Shqypria.., Filip Shiroka

filip shiroka
Shqypria n'koh t'kalueme
Ushtore e madhe asht kenun,
Fama e saj e nderueshme
Gjith kah asht ken permendun;
Me emen t'Shqypes thrritet,
Qi atje nalt rehve afritet,
Ku tieter shpend s'kalon.

Birt e saj, ata t'hershmit,
T'nderushmit për urti,
Burrat e saj t'rrepshmit,
T'pikatunit n'ushtri;
Ku kan ra kan shitue,
Si kur shperthen nj'aj prrue,
Si rrfe qi bie e rrenon.

Ku vatne, pra, ku shkuene
Shenjet e lart t'Shqypris?
Ku jan Shqyptart të hershmit,
Ku asht sot ndera e trimnis?
Ku asht dierrun fama e motshme
Qi mi Shqyprin e sotshme
Nuk ndrit e nuk shkelqen?!

E ajo e larta Shqypeja
Q'aq nalt ka pas kalue,
Sa me Romant t'motshmit
Asht ndesh e ka luftue,
E gjith-kah ka shti mneren,
Pse tesh e ka bierr nderen,
E vehten me lot ushqen?!

Ah turp!... Turp me kallzuemun,
So m'terr asht bierr Shqypnia!..
Ka fiet!... S'asht tui koptuemun
Se n'gjum e mbloj vorfnia!
Se n'gjum tui ndejun fjetun,
Armiqt ligsht e kan gjetun:
- Flej! - i thon tui e qestis!

E rreth saj jan afruemun
Tui prit nji dit me i ra,
Me e prish e m'e rrenuemun,
Me shoqi-shoin me e da!...
Tui prit me ra n'Shqypri,
Si m'berre t'pa bari,
Bin ujqit me i batis!

E... Shqyptari i hutuemun
Me sy s'e shef rrezikun!
Beson dhelpëris t'hujvet,
Nuk di me e njoft armikun:
Prej t'hujve e pret lirin,
E s'di se veç robnin,
N'lak t'hujvet ka me gjet!...

Çili, pra, syt t'përgjumshit
Shqypri, n'terr mieft ke metun:
Kupto se kot ndrit dielli,
Sipri nj'aj kombit fietun:
Shif kombet tier t'lulzue.
T'gjith jan gjyteterue.
Por ti veç shkret ke mbet!

Por baba mbret i Madhnueshym,
Ai veç t'pshton rrezikut:
Prej Tij, liria e ndershme,
Vien ty e t'pshton armikut:
Nen hije t'Tij, gjith-hera,
Ka per t'u rrit ty ndera.
Si zembra t'a dishron!

COMMENTS