Unë kam një ëndërr.., Martin Luther King

Unë kam një ëndërr ("I have a dream") është titulli i fjalimit të bërë nga Martin Luther King Jr më 28 gusht 1963 para Lincoln Memorial në Uashington, në fund të një marshimi për të drejtat civile: në të ai shprehu shpresën se një ditë popullsia e zezë do të kishte gëzuar të njëjtat të drejta si të bardhët. Ky është sigurisht një nga fjalimet më të famshme të shekullit të njëzetë, dhe është bërë një simbol i luftës kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara. Vetë presidenti i Amerikës John Kennedy, i cili po e shikonte këtë ngjarje në televizion, mbeti shumë i impresionuar nga ky fjalim.

une kam nje enderr martin luther king
Jam i lumtur të bashkohem me ju në këtë që do të hyjë në histori si demonstrimi më i madh për lirinë në vendin tonë.

Njëqind vjet më parë, një Amerikan i madh, (këtu King e ka fjalën per Abraham Lincoln, presidenti që i dha fund skllavërisë dhe e hoqi në gjithë Shtetet e Bashkuara) në hijen simbolike të të cilit qëndrojmë ne sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret aq shumë i rëndësishëm erdhi si një fener i madhërishëm i dritës së shpresës për miliona skllevër zezakë, të cilët ishin djegur në flakët e padrejtësisë përvëluese. Ai erdhi si një agim i gëzueshëm për t'i dhënë fund natës së gjatë të robërisë së tyre.

Por njëqind vjet më vonë, zezaku nuk është ende i lirë. Njëqind vjet më vonë, jeta e një zezaku është ende dëshpërimisht e gjymtuar nga prangat e segregacionit dhe vargojtë e diskriminimit. Njëqind vjet më vonë, zezaku jeton në një ishull të vetmuar të varfërisë në mes të një oqeani të prosperitetit material. Njëqind vjet më vonë, zezaku është ende duke lënguar në qoshe të shoqërisë Amerikane dhe e gjen veten në ekzil në tokën e tij. Dhe ne kemi ardhur këtu ta nxjerrim në pah dramën e kësaj gjendje të turpshme.

Në një kuptim, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe të Deklaratës së Pavarësisë, ata kishin nënshkruar një faturë, ndaj të cilës çdo Amerikan ishte bërë garantues i saj. Kjo faturë ishte një premtim për të gjithë njerëzit, se do t'ju garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë.

Sot është mëse e qartë se Amerika nuk e ka shlyer këtë faturë ndaj qytetarëve të saj me ngjyrë.
Në vend që të nderojë këtë detyrim të shenjtë, Amerika i ka dhënë popullsisë zezake një çek të keq, një çek i cili i është kthyer mbrapsht me shënimin "fonde të pamjaftueshme". Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se fondet janë të pamjaftueshme në një vend si ky yni me kasaforta gjigande mundësish. Prandaj ne kemi ardhur këtu, për ta thyer këtë çek - i cili do të na japë sipas kërkesës, pasuritë e lirisë dhe sigurinë e drejtësisë. Ne kemi ardhur, gjithashtu, në këtë vend të shenjtë për t'i kujtuar Amerikës urgjencën e ashpër të së tashmes. Kjo nuk është koha për t'i krijuar vetes luksin e qëndrimit në fresk, as për të marrë ilaçe qetësuese të përshkallëzimit. Tani është koha për t'i bërë reale premtimet e demokracisë. Tani është koha për t'u ngritur nga lugina e errët dhe e shkretë e segregacionit në rrugën e ndriçuar nga dielli i drejtësisë racore. Tani është koha për ta nxjerrur kombin tonë nga rëra thithëse e padrejtësisë racore në një shkëmb të fortë të vëllazërisë. Tani është koha për ta bërë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Do të ishte fatale për kombin nëse urgjenca e tanishme nuk merret parasysh. Vera përveluese e pakënaqësisë legjitime të zezakut nuk do të largohet deri kur të vijë vjeshta gjallëruese e lirisë dhe barazisë. Viti 1963 nuk është fundi, por një fillim. Dhe ata të cilët shpresojnë se zezaku kishte vetëm nevojë që të shfryjë për të qenë i kënaqur, do të kenë një zgjim të vrazhdë, nëse vendi kthehet në situatën e zakonshme. Nuk do të ketë më as prehje dhe as qetësi në Amerikë deri sa zezakëve do t'i garantohen të drejtat e tyre si qytetar. Shakullimat e revoltës do të vazhdojnë të shkundin themelet e kombit tonë deri në lindjen e ditës së ndritshme të drejtësisë.

