Paulin Lacaj

paulin lacaj aktor teatrit dhe kinematografise
Paulin Lacaj, ndryshe nga aktorët e tjerë, krahas aktivitetit të tij artistik, u muar edhe me krijimin e arkivës së teatrit "Migjeni" të Shkodrës. Tani, arkiva, sikur, "fliste" me emrin e tij. Më vonë, kur Paulin Lacaj u nda nga jeta, "fati" i arkivës ra në duart e aktorit të talentuar Nefail Piraniqi. Çuditërisht, tek këta dy aktorë, ndonëse i ndajnë hapësira të ndryshme kohore, shënimet flasin për një punë të kujdesshme në shkrim (kaligrafi), përbashkuese (bukurshkrim), i cili të fal emocion e admirim. Vitet, përsëri, do të kalojnë... dhe arkiva, një ditë, merr kujdestarinë e aktores Merita Smaja, që e vazhdon aktualisht... Përsëri, çuditërisht, sikur vjen nga vitet përvoja e vlefshme e mjeshtërve, si një vjollcë me aromë mirakande, të cilën Merita e vazhdon dhe e pasuron dita-ditës kujdesshëm e me përkushtim...

Zakonisht, kur flasim për arkivë, historia me ngjarjet e saj është më pranë se kurrë, nganjëherë, e pse jo bëhet edhe "personazh" kryesor... Flet Historia. Pandërprerë... Më vijnë jehonat dhe urtësitë e saj, kur marr në duar dosje aktorësh. I shfletoj me kujdes dhe, një fllad pluhuri ma "freskon" fytyrën... Trishtohem! Ky trishtim nuk është jetëshkurtër, shpesh mbart një pyll pikëpyetjesh dhe, po shpesh përsëritet... Ky trishtim bëhet brengosës, kur kërkon vlerat e njëmendta dhe nuk i gjen dot... Kjo humbje nuk është e rastësishme. Nuk i ngjan një dite të zakonshme. Është drama e humbjes së një kohe që ka jetuar, të një periudhe kohore e ca më shumë... Është drama e humbjes së gjurmëve, të fytyrës, të ekzistencës, të... Është humbje e humbjes... Është humbje e amanetit!...

Megjithatë, nuk e di, por për Shkodrën time më pëlqen 'me andrrue'... Apo siç thotë poeti Arshi Pipa: "Enden për qiell andrrat që s'duen me u shkimë". Po sa pushtet ka andrrimi?... Apo vazhdoj të endem "duke andrrue"... Po sa?... Deri kur?... Apo sa të gjej e të diktoj kufijtë e vërtetë të këtij ëndërrimi... fatlum a i pafat...?
Më pëlqen "me andrrue" për Shkodrën time, teksa i hedh një sy shënimeve të mia, sikur më ngjajnë me një "arkivë". E, kjo është një "arkivë" modeste, që zu fill në vitin 1988. Mori hov dhe dimension gjatë viteve të punës sime si gazetar në radio Shkodra. Kam qëmtuar gjithnjë në jetën e aktorëve, kur shumicën prej tyre i kam pasur miq. Në intervistat e shumta që kam bërë me to, eh, sa shumë më kanë besuar!... Kjo është arsyeja, që edhe sot nga dita në ditë, qëmtimet e mia vazhdojnë, trokitjet nëpër dyert shkodranë, po gjithashtu, vazhdojnë pandërprerje... E, shumë shënime kanë hyrë nëpër shkrimet e mia. Shumë prej tyre kanë qenë bërthama për vazhdimësi shkrimesh... Ashtu, sikundër, shumë shënime presin "të preken" e të lexohen me vëmendje... "Duhet shpejtuar se vitet ikin..." - shpesh herë i them vetes dhe nis e zhytem si pakuptuar në një botë magjike siç është teatri.
Po e përsëris, si një lajtmotiv, sepse ma ka ënda ta përsëris: 'Më pëlqen me andrrue për Shkodrën time! Shkodrën!... (Skodrinon)'

