Poezi nga Martin Camaj

Poezi nga Martin Camaj


martin camaj poezi nga martin camaj

Poezija e rilindjes


Kur Shqipja mbetë
në fundin e lugáj's përbys mbi tokë
me krahë të paluem, me gjak të ngrimë,
nga thalbi i gurit t'bardh' duel kânga Ilire.
Nepër avull t'agimit përzì me rreze
sa e fortë tinglloi mbi lisat e gjatë.
Shkambi në te njofti fuqìn e vet
e qytetet e humbuna nën dhé
ajrin e pyjeve të vjetra Dardane.
Flatrat e Shqipes, qè, filluen m'u hapë
si ganxhet e luleve të harrueme.

*****

Brêzi i vektares


Larat e brêzit nën duert e saja në vegë
ma zgjojnë pranverën në shpìrt.
Fjalët e zêmrës saj ngulen në larat e brêzit
e m'dhimben si ernat e luleve të k'putuna
pse njéri i gjallë askush nuk ka me i k'ndue.

"Lej andrrat, vektare, aman, lej andrrat!
Zanat s'jetojnë ndër mrize në bjeshkë:
ato janë këtu,
ato janë motrat e ftyrës sate që e shef
në mëngjes n'ujin e pusit të thellë.

Magjistar nuk jam
ngjyrën e andrrave tua të kërkoj.
Nji gjâ sall dij, vektare:
larat e brêzit n'at belin tand të hollë
kanë me më lidhun sytë".

*****

Vêndit t'em


Kur të vdes le të bâhem bar
në malet e mija në pranverë,
në vjeshtë do të bâhem farë.

Kur të vdes le të bâhem ujë
e fryma e eme àvull,
në fusha do të bij si shi.

Kur të vdes le të bâhem gur
në skâjin e vêndit t'em
të qindroj gjithmonë kufî.

*****

Shiu mbi lum


Mjeglla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijn' mbi lum
në qiellin e vrant' leviz nji halë
shpirti s'don dhimba e shtati lyp gjum.

Ujë a ba gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijn' mbi lum
Dëshira e pjekun po bjen prej degës
shpirti s'don dhimba e shtati lyp gjum.

Në votër flaka po del prej krandeve
e pikat e shiut po bijn' mbi lum
veshët e mij jan' lodhë prej zaneve
shpirti s'don dhimba e shtati lyp gjum.

*****

Mbramja asht larg


Mbramja asht larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.

Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
e ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.

*****

Diptik


Ishte koha me kthye andej kah erdha
te zanafilla dhe e mbylla librin
si mbyllen dý flegra dritaresh
dhe më doli para kuadri diptik
i thyem midis prej një kurrizorje
ashti njeriu

dhe në tê pasqyra e jetës ndá përgjysë
poezí në dy fletë ku çdo fjalë rrinte
në shërbim t'idesë "palimpsest".

COMMENTS