Por ka diçka që unë duhet t'u them njerëzve të mi, të cilët qëndrojnë në pragun e ngrohtë që të çon në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar pozicionin që meritojmë, ne nuk duhet të jemi fajtorë për veprime të gabuara. Të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e hidhërimit dhe e urrejtjes.

Ne duhet ta drejtojmë gjithmonë betejën tonë në shkallën e duhur të dinjitetit e disiplinës. Ne nuk duhet të lejojmë që protesta jonë krijuese, të degjenerojë në dhunë fizike. Përsëri dhe përsëri ne duhet të ngrihemi në kufirin madhështor ku forcat fizike plotësohet me forcën shpirtërore. Militantizmi i ri i mrekullueshëm, që ka përfshirë komunitetin zezak, nuk duhet të na çojë në një mosbesim tek të gjithë njerëzit e bardhë, sepse shumë nga vëllezërit tanë të bardhë, siç dëshmohet nga prania e tyre sot këtu, kanë ardhur për të treguar se fati i tyre është i lidhur me fatin tonë. Ata kanë ardhur për të demonstruar se liria e tyre është e lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë tonë. Sepse ne nuk mund të ecim vetëm.

Ndërsa ne ecim, ne duhet të bëjmë një premtim që gjithmonë do të marshojmë përpara. Ne nuk mund të kthehemi prapa.

Ka nga ata që janë duke u kërkuar të përkushtuarve të të drejtave civile se, "Kur ju do të jeni të kënaqur?"

Ne kurrë nuk mund të jemi të kënaqur për sa kohë që zezaku është viktimë e tmerrit të papërshkrueshëm të brutalitetit policor. Ne kurrë nuk mund të jemi të kënaqur për aq kohë sa trupat tanë, të sfilitur nga lodhja e udhëtimit, nuk mund të gjejnë strehë as pranë moteleve të autostradave dhe as në hotelet e qyteteve. Ne nuk mund të jemi të kënaqur për aq kohë sa lëvizja e një zezaku kufizohet nga një geto e vogël në një më të madhe. Ne kurrë nuk mund të jemi të kënaqur për sa kohë që fëmijët tanë janë të privuar nga personaliteti i tyre dhe dinjiteti i tyre grabitet nga kartelat ku është shënuar "Vetëm për të bardhët". Ne nuk mund të jemi të kënaqur për aq kohë sa një zezak në Misisipi nuk mund të votojë dhe kur një zezak në Nju Jork beson se ai nuk ka asgjë për të cilën ia vlen të votojë. Jo, jo, ne nuk jemi të kënaqur, dhe nuk do të jemi të kënaqur deri sa drejtësia nuk do të rrjedhë si uji dhe e drejta si lum i fuqishëm..

Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë ardhur këtu për shkak të vuajtjeve të mëdha e fatkeqësive. Se disa prej jush kanë ardhur këtu të sapoliruar nga qelitë e ngushta të burgjeve. Se disa prej jush kanë ardhur nga zona ku kërkesat tuaja për liri ju kanë lënë të goditur nga stuhitë e persekutimit dhe të tronditur nga erërat e brutalitetit të policisë. Ju te tjeret jeni veteranët e vuajtjes krijuese, e vuajtjes të imponuar. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtja e pamerituar është çliruese. Kthehuni në Misisipi, kthehuni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, kthehuni në Xhorxhia, kthehuni në Luiziana, kthehuni në lagjet e varfëra dhe getot e qyteteve tona veriore, duke e ditur se në njëfarë mënyre kjo situatë mund dhe do të ndryshohet. Andaj le të mos zhytemi në luginën e dëshpërimit.