Skedë... dhe shënimet e Paulin Lacajt

Teatri profesionist i Shkodrës e filloi aktivitetin e tij me premierën e tij të parë të titulluar "Përmbysja", dramë në 4 akte, nga autori Boris Lavranjev. Premiera u shfaq me datën 26 maj 1950. U përsërit 20 herë dhe u pa nga 6000 spektatorë. Në këtë dramë Paulin Lacaj luan rolin kryesor, atë të Shtube Leopold Fiodoreviç. Qysh në këtë premierë, i lindi ideja të krijojë një lloj arkivi personal. Këtë punë e vazhdoi deri në premierën e 30-të, që përkon me vitin 1959. Më pas nisi punën 'më seriozisht' e më gjerë, për të krijuar arkivin e teatrit "Migjeni". Me shumë punë, me shumë mund, sakrifica e orar pa orar; duke pasur si bazë arkivin e tij personal, arriti të kryejë Arkivin e teatrit të qytetit të tij të lindjes. Dhe në ndihmë të kësaj skede, na vijnë si udhërrëfim shënimet e Paulinit, i cili thotë: "Sot arkivi i teatrit "Migjeni" - 83 premiera në dosjet e tyre me këtë material: Teksti, fletorja e shënimeve të çfaqjes së premijerës, ku tregohet vendi, data, spektatorë; fotografijat, reklami i madh, fletushkat, shtypi (gazeta), skica e hartës ku asht çfaqë premjera jashtë Shkodrës, inçizimi, foto-ekspozita e premjerës, skicat e modeleve të veshë mathjes, platforma e regjisorit, skicat e skenës së premjerës, e tjera e tjera. Kurse 69 premjerat e Estradës janë t'arkivueme ndër dosjet përkatëse me këtë materjal: Fletorja e shënimeve të çfaqjes së premjerës me vendin - datën - dhe spektatorë, programi i premjerës, muzika (notat e muzikës), reklami i madh, fotografijat, libreti komplet, pjesë nga libreti, shtypi ose gazeta, skicat e skenografisë, tekstet e kangëve të solistave, inçizimi, e tjera e tjera... Edhe pse po dal në pension, brenda mundësive të mia, do të punoj e do ta pasuroj arkivën gjithnjë e më tepër me materialet e duhura. Kështu që t'u mbetet breznive një pronë kulturore e vlefshme në lëmin e historisë të teatrit tonë popullor."

Po vallë, sot, a ka adresë kjo arkivë? Po ku fle, në mënyrë të heshtur, ajo?...

Sigurisht, pret një dorë ta zgjojë... E kështu do të zgjohen kujtimet, do të zgjohen aktorët dhe "do të lëvizin dhe interpretojnë"... si dikur në skenën e dashur, të shtrenjtë, të mirënjohur dhe të paharruar... E kështu Teatri, si dikur, tani, përsëri "do të frymojë" dhe do të marrë jetë... Kështu teatri do të ketë një kod, një shenjë, një tipologji. Kështu Teatri do të jetojë brenda jetës së tij! Një kohë plot vlera..., të cilat, sigurisht, do të studiohen, do të analizohen dhe do të ketë një optikë vlerësimi. Por ajo që është më e rëndësishmja: Historia jeton, historia ka emër... Po me të jeton edhe qyteti që e kishte për zemër këtë teatër... Dhe... të faleminderit Paulin Lacaj!

Jeta dhe rruga teatrore

Paulin Kolë Lacaj ka lindur më 28 prill 1914 në lagjen Serreq, një lagje me traditë dhe emër në qytetin e Shkodrës. Si gjyshi, ashtu dhe i ati kanë ushtruar zanatin si tallaganxhi (prestar petkash kombëtare). Meqenëse ky zanat, në vitet e mëvonëshme, nuk mund t'i siguronte jetesën familjare, i ati i Paulinit nisi punën si cikrimtarë në një dyqan të vogël në pazarin e vjetër të Shkodrës.
Kreu pesë klasë fillore, nji gatimore dhe dy klasë të gjimnazit pranë Shkollës Saverjane në Shkodër. Më vonë ushtroi këto profesione:
Në vitin 1931 u emërua nga Ministria e Drejtësisë si praktikant zyrtar pranë Zyrës së Përmbarimit Shkodër. Punoi deri më 26 gusht 1934.
Më 29 gusht 1934 shkoi ushtar. U lirua më 10 prill 1935. Nisi punën përsëri pranë Zyrës së Përmbarimit deri më 18 dhjetor 1939, si sekretar.
Më 19 dhjetor 1939 deri më 27 nëntor 1944 punoi si sekretar pranë Gjimnazit të Shtetit.
Më 08 dhjetor 1944 deri më 21 shkurt 1945 shërbeu pranë Gjykatës së Prefekturës, për rregullimin e arkivës.
Më 22 shkurt 1945 deri më 15 dhjetor 1949 shërbeu si nëpunës pranë Zyrës së Përmbarimit.
Më 16 dhjetor 1949 pranohet aktor profesionist në teatrin "Migjeni" të Shkodrës deri në daljen në pension.

