Portreti i Skënderbeut

skenderbeu gjergj kastrioti, kuvendi i lezhes
Çdo epokë historike e trajtueme nga kushtet ekonomike e shoqnore që e kanë parakalue e që jetojnë bashkarisht me te, shkakton lindjen e një vargu të gjatë fenomenesh, të cilat n'anë tjetër ushtrojnë një veprim ngadalsues ose shpejtues mbi zhvillimin historik.

Po t'i marrim njerëzit e mëdhenj, si pjellë e kushteve shoqnore-ekonomike dhe historike - e arsyetimi ma fillestar na jep me e kuptuem - do të shohim se ata janë të lindun në nji rreth të caktuem, kanë pasë nji trajtim, i cili ka lehtësue veprimtarinë e tyne. Ata, njerëzit e mëdhenj të lindun në kushte historike-shoqnore të dhanuna, kanë qenë shprehja ma mishnuese e aspiratave të rrethit shoqnor në të cilin kanë lind dhe kanë ushtruem nji forcë mbi zhvillimin e ngjarjeve.

Prandaj, njerëzit e mëdhenj, që në realitet nuk janë aq të mëdhenj, duhen studjue si gjithë fenomenet e tjera historike, politike e shoqnore, domethanë shbiruem rrethin ku kanë lindë, atmosferën që ka mbështjellë trajtimin e karakterit të tyne, vendin ku kanë zhvillue të gjithë aktivitetin për të cilin ata cilësohen si të mëdhenj.

I studjuem në kët prizëm, si na paraqitet Skënderbeu?

Dikush do të mendojë se fytyra e këtij burri do të pësojë humbje, pse e ulun në shkallën e njerëzve të zakonshëm.

Kjo nuk asht aspak e arsyeshme.

Randësinë e nji njeriu, vlerën e nji vetje historike nuk e përban fakti se ata nuk u ngjajnë njerëzve të tjerë, por pikërisht në këtë qëndron pika e zjarrtë e lartësimit të tyne; ata qenë njerëz që patën gëzime e idhnime, fatkeqësi dhe lumtuni, si të gjithë të vdekshmit.

Përndryshe do të arrijshin në nji divinizëm (hyjnizim) që, në vend që t'u shtonte vlerën, do t'i bante qesharakë si zotat e mitologjisë greke.

Të gjithë jetëshkruesit janë të nji mendimi mbi cilësinë kryesore të Skënderbeut: ishte nji prijës ushtrie i zoti. Legjenda pastaj na e zbukuron edhe ma tepër kur thotë se kishte le me shejë ... Edukata që mori në oborrin e Sulltanit, luftrat e vazhdueshme që bani kundra turqve, na provojnë këtë mendim. Zotësia strategjike e Skënderbeut përbahej nga tri cilësi kryesore; njohja e thellë e ushtrisë dhe e mjeteve luftarake otomane, njohja e tokës dhe e psikologjisë së luftëtarit shqiptar, zotësia e organizimit.

Skënderbeu e njihte mirë ushtrinë otomane, pse që në fëmini kishte marrë pjesë në ushtrimet luftarake të ushtarëve, që n'atë kohë i shtijshin tmerrin botës evropiane. Kështu nga nji kombinim dialektik që na vë me mendue, vetë Perandoria e madhe osmane edukon nji princ të madh që dikur do të bahet armë kundër saj. Me shpresë se do të mundte me e shfrytëzuem në dobi të vet, pregatit nji vegël kundra vetëvetes ...

Prandaj Skënderbeu, tue njohë vlerën e ushtarëve osmanlli, organizimin e kuadrove të ushtrisë perandorake, dhe gjendjen e përpiktë të armatimit të tyne, mujti me i drejtue mësumjet e tij në mënyrë që mungesën e luftëtarëve të tij e zëvendësonte me përqëndrimin e fuqisë në drejtim të pikës ma të dobët të armikut, gja që e njihte ma së miri. Skënderbeu ishte nji princ i lindun në malet e Shqipnisë. Kjo s'kishte nji kuptim të zbrazët për te: kjo donte të thotë njohjen e vendit pllambë për pllambë.