Unë ju them sot, miqtë e mi, edhe pse ne përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende e kam një ëndërr. Kjo është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën Amerikane.

Unë e kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe të jetojë kuptimin e vërtetë të kredos së tij se: "Ne i mbajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: Se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë."

Unë kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqërremta të Xhorxhias, bijtë e ish skllevërve dhe bijtë e ish-pronarëve të skllevërve do të mundin të ulen së bashku në tryezën e vëllazërisë.

Unë kam një ëndërr se një ditë edhe shteti i Misisipit, një shtet nën trysninë e ferrit të padrejtësisë, nën trysninë e ferrit të shtypjes, do të transformohet në një oaz të lirisë dhe drejtësisë.

Unë kam një ëndërr se katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga thelbi i karakterit të tyre.

Unë kam një ëndërr sot.

Unë kam një ëndërr se një ditë në Alabama, me racistët e saj të mbrapshtë, me guvernatorin e saj nga buzët e të cilit dalin fjalët ndërhyrje dhe anulim; një ditë, pikërisht në Alabama, vogëlushë e vogëlushe zezake do të mundin t'i bashkojnë duart e tyre si motra dhe vëllezër me vogëlushë e vogëlushe të bardhë.

Unë kam një ëndërr sot.

Unë kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet, se çdo kodër e mal do të bëhet e ulet, se vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet dredha-dredha do të bëhen rrugë të drejta, dhe lavdia e Zotit do të shfaqet e njerëzimi do të bashkohet.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin unë kthehem në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje që të shkëpusim një gur shprese nga mali i dëshpërimit. Me këtë besim do të jemi në gjendje te transformojmë tingujt çjerrëse të kombit tonë në një simfoni të harmonishme vëllazërimi. Me këtë besim do të jemi në gjendje të punojnë së bashku, të lutemi së bashku, të përpiqemi së bashku, të shkojmë në burg së bashku, të ngrihemi së bashku në emër të lirisë, duke e ditur se ne do të jemi të lirë një ditë.

Kjo ditë do të vijë kur të gjithë fëmijët e Perëndisë do të mundin ta këndojnë me një kuptim të ri; "Atdheu im, je ti tokë e ëmbël e lirisë, ty të këndoj. Toka ku etërit e mi vdiqën, toka e krenarisë së pelegrinëve, nga çdo anë e malit, liria le të kumbojë". Dhe nëse Amerika do të jetë një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.

Pra le të kumbojë liria nga kodrat jashtëzakonshme të New Hampshire.
Le të kumbojë liria nga malet hijerënda të Nju Jorkut.
Le të kumbojë liria në vargmalet madhështore Alleghenies të Pensilvanisë!
Le të kumbojë liria nga majat borë mbuluar të maleve të Kolorados!
Le të kumbojë liria nga shpatet e pjerrta të Kalifornisë!

Por jo vetëm aq; le të kumbojë liria nga Stone Mountain në Xhorxhia!
Le të kumbojë liria nga Lukaut Mauntin në Tenesi!
Le të kumbojë liria nga çdo kodër dhe pllajë e Misisipit!
Nga çdo anë e malit, le të kumbojë liria!

Kur ne e lejojmë lirinë të kumbojë, kur ne e lejojmë atë të kumbojë nga çdo katund e nga çdo fshat, në çdo shtet e në çdo qytet, atëherë ne do të mundim ta përshpejtojmë ditën kur të gjithë fëmijët e Perëndisë, njerëz të zinjë e të bardhë, Hebrejë dhe paganë, Protestantë dhe Katolikë, do të mundim t'i bashkojnë duart për të kënduar këngën e vjetër spirituale të zezakëve, "Të lirë më në fund, të lirë më në fund! Faleminderit Perëndisë së Plotfuqishme, ne jemi të lirë më në fund!"

Përkthim i lirë, shkodradaily.com

COMMENTS