Po kush ishte Paulin Lacaj?

Një nga amatorët e vjetër të këtij qyteti, por... që qysh prej fëmije, në moshën 10-vjeçare, me një veprimtari 40-vjeçare dha kontribut në lëmin e teatrit. E pati pasion, ëndërr të mirrte pjesë në artin dramatik. Do të jetë për të një gëzim i veçantë themelimi i teatrit profesionist të Shkodrës. (Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 572, datë 24.11.1949. U inagurue më 29.11.1949). Paulini ka fatin të emërohet ndër tetë profesionistët si aktor profesionist pranë këtij institucioni.

Po shënimet e Paulini çfarë thonë për rrugën e tij teatrore?

Ja, se çfarë thonë: "... kam marrë pjesë në shoqëri të ndryshme, e veçanërisht në atë "Bogdani". Interpretova në disa drama, si "Themistokli Gërmenji" (16, 17 prill 1932), "Moisi Golemi" (20 nëntor 1936), "Dredhitë e Patukut", "Dy princa për një vashë" (26 prill 1936), etj. ... që nga mosha 12-vjeçare deri në vitin 1939 kam marrë pjesë në: 20 premiera, kam dalë në skenë 91 herë, dhe më kanë pa 30248 spektatorë. Si diletant kam marrë pjesë në 10 premiera ku kam pasë gjithnjë role kryesore, në skenë kam dalë 59 herë dhe më kanë pa 16950 spektatorë. Ndërsa si aktor profesionist: - Nga 89 premiera kam marrë pjesë në 76 prej tyre, me 30 kryerole, me 32 të mesme dhe me 14 episodike. Kam dalë në skenë 16698 herë dhe më kanë pa më shumë se gjysëm milioni spektatorë. Kjo, në vija të përgjithshme, përmes shifrave, është rruga e aktivitetit tim teatror."

Portret i pambaruar...

Paulini ishte njeri i heshtur. Në gojë mbante gjithmonë fjalën e mirë. E shihje gjithmonë me një cigare në qoshe të buzës. Me atë cigare fillonte mëngjesin, pastaj pandërprerë deri në darkë: cigarja ndizte cigaren.
Në të ecur - trupdrejtë. Flokët të krehura gjithmonë me kujdes. Një pamje e ëmbël, ndonëse vetullat i kishte të trasha e pakëz të dendura.
Gjithmonë me çantë në dorë. Nuk e mbante për snobizëm. Përveç punës si aktor, kishte dhe një pasion tjetër të madh: arkivën. Ai është krijuesi i parë i arkivës së teatrit në Shqipëri. Në bazë të modelit të tij, punuan dhe teatrot e tjerë për të krijuar arkivat e tyre.
Paulin Lacaj është shquar si një aktor i kujdesshëm. Serioz në përgatitjen e roleve. Me një hapësirë njohurish jo vetëm për teatrin shqiptar të asaj kohe, por edhe atë evropian. E për dimensionin e rritjes së tij si aktor, padyshim ka një meritë të veçantë i vëllai, Henriku (Lacaj), jo vetëm për bagazhin e gjerë kulturor e erudicionin, por edhe si artist që vuri në skenë shumë pjesë, shkroi, përktheu me dinjitet e nivel; të gjitha këto, rrezatuan te Paulini. Krijuan tek ai, si atëherë, dhe më vonë si profesionist, figura të tilla të interpretuara, që edhe sot mbahen mend. Ishte tepër i kujdesshëm (përsëritje që i shkon për shtat në përgatitjen e figurës).

