Luan Rama: Bisedë me Shenjten Nënë Tereza

Nënë Tereza, Mother Teresa, Madre Teresa
Edhe pak ditë Nënë Tereza do të shenjtërohet atje ku u ngrit kisha e apostullit Shën Pjetri, dhe unë ende nuk mund ta realizoj peshën e këtij akti, jo vetëm në kuadrin e historisë së kristianizmit, por dhe të historisë së sotme botërore, të historisë humane. Herë pas here këto ditë më vijnë ato imazhe të kësaj nëne të madhe të të varfërve kur ajo vinte për herë të parë në Shqipëri. Ishte diçka e pabesueshme por e vërtetë, pasi ato ditë të vitit 1989 më së fundi, pas kaq vite pritjeje, ajo vinte të shikonte popullin e saj, varret e nënës dhe motrës së saj të dashur. Më kujtohet ai çast kur në hollin e muzeut në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ajo hyri ashtu e përkulur, me hapin e saj të lehtë, veshur me sarin e saj, me sytë e gëzuar dhe të qeshur, duke na dhënë dorën në atë holl, e shoqëruar dhe nga një dokumentaliste kanadeze, Jane, e cila do të projektonte filmin e gjatë dokumentar "Mother Teresa". Jane e kishte shoqëruar vitet e fundit ngado Nënë Terezën, dhe ja tani, ajo u ul bashkë me ne ku mes asaj salle të vogël, por të mbushur plot, ne do të shikonim filmin për jetën dhe veprën e misionares së madhe. Këtë dokumentariste e kisha pas kurrizit, kur një çast, gjatë transmetimit, zëri i spikerit u ndërpre, edhe pse filmi vazhdonte. E dëgjova që shau nëpër dhëmbë dhe u ngrit me të shpejtë duke kërkuar të shkonte në kabinën e projeksionit, por kur ajo mbërriti, zëri erdhi përsëri. Ishte pikërisht ai moment kur spikeri thoshte se "vetëm Shqipëria e bunkerëve tregoi veshin e shurdhër kërkesave të pareshtura të Nënë Terezës për të shkuar në Shqipëri"... Nënë Terezën nuk e pashë më. Takova misionaret e saj të vendosura në Paris, afër Notre-Dame. Larg Shqipërisë ndiqja misionet e saj, sëmundjen, vdekjen, lexoja librat për të dhe ja pse, tani, në prag të shenjtërimit, mua më shfaqet si një engjëll, e përkulur si gjithnjë pranë të varfërve, me urinë e dashurisë, për t'ua bërë jetën dhe vdekjen më të lehtë. Dhe unë kam dëshirë ta pyes për jetën e saj, për përkushtimin dhe atë çka e shenjtëroi shpirtin e saj që para se të bëhej një shenjte. Ta pyes nga vjen dhe çfarë ndodh që njerëzit e thjeshtë arrijnë të bëhen shenjtë...

- Tregomë atëherë Nënë, ç'ishte Nënë Tereza kur lindi?

- Kur isha e vogël dhe fillova të kuptoj ç'është bota, prindërit e mi më thanë se unë kisha lindur një ditë të ngrohtë vere, më 27 gusht të vitit 1910. Më quajtën Gonxhe, Gonxhe Bojaxhi. Isha bija e Kolës me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bernajt nga Novosela e Gjakovës. Nëna më ka treguar se u pagëzova në kishën e "Zemrës së Shenjtë" nga famullitari Zef Ramaj.
Ati im ishte tregtar dhe nëna merrej me shtëpinë dhe rritjen e tre fëmijëve: Llazarit, mua dhe Ages. Dy fëmijë të tjerë asaj i kishin vdekur fare të vegjël. Ishin katolikë të ardhur nga Shkodra dhe të vendosur më pas në Prizren, ku dhe u martuan e më vonë shkuan në Shkup, ku ati im Kolë Bojaxhi u mor me tregti, ndërtime banesash dhe ku më pas hapi një dyqan farmacie. Në atë kohë u lidh me një tregtar venecian dhe importonte vaj, sheqer, kafe, stofra. Udhëtonte ngado nëpër Europë dhe dinte shumë gjuhë, si shqip, turqisht, italisht, serbo-kroatisht, frëngjisht. Ishte një poliglot i vërtetë. Më 1914 shpërtheu lufta dhe më 1915 lufta mbërriti në Shkup. Isha pesë vjeçe. Më pas mësoja në një shkollë shqipe. Nëna ime ishte një besimtare e devotshme. Çdo natë, kur uleshim në tavolinë, ajo fillonte lutjen dhe ne luteshim me të. Babai ndërkohë tregonte kujdes për shkollimin tonë. Ishte shumë bujar. Në ato vite lufte, kishte shumë njerëz të vobektë dhe babai i linte të vinin në shtëpinë tonë, i ushqente, u jepte të hanin dhe porta ishte gjithnjë e hapur. Tavolina jonë ishte gjithnjë plot. Unë e doja shumë muzikën. Luaja mandolinë, isha në korrin e kishës dhe siç më thoshin se këndoja bukur. Madje luaja dhe teatër. Më pëlqente të recitoja gjithashtu.
Ati im i ndihmonte shumë patriotët shqiptarë dhe kur Shqipëria u copëtua pas Luftërave Ballkanike, ai ëndërronte gjithnjë bashkimin e saj.
Isha pothuaj nëntë vjeçe kur më vdiq babai. Ishte viti 1919, fundi i "Luftës së Madhe", dhe vdekja e tij më goditi në shpirt. Shumë shpejt, për të na rritur, nëna hapi një dyqan rrobaqepësie dhe punonte gjithë ditën. Por jetën e saj e mbushte me lumturi dashuria për ne. Jeta jonë ishte shtëpia, kisha, shkollimi. Shkonim për meshë në kishën e "Zemrës së Shenjtë" të Shkupit. Peshkop ishte Toma Glasnoviç dhe për ndihmë i erdhi më pas një jezuit shqiptar Gaspër Zadrima. Jepte mësimet e katekizmit, meqë dinte shqipen. Shpesh unë i shërbeja si interprete priftit Cepeviç. Më pas erdhi një tjetër prift kroat, Franjo Jambrenkoviç, i cili më udhëhoqi në rrugën time. E doja shumë. Ishte ai që themeloi dhe "Kongregacionin e Marisë" dhe unë shkova të organizoja punën atje. Kështu jeta ime u lidh me kishën akoma më shumë. I lexoja me pasion numrat e revistës "Misionet katolike" që vinin atje dhe që flisnin për jetën e misionarëve të katolicizmit. Aty vinin dhe misionarë të ndryshëm që kishin shëtitur nëpër botë dhe tregimet e tyre më ngacmonin. Një tjetër botë hapej para meje, ajo e përkushtimit. Një natë, Franjo hapi një hartë të madhe gjeografike dhe na tregoi për misionet katolike. Atë kohë në Vatikan ishte Papa Pie XI. Ishte ai që i dha hov punës së misionarëve nëpër botë. Ishte ai që ekzaltoi vëllazërimin mes popujve dhe ndihmën për tjetrin.
Jo larg Shkupit, në malin Or, çdo vit familja jonë bënte një pelegrinazh në vendin e shenjtë të Leshnicës. Ati im kishte ndihmuar dikur një mikun e tij për ndërtimin e shtëpisë atje dhe tashmë, ai na priste me shumë dëshirë. Ishim si në shtëpinë tonë. Ne i hipnim plaçkat mbi një qerre që tërhiqej nga kuajt dhe shkonim në këmbë përgjatë 10 km në ditët e verës së nxehtë. E lodhur, nëna hipte në karro, mes plaçkave dhe enëve të kuzhinës, por kur ishim të vegjël, ishim ne fëmijët që hipnim në karro dhe nëna na shoqëronte në këmbë.

- Po më pas Nënë, çfarë ndodhi? Si e dëgjove atë zë që të thirri, zërin e Atit të Shenjtë, siç e quan ti?

