Piktori Ndoc Martini, jeta dhe veprat e tij

Ndoc Camaj (Zamaj), i njohur me emrin Ndoc Martini, ka qenë gjeniu më i madh që pati Shqipëria në lëmin e pikturës, e që në pak vite u bë një emër i njohur në të gjithë Evropën, e prandaj meritoi të quhet Raffaello Sanzio i dyti. Por, për fat të keq, nuk ka shumë informacione për jetën e tij si dhe për veprat që ai realizoi me mjeshtëri të lartë.

Ato pak të dhëna që dihen sot mbi jetën dhe veprat e Ndoc Martinit, na mbërrijnë nga disa të përkohshme të botuara gjatë viteve 1917-1923 si: "Zani i Shna Ndout", "Posta e Shqypniës, "Hylli i Dritës", "Leka", e ndonjë tjetër. Një ndihmë të madhe, për të njohur diçka më shumë për jetën dhe veprat e gjeniut tonë, kanë dhënë edhe arbëreshët e San Demetrio Corona (Shën Mitri, Kalabri); në vitin 1980, ishte profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe i Universitetit të Kalabrisë, Z. Franco Altimari, që raportoi i pari në revistën kulturore italo-shqiptare "Zjarri" për ekzistencën e disa afreskeve të artistit tonë të realizuara gjatë periudhës së studimeve në "Kolegji Italo-Shqiptar Shën Adriani (Sant'Adriano)"; në vitin 2008, prof. Adriano Mazziotti, me disa kolegë të tij, hodhi një alarm (S.O.S) ku u bënte thirrje autoriteve përgjegjëse për restaurimin e kolegjit të lartpërmendur dhe të afreskeve të artistit tonë. Prof. Adriano Mazziotti, gjithashtu, publikoi disa foto të pikturave të cilat deri në atë kohë ishin të panjohura për pjesën më të madhe të publikut.

Pikturat në fjalë janë; portreti (që mban firmën "Noz Martini Zâmaj 1/8/05 S. Demetrio Corone Për kuitim") i togerit Innocenzo Mazziotti, nderuar me medalje të argjendtë për merita ushtarake dhe kontributin e dhënë në çlirimin e disa zonave të italisë; afresket e njërës prej sallave të Kolegjit italo-shqiptar të San Demetrio Corona. Në këto të fundit paraqiten dy pejsazhe (mali Pollino dhe piramidat e Egjiptit), pesë portrete (Galileo Galilei, Dante Alighieri, Raffaello Sanzio, Michelangelo dhe Giuseppe Verdi), gjashtë panorama apo monumente të disa qyteteve (duke përfshirë Shkodrën, Romën, Napolin dhe Venedikun) dhe një autoportet i autorit.

Duke u bazuar në burimet e lartpërmendura, dhe në disa informacioneve të tjera që kemi arritur të grumbullojmë, po ju paraqesim këtë jetëshkrim të shkurtë.

Ndoc Martin Camaj ka lindur në një familje të varfër në qytetin Shkodrës, më 17 janar 1880 (1871 sipas një versioni tjetër). Njëri prej vëllezërve të tij ishte Nikollë (Kolë) Martin Camaj, i cili gjatë viteve 1911-1912 ka qenë mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në "Kolegji Italo-Shqiptar Shën Adriani" të San Demetrio Corona.

Ndoc Martini kreu mësimet fillore në vendlindje. Që në bankat e shkollës shfaqi menjëherë talentin dhe prirjen e posaçme për artin e bukur të pikturës. Me pas ndoqi kursin e pikturës nën drejtimin e prof. Kolë Idromeno. Ishte vetëm 15 vjeç kur u organizua një ekspozitë me veprat e tij më të mira në ambjetin e shkollës. Ekspozita pati një sukses të jashtëzakonshëm; teknika dhe fuqia e fantazisë krijuese që paraqitej në punimet e tij jo vetëm që tërhoqën vëmendjen e shumë artistëve të tjerë me përvojë në këtë art, por Ndoc Martini mori lavdërime edhe nga shumë personalitete lokale, si: Theodor Ippen, Konsulli i atëhershëm i Austro-Hungarisë në Shkodër; Osman Fevzi Pasha, Valiu i atëhershëm i Perandorisë Osmane në Shkodër, e të tjerë.

Dëshira më e madhe e Ndocit ishte që të merrte një bursë shteti për të vazhduar studimet në ndonjë Akademi Arti, jashtë shqipërisë. Meqënëse kjo dëshirë nuk iu realizua dhe familja e tij nuk kishte mundësi që t'ia mbulonte të gjitha shpenzimet që nevojiteshin, ai fillon që të kërkojë ndihmë nga miqtë dhe shokët. Megjithëse nuk arriti të grumbullojë shumën e nevojshme, më 24 prill 1902 u nis për të plotësuar ëndërrën e tij. Studioi në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës por, duke qenë pa bursë dhe se niveli i jetës në kryeqytetin e italisë ishte shumë i lartë për xhepat e tij, në vitin 1904 iku në San Demetrio Corona. Aty u lidh me arbëreshët e zonës të cilët i ofruan ndihmë dhe përkrahje. Studioi në kolegjin italo-shqiptar Shën Adriani dhe ndërkohë realizoi disa punime, ndër të cilat edhe ato që përmendëm më lart.