Përgatitjen e figurës e fillonte qysh nga teksti, te veshja, mimika e fytyrës që e kishte tepër të zhvilluar. Të gjitha këto bënin që rolet e interpretuara, në të shumtën e rasteve të priteshin mirë nga spektatorët. Po veçantojmë disa role, si: "Shtube te "Përmbysja", Valter Kild te "Zani i Amerikës", Xhon Arthur te "Njerëz me vullnet të mirë", Kleanthi te "Koprraci", Borisi te "Shtrëngata", pashai te "Shatë shaljanët", ku aktori Paulin Lacaj dha një interpretim të spikatur e mbresëlënës.

Lidhur me interpretimin e roleve, po japim edhe disa shënime të tjera të mbledhura nëpër gazetat e kohës: "Te drama "Votra e huej" Paulin Lacaj të entuziazmon me lojën e tij", "Te drama "Tragjedia optimiste" (premierë, 30 prill 1960) P. Lacaj qiti një figurë sa të errët të dramës aq dhe të luajtur mirë. Në këtë aktor, me një fiksim shumë të pastër, shihet vazhdimisht një rritje në punën profesionale", "Te drama "Djali plangprishës" Lacaj ka nxjerrë një personazh të përpiktë e të drejtë. Roli i tij është bindës me diksionin e tij të mirë e të plotë dhe me zërin e shkrifët e të ëmbël dhe të qartë skenik, qe shembull."

Përsëri me Arkivin, bashkëudhëtarë...

Ashtu siç e përmendëm disa herë, me emrin e Paulin Lacajt lidhet krijimi i arkivës së teatrit "Migjeni". Për të e rëndësishme ishte çdo gjë: një telegram, një ftesë teatri, një pjesë, një shirit inçizimi, data se kur është dhënë shfaqja, platforma e regjisorit, e kështu grumbullonte e grumbullonte për çdo shfaqje material që ta mbushte sa më shumë dosjen e asaj premiere...
Regjistronte para çdo shfaqjeje, para se të hiqte makiazhin apo rrobat e shfaqjes. Pa përtesë nxirrte dosjen e shfaqjes që ishte dhënë atë natë dhe shkruante radhën e kësaj shfaqjeje: sa spektatorë pati, ç'datë ishte, ç'të veçantë kishte... etj., etj. Kur mbaronte këtë punë fisnike, atëherë zhvishte rrobat e rolit. Edhe një kuriozitet për të. Shkruante me bishtpenë. Asnjëherë me stilograf apo me stilolaps. Edhe me makinë shkrimi asnjëherë, megjithëse dikur kishte punuar në gjykatë, dhe e zotëronte shumë mirë makinën e shkrimit. E bënte, sepse ajo bishtpenë, sipas mendimit të tij, i jepte arkivës: jetëgjatësinë. Dhe "portat" e saj gjithnjë ishin të hapura, sepse nesër apo pasnesër do të vijë studiuesi, në mes të tjerave do të shikojë se kjo arkivë u punua nga një dorë e kujdesshme e me një kaligrafi të bukur, shembullore nga dora e aktorit Paulin Lacaj, i cili vdiq më 14 janar 1976, në moshën 62-vjeçare.

Për të plotësuar më mirë figurën e tij, theksojmë se, ai ishte edhe një filatelist i mirë. Gëzonte një fond të mirë pullash. Gjithsesi puna e tij në shërbim të arkivës së teatrit, mbetet gjithnjë një model.

... dhe një faqe model nga një arkiv model...

Në mes shumë faqeve, faqeve të pafund të arkivit që krijoi me mund e sakrifica aktori Paulin Lacaj, ne shkëputëm një faqe, për t'u njohur me të, dhe ka lidhje me organikën e parë të Teatrit "Migjeni"...

