Vangjel Gjika trim o burr, emri mos t'u shoftë kurrë

Vangjel Gjika ishte njëri prej të tre djemve të Caci (Anastas) Kika nga fshati Delvinë të Sheperit të Permetit. Thonë se mbiemrin nga Kika në Gjika ai e pat ndërruar qëllimisht për të mos pasur ndonjë pasojë prindërit nga pushtuesit për shkak të tij, megjithatë, nga sa tregojnë, i ati nuk i pati shpëtuar persekutimeve të ndryshme.

Vangjel  Kika Gjika, Haki Mborja
Lindur më 1882, me të mbaruar shkollën fillore të fshatit të lindjes, mori rrugën e kurbetit që në moshë të njomë. Në Stamboll Vangjeli u ndesh me vështirësitë e jetës dhe filloi të burrërohet para kohe.

Me afshin patriotik të lëvizjes kombëtare të kolonisë shqiptare në Stamboll, Vangjeli kthehet pas disa vjetësh (më 1906) në Korçë. Aty hapi ëmbëltoren "Manushaqe", e cila u shndërrua në një fole kombëtare për shpërndarjen fshehurazi të materialeve dhe librave në gjuhën shqipe, që sillte përmes patriotëve të kolonisë shqiptare të Bullgarisë, ku kishte edhe njërin prej vëllezërve të tij, Stathaqin. Në Bullgari Vangjeli kishte shkuar edhe vetë më 1904, ku u njoh me lëvizjen patriotike të shqiptarëve të atjeshëm dhe me udhëheqësit e saj; Shahin Kolonja, Kristo Luarasi, Themistokli Gërmenji, etj.

I vuri atë emër duqanit të vet mbase i frymëzuar nga vjersha e mirënjohur e Naim Frashërit, ndoshta për të paralajmëruar pranverën e lirisë. Dhe vërtetë ëmbëltorja e tij u kthye në një qëndër të atdhedashurisë, që "ëmbëlsonte" të madh e të vogël me fjalën e së vërtetës, me botimet e rilindasve plot afsh e zjarr.

Veprimtaria patriotike e këtij luftëtari të vendosur kundër zgjedhës osmane kishte rënë në sy të organeve qeveritare, të cilët më 1907 e burgosin. Këtë e pohon shprehimisht Mihal Grameno në kujtimet e tij:

"Të mjerit Vangjel Gjikës i kishte shitur qeveria gjithë plaçkat të magazisë në tellall."

Si kudo, edhe në qarkun e Korçës shpallja e Hyrietit (një lloj lirie që Xhonturqit kishin premtuar në të gjithë Perandorinë Osmane), më 24 korrik 1908, u mirëprit nga populli dhe patriotët tanë. Çetat të urdhëruara nga Komiteti i fshehtë i Kryengritjes, zbritën në qytet me veshjet dhe armët e tyre. Bashkë me të tjerët merrte pjesë në këtë gëzim dhe Vangjel Gjika. Ky ishte ndër të parët që i vuri menjëherë duqanit të vet tabelën shqip të shkruar me alfabetin e Stambollit.

Veprimtaria patriotike sa vinte e shtohej dhe bëhej më e rrezikshme për pushtuesit osmanë; prandaj qeveria turke filloi përsëri t'i ndiqte patriotët e t'i burgoste. Ndërkaq Vangjel Gjika me Dr. Haki Mborjen dhe shokë të tjerë, në maj të vitit 1911 arratiset dhe hidhet në mal.

Me rastin e vrasjes së dëshmorëve të Osman Çiflikut në korrik 1911, kapedani i çetës Vangjel Gjika me Haki Mborjen i dërguan dy letra organeve qeveritare dhe bejlerëve ku theksonin se ata nuk trembën dhe se do të vazhdonin luftën e tyre në mbrojtje të mëmëdheut.

Pikërisht në këtë periudhë, në rrugën midis Këlcyrës dhe Përmetit çeta e komanduar nga Vangjel Gjika kishin sulmuar një kolonë ushtarësh osmanë, duke u shkaktuar humbje të rënda.

Për t'i shpëtuar ndjekjeve nga pushtuesit otomanë, Vangjel Gjika arratiset në Amerikë për të vazhduar edhe atje veprimtarinë patriotike. Ai figuron si kontrollor në Kuvendin e parë të Federatës Panshqiptare të Amerikës "Vatra", që u mbajt më 14 korrik 1912. Më 24 gusht 1913, Vangjeli zgjidhet si kryetar i kësaj Federate dhe drejtues i gazetës "Dielli", ku zhvilloi një aktivitet të ndjeshëm. Por më 8 maj 1914 ai jep dorëheqjen me që do të largohej nga Amerika për në atdhe.

Aty nga gushti 1914, midis një grupi patriotësh, si Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, edhe Vangjel Gjika vete në Durrës ku po bëhej luftë kundër esadistëve të Esad Toptanit. Atje takuan edhe atdhetarë të ardhur nga kolonia shqiptare e Rumanisë dhe kështu të gjithë së bashku, me patriotë të tjerë, përbënin një front të bashkuar kundër armiqve të pavarësis kombëtare.

Në shtator të atij viti Vangjeli burgoset nga esadistët dhe pas torturave të rënda vdiq, me mallëngjimin e ndarjes prej fëmijëve të tij të vegjël.

Populli e ka përjetësuar në këngë veprën patriotike të Vangjel Gjikës:

Vangjel Kika, trim o burr,
Emri mos t'u shoftë kurrë,
More malet edhe dole,
Shqipërinë s'e harrove ...

_________

Informacionet u morën nga libri i Prof. Dr. Stilian Adhami, "Ndaj kushtrimit të mëmëdheut, atdhetarët janë bashkuar: Haki Mborja dhe Vangjel Gjika"

Foto nga patrioti Petro Fotografi (Dhimitri)

COMMENTS