Migjeni - Novelë mbi krizë

migjeni millosh gjergj nikolla
Parija e shtetit X nuk dinte ç'të bajë dhe si t'a vendosi çashtjen e krizës...
Varfnija e madhe kish bamë shumë njerëz të marrin shkopin e lypsisë dhe shumë gra, me foshnje në gji, të shtrijnë dorën për lëmoshë. Por për këtë nuk u tundte Parija e shtetit X. Ngritja e shkopeve të lypsisë, rrëmbimet, vjedhjet, vrasjet, këta e shtyjnë Parinë të kuptojë se nuk asht puna për t'u tallë. Dhe shpejt u mblodhën. U mblodhën për t'a shkundë e për t'a rrafë çashtjen serjozisht, në të gjitha pikëpamjet. Ndër biseda të gjata konstatuen se kjo krizë asht një « shtazë » që ka fazat e veta. Nër analet e shtetit kënduen:
në vjetin 1... kishin vdekë do njerëz nga ùja, në vjetin 12... do lypsa ishin organizue me qëllime të dyshimta, në vjetin 123... e kanë plaçkitë pasuninë e shenjtë të një monastiri dhe igumeni asht gjetë i varrun në një mënyrë qesharake, e kështu mà e mà.
Prandej Parija dëshironte, një herë e për gjithmonë, t'a heqi qafe kët çashtje, t'a mbysi « shtazën » me fazat e saja. Përpjekjet e shumta, me rryma të ndryshme, të kundërta, të bazueme n'ungjill, në humanitet, n'instikt, në violencë e në ndoj utopi tjetër nuk mund të bijshin aq shpejt në godi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika, nuk u kqyrëshin me sy të mirë me mbledhjen e shtetit X, - arsyeja ishte se ata qenë një shkak i fortë i krizës së tashme, e cila, tashti, si një polip po thithë e po shter trutë e Parisë. Poshtë e përpjetë, djathtas e majtas, në fund-fundit ra vendimi. U gjet një kompromis. O kompromis, fëmi bastardh i të gjitha mbledhjevet!. Të dalme dredharake. Vendimi i Parisë së shtetit X ishte ky: me anë t'artit të çdo llojshëm të nështypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasvet të shtetit X, si të vorfënvet ashtu dhe të pasunvet - të vorfënit mos me vjedhë e mos me e vue në dajak të pasunit për një krodhë buke, e të pasunit me pasë mëshirë për të vorfënit e me ua bamë një hise të vogël. Kur ra ky vendim, Parija shtrydhte faculetat e mnafshta, nga të cilat pikonte djersa e ballit të tyne pik... pik... pik.... Por ishin të kënaqun. N'urim e sipër, shtërngojshin dorën shoqishojtë dhe u shkrijshin në ndjenjen e satisfakcjonit moral. Ai vendim e vlente kët mund.

