrla e sterqokë,
Njeky Pasha Feruz Pasha,
Idhtë ngerthye vetllat e trasha,
Tuj pá Turqt se nper kalkare
Prej të rreptash armë shqyptare
Kishin rá si kalimare,
Fort atëherë aj na u idhnue,
Na u idbnue - e na u terbue
E si bisha tue lurue,
"Bini kaurrit, bre domuza!"
Ká thér atin me mamuza ...

Fragment nga "Mojs Golemi", shkruar nga Atë Gjergj Fishta (Troshan, 1915)

COMMENTS