- Atëherë isha 17-18 vjeçe dhe më kujtohet që qëndrova atje në Letnicë një muaj më shumë për t'u lutur, dhe pikërisht atje e mora vendimin që të bëhesha misionare. Për këtë fola me drejtuesin tim shpirtëror. I thashë: "Si mund ta di që Zoti po më thërret dhe përse më thërret?" Dhe ai m'u përgjigj: "Nga gëzimi yt. Nëse ti je e lumtur që Zoti mund të të thërrasë që t'i shërbesh atij dhe të afërmit tënd, kjo është prova më e mirë e dhuntisë tënde! Gëzimi i thellë është si një busull që tregon drejtimin e jetës!"
Një natë, dëgjova fjalët e një misionari që kishte ardhur nga India: "Çdo njeri ka dhuntinë e tij të veçantë dhe duhet ta ndjekë atë!" Ideja që të bëhesha misionare dhe t'i shërbeja Zotit forcohej te unë dita-ditës. Një natë, me qiri në dorë, hyra në kishë dhe u gjunjëzova para Virgjëreshës Maria. Atë mbrëmje, buzëqeshja e statujës m'u duk më e ëmbël. Pikërisht aty dëgjova zërin e Zotit që më ftonte të isha e gjitha në shërbimin e tij: t'i përkushtohesha atij dhe çdo njeriu pranë meje. Dhe kjo ishte një dëshirë e fshehtë dhe e thellë brenda meje, prej shumë kohësh... Po, ishte Shën Maria që më ndihmoi të zbuloj dhuntinë time...
Më pas, kur i thashë nënës se do t'i kushtohesha Zotit, ajo nuk m'u përgjigj menjëherë. U fut në dhomë dhe lutej. E kishte të vështirë të ndahej nga unë dhe unë të shkëputesha përgjithnjë nga familja. Llazari, im vëlla nuk donte. "Ku shkon kështu, - më tha, - do ta mbyllësh jetën tënde brenda mureve të Kishës!"

Më 25 shtator të vitit 1928, unë u nisa. E kisha vendosur të shkoja fillimthi në "Urdhrin e Loretto"-s (Notre Dame de Lorette), që bënte një punë të mrekullueshme në Kalkuta. Një natë, para se të largohesha, u mblodhën të gjithë në shtëpi: ishin dhe miq të familjes, fqinjët tanë. Muzikë, këngë dhe një tekst lamtumire që shkrova në gjuhën shqipe, të cilën e lashë në kishëz.
Të nesërmen, disa miq më përcollën në stacionin e trenit, ku shkova bashkë me nënën dhe motrën time Age. Të gjithë kishim vendosur të mos qanim, por duke u ngjitur në tren nuk i mbajta dot lotët. Dola në dritare të shikoja ata njerëz të mirë që më përshëndesnin duke tundur shamitë. Nëna dhe motra Age erdhën deri në Zagreb.
Pak gjëra dija nga jeta e "Kongregacionit të Motrave të Lumtura të Virgjëreshës Maria" të Loretto-s, të krijuar që në shekullin XVII nga anglezja Mary Ward. Ky manastir donte t'i jepte një rol më të madh femrës në fushën e fesë. Ajo vdiq më 1645, por vepra e saj për të Plotfuqishmin dhe njerëzimin, jetoi.

Më 13 tetor, bashkë me një vajzë tjetër, misionare gjithashtu, ne u nisëm drejt Francës. Më kujtohet si tani fytyra e saj e mirë. Quhej Btilika Kajnec dhe ishte një mikeshë e mirë. Edhe ajo do të vinte me mua në Loretto. Kaluam nëpër Austri, Zvicër, e pastaj me tren nëpër Francë derisa mbërritëm në Calais, ku morëm më së fundi anijen për të shkuar në Londër e pastaj në Rothfaruham, pranë Dublinit të Irlandës.

Më vonë, hipur në një anije ne iu afruam brigjeve të Ceilonit. Zbarkuam në portin e Kolombos dhe që andej i dërgova një letër revistës Misionet katolike rreth udhëtimit tonë, ku ndër të tjera u shkruaja: "Me një ndjesi të veçantë shohim rrugët përreth dhe menjëherë pikasim europianët, me rrobat e tyre të fisme si dhe njerëzit me fytyrat e tyre zeshkane dhe të veshur shumë keq, shumica e të cilëve ecin në rrugë gjysmë të zhveshur. Lëkura e tyre si dhe e kuajve shndrisin nën atë diell të nxehtë. E kuptojmë që këta njerëz jetojnë në një mjerim të madh. Por na vjen më shumë keq për ata të mjerë që tërheqin karrot në rrugë si të ishin kuaj. Dhe të gjithë vendosim të mos i përdorim këto lloj karrocash, por zoti Scalon që ishte me ne, i mësuar me to, na detyroi të shkonim me karro. U mërzitëm shumë, por ishim të detyruara. Na mbetej veç të luteshim që barra e tyre të ishte sa më e lehtë. U qetësuam sapo mbërritëm në shtëpinë e tij."
Dy ditë më vonë, në shoqërinë e një prifti katolik, ne u nisëm për në Darjeeling ku mbërritëm në janar të vitit 1929. Në mbrëmje, ne zbarkuam në Mandras. Të nesërmen vizituam qytetin. Mjerimi ishte i papërshkrueshëm. Shumë familje jetonin në rrugë, përgjatë mureve apo në udhëkalimet. Jetonin aty natë e ditë mbi një shtresë me gjethe palmash dhe më së shumti drejtpërdrejt mbi tokë. Disa ditë më vonë ne e lamë bregun dhe udhëtuam në deltën e Gangut, deri në portin e Kalkutës. Motrat tona indiane na prisnin në skenë. Motrat e Loretto-s ishin vendosur aty që prej një shekulli. Këtë vend marinarët e quanin "Golgota". Indianët e quanin fenë e tyre hinduizëm, apo "Sanatana Dharma", ose "Ligji Antik".

Më pas, nga Kalkuta ne u nisëm me tren për në Darjeeling, ku udhëtuam gjatë 24 orësh. Darjeeling gjendej në këmbët e një prej majave të Himalajës, në një lartësi mbi 2000 metra. Ishte një vend i bukur, tërheqës, një vend parajse. Kështu, më 23 maj 1929, unë hyra në Institutin e Vajzave të Lumtura të Virgjëreshës Mari, duke veshur rroben e bardhë e të gjatë. Gjatë dy vjetëve iu nënshtrova rregullave të manastirit, duke i shkëputur gjithë lidhjet e mëparshme afektive si dhe ndjesinë për të mirat private apo personale. Mjaft më me informacione nga bota, nga gazetat, spektaklet, librat profanë. Duhej vetëm studimi i Biblës, i teologjisë, i rregullave të kongregacionit. Dy vjet më vonë, pas studimeve, kisha të drejtë t'u mësoja të tjerëve ato ç'kisha mësuar, teologjinë, rregullat kishtare.

- Nënë, kam lexuar dikur se kur ishit adoleshente, nëna juaj Drane ju thoshte: "Kur bëni një të mirë, bëjeni sikur të hidhni një gur në det!"

