Kolonel Sanders dhe biznesi i tij me pula

Harland Sanders, Colonel Sander, Kentucky Colonel
Harland David Sanders lindi më 9 shtator 1890, në Henryville (Indiana, SH.B.A.). Ai ishte më i madhi nga tre fëmijët e Wilbur David Sanders dhe Margaret Ann Dunlevy.

Në moshë 5-vjeçare i ati i tij vdiq.
Kur ishte 10 vjeç filloi të punojë në fermë.
Kur ishte 12 vjeç, nëna e tij u martua përsëri.
Në moshë 13-vjeçare iku nga shtëpia për arsye se njerku nuk ishte i sjellshëm me të, dhe shkoi për të jetuar në një fermë. Studionte dhe bënte punë në fermë para dhe pas shkollës. Për arsye të rezultateve jo të mira, ai u shkëput nga shkolla.
Në moshë 15-vjeçare shkoi në New Albany (Indiana, SH.B.A) dhe punoi si drejtues tramvaji.
Në moshë 16-vjeçare ai falsifikoi datën e tij të lindjes dhe u rekrutua vullnetarisht në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Misionin ushtarak e bëri në Kubë, ku qëndroi për pesë muaj.
Në moshë 17-vjeçare ai punoi për dy muaj si farkëtar. Mëpas ai gjeti një punë të përkohshme si pastrues lokomotive. Aty u dallua si punëtor i mirë dhe kompania vendosi ta punësojë për kohë të gjatë. Kështu, e caktuan të kujdesej për kaldajën e lokomotivës dhe për furnizimin e saj me lëndë djegëse (atëherë ishin në pëdorim lokomotivat me avull dhe si lëndë djegëse përdorej zakonisht qymyrguri).
Në moshë 18-vjeçare ai njihet dhe martohet me Josephine King, e para dhe e vetmja vajzë që ai kishte dashur deri atëherë, me të cilën më vonë ato do të lindin tre fëmijë (dy vajza dhe një djalë). Ndërkohë Sanders vazhdonte punën në kompaninë e lokomotivave dhe shquhej si një ndër punëtorët më të aftë. Një gjendje jo e mirë shëndetsore që e kishte zënë gjatë punës, një ditë prej ditësh, i kushtoi atij pushimin nga puna për "mosbindje ndaj rregullores"; ai vetëm sa ishte larguar pak më tej vendit të punës deri sa ta merrte veten.
Kur ishte 19 vjeç ai bëri disa punë të ndryshme por jo të qëndrueshme, duke u spostuar sa në një qytet në tjetrin, dhe si rrjedhojë situata ekonomike e familjes së tij u përkeqësua. Gruaja e tij u kthye te prindërit e saj së bashku me vajzën e tyre, e cila sapo kishte lindur. Ndërkohë Sanders studionte juridik me korrespondencë.

Pas tre vite studimesh në ligj Sanders filloi të ushtrojë profesionin e avokatit për një zyrë e cila ofronte shërbime ligjore e juridike, punë që atij i sillte të ardhura të mira, dhe u ribashkua me gruan e tij. Por karriera e tij ligjore përfundoi shpejt mbas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe punëdhënësit.

Pas eksperiencës si avokat, Sanders bëri çdo punë tjetër që i ofrohej, edhe si pastrues i tualeteve në një stacion hekurudhor, në mënyrë që të mbajë veten dhe familjen.

Kur ishte 26 vjeç ai filloi punë në një shoqëri siguracioni për jetën e, pas një viti, u emërua Ndihmës Menaxher. Rreth asaj kohe Sanders themeloi dhe u bë presidenti i parë i Shoqatës së Biznesit të Të Rinjve në Jeffersonville.

Në moshë 30-vjeçare ai themeloi një shoqëri transporti ujor dhe bleu një traget. Trageti, edhe pse nuk ishte në gjendje të mirë, pati sukses të menjëhershëm.

Rreth moshës 32 vjeç ai punoi si sekretar i Dhomës së Tregtisë në Columbus (Indiana, SH.B.A). Dha dorëheqjen pas më pak se një vit.

Me paratë që kishte fituar nga shoqëria e transportit ujor, Sanders krijoi një kompani për të prodhuar llamba me acetilen (acetilen - gaz pa ngjyrë, i përbërë nga karboni dhe hidrogjeni). Rreth asaj kohe një kompani tjetër, Delco, futi në treg llamba elektrike. Pak nga pak Sanders humbi të gjitha lekët që kishte investuar në këtë biznes dhe kompania e tij dështoi.

Mëpas Harland Sanders filloi të shesë goma për kompaninë Michelin në Winchester (Kentucky), por mbas pak kohe e pushuan nga puna. Tashmë atij u desht të shesë makinën për të mbajtur familjen.

Kur ishte 34 vjeç (1924), rastësisht, Sanders u takua me menaxherin e përgjithshëm të kompanisë Standard Oil, i cili i ofroi për të drejtuar një pikë furnizimi karburantesh në Nicholasville (Kentucky). Në vitin 1930 stacioni u mbyll.

