Mic Sokoli, prijës legjendar

mic sokoli prijes legjendar
Mic Sokoli ka lindur në vitin 1839, në Fang të Bujanit, Tropojë. Mici ishte i biri i Sokol Rama dhe nipi i Binak Alia, të cilët udhëhoqën kryengritjet e malësorëve shqiptarë kundër reformave të qeverisë turke, të njohura si reformat e Tanzimatit. Stërgjyshi i Micit, Dash Sokoli, ka qenë një figurë legjendare në shekullin e tetëmbëdhjetë.

Mic Sokoli u rrit nga gjyshja e tij pasi, kur ishte në moshën 7 vjeçare, babai i tij u vra nga turqit.
Në moshën 15 vjeçare, Mic Sokoli mori pjesë në përleshjen e tij të parë kundër turqve, ku mendohet se ai u përpoq të vrasë vrasësin e babait të tij, Çaush Faruk.

Me kalimin e viteve, Mic Sokoli u bë një nga luftëtarët më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai udhëhoqi kryengritësit shqiptar në shumë beteja; në Gjilan, Shkup, Ferizaj, Gjakovë dhe Prizren, në të cilat u shqua për trimëri dhe strategji. Mic Sokoli, gjithashtu, u dallua për akte heroizmi në betejën e Nokshiqit dhe për përpjekjet e tjera të tij për të ruajtur tokat shqiptare; Hot, Grudë, Tuz, Plavë e Guci nga malazezët. Ai ishte pjesëmarrës dhe në betejat që u bënë në rrafshin e Kosovës si: beteja e Shtimës, beteja e Caralevës dhe beteja e Slivovës, ku dhe vdiq në moshën 42 vjeçare.

Në Slivovë, në afërsi të Shtimës, në prill të vitit 1881 Mic Sokoli ra heroikisht në betejë kundër forcave osmane të Dervish Pashës; me një akt të rallë trimërie, ai i vuri gjoksin topit të armikut duke sakrifikuar jetën e tij për Atdhe.

Mic Sokoli është nderuar me titullin e lartë "Hero i Popullit". Disa rrugë, shkolla dhe institucione në Shqipëri e Kosovë, mbajnë emrin në nderim të tij.

COMMENTS