- Sipas rregullave të kongregacionit, tashmë unë duhej të ndryshoja emrin dhe të zgjidhja një emër të ri. Në ato vite flitej shumë për Terezën e Lisieux në Normandi të Francës dhe mrekullinë e saj, përkushtimin ndaj Jezusë, çka e kishte bërë aq të njohur në Europë. Ajo ishte shenjtëruar gjashtë vjet më parë dhe ishte prijëse e misionit me François Xavier. Dhe unë zgjodha atë. Pas kësaj u nisa në një qendër mjekimi, në xhunglën e Bengalit, që të mësoja nga ana mjekësore, por ishte larg, njëqind kilometra nga Darjeeling. Aty vinin njerëz nga anë të largëta që të mjekoheshin, njerëz të mjerë. Më vonë u ktheva përsëri në Kalkuta. Tashmë kisha diplomën si edukatore dhe më 1934, u caktova si mësuese e shkollës "Shën Teresa", në një lagje të Kalkutës... Fillova të punoj për të varfrit, t'i ndihmoj kudo ata nëpër rrugë. Atëherë filluan të më quanin "Nënë Tereza e Bengalit".
I kujtoja gjithnjë fjalët e atit tim që kur ishim në shtëpinë tonë, më thoshte: "Mos prano asnjëherë një kafshatë pa e ndarë atë me të tjerët". Më kujtohen gjithnjë dhe porositë e nënës Drane që na thoshte: "Kur bëni një të mirë, bëjeni sikur të hidhni një gur në det". Dhe unë kështu bëja... hidhja gurë në det. Kishin kaluar tetëmbëdhjetë vite që unë kisha dëgjuar zërin e Zotit. Dhe tani ai më fliste përsëri. Duhej të shkoja tek më të mjerët. Duhej ta lija kuvendin dhe të shkoja pranë të vobektëve e të jetoja me ata. Ishte si një lloj urdhri, një detyrë. Tashmë e dija se ç'duhej të bëja, por nuk e dija si. Ishte një lloj iluminimi. Po, ishte zëri i Zotit. Dhe kjo ishte thirrja e dytë, pas asaj të Shën Marisë në Letnicë. Ishte si një shkreptimë rrufeje!
Kur u thashë të tjerëve që doja të ikja nga kuvendi, të gjithë u habitën. I shkrova atit tim shpirtëror, jezuitit belg Celeste Van Exem, priftit të misionit "Motrat e Lorette"-s. Ai u habit shumë. Në fillim më tha të heshtja, të lutesha e të mos u thosha superioreve të mia. Më tha se në një rast të favorshëm, ai do të fliste për këtë me peshkopin. Por arqipeshkvi francez Ferdinant Périer, kur dëgjoi për dëshirën time, u shpreh kundër. Ideja që një fetar kërkonte të largohej nga kuvendi ku ka shërbyer për tetëmbëdhjetë vjet, për të jetuar mes të mjerëve e rrugëve, u dukej pa kuptim.
Në të vërtetë nuk prisja ndonjë përgjigje pozitive, pasi ai s'mund të pranonte që një fetare e thjeshtë të vepronte në emër të Perëndisë përmes një urdhri të ri, një urdhri tjetër. Pak kohë më vonë u sëmura dhe më çuan dyqind kilometra larg, në një sanatorium të fetareve, në Asarsol. Ishte viti 1947. Në atë kohë në Indi kishte revolta. Njerëzit kërkonin paqësisht pavarësinë nga anglezët. Ishte një zgjim kombëtar. Në skenën politike ishte Mohan Das Gandhi. Mua më thirrën që të kthehesha në manastir, por unë e kisha zgjedhur rrugën time si një "dëshmitare" e Krishtit. Nuk doja të ndihmoja thjesht të varfrit, siç ishte "Misioni i Anës", për çka superioret e mia ishin dakord. Jo, unë doja të shkoja të jetoja mes tyre. Atëherë i shkrova një letër superioreve në Dublin që të më lejonin të dilja nga kuvendi. Më 20 janar 1948, Gandhi u vra, ndërkohë që unë prisja një përgjigje. Nehru u vendos në krye të vendit. Prisja që të vinte një përgjigje pozitive nga Roma. Atëherë i shkrova një letër drejtpërdrejt Shenjtërisë së tij, Pie XII. Përgjigjja në Delhi erdhi më 8 gusht të vitit 1948 dhe gëzimi im ishte i papërshkruar. Shenjtëria e kishte nisur që më 12 prill. Më akordohej veçse një vit të largohesha dhe pastaj të kthehesha.

- Ti ishe e vetme, Nënë. Ç'mund të bëje veç me dy duar dhe një zemër të vogël, në një vend ku qindra mijëra të mjerë dergjeshin rrugëve të prag të vdekjes?

- Sigurisht, të lija Misionin e "Motrave të Lorette"-s ishte e dhembshme për mua, ishte një sakrificë e jashtëzakonshme që kurrë nuk e kisha bërë në jetën time, pasi Lorette ishte gjithçka për mua, ishte familja ime. Isha 38 vjeçe dhe duhej të dilja në rrugë. Kalkuta ishte një qytet gjigant me katër milionë banorë. Kështu, mora trenin për të shkuar në Patna, kryeqendër e Bihar-it, 500 km në veri të Kalkutës. E refuzova ndihmën financiare të misionit që të mund të kisha diçka për ditët në vazhdim. Fillimisht shkova në një spital të mësoja punën e infermieres. "Atje, bashkë me motrat e tjera, hanim veç oriz dhe kripë dhe asgjë tjetër. Ishte një mjerim i madh. Qëndrova katër muaj dhe pastaj u riktheva në Kalkuta. Qëndrova disa ditë dhe vetëm lutesha, pastaj dola në rrugë. Pikasa se varfëria ekstreme e boshatiste njeriun nga ndjesitë njerëzore. Mora me vete veçse pesë rupi, të cilat i futa në librin e Biblës. Gjatë rrugës, të mjerët që zvarriteshin më kërkonin ndihmë dhe nuk kisha si të mos i ndihmoja. Ua dhashë dhe rupitë e fundit. U gjenda në mes të rrugës, pa strehë, pa ndihmë, pa para, pa asgjë. Megjithatë fillova të ndihmoj të mjerët. Një ditë, dikush më solli një zarf dhe pashë që brenda ishin 50 rupi. Kush vallë m'i kishte sjellë? Nuk e mora vesh asnjëherë. Që nga ai çast unë e kuptova se Zoti po e bekonte misionin që kisha ndërmarrë dhe se ai nuk do më braktiste...".
Në fillim kërkoja të gjeja strehë në cepat e rrugëve, me të mjerët e mi, por ngado vendet ishin të zëna. Disa ditë u ktheva natën të flija tek "Motrat e Vogla të të Varfërve", në një rrugë të Kalkutës. Pastaj shkova në lagjen "Motijhil" që të mund të filloja vërtet misionin tim. Gjeta një grup fëmijësh të braktisur gjithë lecka dhe fillova t'u mësoj shkrim e këndim. Fëmijët u habitën dhe u gëzuan me mua, pasi isha një grua europiane dhe jo një hindu. Ulesha në një trung peme dhe u mësoja. Më kujtohet që ishte 21 dhjetori i vitit 1948. Një javë më vonë arrita të gjeja një kthinë me dy dhoma ku u vendosa, por aty s'kishte as banka e as dërrasë të zezë. Në sajë të disa ndihmave rregullova një klasë mësimi.

Çdo mëngjes, fëmijëve u jepja një gotë qumësht dhe ata ishin të kënaqur, më donin. Kështu lindi shkolla e Montijhil që më vonë do të bëhej e njohur në Kalkuta. Më pas vendosa të hap një shkollë tjetër në Tiljana, në bidonvilet e qytetit. Shkova. Në rrugë takova ca të mjerë. Njëri nga ata kërkoi ta ndihmoja dhe të vetmen rupi që kisha ia dhashë. Bëra një orë udhë në këmbë dhe nuk e mora autobusin, pasi rupinë e vetme që kisha ia dhashë atij të mjeri. E bëra këtë për Jezunë!

Një vit më vonë më kërkuan të kthehem në "Misionin e Lorette"-s, pasi leja nga Shenjtëria e Tij ishte veçse për një vit. Mu desh përsëri të kërkoja me forcë që të më lejonin dhe një vit tjetër. Disa më thoshin se ç'vlerë ka të shërbesh mes më të varfërve, kur të pasurit vetëm vijnë drejt fesë. Dhe unë u thosha: Nëse të varfrit përfitojnë nga shërbimet e kishës dhe fetare, atëherë edhe të varfrit kanë nevojë për dashurinë tonë. Të varfrit më quanin gjithashtu "Motra e slums", pra "Motra e rrugëve" dhe unë isha e lumtur, sepse këtë e bëja për dashurinë dhe lavdinë e Zotit. Më vonë, shumë ish-nxënëse të mia të shkollës së Shën Mërisë në Kalkutë erdhën të më ndihmojnë dhe t'i përkushtohen misionit tim, ndihmës për më të varfrit e të vobektëve. Pas dhjetë vajzave të para, të tjera erdhën me ne. E drejta për të qëndruar edhe një vit tjetër jashtë manastirit erdhi përsëri, por unë e dija se asgjë nuk mund ta ndalte punën e nisur. Më 1950, ati im shpirtëror më kërkoi të shkruaja rregullat e misionit tim të ri dhe qëllimet, në mënyrë që kjo punë të zyrtarizohej nga Kisha. U gëzova shumë dhe e shkrova brenda një nate.

