Gjush Sheldija, veteran i arsimit kombëtar

Në fushën e arsimit dhe të edukimit, gjatë periudhës së para luftës, Gjush Sheldija i dha ndihmesë modeste shkollës e kulturës shqiptare. Ushqye nga mjedisi patriotik, i rritun në shkollën e jezuitëve, pajisë me përvojë të pasun nga specialistë të letrave shqipe, Gjushi ka meritën se punoi me zell e me vullnet punëtori si veteran i arsimit kombëtar, se mblodhi material të shumtë e të gjithanshëm, se trajtoi tematikë të pasun në kulturën shqiptare, se qe veprimtar i palodhun në shoqni të ndryshme patriotike, si: "Bogdani", "Rozafa", "Shoqnia Antoniane", dhe pjesëmarrës aktiv në shumë veprimtari kulturore të qytetit tonë, sidomos ato teatrore.

gjush sheldija veteran i arsimit kombetar
Gjush Sheldija ka lindë më 12 korrik 1902, në Shkodër. Studimet i bani në vendlindje, ku mori maturën pedagogjike, por në pamundësi të studimeve të larta jashtë shtetit për shkaqe ekonomike, ka studiue vazhdimisht si autodidakt, veçanërisht: histori, etnografi, folklor, gjuhësi etj. Ka njohtë 4 gjuhë të hueja, si: italisht, frengjisht, gjermanisht e latinisht.

Gjatë vjetëve 1921-1944 ka shërbye si arsimtar në fshate e qytete të atdheut; ka marrë pjesë aktivisht në Revolucionin e Qershorit 1924, për këtë asht arrestue e dënue me burgim nga qeveria e Zogut; në fillim të diktaturës ka punue si, herë në muzeum, herë në bibliotekën e qytetit e pastaj, si pensionist i vetmuem, ka mbyllë sytë, më 1976.

Shfrytëzues sistematik e i pandërpremë i kohës së lirë, Gjushi ka një veprimtari të dendun e të larmishme, si:
1) krijime origjinale në poezi, prozë e dramatikë;
2) artikuj me karakter arsimor, etnografik, historik e arkeologjik;
3) mbledhës i pasionuem i materialeve, ndër ma të ndryshmet, i biografive e i kujtimeve të personave historikë, letrarë, luftarë, i toponimisë etj.

Ka botue artikuj e studime në revista e gazeta të vendit, si edhe jashtë shtetit, veçanësisht, në revistat e vlerta shkodrane, si "Hylli i Dritës", "Leka", "Kumbona e së dielles", "Shkodra", "Shkëndija" e Tiranës, apo në gazetat, si: "Balli i Rinisë", Tiranë, "Afrimi", Vlonë, "Gazeta shqiptare", Bari, si edhe në gazetat e Shkodrës.

Ka pasë marrëdhanie pune, shoqni e miqësi me Fishtën, Mjeden, Koliqin ..., ka bashkëpunue me punëtorin e palodhun të letrave shqipe, At Zef Valentinin, të cilin e ka ndihmue në punën e tij të shumanshme, siç e dishmojnë letrat e ruejtuna ende gjatë këtij rrebeshi të pamenduem e të paparishikuem. Valentini, Cordignano, Armao etj. e falënderojnë për ndihmën e dhanë, ndërsa autorë të sotëm e falënderojnë ndër letra personale, por jo me shkrim ndër veprat e tyne.

Ka shkrue disa artikuj për historikun e shkollës, si: "70 vjet shkollë: shkolla e Shirokës, 1874-1944", "Shkollat e moçme dhe arsimtarët e vjetër të Shkodrës, shek. XIX-XX", "E para shkollë muzike në Shkodër"; shënime me karakter biografik: "Mësuesit e moçëm shkodranë".

Gjushi punoi mjaft edhe në fushën e krijimtarisë letrare. Ka shkrue novela, tregime, poezi, drama, komedi, monologë e dialogë, të botuem në organet e kohës, disa të mbetuna në dorëshkrime, disa të shfaquna në salonet teatrore të kohës. Në dramaturgji po veçojmë "Kupe Dane" (me dy akte e pesë tablo) dhe dramën "Brahim Gjoci", "Atdheu mbi të gjitha", me një prolog e dy akte; komedi me një deri në katër akte, si edhe përkthime dramash shfaqë në sallat e Kolegjit Saverian nga shoqnia "Bogdani".

Rrallë janë arsimtarë që kanë mbledhë material kaq të shumtë, kaq të larmishëm e kaq të dobishëm. Lidhun me mbledhjen e materialeve në bazë, Gjushi asht një pikë referimi ku duhet drejtue vëmendja e mësuesve të rij, për të mbledhë visarin e popullit. Për ilustrim po përmendim disa historikë, si: "Historiku i teatrit në Shkodër , 1879-1944", me pasqyrë të të gjitha shfaqjeve, të autorëve e të aktorëve etj.; "Historikun e karnevaleve të Shkodrës, 1860-1949", "Historiku i bandave muzikore të vendlindjes, 1874-1944"; "Pazari i Shkodrës dhe artizanati në shek. XIX-XX", pastaj qindra faqe të daktilografueme për tabakët e Shkodrës, për esnafet, për terzitë, dyfekqijtë e Shkodrës, për veshje, doke e zakone, për humorin e humoristët tanë, ahengun e ahenggjijtë me biografitë e tyne, shënime e biografi për veteranët e historisë sonë etj.

Për hir të rrethanave ekonomike, të detyrimeve familjare a ma shumë të gjendjes politike, Gjushi s'arriti të përmbledhë në vepra të plota ndihmesën e vet folklorike, etnografike, letrare, historike. Sinteza do të qitte në pah ma qartë veprimtarinë e tij të shpërndame në revista e gazeta, tashma të rralla, të shkrueme e të harrueme ndër pseudonime sot të panjohuna, si: Gjeto Kola, Nji mik, Sheboja, Magister, Nji bashkëpunëtor i ri, Korespondenti, Dikush, 67, 647 etj.

Gjush Sheldija vdiq në vitin 1976.

Nga Kolec Çefa

COMMENTS