Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)

Gjon Buzuku, autor i librit te pare ne shqip Meshari
Vepra e njohur përgjithësisht me emrin Meshari nga Gjon Buzuku është libri i parë në gjuhën shqipe e njëherazi një nga frytet më interesante në historinë e letërsisë shqiptare, të paktën nga pikëpamja gjuhësore e kulturore.

Për shkak se ballina dhe gjashtëmbëdhjetë faqet e para të kopjes së vetme të njohur të kësaj vepre historike mungojnë, për titullin origjinal dhe vendin e botimit vetëm mund të hamendësohet. Është vërtetë një mrekulli që ky monument i madh i letrave shqiptare ka ardhur deri në ditët tona.

Për autorin e Mesharit shqiptar dihet pak. Nga tiparet dialektore të gegërishtes veriperëndimore të tekstit, mund të gjykohet se familja e Gjon Buzukut duhet të jetë diku nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndoshta afër Shestanit, tani në territorin e Malit të Zi. Ato të dhëna të pakta që kemi për Buzukun, vijnë nga pasthënia e Mesharit, të cilën Buzuku e shkroi me dorën e vet në gjuhën shqipe, pa e ditur ç'përmasa historike do të merrte kjo punë e tij:

"U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish
gjā të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s'anë, desha me u
fëdigunë, për sā mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë,
për-se ata të mundë mernë sā i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot'ynë
atyne qi t'a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi mā shpesh të uni ëm klishë, për-se
ju kini me gjegjunë ordhëninë e t'inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot'ynë të ketë mishërier
ënbī jū, e ata qi u monduonë dierje tash, mā mos u mondonjënë. E ju t'ini të
zgjiedhunitë e t'inë Zot, e për-herrë Zot'ynë kā me klenë me jū, ju tue ëndiekunë të
dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue bām, Zot'ynë ka(a) me shtuom ëndër
jū, se të korëtë t'aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E
u mā duo të ënbaronj vepërënë t'eme, t'inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. një -
zet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V.
dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të
jetë mā i ditëshim se u, ata faj e lus t'a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në
paça fëjyem, këjo tue klenë mā e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë
gluhët t'anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë
qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj 'ta nukë mundë jeshe, u tue
ënbajtunë një klishë, ënbë të dŷ anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë
gjithëve, e lutëni t'enë Zonë ende për muo." [1]

Është thënë në mënyrë bindëse se Buzuku nuk ka jetuar brenda Shqipërisë, por diku në Adriatikun verior në Republikën e Shën Markut, ka të ngjarë në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës më 1479 [2]. Në Venedik Buzuku duhet të ketë pasur më shumë mundësi se në Shqipëri për shkollimin e nevojshëm letrar e për specializimin si prift.

Mendimi i përgjithshëm është se Meshari i Buzukut ka qenë botuar në Venedik, ndonëse po njëlloj mund të mendohet edhe për qendra botuese të bregdetit dalmat. Me sa duket, vepra nuk ka pasur ndonjë përhapje të gjerë, prandaj dhe ka mbetur vetëm me një kopje të ardhur deri në ditët tona. Rallësia e saj pa dyshim është rrjedhojë e politikës së lëkundur kishtare gjatë Koncilit të Trentit (1545-1563) e më pas. Ka shumë të ngjarë që, në atmosferën e Reformës, kisha të ketë dhënë në fillim autorizimin për këtë përkthim, por më vonë, në shenjë ripohimi të doktrinës katolike tradicionale të Kundërreformës dhe në atmosferën e përgjithshme të frikësimit që mbretëronte gjatë Inkuizicionit, të jetë orvatur të mos lejojë vepra në gjuhën vendëse. Dihet se shumë vepra fetare e liturgjike kanë qenë ndaluar apo hequr nga qarkullimi për një periudhë prej tridhjetë vjetësh nga 1568 deri 1598, dhe është plotësisht e mundshme që Meshari i Buzukut të ketë qenë ndër to. Kjo do të shpjegonte si numrin e vogël të kopjeve të veprës ashtu dhe mungesën e qarkullimit të saj.

Autorët e mëvonëshëm të letërsisë së hershme shqiptare, si Lekë Matrënga (1567-1619), Pjetër Budi (1566-1622) dhe Frang Bardhi (1606-1643) duket se nuk e kanë njohur Mesharin, ndonëse eruditi Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), në një raport për Propaganda Fiden më 1665, duke cekur çështjen e mungesës së librave në gjuhën shqipe dhe, duke renditur botimet për të cilat kishte dëgjuar, përmend një 'Euangelii in Albanese' (Ungjill në shqip) [3]. Është krejtësisht e mundshme që ta ketë pasur fjalën për Mesharin e Buzukut dhe se ka shënuar titullin origjinal të veprës.