Vendosa ta quaja "Misionaret e Mëshirës" apo më mirë "Misionaret e Dashurisë", pasi unë e kuptoja mëshirën jo thjesht si mëshirë, por si dashuri supreme. Kështu, mu desh të kem një veshje ndryshe nga ato të murgeshave dhe unë zgjodha një "sari" blu me shirit të bardhë.

Ashtu si dikur Francesco d'Asise, edhe unë kërkova për rregullat e misionit tim që të mos kishim asnjë lloj pronësie imobiliare dhe çdo gjë e jona t'i takonte kishës. Pas kësaj, më 7 tetor të vitit 1950, Papa Pie XII e firmosi vendimin për krijimin e fondacionit. Në tekstin e misionit unë kisha shkruar se "qëllimi ynë është që të shuajmë etjen e pambarimtë të dashurisë të Jezusë përmes mësimit të Ungjillit duke u dhënë me gjithë zemrën tonë, pa asnjë shpërblim, në shërbim të më të varfërve mes të varfërve. Ati ynë na e mëson këtë dhe na e tregon shembullin në Ungjijtë, duke na shpalosur udhën e vetme drejt Mbretërisë së Zotit".

- Nënë, jeta juaj ka qenë padyshim një kalvar i vërtetë, pasi të gjithë që të rrethonin vuanin nga klithma e urisë, nga sëmundjet e tmerrshme dhe etja që të tjerët t'i donin. E megjithatë, dashuria që ti u jepje, vdekjen e tyre e bënte më të lehtë, më të paqtë...

- Vite me radhë kam jetuar me këto pamje mjerimi dhe dhembjeje. Më kujtohet që pas krijimit të fondacionit tonë, të nesërmen në rrugë, gjeta një njeri që po vdiste dhe me njerëzit e mi ne e morëm dhe e çuam që të vdiste në spital, por kur shkuam atje na thanë: "Ikni, merreni përsëri, pasi s'mund ta mbajmë". Por, unë u revoltova: "Nuk lëviz që këndej pa u kujdesur për këtë njeri. Atëherë shkuan dhe thirrën një mjek i cili e pa, por njeriu po vdiste. Dola nga spitali dhe pyeta veten: si mund të lihet të vdesë kështu një njeri? Një ditë më vonë takova nënkryetarin e bashkisë së Kalkutës dhe i tregova ngjarjen e spitalit. I kërkova ndonjë ndërtesë të thjeshtë që të mblidhja këta njerëz në prag të vdekjes, që ata të mos vdisnin rrugëve, por në një vend të denjë? Arrita ta bind dhe ai më dha dy vende: njërën në qendër të qytetit dhe tjetrën në një lagje tepër fetare dhe popullore, në jug të qytetit, në Kalighat. Atje hindutë ishin tepër të devotshëm për perëndinë e tyre, hyjninë e krijimit dhe të shkatërrimit, KALI. Ishin dy salla të mëdha, ku mund të strehonim për çastet e tyre të fundit pesëdhjetë njerëz. Ishin salla të vdekjes.

Kjo ishte "Shtëpia e Zemrës së Dlirë", siç e quajta, "Nirmal Hriday".

I ndihmonim të vdisnin denjësisht, me një dorë pranë që i lante dhe ju prehte dhembjet e fundit. Fetarët hindu, në fillim u grumbulluan dhe donin të na largonin me forcë. Na qëllonin me gurë. Dhe atëherë unë dola para tyre dhe u thashë: "Më mirë më vrisni mua! Por, ata që janë brenda dhe që janë hindu, lërini të vdesin në paqe!". Një polic erdhi ato çaste të vështira të shikonte se përse po bëhej kjo revoltë e madhe. Ai hyri brenda me idenë se bëhej ndonjë lloj preseletizmi, por jo, ai pikasi veç motrat tona në kokat e atyre të mjerëve që po jepnin shpirt. Ai e kuptoi dhe e ktheu turmën mbrapsht. Por klerikët e lartë hindu nuk na donin aty dhe e shikonin me dyshim punën tonë. Madje, kërkuan zyrtarisht largimin e misionit tonë, pasi aty afër ishte dhe Tempulli i hyjneshës KALI. Por, kur një fetare e devotshme hindu, një nga shërbyeset e tempullit, mësoi se ishte prekur nga turbekulozi dhe se ishte në çastet e fundit, ajo shkoi në disa spitale, por askund nuk e pranuan. Unë e mora vesh dhe e solla në shtëpinë tonë, ku tre muaj më vonë vdiq aty. Që atëherë hindutë e vlerësuan punën tonë. Ne i merrnim nga rruga, i lanim, i pastronim, u mjekonim plagët me sa mundnim. Një ditë gjeta dikë në rrugë që po vdiste. E solla në shtëpi, e lava, i pastrova plagët nga krimbat. Njeriu që po vdiste më tha: "Gjithë jetën time kam jetuar si një kafshë, ndërsa tani po vdes si njeri"!

Më 1954, "Misionaret e Dashurisë" numëronin tashmë 43 motra. Ishim vendosur si seli në 54, A. Lower Circular Road, por sigurisht jetonim shumë thjesht dhe me një ushqim të pakët. "Si mund t'i vështroja të varfrit në sy? Si mund t'u them se ju kuptoj dhe ju dua, nëse nuk jetoj dhe unë si ata?"... Më kujtohej një thënie e Gandhi-t, të cilën ua thosha shpesh motrave të mia: "Ligji hyjnor i jep njeriut atë çka nevojë çdo ditë. Të pasurit kanë aq shumë gjëra dhe që i mbledhin, saqë ato harxhohen kot, prishen duke i mbajtur gjatë, ndërkohë që miliona njerëz vdesin urie sepse nuk kanë çfarë të hanë. Nëse njerëzit nuk do të ruanin atë që s'e kanë nevojë të menjëhershme, çdo njeri do kënaqej me atë që ka". Një ditë nga Selia e Shenjtë më erdhi një pagesë tremujore prej 25.000 dollarësh, e cila do të vazhdonte dhe më tej që të mbanim në funksionim shtëpinë tonë. Selia mendonte se misioni i ynë mund të dështonte me gjithë ata njerëz që duhej të ushqenim dhe të kujdeseshim. Por, unë ua ktheva menjëherë atë çek. Nuk kemi nevojë u thashë. Ne nuk punojmë për asnjë siguri materiale dhe s'kemi nevojë për asnjë llogari bankare. Është fryma hyjnore që mendon për ne". Kthimi i çekut bëri përshtypje të veçantë në Vatikan dhe Shenjtëria e tij u habit.

- Nënë, në shapelën tënde të thjeshtë në Kalkutë, ku kishte vetëm një statujë të shenjtes Mari, anash saj ti kishe vendosur të shkruhej "Kam uri!". Përse? Ç'ishte kjo uri?