Duke filluar nga viti 1929, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kalonin një krizë të madhe ekonomike, e njohur në histori si "Great Depression" (Depresioni i Madh). Kjo krizë, mëpas, përfshiu gjithë botën.

Mbas pak kohe një kompani tjetër, Shell Oil, i ofroi atij një stacion furnizimi karburantesh, pa qira, në North Corbin (Kentucky), në këmbim që t'u paguante atyre një përqindje të shitjeve. Shell Oil, gjithashtu, ndërtoi dy dhoma gjumi, një banjo dhe një kuzhinë të vogël mbrapa stacionit, për Sanders dhe familjen e tij.

Tani fillojnë të hidhen hapat e parë të atij që më vonë do të bëhej një ndër zinxhirët më të mëdhenj të restoranteve të ushqimit të shpejtë (fast food) në botë; një kompani shumëkombëshe e specializuar në gatimin e mishit të skuqur të pulës.

Duke përfituar nga fakti se shtëpia ku jetonte dhe pika e karburantit ishin fare pranë njëra-tjetrës, Sanders filloi t'iu shërbejë klientëve të njëjtat ushqime që gatuanin në familje; supë, patate, fasule, mish me lëng ose jahni, rrepë, spinaq, etj., por vetëm pas dy viteve ai filloi të shërbente mish pule të skuqur.

"Unë nuk kisha një metodë të shpejtë për ta bërë atë. Nëse unë e skuq pulën më parë dhe klientët nuk duan pulë të skuqur, ajo shkon dëm.... Metoda ime e re e bëri atë praktike dhe të pëlqyeshëm"

- shkruante Harland Sanders në librin e tij.

Kombinimi i stacionit të furnizimit me karburant dhe restorant filloi të ketë sukses. Sanders vlerësohej nga të gjithë për aftësitë e menaxhimit dhe cilësinë e gatimit. Në këtë kohë atij i ofrohet të menaxhojë dhe një tjetër pikë furnizimi karburantesh që ndodhej pak më tutje. Përveç ushqimeve që përmendëm më sipër, aty Sanders filloi të gatuaj e t'iu shërbejë klientëve dhe disa ushqime të tjera si biftek dhe proshutë.

Gjatë kësaj periudhe Harland Sanders u përfshi në një shkëmbim zjarri me një konkurrent të zonës, Matt Stewart, për një tabelë indikative e cila udhëzonte trafikun në stacionin e tij. Stewart vrau një zyrtar të Shell Oil i cili ishte me Sanders dhe u dënua për vrasje.

Sanders, ndërkohë, e përsosi mënyrën e gatimit të mishit të pulës. "Receta sekrete" e tij përbëhej nga 11 bimë dhe erëza, por aspekti kryesor ishte procesi i gatimit me anë të një tenxhere me presion e modifikuar, në të cilën u skuqte pula. Mëpas ai hapi disa restorante dhe motel.

Në moshën 45-vjeçare (1935), Harland Sanders është nderuar nga guvernatori i shtetit të Kentucky, Ruby Laffonme, me titullin e lartë të nderit "Kentucky Colonel".

Gjatë viteve 1939-1951 jeta e tij private dhe ajo e punës patën disa ndryshime; një restorant dhe motel i tij në North Corbin mori flakë; me futjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore, Koloneli Sanders u detyrua të mbylli aktivitetin e tij në Asheville (North Carolina) dhe u mor me punë të ndryshme; ai dhe Josephine u divorcuan dhe Sanders u martua me Claudia Ledington-Price.

Në vitin 1952, atëherë 62 vjeç, ai krijoi emrin e zinxhirit "Kentucky Fried Chicken", i njohur si K.F.C., për të identifikuar restorantet që kanë ekskluzivitet të shërbejnë mishin e pulës sipas "recetës sekrete" të Kolonel Sanders. Për herë të parë ky ekskluzivitet iu dha një biznesmeni të njohur, Pete Harman, nga South Salt Lake (Utah, SH.B.A).

Pas suksesit të Pete Harman, disa pronarë të tjerë restorantesh kërkuan ekskluzivitet mbi konceptin e Kolonelit Sanders. Sot numërohen rreth 20.000 aktivitete tregtare në gjithë botën që kanë këtë ekskluzivitet.

Në vitin 1964, atëherë 73 vjeç, Koloneli Sanders e shiti kompaninë Kentucky Fried Chicken për dy milion dollarë (rreth 15 milion $ sot).

harland sanders, colonel sander, kentucky colonel, kentucky fried chicken, k.f.c,
Harland Sanders vdiq më 16 dhjetor 1980 në Kentucky, në moshën 90-vjeçare. Ai mbetet fytyra zyrtare e Kentucky Fried Chicken, dhe shfaqet në logon e saj.

shkodradaily.com

COMMENTS