Luigj Gurakuqi - Zotnis Geg Postrippes

luigj gurakuqi
N'qytet t'onë, jo n'Itali,
Vjersha e jote, bylbyl, m'mrini;
S'm'u zù n'verë pà kthy i herë n'shpì,
Malli i Shkodërs gadi m'grinì;
Vendi i jashtun ishte i ngritë,
T'keqen tesh jam tuj t'a dìjtë.

Por (i mjeri!) Atdhèn m'e lanun
M'u desht prep; n'vend t'huj me kthy.
Por ani: Dola me zànun
Si me mujt mirë me i sherby;
E prej dhimet kput, lerg saj,
Zà m'è dasht ma fort kah kjaj.

Ti me at vjersh m'zit me kndue,
Ndej pra qè po t'ndigjoj;
Por s'm'del kanga tuj vajtue
T'Shqypnìs brengat kah kujtoj;
Kah e shof kaq vorfenù
Gjith prej vajit me plas dù.

Ti ka ditë s'je ken m'e pà,
E mendon se t'asht goditun;
Por m'e dijtë sa posht ka rà
Kishe, Geg, krejt me u habitun.
Me u kthy marë gjaqet s'na làn,
Nermjet vllaznvè idhnimi s'pràn.

Kurr si sot s'à ken Shqypnija
Kaq përzije e tollovìt,
Tjetër s'shef por vepra t'kqija,
T'bìt e saj janë çorodìt;
Me fitue por veç mendojn,
E me u vra me shoqi-shojn.

S'na bie n'mend se armiku i ndytë
Përmì ne gjithnji prigjon,
Qi pà-dà ja ka ngul sytë
Tokve tona qi lakmon;
E qi kqyr me na shti n't'keq,
Me mujt, t'damë, me na zan n'leq.

Gjithkta t'zeza pra tuj pamun,
Kaq vorfenu tuj dijtë Shqypnìn
Nuk àsht punë me u prìt pà kjamun,
Dhima zemrën gjith t'a grìn,
I ksaj Nanë s'kish me ken bìr
Kush s'loton ka e shef t'pa-lìr!

Dojshe i mjeri t'muj me kndue
M'nji mndyr t'nelt, vllaznit me i ndzè;
N'dashti t'vendit me e forcue
Sidomos masen e rè;
Por s'm'tokoj mù kjo dhuntì;
Kan me m'qesh pra, mirë e dì.

Por ani! Hajt, udha-màrë
Vjersh; shko detë, fush, mal e kodër;
Ma shetit Shqypnin tanë màrë,
Hin n'e mràme n'gjytet t'onë n'Shkodër;
Ndalou ktu e mos druj kot,
Gèg Postrippa tesh t'del-zot!

Kushtuar Filip Shirokës (Geg Postrippa) nga Luigj Gurakuqi (Jakin Shkodra)
Itali 20 nëntor 1900

COMMENTS