Zotnis Jakin Shkodra.., Filip Shiroka

Luigj Gurakuqi, Jakin Shkodra
Këndo prep bylbyl i ri,
Këndo prap mos n'a harro,
Prej andej në Itali
Me zan' tandin n'a gazmo;
Zani i yt t'mrijn në Shqypri:
- Goja t'lumt, bylbyl i ri!

T'bijn ndër mend se ndër t'vishtira
Keq Shqyptari po gjimon,
Se terri edh' errësira
Për gjith anash e rrethon;
Qaje t'mjeren Shqypëri:
- Goja t'lumt, bylbyl i ri!

Atje n'shkoll, me dituri
Stolisu, dit e për dit;
Se prej jush, o djelm të ri,
Shqypri shkreta po pret drit:
Mendoni, pra, me urti,
Për të vorfënen Shqypri!

Asht e bukur, Përendia
Shqyprin t'on e sbukuroi;
Por... si ra n'gjum Shqyptaria
Edhe gjuhen e harroi!...
Dlirne, pra, me dashtëni
Gjuhen t'on, o djelmt e mi!

Burrat t'on t'tan Shqyp kan folun,
Ata t'motshmit luftart t'on,
N'ushtri t'rrepta ku kan ndodhun
Nuk asht ndi veç gjuha e jon!...
Pra, ket gjuh gjith bukuri
Qitne n'drit ju djelm të ri!

Aty n'shkoll, me dituri
Stolisu dit e për dit,
Se prej jush, o djelmt e mi
Shqypri mjera po pret drit;
Kndo, pra, Shqyp, me bukuri:
- Goja t'lumt, bylbyl i ri!

Filip Shiroka - kushtuar mikut të tij Luigj Gurakuqi, i cili botonte artikujt e vet me pseudonimin Jakin Shkodra.

COMMENTS