Për një kohë të shkurtë shndrroi faqen Shteti X. Arti, i frymzuem dhe i punuem mbas reçetavet të Parisë, shndrroi shtetin në një muzeum artistik. Ishte triumf i reçetës! Ose triumf i artit me qëllim! E qëllimi u arritte dalëngadalë por me siguri.
Kurse shndrroi faqen Shteti, zunë të shndrrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasvet. Shpirti, dikur pëllumb, ishte bamë skyfter, tashi u bà prap pëllumb. Sidomos shumë kish kish bamë për çashtje skulptura. Veprat, që paraftyrojnë të gjitha dashninat e botës, u gjindëshin në çdo skaj, ku përparandej u mblidhëshin lypsat për t'organizue shoqata vjedhcash dhe terrori. Ç'ndryshim ideal! Tash lypsat, të zbemë nga ùja, me supa të mprehtë e kerçikë të ndytë përjashta, rrijnë në podium të monumentavet, dhe rrijnë pa bamë kurrfarë lëvizje kundërshtimi. Aty rrijnë gjithë ditën; kur vjen nata, futen nëpër zgavrat e monumentavet dhe andrrojnë begatinë shpirtnore. E kur zbardhë mëngjesi, një nga një - porsi Sharli Shaplini tragjikomik - çohen nga gjini i munumentavet, hapin gojën, shtrijnë duert e kambët, dhe ulen në podium për t'a çue gjithë ditën n'inerci të plogët. As nuk hajnë, as nuk pijnë - ushqim' i tyne asht bukurija e monumentavet. Rrijnë me sy të ngulun në ndoj pjesë të monumentit - dhe kënaqen. Disa prej tyne, dikur tregtarë të mdhaj e tash në bankrot, që dijnë të lexojnë, hypin ose në dorë të ngurtë të monumentit, ose në gju, ose në grykë të ndoj nanës monumentale, dhe prej andej, dikur tregtarë e tash lypsa, si zhreca të fanatizuem, lexojnë me zà të naltë romanet që ende s'ka rrahë shtypi. Dhe ata nuk dëshrojnë mà pozitën që kishin përpara. Zhelet e tyne u ngjajnë mà të bukura se veshjet e dikurta të tyne të kushtueshme. Përgjithësisht, ndjenjat e tyne janë bamë si ndjenjat e fëmis së bukur, faq' e bark të plotë, të paraftyruem në monument. Vdesin lypsat nga ùja, nga të ftoftit, por nuk bëzajnë. Kalojnë përpara tyne, në parakalim, zotni e zonja me stoli t'arta, me unaza briljanti, topazi, smeraldi, rubini, të një çmimi prralluer, e lypsat kënaqen me ndjenjën e bukurisë t'u i shikue, - ndërsa të pasunit dalëngadalë vazhdojnë me hapa teatrale në duken impozante. - Dredhi! Poshtni! Ndjenjat e ngurta të të pasunve mbeten pa prekë, nsa ndjenjat e lypsave u banë pambuk. Paria e shtetit X mendonte se dhe të pasunit po ndjersin kohë me dokla artistike; nuk i shkonte në mend rivaliteti në mes të të pasunvet, përmbysja e shoqishojtë - gja që okupon të tanë trùnin e tyne, e arsyeja pse të pasunit nuk çajnë kryet për art. Kështu lypsat nuk u kërcnohen të pasunvet, e këta, pa frigë, fryhen si bibonat me thalba arrash dhe shkëlqejnë si lustri i kpucës. Fryhen të pasunit, barku i tyne lodërtinë, por me pëlsitë - jo! E lypsat vdesin, vdesin ditameditë, por me u çfarosë - jo. Dersa një ditë, në podium të një monumentit që paraftyron, gruen me shtat-zanë, një lyps e një lypse lindën një djalë. (Mà vonë legjenda thoshte se u lind nga monumenti me shtat-zanë). Dhe ky djalë, kur u rrit, u bà i marrë për njerzit e klasës së vet. E majshin për të çmendun se nuk dijti me e thanë asnji lavdë për monumentat e shumta; por gjithmonë, kur ishte fjala për art, rrydhte ftyrën e kafshonte buzën me dhambë. E vërteta asht se mendimet e tij ishin t'errta. Një qëllim i msheftë në mbrendin e tij priste të çpallet me gjithë fuqinë shkatrruese. Dhe një mëngjes nuk zbardhen ma monumentat... ose zbardhen, por të thyem, të coptuem, të grimcuem. Duer, kambë, krena, hundë, gjoksa, barqe, të gjitha guri, mbashi kishin fluturue n'ajr, kishin gjetë qetsi në tokë dhe kishin varrosë një tufë... (jo lule!) lypsa, dhe një miljon... (jo bùj!) berre që kullosnin nepër këmisha të ndyta. Te gërmadhat e monumentit të dashnisë vllaznore, vdiste djaloshi shkatrrimtar. E kisht arrijt lynch-i lypsave, të cilt, posa u shemben monumentat, u lëshuan si ujqit me bri të thame nga ùja.

COMMENTS