Kopja e vetme e ardhur deri në ditët tona e Mesharit të Buzukut u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Ai e cilësoi këtë zbulim si "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha". Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit e ia dërgoi Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756), themelues i Seminarit shqiptar në Palermo. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri ka bërë pjesë në koleksionin e pasur të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit [4]. Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga Monsinjor Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941), peshkop e dijetar arbëresh nga Sicilia, i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim e transkriptim të tij. Për fat të keq, studimi i gjerë i Skiroit për Mesharin është botuar vetëm pjesërisht [5]. Më 1929 u bënë tri kopje të tjera për studiuesin françeskan Justin Rrota (1889-1964), i cili botoi fragmente të Mesharit një vit më pas në shtypshkronjën françeskane në Shkodër [6]. Për herë të parë botimi i plotë u mor përsipër më 1958 nga Namik Ressuli (1908-1985), përfshirë një fotokopje e një transkriptim [7]. Dhjetë vjet më vonë, gjuhëtari Eqrem Çabej (1908-1980) bëri botimin e tij kritik në dy vëllime në Tiranë [8]. Vëllimi i parë i Mesharit të Çabejt përmban një studim hyrës me një transliterim të të gjithë tekstit; vëllimi idytë përmban një faksimile të origjinalit dhe një transkriptim fonetik, i cili përbën një ndihmë të madhe për të kuptuar drejtshkrimin e Buzukut, që është shpesh me gabime.

Meshari në fillim përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh, nga të cilat kanë mbetur 94 fletë ose 188 faqe. Libri përmban jo vetëm një meshar (lutje e rite për gjithë vitin), por edhe shumë fragmente të përkthyera nga librat e lutjeve, psallmet dhe litanitë katolike. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhjatës së Vjetër e të Re, fakt ky që lehtëson mjaft interpretimin e tekstit, i cili nuk u është shmangur gabimeve të shtypit apo kapërcimeve. Të 188 faqet e tekstit përfshijnë 154,000 fjalë me një fjalor të përgjithshëm prej rreth 1500 leksemash [9].

Meshari u botua në stilin gjysëmgotik të Italisë së veriut me shkronja latine, përfshirë edhe pesë shkronja me prejardhje cirilike për tingujt që nuk gjenden në latinishte apo italishte. Për këtë arsye shtypshkronja e Buzukut duhet të ketë pasur kontakt me serbo-kroatishten, në veçanti me karakteret e shkrimit bukvica të përdorur në Bosnjë. Stili i shkronjave i ngjan atij të përdorur në Venedik më 1523 dhe 1537, ku kishin qenë botuar edhe mesharët në cirilikë për katolikët e Bosnjës. Mario Roku (Mario Roques, 1875-1961) vëren në studimin e tij për tekstet e lashta në gjuhën shqipe [10] se Buzuku u ishte borxhli sllavëve katolikë të Bosnjës, Dalmacis ëdhe Serbisë jo vetëm për shkronjat cirilike e për tipografinë venedikase, por ndoshta edhe për vetë idenë që t'u jepte bashkëvendësve një meshar në gjuhën e tyre. Roku, gjithashtu, bën krahasime të përmbajtjes me një meshar boshnjak të botuar më 1512, dhe në veçanti disa elemente françeskane që na japin çelesa të tjerë të tërthortë për të njohur autorin dhe veprën e tij.

Gjuha e Buzukut, sikundër u tha më sipër, paraqet tipare të gegërishtes veriperëndimore nga viset e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndonëse në të takohen edhe elemente të dialekteve të tjera. Kjo na shpie në përfundim që Buzuku është përpjekur të përdorë një gjuhë më gjerësisht të kuptueshme se dialekti i tij vendës ose, që mund të jetë edhe më e vërtetë, se ai ka lindur dhe është rritur jashtë Shqipërisë. Jo vetëm që gjuhës së Buzukut i mungon krejtësisht ai ndikim i fortë nga turqishtja i shqipes së mëvonëshme, por ajo edhe përmban shumë tipare çuditërisht arkaike të padokumentuara ndryshe, të cilat deri tani, falë kompleksitetit të sistemit shkrimor të përdorur prej tij, janë hetuar veçse pjesërisht. Për historianët e gjuhës Buzuku është minierë të dhënash.

Gjon Buzuku nuk ishte një krijues i mirëfilltë i letërsisë. Meshari i tij, me përjashtim të pas-shënimit, është thjesht një konglomerat përkthimesh nga tekste fetare në gjuhën latine. Por si autor i librit të parë në shqip, mund të thuhet se është ai që e lindi shqipen letrare. Stili i rrjedhshëm i tij ka bërë që disa studiues të hamendësojnë për ekzistencën e njëfarë tradite letrare në Shqipërinë veriore të asaj kohe, por deri më sot nuk është zbuluar ndonjë vepër më e hershme.

  1. Transkriptim fonetik nga Ressuli 1958, f. 379.
  2. kr. Zamputi 1988.
  3. kr. Shuteriqi 1977, f. 58.
  4. Ai tani është kataloguar nën Ed. Prop. IV. 244.
  5. kr. Schirò & Petrotta 1932.
  6. kr. Rrota 1930.
  7. kr. Ressuli 1958.
  8. kr. Çabej (red.) 1968.
  9. Për leksikun e Buzukut, kr. K. Ashta, 1964-1966.
  10. kr. Roques 1932b.

Burimi: HISTORI E LETËRSISË SHQIPTARE nga Robert Elsie.
Përkthyer nga origjinali anglisht "History of Albanian Literature" (1995) nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë, 1997.

COMMENTS