E me të vërtetë Skënderbeu, bir i ndershëm i maleve të kësaj Shqipnie të vorfun, e njihte vendin e tij, pse Skënderbeu nuk ishte mbyllë në pallate maharaxhahash, por kishte jetuem në mes të popullit, në mes të fshatarëve të mirë e punëtor të kësaj Shqipnie tonë të dashtun ... Kështu, toka shqiptare nuk ishte për te vetëm nji fushë për me zgjanuem pasunitë, por ishte toka ku kishte lindë, ku kishin jetuem dhe ku kishin vdekë të parët e tij. Edhe e donte kët tokë, e dashuronte me gjithë zemër, me zjarrin dashnues të nji djaloshit tetëmbëdhjetëvjeçar. Para se me durue dhunimin e vorreve të të parëve të vet, para se me pranue përuljen, ai pranonte me ba fli qetësinë e tij vetjake, atë të popullit të tij.

Mbas nji princi të tillë që ka jetuem dhe ka vuejtë me popullin e vet, kush nuk shkon me vdekë!?

Pse populli, kjo masë e çuditshme, e zonja për mrekullitë dhe ballalleket ma të mëdha, vetëm në nji vend asht i pagabueshëm: ai i njeh ata qi e gënjejnë, i gjykon dhe i dënon. Don me gjithë shpirt edhe vdes për ata që punojnë pa dallavere, në të mirën e tij.

Pika e tretë asht zotësia e organizimit. Asht e pamohueshme se potenciali luftarak i nji pakice të organizueme, d.m.th. e inkuadrueme në rregull, e dishiplinueme dhe e bindun, asht shumë ma e naltë se nji turmë e madhe edhe e shkatërrueme.

E Skënderbeu e kish kuptue këtë të vërtetë: prandaj ai zgjidhte kuadrot jo tue u nis nga parimi i stëgjyshisë, por tue vërejtë trimninë, ushtrimin dhe zotësinë e drejtimit. Pse Skënderbeu zgjidhte oficerat vetë e pse nuk donte që t'ishin të vlefshëm vetëm për me ba paradë.

Nji anë gjer më sot e pagjurmueme mirë nga jetëshkruesit asht zotësia diplomatike e Skënderbeut. Jemi mësuem me e kufizuem admirimin tonë vetëm tek Skënderbeu luftar, të gjitha cilësitë e tjera kanë qenë të mbizotnueme nga kjo cilësi kryesore.

Por Skënderbeu si diplomat paraqet nji interesim shumë të madh. Përveç disa sqarimesh mbi zotësinë e inteligjencën e vet, Skënderbeu na jep hollësi të mjafta edhe për kuptimin e pozitës politike të Shqipnisë së asaj kohe.

Kemi pamë anët kryesore të Skënderbeut, të Skënderbeut historik, të kapedanit trim që na pëlqen ta parafytyrojmë me trup të madh, shpatulla katrore e me mjekërr të gjatë.

Por Skënderbeu njeri? Skënderbeu fëmi, djalosh, dashunues, babë fëmijësh.

Këtë e lanë në heshtje jetëshkruesit egoistë të zatetun kryesisht nga dëshira të na paraqesin luftarin. Janë për t'u studjuem çastet e idhnimit, të dëshpërimit, të fatkeqësive.

Nji njeri që të gjithë jetën e kalon në luftë të përgjakshme a nuk andrroi ndonjëherë me u gjetë pranë të vetëve e me shijue në nji natë dimni ledhatimet e Gjonit të tij të vogël, ngrohtësinë e vatrës familjare, ngushëllimin e fjalëve të ambla.

A por ky njeri, i reshun ndër lufta, nuk pati ndonjë çast ligështie kur pau bashkëpunuesit ma të mirë që e tradhtuen, shokët e tij ma trima që ranë në luftë.

Kush i ka studjuem lotët e heshtun që ka derdhun Skënderbeu trim, larg fushës së betejës, kur mendonte fatkeqësinë e vendit të tij. Pse Skënderbeu mendonte çdo ditë me zemër, për të ardhmen e vendit të vet.

Po të zbulojshin ndonji epistolat të tijin, do të na vlente për me njohë anën njerëzore të heroit tonë. E do ta dojshim ma shumë Skënderbeun, nga zotësitë e tij, nga trimnia e rrallë, nga bujaria e zemrës; nga roli historik qi ka luejtë mbi fatin e Kombit tonë ka mbetë dhe asht nji simbol.

Simboli i mundimeve të kombit tonë, i aspiratave të nji populli martir që vuejti shekujsh.

______________

Ky artikull me karakter studimor është shkruar nga Qemal Stafa në maj 1939. U botua për herë të parë në gazetën "Zëri i rinisë" më 5 maj 1962.

COMMENTS