- Po, dhe ne kishim uri... uri për dashurinë e Zotit. Atë kohë, fëmijë të shumtë dhe bebe braktiseshin nëpër rrugët e Kalkutës. Një ditë gjetëm një bebe pranë nënës së tij të vdekur. Atëherë e çova atë fëmijë në strehën e një misioni françeskan aty afër, por ata nuk pranuan. Atëherë e sigurova në një vend tjetër. Një herë tjetër gjetëm një bebe në një kosh plehrash. Një qen i kishte ngulur kthetrat dhe donte ta shqyente. Ne e morëm dhe e mjekuam dhe donim ta sillnim në jetë, por foshnja vdiq po atë natë nga plagët. Atëherë vendosa të ndërtoj një shtëpi të quajtur "Shtëpia e Zemrës së Dlirë", që të mund të strehoja fëmijët e braktisur. Më 1955 gjeta një ndërtesë përmes miqve të mi në Lower Circular Road, rreth dyqind metra larg nesh, ku kishte tri salla: njëra do të ishte për fëmijët e ushqyer keq, tjetra për bebet e sapo lindura dhe e treta si sallë e adoptimit, ku nënat që s'mund t'i mbanin foshnjat e tyre, t'i linin atje. Kështu bëra një lajmërim zyrtar se do të pranoja fëmijët e braktisur në rrugë dhe strehën e quajta 'Nirmala Shishu Bhavan'. Disa vajza që i kishin përzënë familjet e tyre, vinin dhe i linin aty foshnjat e sapolindura. U bënë shumë adoptime, madje dhe "brahmanë" të pasura vinin dhe adoptonin fëmijët e braktisur të rrugës. Kur takova një ditë Indira Gandhi në një rast dhe i tregova për këtë, ajo më tha: "Eshtë e pamundur... gati e pabesueshme"! Edhe pse sipas Kishës instruktohesha të thosha se në këtë vend të mos lindnin shumë fëmijë, nga ana tjetër thosha gjithashtu se isha kundër abortit, pasi "çdo jetë është jeta e Zotit tek ne". Ne çoheshim çdo ditë në orën 4.30 të mëngjesit dhe shkonim të luteshim në heshtje në shapelën pranë.

- Nënë, ju shpesh keni folur për disa nga motrat tuaja më të devotshme dhe njëra prej tyre ishte Jacqueline Becker, nga Belgjika.

- Ah, Jacqueline ishte një katolike e devotshme, si dhe unë. Në moshën 17-vjeçare, ajo kishte vendosur të bëhej murgeshë pranë misioneve françeskane të Virgjëreshës Mari, edhe pse ishte nga një familje e pasur. Pas disa kohësh, në një pishinë ajo u aksidentua nga shtylla kurrizore dhe kishte dhembje të tmerrshme, e megjithatë ajo u kthye në manastir. Gjatë luftës hyri në "Kryqin e Kuq" dhe e ndihmoi shumë Rezistencën. Madje, shpëtoi dhe atin tim shpirtëror Monsinjor Périer. Më 1946, ajo erdhi në Indi dhe veshi rrobën e murgeshës duke rrahur udhët e Indisë, por u sëmur rëndë dhe u kthye të operohet, por tashmë mbërthyer me hekura, s'mund të lëvizte. Më kujtohet kur më 20 tetor të vitit 1952 i dërgova mikes sime të vjetër një letër ku unë i shkruaja: "Sot dua të them diçka që jam e sigurt që do të gëzojë. Në zemrën tënde ti ke pasur thellë vetvetes dëshirën që të bëheshe një misionare. Përse nuk bashkohesh shpirtërisht me komunitetin tonë, të cilin e doni aq shumë? Ndërkohë që ne punojmë me më të mjerët, ju do t'i ndani me ne meritat, vuajtjet dhe dhembjet e lutjeve tona. Është një detyrë e madhe, sepse unë kam nevojë jo vetëm për këto vajza që punojnë, por edhe shpirtra si ju që luten e ofrojnë vuajtjen e tyre për të vepruar. A pranoni ju të jeni "motra" ime shpirtërore dhe të bëheni një misionare e Mëshirës, me trupin tuaj në Belgjikë, por me shpirtin në Indi e ngado në botë ku ka shpirtra që kërkojnë me ngulm dashurinë e Zotit?". Kështu unë i kërkova të më ndihmojë konkretisht në të ardhmen. Dhe ajo mu përgjigj menjëherë: "Dhembja në vetvete përbën një dështim, pasi nuk mund të ndërtosh asgjë. Ajo është shkatërruese. Por, e bashkuar me pasionin e Krishtit, ajo bëhet një dhuratë e çmuar. Unë nuk kërkoj ndonjë shpjegim për vuajtjen time, pasi tashmë i gjeta një kuptim". Me një energji të habitshme, pas kësaj, ajo ngriti një degë të re të misionit tonë në Belgjikë dhe filloi të angazhohet në ndihmë të fëmijëve, madje dhe në ndihmë të prostitutave në qytetin e saj në Anvers. Në atë kohë më ndihmuan po ashtu shumë krerë të kishës si, ati im Van Exem, ati Henry apo monsinjor Pérrier, si dhe "Motrat e Vogla të të Varfërve". Nga qytetarët indianë, të parët ishin familja Gomez në Kalkutë, e cila më strehoi që në vitin 1949. Edhe më vonë më ndihmoi për të strehuar të mjerët.
Tashmë, shqetësimi kryesor ishte për mua ndihma financiare, pasi kërkesat e të mjerëve ishin të mëdha. Disa kohë më pas një ndihmë të madhe na u dha nga doktor Roy, një kryetar i Kongresit të Bengalit, një nga partizanët dhe të afërmit e Gandhi-t dhe të Nehrusë. Më pas ishte Ann Blaikes një angleze e pasur që merrej me vepra karitative. Kishte lexuar për punën tonë në gazeta dhe erdhi të na ndihmonte menjëherë. Në fillim më propozoi të blinte lodra për fëmijë, por unë i thashë se këta të mjerë kanë nevojë të hanë, të vishen dhe një vend ku të flenë. Që nga ajo ditë, Ann e zgjeroi veprimtarinë e saj duke shtuar mjaft bamirës laikë, që ne filluam t'i quajmë "co-workers", që më parë kishte qenë një shprehje e Gandhi-t, të cilët vinin të ndihmonin me punë humanitare. Më 1960, Ann me të shoqin u kthyen në Angli dhe aty e zgjeruan rrjetin e "co-workers". Njëherë më ftuan në Londër për të gjetur fonde dhe në një intervistë të 'BBC', fola për punën tonë dhe të "co-workers". Intervista pati një jehonë të madhe dhe qendrat u shtuan me shumë anëtarë, jo vetëm në Angli, por edhe në Amerikë e gjetkë. Tashmë filluan të më ftojnë në shumë institucione, konferenca ndërkombëtare, etj., dhe ishte pikërisht kjo kohë që unë vendosa krijimin e "Shoqatës Ndërkombëtare të Co-Workers" në lidhje të ngushtë me punën e "Misionareve të Mëshirës dhe statusi i saj u miratua nga vetë Shenjtëria e tij papa Pali VI, më 26 mars të vitit 1969.

- Nëna jonë, ju ndihmuat gjithashtu në luftën kundër lebrës dhe duart e tua nuk hezituan t'i prekin këta lebrozë të abandonuar nga të gjithë. E megjithatë, ti ngado që shkoje përsërisje gjithnjë frazën e famshme, atë të shpirtit tënd: "Prekini lebrozët me zemrën tuaj".