"Në bazë të vendimit të këshillit Ministruer Nr. 572, Dt. 24/XI/949 mbi Themelimin e Theatrit Profesjonist të Shkodrës, paraqitet organika e Theatrit në fjalë si vijim:

I. Kuadri Artistik:
1. Rregjizori - Andre Skanjeti me rrogë muejore Lek 4500.

II. Aktor Profesjonista:
1. Çezarina Çiftja me rrogë muejore lek 3.500
2. Antonjeta Fishta me rrogë muejore lek 3.500
3. Viktore Ujka me rrogë muejore lek 3.500
4. Adem Kastrati me rrogë muejore lek 3.500
5. Ndoc Deda me rrogë muejore lek 3.500
6. Ndrek Prela me rrogë muejore lek 3.500
7. Paulin Lacaj me rrogë muejore lek 3.500
8. Tef Krroqi me rrogë muejore lek 3.500.

III. Aktor gjysë profesjonista:
1. Tinka Thani (Kurti - shënimi im)
2. Bahrije Mani
3. Fadile Mustafa
4. Zef Jubani
5. Lin Gjoni
6. Enrrik Prendushi
7. Gjovalin Çarkaxhija
8. Halim Kali
9. Kolec Tafrruku
10. Cesk Vuksani
11. Muhamet Ulqinaku
12. Cin Lufi.

Dymbdhet aktorët gjysmë profesjonista kan si shpërblim mujuer mesatar prej Lek 1.200 - në muej.

IV. Sufler:
1. Palok Kurti (i shoqi i Tinka Kurtit - shënimi im) me rrogë mujore Lek 2.610.

V. Kuadri Teknik:
1. Rekuizitjer/Magazinjer - Ndoc Bazhdari me rrogë mujore Lek 2.790
2. Elektricist - vakant me rrogë mujore lek 4.000
3. Skenograf/Piktor - Pjetër Deda (babai i aktorit Zef Deda - shënimi im) me rrogë mujore 3.600
4. Marangoz - Lec Prendi me rrogë mujore 4.160
5. Nd/Marangoz - Kin Marashi me rrogë mujore 2.880
6. Rrobaqepës - Ejell Gjushi me rrogë mujore 3.600.

VI. Kuadri Administrativ:
1. Llogaritar/Biljetar - Zef Jubani me rrogë mujore 2.790
2. Pastrues/Shërbyes - vakant me rrogë mujore 2.160
3. Daktilografist - vakant me rrogë mujore 2.070.

Kjo organikë e Theatrit Profesjonist hynë në fuqi me 1/XII/1949.

... dhe në mbyllje një kujtim nga Zef Deda, Artist i Merituar...

Pyetjes sime: Kujtoni me nderim dhe respekt drejtuesin e grupit të teatrit në Shtëpinë e Pionierit, aktorin e teatrit "Migjeni", Paulin Lacaj?... Aktori Zef Deda u përgjigj:

"Më lejoni t'i bëj pak portret zotni Paulinit, i talentuar si aktor. Me flokët përpjetë, të ngrira e të lyera si me brilantinë. E kujtoj në stinën e verës dhe të dimrit. Në këtë të fundit vishte një pallto ngjyrë kafe të mbyllur. Dhe kujtoj... kur bënte të ftohtë, mblidheshim pranë stufës. Drita ishte e vobektë. Drita e zjarrit i binte në fytyrë, dhe... zotni Paulinit i ndriçonte fytyrën, gojën, e cila fliste shqip bukur e me kantilenë. Kishte mjeshtëri kur na tregonte një episod, kur na zbërthente një rol a një personazh. Na rrëmbente me botën e tij të personazhit! Ta fuste në kokë, që ta vazhdoje këtë rrugë. Dhe ma futi në krye vërtet, mua personalisht.
Ecte rrugës i qetë. Rrugën e zgjidhte drejt. Me vetulla të trasha. Me cigare e çantë në dorë. Brenda saj një pjesë e pasurisë së arshivës që e mblidhte çdo ditë. Ishte një arshivë model. Ishte korrekt e strikt për çdo element të dokumentacionit të arshivës. Na shpjegonte. Kështu dua të ma mësoni. Kjo është korrekt. Dhe ne kur i përgjigjeshim, ashtu, siç na thoshte zotni Paulini, ai përgjigjej: "Korrekt!"
Më ka dashur shumë! Më ka hapur dritaren e dëshirës për t'u bërë aktor. I faleminderit!"

Nga Xhahid Bushati

COMMENTS