Duhet theksuar se kolegji dallohej për disipninë, rregull, dhe ka qenë ndër më prestigjozët e kohës. Aty, përveç të tjerash, studioheshin klasikët grekë e latinë. Gjatë kohës që ky Kolegj drejtohej nga Zef Skiroi, në vitin 1892 u themelua Katedra e leteraturës shqipe dhe mësues i parë ka qenë Jeronim De Rada. Nga ky Kolegj kanë dalë me qindra shqiptarë të cilët vepruan me entuziazëm në shërbim të Atdheut, si Luigj Gurakuqi e të tjerë.

Pas një viti e gjysmë, Ndoc Martini ikën në Francë për të marrë pjesë në konkursin e organizuar nga Akademia e Arteve të Bukura të Parisit. Aty, jo vetëm që u pëlqyen punimet e tij por edhe iu ofrua një bursë studimi. Studioi aty deri në vitin 1909 dhe ndërkohë realizoi shumë nga pikturat e tij më të bukura, kryesisht portrete, të cilat u vlerësuan shumë nga Académie des Beaux-Arts.

Mbasi kreu studimet filloi punë në studion e një piktori francez. Gjatë viteve që jetoi në Francë, Ndoc Martini u bë një ndër piktorët më në zë. Këtë e dëshmon dhe fakti se ai ka pikturuar edhe afresket për Dhomën e Deputetëve në Paris.

Në vitin 1915 u sëmur rëndë nga tuberkulozi dhe më 6 dhjetor 1916 vdiq, në një sanatorium të Parisit. Në varrim të tij morën pjesë gjithë miqtë e dashamirët, piktorë, skulptorë, etj. Vdekja e parakohshme e tij qe një humbje e madhe për Shqipërinë e sidomos për qytetin e Shkodrës.

ndoc martini doktor prela
Doktor Prela, vaj kanavace, 46x52.5cm - Ndoc Martini
Portreti i titulluar "Doktor Prela" mendohet se është realizuar rreth vitit 1913-14. Kjo pikturë, për herë të parë, iu paraqit publikut në shkurt të vitit 1923 në një ekspozitë kombëtare të organizuar nga Shoqëria Rozafat, e cila në atë kohë drejtohej nga Nush Topalli dhe si sekretar ka qenë Ernest Koliqi.

Organizimi i kësaj ekspozite ishte një ngjarje e rëndësishme për kohën, ndoshta e para e këtij lloji në Shqipëri. Aty morën pjesë dhe paraqitën punimet e tyre piktorët më me përvojë, si: Kolë Idromeno, me kuadrot e tij "Leka i Madh" e "Princ Wied"; Simon Rrota, i cili së bashku me Andreas Athanas, u vlerësua me çmimin e parë. Paraqitën punimet e tyre edhe Lajde Saraçi e Angjelina Muzhani, të cilat u vlerësuan me çmimin e dytë; At' Benedikt Dema e At' Donat Kurti, të cilët u vlerësuan me çmimin e tretë; At' Gjergj Fishta paraqiti disa punime të cilat më vonë u vlerësuan shumë nga Akademia e Vjenës; e të tjerë.

Ndoc Martini u dallua nga juria dhe nga kritikët e artit si një piktor mjaft realist. "Doktor Prela", me kontraste drite e hijesh dhe penelata të ngjeshura, është shprehës i shqetësimeve të intelektualit të kohës.

Vepra tjera të piktorit Ndoc Martini

Kryevepra e Ndoc Martinit qe "Skanderbegu", për të cilën patën shkruar revistat më prestigjoze të Evropës, por që mjerisht iu dogj në një ekspozitë të zhvilluar në Stamboll në vitin 1913. Në Shkodër, para se të nisej, la disa piktura, si: "Ferri", "Parrizi" "Shën Stanislao Kostka", "Shën Mërija Magdalenë", "T'ikunit e Fugures s'Zojës s'Shkoders", "Fugurja e vertetë e Zojës", "Krishti në Kopshtë të Gjetsemanit", etj. Një pjesë e pikturave të tij kanë humbur dhe disa të tjera ndodhen në Francë e Zvicër.

Ndoc Martini mbetet një prej piktorëve më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ndoshta më i madhi, dhe e meriton të nderohet me një Titull apo Dekoratë në shenjë mirënjohjeje.

MIRËNJOHJA NDERON EDHE ATË QË E SHFAQ.

shkodradaily.com

COMMENTS