- Ah, lebrozët, ishte një betejë e madhe, pasi ata ishin të shumtë në Indi dhe askush nuk i pranonte. Ishin të përjashtuar nga shoqëria dhe askush nuk i ndihmonte, madje as familjarët e tyre. Sapo merrnin vesh, ata i përjashtonin nga puna, gratë apo burrat i ndanin bashkëshortët, i detyronin të largoheshin nga familja. Ishte një tragjedi e madhe, më e madhe se moskamja. Më 1957 mbaj mend se pesë punonjës të një fabrike të Kalkutës i përzunë. Ata mbetën në rrugë dhe një ditë u shfaqën në dyert e misionit tonë. Ata nuk e dinin se një ilaç kundër lebrës sapo ishte gjendur në Amerikë. Menjëherë i adresova në një klinikë, por atje nuk i pranuan, pasi aty pranonin vetëm të pasurit. Atëherë mendova të krijonim ne vetë një klinikë për këta të mjerë dhe për t'i kuruar falas. Dhe më së fundi, disa muaj më vonë ne arritëm ta ngremë një klinikë me ndihmën e bamirësve tanë. Por ditën që shkova ta inauguronim, njerëzit aty na qëlluan me gurë duke thirrur se nuk donin të vendoseshin lebrozët aty. Ikni që këndej! - na thanë. Atëherë ne e transferuam klinikën tonë duke e bërë një ambulancë lëvizëse, e cila fatmirësisht na erdhi nga Amerika. Shkonim me të në lagjet e varfra. Kisha vendosur tri motra si dhe një mjek hindu që na ndihmonte vullnetarisht. Në janar të vitit 1958 ishin Ditët Botërore të lebrës, e krijuar me nismën e francezit Raoul Follereau. Ai kishte vite që luftonte kundër lebrës dhe unë iu bashkëngjita kësaj veprimtarie dhe lançova sloganin e misionit tonë: "Prekeni një lebroz me zemrën tuaj". Në prill të atij viti dërgova tri motra që të vendosen në Titagarh, një vend ku ishin grumbulluar lebrozë dhe ishin bërë si gjysmë të egër. Ishte një ndërmarrje e vështirë, por që duhej bërë. Ata lebrozë ishin të shkëputur nga bota dhe nën kërcënimin e vdekjes. Pikërisht atje e kuptova se na duhej dhe një degë e misionit që të përbëhej jo me motra, por me djem. Dhe ashtu u bë. Kështu pata idenë të krijonim një qytezë të lebrozëve për t'u kujdesur për ta me mjekë vullnetarë. Më 1963 bashkia e Asansol na dha një terren të madh prej 34 ha për ta realizuar këtë dhe ne e quajtëm atë "Qyteza e Paqes", apo "Shanti Nagar". Për këtë na ndihmuan dhe urbanistët e qytetit, por ndërtimi i godinave kërkonte shumë para. Atë kohë qëlloi dhe vizita e Shenjtërisë sonë në Indi. Kur iku, ai na la limuzinën e tij që ta shisnim dhe të gjenim paratë për ndërtimet tona: dhe ashtu u bë. U organizua një lotari dhe më së fundi ne i siguruam paratë e nevojshme. Kur ne e inauguruam, në meshë u thashë lebrozëve: "Zoti ju do pafundësisht. Sëmundja juaj nuk është një ndëshkim, por përkundrazi, ju jeni të dashurit e Zotit"!
Që nga viti 1959, veprimtaria e misioneve tona në Indi mori një zgjerim të madh. Por, unë doja ta zgjeroja veprimin tonë edhe jashtë kufijve të dioqezës sonë, jashtë Indisë, çka ishte e ndaluar nga rregullat kishtare. Unë ia kërkova këtë Shenjtërisë dhe kjo mu aprovua. Fondacioni ynë i parë jashtë Kalkutës u hap në Ranchi, një qytet në veri të Indisë, në 29 maj të vitit 1959. Një muaj më vonë një mision tjetër u hap në Delhi. Meqë në kryeqytet gjetëm shumë mbështetje, në inaugurimin e saj mori pjesë kryeministri Nehru bashkë me disa ministra të qeverisë së tij. Që nga ajo ditë, shumë peshkopë katolikë të Indisë më kërkuan të hapja misionet në dioqezat e tyre, misione për të pastrehët, për lebrozët apo thjesht jetimore. Po kështu më kërkoi dhe kardinali i Bombey. Më 1962 ishte vetë presidenti i Indisë që më dekoroi me çmimin më të lartë "Padna Shri". Sigurisht ne s'kishim nevojë për dekorata e podiume, por sidoqoftë duhej ta pranoja në emër të misionit tonë. Në atë kohë kërkova nga Shenjtëria jonë në Vatikan që tashmë misioni ynë të varej drejtpërdrejtë nga Vatikani dhe të ndryshohej statuti i saj, në mënyrë që të mundnim që misionit t'i jepnim një karakter internacional dhe misionet tona t'i hapnim në të gjithë botën. Dhe ai e dëgjoi kërkesën tonë. Misioni ynë do të varej tashmë drejtpërdrejtë nga Selia e Shenjtë. Më kujtohet kur erdhi Shenjtëria në Kongresin Eukaristik, që u mbajt në Bombay në vitin 1964. Monsinjori Knox më kishte caktuar një takim me Shenjtërinë dhe atë ditë u nisa ta takoja. Por ç'e do, rrugës pashë dy njerëz që po vdisnin në trotuar. Një zë më thoshte që të vazhdoja drejt takimit me Shenjtërinë, por zëri tjetër më thoshte se duhej të mos i braktisja e medoemos të ndihmoja e të isha pranë atyre dy njerëzve. Njëri nga ata të mjerë më vdiq në duar. Sidoqoftë, takimi me Atin e Shenjtë do të bëhej më vonë. Tani misionet tona po shpërndaheshin në të gjithë botën. Një ndihmë të madhe na dha Catholic Relief Services Americain.

Më 1971, Shenjtëria e tij Gjon XXII më zgjodhi si laureate për Paqen. Në vijim, Gjon Pali VI kërkoi që të angazhohesha akoma më shumë në konferencat ndërkombëtare për të folur për vlerat kristiane, për familjen, kundër abortit, etj., duke më caktuar dhe si ambasadore speciale e Vatikanit. Por këto më mbanin larg motrave të mia në Kalkuta. Unë doja të isha me ato. Një ditë, në Francë, do zhvillohej një debat i rëndësishëm në TV dhe krahas kardinalit, do të isha edhe unë në këtë debat. Por, unë u përgjigja se s'mundesha. Dhe vërtet isha e sëmurë, e lodhur. Por ata bënë ç'ishte e mundur që unë të shkoja. Kardinali më kërkoi me këmbëngulje. Dhe unë shkova, por pas kësaj kur e takova atë në Romë, unë i kërkova Shenjtërisë së tij që të më jepte leje që të refuzoja çdo kërkesë të kardinalëve e peshkopëve për të dhënë intervista, pasi shpirti im ishte atje në Kalkuta. "Ati im, - i thashë - më jep urdhër që të mos merrem me këto, sepse më duhet të kujdesem për njerëzit pranë motrave të mia". Por, ai buzëqeshi dhe tha se do ta mendoj, por nuk më tha se ishte dakord me mua.

- Nënë, ti gjithnjë ke qenë përballë vdekjes dhe asnjëherë nuk i ke ulur sytë ballë saj, sepse ti vështroje me sytë e Atit tënd. E megjithatë, një ditë, atje në Kalkutën tënde të dashur, ti i ule sytë dhe nuk guxove ta shohësh kryqin. Përse vallë? Ç'kishte ndodhur me ty?

- Ah, kjo ndodhi atëherë kur Shenjtërinë e tij do e takoja përsëri në Sinodin e Shenjtë në Romë, në vitin 1980. Në tribunë, para Shenjtërisë, ndër të tjera fola edhe unë. Mbaj mend që thashë: "Asnjëherë nuk kam pasur turp ta shoh kryqin e Krishtit, deri atë ditë kur një grua e re erdhi drejt meje me fëmijën e saj në krahë. Ajo kishte kërkuar qumësht për fëmijën në dy-tri manastire, ku ia kishin mbyllur portën. "Dembele, shko të punosh!", - i kishin thënë. Pastaj ajo erdhi tek unë dhe na la fëmijën. Foshnja vdiq në duart e mia. Atë ditë kisha turp ta shikoja kryqin...". Këto fjalë ishin të forta vërtet, aty në mes të Selisë së Shenjtë, por unë i thashë ashtu siç i ndjeja. Dëshira e Shenjtërisë ishte të hapja dhe misione në Amerikën Latine dhe ashtu u bë: pesë misione u hapën në Venezuela, katër në Brazil, dy në Bolivi, një në Guatemala, një tjetër në Uruguai... Pastaj të tjera hapëm dhe në Afrikë si në Tanzani, Kenia, Etiopi, Ruanda. Pesë motra të mia i dërgova dhe në Jemen, atje ku nuk kishte asnjë gjurmë të Kristianizmit, pasi i kishin zhdukur ato, dhe kjo ishte një detyrë e vështirë. Aty ndihmonim leprozët. Meqë motrat i donin të gjithë për devotshmërinë e tyre, guvernatori mysliman kërkoi që ne të ngrinim një kishë katolike, por unë nuk e ndërmora atë hap. Atëherë, guvernatori i shkroi Shenjtërisë, Atit tonë të shtrenjtë: "Prania e motrave të Nënë Terezës ka sjellë këtu një dritë të re në popullin tonë"!. Isha e lumtur që mundi ynë vlerësohej nga njerëzit e thjeshtë.

