Prroni i Çepit.., Ernest Koliqi

ernest koliqi
Gjithënji ftyra e Zanave të dekuna
mbi valën, qi n' kët lug u rrzue prej shkrepit,
duket e zhduket nëpër rreze t' mekuna,
o prroni i Çepit.

Sepse n' kto brigje mblue me hije t' ershme
gjetën të Lumet streh' kur n' truell t' Arbnìs
shkelën me thundra të përgjakna e t' mnershme
gjokat e Azìs.

Vallen e fundme bàn n' kët pasqyr' ujit,
t' joshna prej kàng's vetare t' njàj bilbili,
krejt si i pà vllau i Gjeto Basho Mujit,
Sokol Halili.

N' kët val' qi sakt vërtyte t' mshefta kà
mbassi Zànat e bardha n' tè jan' zhytë
un' ul' ndër giùj ke bregu due me i là,
me i pastrue sytë.

Kish t' harrojshem shka pash' deri n' dit' t' sotit
e t' shifshem si n' vegim npër hapesire
ftyrën qi pat Shqipnija kur kjo motit
ish vash' ilire!

Nji Vash' ilire e eger, por e thjeshtë,
mshefun ndër curra me 'i shigjet' si rrfè
tue ruejt' mos t' vijn' shqipet e Rrom's mbi kreshtë
me ngreh' folè.

Ti, prrue, e pae kur ujin t' ànd. të qartë
kaloi me kàmb' të zbathna e me hark n' dorë,
e àndshem i a stërpike flok't e artë
mbi sup si borë.

Prandej gjat' bregut due npër pyll m'u ngjitun
deri ke kroni qi të jep ushqim,
me shue n' at ùj qi n' shkamb buron tue ndritun
krejt etin t' im.

E aty me fjet' ; pse ndoshta sa jam n' gjumë
ndoj Zàn' e dekun ka nji ças m' u ngjallë
dhe me këndue, tue dal' nga e borta shkumë,
nji kàng' plot mallë.

Edh' un prej gjumit t' àmbël porsa t' shkundem
at kàng' do t' a përsris si hymn uzdaje
për t' grishun àn' e kànd Ilirt e fundem
me rràn' mbi maje.

"O ju qi s' barni mote pa lavdì,
ju qi burrnìn e moçme pror' andrroni,
ngjitnju n' kto maje n' daçi m'u pertrì:
eni ke kroni.

Pse vetëm ktu ju gjèni at forc' qi gjakun
pastron ndër ftyra prej dyshimit t' zbème:
pini e, t' pastruemun, kapërcenja prakun
kohes s' palème".

* Prroni i Çepit rrjedh mbi një shtrat shkëmbor përmes një gryke të ngushtë e të gjatë mali me shpate plot pyje, ndër bjeshkë të Shoshit.

COMMENTS