Papa Gjon Pali, Mother Teresa, Madre Teresa, Nënë Tereza
Në maj të vitit 1968 kisha marrë një letër nga Shenjtëria që të hapja një mision në Romë. U habita vërtet, pasi mendova se ç'do të bënin motrat e mia në Romë dhe në Vatikan. I ktheva përgjigje dhe i thashë se s'kishim ç'të bënim atje, pasi ne shkojmë aty ku ka të mjerë. Por, Shenjtëria më dërgoi dy bileta avioni që të shkoja të shikoja njëherë me sytë e mia. Dhe unë shkova, kontrollova në periferitë e Vatikanit, në Romë. Dhe aty pashë të mjerë. Ishte gushti i atij viti. Para se të largohesha, u takova me Atin tonë të Shenjtë Pali VI: "At i Shenjtë, - i thashë, - konstatova se Zoti na ka lënë punë për të shërbyer kudo". Disa javë më vonë u ktheva të hap misionin. Ishte i pari mision i yni në Perëndim. Pastaj më ftuan t'i hap në Australi. Shkova në Melburn me pesë motra dhe e hapa. Po kështu shkova dhe në Londër. Pasi fola në 'BBC', ndihmat erdhën nga të katërta anët. Më 1971 misioni ynë u hap në një lagje të Bronksit, më pas në Arkansas, Kaliforni, Miçingan, Florida, Misuri, Nju Xhersi, Ilinois, Pensilvani, etj. Në qershor të vitit 1985, presidenti Reagan më akordonte medaljen më të lartë të "Shtëpisë së Bardhë", "Medaljen e Lirisë", por medalja më e bukur ishin sytë e lumtur të atyre që shpëtonim nga vdekja. Disa muaj më vonë hapëm dhe qendra për kurimin e njerëzve me Sida, fillimisht në Nju Jork, të cilat i quajtëm "Dhurata e Paqes". Misionet tashmë ishin të panumërta: 32 në SHBA, 5 në Kanada, 6 në Itali dhe po aq në Gjermani e në Angli, 3 në Francë, në Portugali dhe në Belgjikë... Të tjera në Izrael, Australi e deri në Kore të Jugut. Shumë universitete me emër më bënë "Honoris Causa" si Cambridge, Harward, Uashington, Louvain, etj. Por, të gjitha këto ne ia kushtonim Zotit. Në Perëndim mua më shqetësonte egoizmi i shoqërisë së konsumit, individualizmi dhe unë e përsëritja ngado: "Uria nuk është vetëm uri për bukë. Ajo është dhe uri për dashuri. Në vendet e pasura kam pikasur një uri të tmerrshme për dashuri. Ngado kam ndjerë dramën e vetmisë së njerëzve, ndjesinë që të tjerët nuk i duan, të indiferencës së përgjithshme. Kjo është një sëmundje e tmerrshme, më e madhe se tuberkulozi, leproza...". Më dhembte shumë drama e shpërbërjes së familjes dhe prandaj thosha se "Dashuria lind e jetohet në vatrën familjare. Mungesa e dashurisë në familje krijon vuajtje dhe fatkeqësi në botën e sotme...".

- Ti Nënë nuk i doje podiumet, titujt, dekoratat. Ti vazhdoje gjithnjë të punoje kokulur për të varfrit dhe të mjerët e botës. E megjithatë, kur u shpalle "Nobel i Paqes", ti shkove në Oslo...

- Po, shkova... në emër të të gjithë atyre të varfërve, të sëmurëve me Sida, të leprozëve dhe të pastrehëve të botës. Takimi në Oslo ishte një nga ditët e shënuara në jetën time, pasi ishte një ngjarje e veçantë, jo thjesht për çmimin "Nobel i Paqes" që më jepej, por sepse sytë e botës ishin drejtuar në Oslo dhe unë doja të dëgjohej fortë zëri i Atit tonë të Shenjtë, zëri i dashurisë për njeriun. Sigurisht, nuk i kisha qejf këto ceremoni, ashtu siç nga ana tjetër doja të qëndroja larg kamerave, aparateve fotografike, gazetarëve. Përkushtimi im ishte thjesht t'u shërbeja më të varfërve, të sëmurëve, jetimëve, njerëzve të pambrojtur. Por, kamerave nuk mund t'u shpëtoja atë ditë. Në fjalën time, gjatë marrjes së këtij çmimi "Nobel të Paqes", ndër të tjera unë thashë: "Si mund ta duash Zotin që s'mund ta shohësh nëse nuk do fqinjin me të cilin jeton? Është e rëndësishme ta kuptojmë se, që dashuria të jetë e vërtetë, ajo duhet të na dhembë. Edhe Jezusit i dhembi të na donte. Dhe që të sigurohej që ne do ta kujtojmë gjithnjë dashurinë e tij të madhe, ai e bëri veten bukë të jetës sonë, të na mëkojë urinë dhe dashurinë e tij, uri për Zotin, sepse ne jemi krijuar për atë dashuri. Kurrë s'mund të harroj vizitën time në atë shtëpi të prehjes, ku jetonin gjithë ata prindër të futur në një institucion të harruar. Kur shkova dhe i pashë që i kishin të gjitha, plot, dhe vura re se i mbanin sytë nga dera dhe nuk pashë asnjë të buzëqeshë, u ktheva nga motra pranë dhe e pyeta: Përse vallë këta njerëz që kanë gjithçka i mbajnë sytë nga dera? Përse nuk buzëqeshin? Unë jam mësuar të shoh buzëqeshje në njerëzit e varfër, madje edhe në fytyrën e atij që vdes. Ajo më tha: Kështu është çdo ditë. Ata presin duke shpresuar që djali apo vajza të vijë t'i shohë. Vuajnë se janë të harruar"... Nuk do ta harroj atë ditë kur nga Amerika erdhën katërmbëdhjetë profesorë të universiteteve të ndryshme, atje në shtëpinë ku njerëzit e varfër vdisnin në paqe. Ne folëm gjatë për dashurinë. Njëri nga ata më tha: "Nënë, të lutem, na thuaj diçka që ta kujtojmë gjithnjë"! Dhe unë u thashë: "Buzëqeshini njëri-tjetrit, kushtojini kohë njëri-tjetrit, familjes. Buzëqeshni"... Një tjetër më pyeti: "A jeni e martuar?... Po, i thashë, dhe ndonjëherë e kam të vështirë t'i buzëqesh Jezusë, pasi ai është shumë kërkues ndaj meje"... Po ato ditë, nga Oslo, në 10 dhjetor, unë u dërgova një letër te afërmve të mi shqiptarë, ku u shkruaja në shqip: "Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukarat e mij - dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve. M. Teresa Bojaxhiu".

Por bota vazhdonte të ishte e ngërthyer nga luftërat. Më kujtohet viti 1982, kur bëhej lufta në Liban. Bejruti ishte rrethuar. Bombat shpërthenin ngado. Mësova nga shtypi se 37 fëmijë ishin bllokuar në një spital ushtarak dhe ata duheshin shpëtuar. Dikush duhej të ndërhynte në vijën e frontit mes guerilasve palestinezë dhe ushtrisë izraelite. Atëherë u nisa. Nuk kishte kohë për të pritur. Ata mund të vriteshin të gjithë nga një çast në tjetrin. Po kështu mund të vritesha dhe unë. Nuk kisha frikë nga bombat. U kërkova të dyja palëve një armëpushim të përkohshëm sa të tërhiqja fëmijët. Dhe ata e pranuan këtë akt humanitar. Shkova e shoqëruar nga Kryqi i Kuq Botëror dhe ata fëmijë u shpëtuan. Ishte dëshira e Atit të Shenjtë.

- Ti Nënë rrahe udhët e gjithë botës e megjithatë, kur pas shumë vitesh kërkove të vije në Shqipëri, regjimi totalitar i kishte mbyllur kufijtë dhe aq më tepër për një misionare si ty, edhe pse bota e qytetëruar të kishte shpallur nobeliste!

- Edhe pse larg, Shqipëria ishte gjithnjë në zemrën time. Por ishte si një plagë, pasi aty ishte nëna ime Drane dhe motra ime Age, që ishin të përmalluara dhe që unë nuk i pashë kurrë. Që në vitin 1932, nëna dhe motra u vendosën në Tiranë. Vëllai im Llazari, pas studimeve në Akademinë Ushtarake në Grac të Austrisë, shërbeu si oficer artilerie i ushtrisë së mbretit Zog. Pastaj shkoi në Itali, fillimisht në Palermo dhe mbeti atje pas lufte, ku u martua me një italiane dhe pati një fëmijë, një vajzë që e quajti Age, po ashtu. Motra Age punoi si përkthyese dhe spikere në "Radio Tirana". Në vitin 1959 më mori malli për të parë nënën time dhe motrën në Tiranë, pasi Llazarin e takova në Romë. Shkova në ambasadën shqiptare në Romë për të kërkuar një vizë, por nuk pata përgjigje. Nuk e kuptoja pse. Më vonë e përsërita kërkesën time, pasi nënë Drande ishte sëmurë dhe doja që të kurohej në Itali. Shumë personalitete ndërhynë që t'u jepnin një vizë nënës dhe motrës, por gjithçka ishte e pamundur. Ç'kishin bërë ato? Ç'kisha bërë unë, veçse i jepja dashuri dhe ndihmoja çdo të mjerë të botës?... Kur dola nga ambasada, pëshpërita me vete: "O Zot! Unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për veten time, por e kam shumë të vështirë ta pranoj dhe ta kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqërinë e vonshme nuk do gjë tjetër veç të na shohë edhe njëherë!"...

Shpesh në ëndërr më delnin fytyrat e nënës dhe motrës sime dhe lutesha për ato. Jacqueline Kennedy bisedoi me gjeneralin De Gaulle që të ndërhynin pranë Shqipërisë. Ministri Jashtëm francez i bëri një kërkesë diplomatike qeverisë shqiptare, por pa rezultat. Madje, edhe Indira Gandhi ndërhyri. Por ishte e pamundur. Më 13 korrik të vitit 1972, mora një telegram nga Llazari, ku më shkruante: "Lutu për nënën që vdiq më 12 korrik". Motra ime e shtrenjtë, Age, vdiq dy vjet më vonë. Zemra më çahej se nuk i kisha parë që ditën që më përcollën në Zagreb, kur unë nisesha në misionin tim në atë botë të largët. Ne ishim bashkë kështu për së gjalli dhe në vdekje.

Në vitin 1978 shkova në Ballkan, së pari në Zagreb, për t'u përkulur dhe lutur në varrin e atit tim të paharruar, Franjo Jambrenkoviç. Një vit më vonë shkova në Shkup dhe vizitova qytetin tim të adoleshencës, rinisë. Sa shumë kujtime, por mjerisht shtëpia ime ishte shembur dhe në vend të saj japonezët kishin ndërtuar një supermarket. Edhe kisha e "Zemrës së Shenjtë" ishte prishur dhe ndërtuar po aty një e re në beton. Shëtita në rrugët, buzë lumit dhe kujtimet më pushtuan. Isha kthyer.

Shumë ngjarje ndodhën në Europë e në Ballkan në vitet 1980. Muri i Berlinit u shemb dhe ngado njerëzit kërkonin lirinë. Kërkonin Zotin që ua kishin mohuar. Më 5 shtator pata krizën e parë në zemër. Isha e lodhur dhe nuk ndjehesha mirë. Më shtruan në një klinikë të Kalkutës, por mendja ime ishte të hapja misione të reja në Europën Lindore dhe në Ballkan. Kështu u hapën misionet në Rumani, Çekosllovaki, në Jugosllavi. Me një "pace-maker" në zemër, unë më në fund u nisa drejt Shqipërisë. Duhej të shkoja në varrin e nënës dhe motrës sime që t'i takoja dhe të lutesha për ato. Kisha mall dhe emocione të mëdha. Më në fundi qeveria shqiptare e pranoi kërkesën time. Më pritën mirë. Madje, atje u bë edhe një pritje me intelektualët shqiptarë, ku u shfaq dhe një film që kishte bërë për misionin tonë një mikja jonë kineaste kanadeze. Qëndrova disa ditë dhe së pari shkova në varrin e Dranes dhe të Ages. Në shtëpinë e tyre të dikurshme, gjeta veç radion "Siemens" të Ages dhe një mulli kafeje. Pak kohë më vonë më sollën edhe një fotografi të nënë, Drandes, ku mbrapa kishte shkruar: "Gonxhe, të puth nënlokja!". Ajo fotografi ma çau zemrën dhe thashë se do më pushonte... I kërkova qeverisë shqiptare hapjen e misioneve tona në Shqipëri si dhe hapjen e Katedrales Katolike në Tiranë. Dhe ata pranuan. Edhe Shqipëria po shkonte drejt lirisë. Kur zbrita në Romë, u telefonova superiorëve në Selinë e Shenjtë dhe u thashë: "Dërgoni sa më shpejt priftërinjtë në Tiranë. Bisedova me autoritetet shqiptare".
Shqipëria më dha pasaportën e shtetit të saj. U gëzova dhe u thashë: "E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë dhe unë do të jem vetë aty".

Po, kështu i kisha thënë një ditë edhe një gazetari të huaj kur më kishte pyetur: "Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane, me besim unë jam një murgeshë katolike. Por, sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra i përkas plotësisht zemrës së Jezusë"!

Viti 1991 ishte një vit i keq për mua, një vit i vështirë. Një pneumoni e tmerrshme bëri që të shtrohesha në spital në Meksikë, ku kisha shkuar për misionet tona të bamirësisë. Përreth kisha ngado motrat e mia, mjekët që përkujdeseshin, kisha Zotin që më ishte pranë dhe më lehtësonte dhembjet. Nuk mund të vazhdoja më të kryesoja misionin tonë, duhej që këtë ta vazhdonin motrat e mia të dashura. Zemra po më linte e po kështu dhe një malarie që më preku më bënë të vuaja shumë, por Ati ynë i Shenjtë i lehtësonte dhembjet e mia.

- Ti u lodhe shumë Nënë dhe forcat po të linin. Shumë trishtim përjetove në këtë jetë, pasi edhe pse ngrite ka shumë misione, luftërat dhe uria e ka pllakosur ende këtë botë. Ç'duhet bërë atëherë? Na thuaj?...

- Kjo është e thjeshtë: të duash tjetrin... Më 1995 përgatita disa karta, ku shkruaja atë udhë të thjeshtë për të shkuar drejt përkushtimit dhe dashurisë për njeriun. Në këto karta që ua jepja njerëzve gjatë takimeve me ata, shkruheshin thjesht pesë radhë:

"Fruti i heshtjes është lutja.
Fruti i lutjes është besimi.
Fruti i besimit është dashuria.
Fruti i dashurisë është shërbimi ndaj njerëzve.
Fruti i shërbimit është Paqja!"

Më 13 mars të vitit 1997, në moshën 87-vjeçare më së fundi u largova nga detyra ime e shenjtë dhe qëndrova si një motër e thjeshtë dhe e dashuruar pas Zotit, me fjalët që kisha shkruar pranë statujës së Virgjëreshës Mari: "Kam uri!". Lutesha për të, lutesha për jetën e njeriut të thjeshtë dhe të përvuajtur, lutesha:

Jeta është jetë,
Jeta është e bukur, admiroje atë,
Jeta është lumturi, përfito nga ajo,
Jeta është një ëndërr, realizoje atë,
Jeta është një sfidë, përballoje atë,
Jeta është një detyrë, bëje atë,
Jeta është një lojë, luaj me të,
Jeta është e çmuar, kujdesu për atë,
Jeta është pasuri ruaje atë,
Jeta është dashuri, gëzoje atë,
Jeta është një mister, depërto në të,
Jeta është një premtim, mbaje atë,
Jeta është një trishtim, kapërceje atë,
Jeta është një himn, këndoje atë,
Jeta është një luftë, pranoje atë,
Jeta është një tragjedi, lufto me të,
Jeta është një aventurë, guxo me të,
Jeta është lumturi, meritoje atë,
Jeta është jetë, mbroje atë!

Gazeta Shqiptare - 23/24/25 gusht 2016

COMMENTS